• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR NEXHMIJA PËRLOTI SALLËN E KONCERTEVE NË TIRANË

February 20, 2020 by dgreca

Nexhmije Pagarusha, hyjnesha e skenës/


Shkruan: IDRIZ ZEQIRAJ/
     Viti 1970. Në kuadrin e shkëmbimeve kulturore, ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, Seksioni i Kulturës pranë Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, kishte ftuar Nexhmije Pagarushën dhe Zef Tupecin, për vizitë në Shqipëri. Me këtë rast, mysafirët e nderuar u bënë pjesë e një shfaqje të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë.
     Në hyrje të Pallatit të Kulturës, ishte vënë një pllakatë, ku njoftohej se Ansambli Shtetëror jep shfaqje, me pjesëmarrjen e kosovarëve Nexhmije Pagarusha dhe Zef Tupeci. Interesimi, kurreshtja ishte e shtuar, sepse në atë skenë kishin pëerformuar rusë, kinezë, aziatikër të tjerë, evropianë të kuq, por jo edhe shqiptarë nga Kosova!
     Natyrisht, më të interesuarit për këtë shfaqje ishin ikanakët e Kosovës, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Kur themi të Kosovës, përfshihen të gjitha trojet shqiptare, të mbetura jashtë Shqipërisë londineze. Andaj, edhe sigurimi i biletave u vështirësuar. Megjithatë, disa nga ne, ikanakët e vonshëm, kryesisht, studentë, arritëm t`i siguronim biletat.
     Shfaqjet e Ansamblit shtetëror, gjithëherë shoqëroheshin me një solemnitet të veçantë, ku të pranishëm ishin edhe ndokush nga byroistët e partisë-shtet. Edhe asaj mbremje ashtu ndodhi. Përgaditja profesionbale, këndim e vallëzim, ishte harmonizuar mjeshtërisht. Krejt në fund të programit, moderatorja prezanton  praninë e dy artistëve kosovarë dhe i ftonë në skenë. 
     Dalja në skenë e Nexhmije Pagarushës ishte hyjnore. Atëbotë, 37 vjeçare, gjithë sharm e bukuri, rrezatonte mirësi e fisnikëri të pafundme. Përformimi skenik, inteligjenca, ngrohtësia interpretuese, finesa e papërsëritshme, të harmonizuara me hijeshinë e pashoqe, maxhepsën publikun e shkolluar  dhe buzëhollë, me sqimë të Tiranës. Përshëndetja, sa përulëse, aq edhe krenare, falenderuese për duartrokitjet e stërzgjatura të artdashësve metropolian, të Nexhmijës, jo vetëm për nga ndjesia, por edhe nga shkëlqimi i skajshëm, ishte risi në këtë skenë artistike. Në fjalët që i dilnin nga mendja dhe zemra – njëherësh, përçoi mesazhin e mallit dhe të dashurisë së shqiptarëve të Kosovës, për Shqipërinë nënë. Publiku, i prekur në ndjesinë vëllazërore, shpërtheu në duartrokitje. Nexhmija përloti Sallën e Koncerteve në Tiranë.
     Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha, këndoi tri këngë, nën shoqërimin me def nga Zef Tupeci. Nga salla u përsëritën, si në kor, “Baresha, Baresha!” Por, përgjigjia ishte vetëm buzëqeshja e ëmbël, plot keqardhje, e Nexhmijes. Jashtë sallës u tha se mungonte orkestrimi shoqërues muzikor. Por, më shumë u përfol, në surdinë, se “ishte jashtë standardit ideologjik komunist”, për kohën, hapësirën, vendin, Shqipërinë tonë supër-staliniste!
     Dëshira e ikanakëve shqiptarë të Kosovës, të ardhur në Shqipërinë e vjetër dhe të re, për t`u takuar e përshëndetur me binomin artistik, Nexhmijen dhe Zefin, mbetën pengu  i tyre. Viti 70-të, ishte shumë herët, një komunikim mes shqiptarëve, në të dy anë e kufirit. Shoqërimi i rreptë nga salla në Hotel “Dajti”, me hyrje të ndaluar për të pa autorizuarit, pamundësonte komunikimin. Kjo vlente edhe për Profesor Eqrem Qabejn dhe shkrimtarin Jakov Xoxa, kur prisnin në Lulishtën “Rinia”, përballë “Dajtit”, për t`i takuar absolventët e Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Rugovën dhe Rexhep Ismajlin, në vizitën e tyre të parë në Shqipëri, më 1971. Madje, edhe për këtë lloj takimi, kërkohej leje përkatëse.
     Ritakimi i Nexhmije Pagarushës me këngëtarën Fitnete Rexha, ishte emocional. Familja Pagarusha, në vitet `40-a, kishin qenë fqinj me banim në Tiranë. Dhe, ishin pritur e trajtuar me përzemërsi nga Familja Rexha. Babë Rexha, siç e thërrisnin tiranasit dhe më gjerë, ishte njeri i zëshëm. Ai u vra më 1946.
     Me rastin e tërmetit në Durrës e Thumanë, u fol shumë për mikpritjen e shqiptarëve të Kosovës, madje, “me epërsi, krahasuar me shqiptarët e Shqipërisë londineze!?” Në tej 70 viteve jetë, më shumë të jetuara në Shqipëri, se sa në Kosovë, mendoj se është e kundërta. Mikpritja e Shqipërisë së vjetër, me gjithë varfërinë e skajshme, dikur, është proverbiale. Shqiptarët atje janë shumë më afër Kanunit, traditës shqiptare. Gajreti i shqiptarëve londinezë, tejkalon atë të shqiptarëve të Kosovës. Dhe, kjo është provuar që nga pritjet e refugjatëve masivë të shqiptarëve të Kosovës dhe të trevave tjera shqiptare, pas Lidhjes të Prizrenit si dhe përgjatë dekadave të mëvonshme, me shpërnguljet dhunëshme, nