Një miku im, që, siç pohon vetë, nuk lë shkrim timin pa lexuar, madje më merr dhe telefon për ta konfirmuar këtë, më thotë para pak ditësh:”U bënë ca kohë që s’kam lexuar gjë prej teje, mos ke ndërruar botuesit”. ”Ke të drejtë, ia ktheva, por nuk e kam ndjerë të nevojshme apo, si të thuash, s’më është bërë për mbarë. Kur ke parasysh bombardimin mediatik në Shqipëri që, në krahasim me popullsinë besoj se është nga më intensivët në Botë dhe gjithë atë luzmë politikanësh që gumëzhijnë në të katër anët e vendit, e ke vështirë në mos edhe të pamundur që të thuash diçka të re, të pathënë më parë…”. “Megjithatë, – shtoi miku im, që me sa dukej nuk mbeti i kënaqur nga reagimi im, – secili që shkruan apo dhe flet, ka këndvështrimin e vet. Pikërisht kjo e përligj gjithë këtë lukuni analistësh, gazetarësh, opinionistësh apo quaji si të duash. Për më tepër që koha për të cilën po flasim, ka qënë e ngarkuar me ngjarje nga më të larmishmet e më të çuditëshmet, si asnjëherë tjetër: u zgjodh presidenti i ri, u ngrit çadra, vërshuan ndëkombëtarët, nga këndej e andej oqeanit, u takuan dy krye-partiakët, u bënë zgjedhjet…që ti i di më mirë se unë. Për tërë këto, s’ka se si të mos kesh dhe ti vlerësimet e tua, tjetër punë a dëshiron t’i bësh publike apo jo…Por, me që u takuam, a mund të më thuash, me pak fjalë, se si i gjykon tërë këto zhvillimet e fundit në vendin tonë?”. Mblodha buzët, tunda kokën e po e shikoja si me habi: e ç’mund t’i thosha kur për secilën nga ato ngjarje janë shkruar dhjetra në mos qindra artikuj e në kanalet e ndryshme televizive është folur për orë të tëra. Ai ma “lexoi”mendimin e prapë nuk hoqi dorë nga e tija: “Takohemi ndonjë ditë e bisedojmë më gjatë, se të dyve na duhet të ndahemi tani…”- i thashë për ta mbyllur këtë temë, por prapë pa sukses. “Po mirë, or burr i dheut, më thuaj një përshtypje, se nuk bëhet qameti”. Ndërkohë, unë po vrisja mendjen se ç’mund t’i thosha, sa më shkurt, qoftë edhe me një fjalë të vetme. “Eureka!- bërtita, – s’po ta prish, e gjeta vlerësimin tim për gjithë zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, që mos të të ngelet merak: NEVERI! Je i kënaqur tani? Më hollësisht bisedojmë ndonjë ditë tjetër.” Dhe u ndamë.Në respekt të tij e të ndonjë tjetri që mund të më lexojë, po përpiqem, sa më shkurt, të jap mendimin tim, për zhvillimet më të fundit.
Presidenti
Si mund të mos të të shkaktojë neveri fakti se kush u zgjodh e si u zgjodh presidenti i ri? Meta qe betuar e stërbetuar se nuk do e pranonte atë post, por mjaftoi një darkë me mik/armikun e tij Ramën dhe e pranoi postin e numurit një të shtetit. A ka politikan më të përfolur se ai jo vetëm për korrupsion por edhe për një sërë cilësish të tjera negative?! Madje, të shumtë qenë ata, përfshi edhe atë që e zgjodhi, që hamendësonin se e priste burgu. Kujtoni vetëm intervistat e tij të vështira jo vetëm tek media e vendit por edhe tek të huajat. Statusi i ri që mori e donte që ai të hiqte dorë nga përkatësia partiake e të qëndronte mbi palët por, gjatë fushatës, ai qe më partiaku e më agresivi nga të gjithë të tjerët. Vetëm ndonjë naiv mund të presë që ai të veprojë ndryshe kur të ulet në karrigen e numurit një të shtetit, se partishmëria apo militantizmi nuk janë kostume që i vesh e i zhvesh sa herë të duash, për më tepër Meta që e ka treguar veten gjithmonë si një militant i thekur. Po të ndiqje intervistën e tij tek “Opinioni”, kur deklaronte se e kishte pranuar atë post kundër dëshirës së vet por për të nxjerrë vendin nga kriza, pra për të mirën e popullit, rrezik të bëje hari-kiri, si japonezët, apo të çaje barkun, siç themi ne.. Si të mos mjaftonin tërë këto, dorëzoi teserën e partisë dhe në krye të LSI-së vuri të shoqen. Përfytyroni kur Monika, në sallon, kuzhinë apo në krevatin bashkëshortor t’i kërkojë të shoqit ndonjë mendim dhe ai t’i thotë: “Nuk përgjigjem se jam president, mbi palët…”. Mbase kanë vendosur të flenë në dhoma, pse jo dhe vila të ndryshme se mundësitë i kanë. A mund t’i përjetosh pa neveri tërë këto veprime e pohime të tij, kur të gjithë e njohim se kush është?! Kaq budallenj na bën neve që e dëgjojmë? Mbase mirë na e bën, se me sa duket, e meritojmë!
Çadra
U duk sikur çadra e përligji vehten deri para çmontimit të saj. Basha, me fjalimet e përditëshme patetike, deri në ngjirje, sikur na e ndryshoi të gjithëve sadopak opinionin që kishim për të, duke e afirmuar veten si lideri i vërtetë i PD-së. Pse jo? Analistë e politikanë, madje dhe ndërkombëtarët, po i pranonin diagnozat e tij për Ramën e qeverisjen e tij, sidomos për korrupsionin, kriminalizmin e pushtetit dhe kanabizmin e vendit. Me thirrjen e tij për të mos u futur në zgjedhje me Ramën kryeministër po binin dakord të gjithë ata që nuk bënin pjesë në “tepsinë” e këtij të fundit. Dhe ja papritur takimi i shumëpërfolur i 17/18 majit. Si me shkop magjik ndryshoi gjithçka: Kryetari i Opozitës hoqi dorë nga kërkesat radikale, çmontoi çadrën dhe pranoi të hyjë në zgjedhje jo vetëm me Ramën kryeministër por dhe të bashkëqeverisë me të. Njerëzit nuk po iu besonin syve dhe veshëve kur dëgjonin nga goja e Bashës një retorikë krejt tjetër. U duk sikur armiqtë e deridjeshëm, që nuk kishin lënë gjë pa thënë kundër njeri tjetrit, papritmas na u bënë miq. Hë, pra, a nuk të ngjall neveri gjithë kjo?
Enigma e 17/18 majit
(Habitem me ata që habiten)
Gati të gjithë, politikanë e analistë, po luajnë mëntç për të zbuluar se ç’është diskutuar mes Ramës e Bashës në atë mesnatë. Nga një anë, nuk kanë faj, se pas asaj qepallosjeje, ndryshuan si me magji që të dy. Unë nuk e kam të vështirë të marr me mënd se si ndodhi ai ndryshim, madje habitem me të habiturit që nuk e kuptojnë se si mud të ndryshojnë tek ne qëndrimet e dy liderve brenda një nate. As më shumë e as më pak, problemi është fare i thjeshtë e i qartë: ata i kanë kapur xhaketën me derë njeri tjetrit. Rama e Basha janë akuzuar aq shumë jo vetëm nga Media e kundërshtarët politikë por dhe nga autoritetet ligjore të vendit e ndërkombëtare, për mega-afera korruptive. Ja, ky është çelësi që zbërthen atë pesë-orësh misterioz. A nuk të neveritet edhe kjo marrëveshje e fshehtë e kthesë e tyre e papërligjur?
Fushata e zgjedhjeve
Qe më qesharakja, edhe pse pa incidente, si herët e tjera. Pa nerv, pa shpalosje programesh, pa debate të mirëfillta. Kryeministri, veshur me brekushe për t’u dukur sa më popullor, shkonte fshat më fshat e qytet më qytet, apo dhe nga një televizion në tjetrin, e bënte qyfyre. As që donte t’ia dinte për premtimet e pambajtura, për kolapsin ku ka rënë ekonomia e vendit, për ikjet masive të të rinjve, për kanabisin që furnizon Europën, për asgjë, veç batuta, përralla, dialogje vulgare. Po ta dëgjoje e të mos e njihje, as që të shkonte në mendje se qe kryeministri i një vendi që po kërkonte një mandat të dytë. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se ai nuk i bënte rastësisht tërë këto. Duke pasur vetëm bilance negative ai iu shmang me mjeshtëri ballafaqimit e u mor me retorikë boshe, duke u bërë gjoja interesant e popullor. Kishte gazetarë që e miratonin një zgjidhje të tillë duke pohuar se ka ikur koha e programeve dhe premtimeve; njerëzit tashmë votojnë për liderat, për personat; sa arrijnë ata ta bëjnë për vete masën apo turmën dhe, ndofta, nuk e kishin keq, se tek e fundit ajo do t’ia jepte votën.
Dhe nga kundërshtarët e tij, fushata nuk të ngjallte asnjë interes: Basha tashmë e godiste si me pambuk kryemafiozin e djeshëm që donte me demek t’i zinte vendin; Meta me të vetët, për çudi u hodhën në një agresion të egër ndaj dy partive të mëdha, që siç të linin përshtypjen pas takimit të shumëpërfolur, patën vendosur ta nxirrnin LSI-në jashtë loje. E kishe të vështirë ta besoje se ata që po shanin tani njeri tjetrin, vetëm pak kohë më parë kishin shpallur vazhdimin e aleancës qeverisëse. Tamam kalamaj që luajnë e që papritur prishen kur kuptojnë hilet e kundërshtarit.
Fitore e turpshme e Ramës
Pas gjithë asaj fushate me qyfyre e me pranim me zë të ulët të dështimeve katër-vjeçare, nga që e kishin penguar aleatët, siç pohonte kryeministri ynë karagjoz, logjika më elementare e donte që Rama, jo vetëm të mos e fitonte dot atë 71 përqinshin e stër-lypur në çdo miting e intervistë, por minimumi të dilte një rezultat i balancuar që do të kërkonte detyrimisht koalicion me dikë tjetër. Por, ja që jetojmë në kohë çudirash e kemi të bëjmë me një elektorat po aq të çuditshëm: Rama fitoi jo 71 po 74 deputetë, më tepër edhe se sa ëndërronte vetë. Inat kije por hakun mos ia haj: ai ia arriti qëllimeve të tij: nxorri Lulin nga çadra, e detyroi të hyjë në zgjedhje, përçau PD-në siç nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe tani ka të drejtë të kapardiset si mbret. Tjetër punë që fitorja e tij është nga më të turpshmet në këtë çerek-shekullin e Pluralizmit, kur kemi parasysh se me një llogari fare të thjeshtë del që ai është votuar nga më pak se një e katërta e popullsisë. Kjo më kujton atë historinë me një nxënës që, kur u kthye nga shkolla i tha të atit se kish dalë i dyti në garë. I ati u gëzua dhe e përqafoi. Më pas e pyeti: “Po sa veta ishin në garë?”. “Dy…”- ia ktheu i biri. Por Rama as që do t’ia dijë për këto. Ç’deshi e fitoi, paçka si e qysh. Nuk po merrem me vjedhjen e votave përmes milionavet të pareve që u derdhën si lumë gjatë fushatës, nga kanabisi e burime të tjera të pista. Të ashtuquajturit ministra e drejtorë teknikë, as që arritën të frenojnë sadopak makinën e sofistikuar të fitores së zgjedhjeve që Rama e kishte instaluar prej kohësh. Ata vetëm sa i siguruan kryeministrit alibinë e duhur për krimin elektoral që u krye. A nuk të ngjall neveri e gjithë kjo?!
Po “Republika e re” ku vajti?
Që do të fitonte Rama, asnjë nuk e vinte në dyshim, pavarësisht se siç thamë më lart, ai nuk e meritonte. Duke pasur parasysh mafiozllëqet e tij, siç edhe po i dalin tani një nga një, ai e kishte fitoren të sigurt. Por, që PD-ja të përjetonte humbjen më të thellë në historinë e saj, kjo nuk parashikohej. Arsyet janë të shumta. Mbi të gjitha, përçarja e saj fatale. Qindra mijëra simpatizantë të saj nuk shkuan të votonin, sidomos pas marrëveshjes së fshehtë e të turpshme të Bashës me Ramën. Si do të dilte para publikut Basha pas gjithë kësaj? Kam parasysh sakrificat jo të vogla të ndjekësve të tij që për tre muaj u ngujuan në çadër, duke sakrifikuar jo pak. Dhe ja tani ai i preu në besë, jo vetëm pse u takua me Ramën e nuk tha asgjë se ç’bisedoi me të, por që hoqi dorë aq papritur nga tërë ato akuza e parakushte të tij. Deri sa dështoi kauza e tij, ai duhet ta kishte dhënë dorëheqjen qysh kur ndërkombëtarët, siç u tha, e detyruan të dilte nga çadra. Pas humbjes fatale, doli si i zgërlaquar, gati duke qarë, para kamerave. Në vend që të deklaronte dorëheqjen pa revokim, e “ngriu” postin e tij pa dhënë asnjë përgjigje. Jo vetëm kaq, por pas pak ditësh ai do të “shkrihej” e do të na befasonte përsëri duke pretenduar për të qënë sërish kryetar i PD-së, pavarësisht tre humbjeve radhazi. Ai na dha kështu një mesazh tjetër se, në këtë vend, as që mund të bëhet fjalë për politikanë me sado pak personalitet e dinjitet. Turp e faqja e zezë për të e për gjithë ata që e mbështesin. Neveri!
Ndërkombëtarët
Është për të ardhur keq, deri në dhimbje, që ka akoma njerëz që iu besojnë ndërkombëtarëve. Nuk është fjala për ato shtete që na kanë ndihmuar e vazhdojnë të na gjenden pranë, por për të dërguarit e tyre që vlerësojnë zgjedhjet e fitoren e Ramës, ndonëse e panë se si u zhvilluan ato dhe janë njohur me dështimet e gjithanëshme të qeverisë së tanishme. Kjo tashmë nuk habit njeri. Atyre iu duhet vetëm stabiliteti i vendit dhe as që e çajnë kokën për zhvillimet e brendeshme; as që duan t’ia dinë se në Shqipëri po instalohet një shtet despotik, antipopullor, i korruptuar e që të vetmen “meritë” të dukshme, në raport me ta, ka furnizimin e Europës me narkotikë.
Populli
Më dhimbset mu në shpirt ai popull që po vuan pa e merituar, se andej kam dalë dhe akoma e quaj veten pjesë të tij, edhe pse ndodhem kaq larg. Ndryshe as që do e kisha marrë mundimin të shkruaja këto radhë. Por, kundër dëshirës time, detyrohem të pohoj se ai ka paguar e do të paguajë haraç të madh. Diktatorët që e kanë sunduar kanë kultivuar tek ai nënshtrimin e jo revoltën, gjë që po e shfrytëzojnë pamëshirshëm e paturpësisht edhe kiminelët, vrasësit, intrigantët, makiavelistët e të korruptuarit e pushtetit të sotëm. Liria e Demokracia, që naivisht kujtuam se i fituam në dhjetor të ’90-ës, kërkokan çmim të madh. Kur është fjala për vendin e punës, për bukën e gojës, për të ardhmen e fëmijve, mbase përligjet gjithçka edhe neveria që kemi përjetuar e do të përjetojmë edhe për kushedi sa kohë akoma. Situata politike atje më kujton një thënie pak banale që e kam dëgjuar nga të parët e mij, qysh i vogël: “Ka rënë shkopi në m… e nuk ke nga ta zësh”. Ajo mund të krahasohet me një vidë të sponuar që as nuk e shtyn dot më tej e as nuk e nxjerr për ta zëvendësuar me një tjetër.
Nju York, 21 korrik 2017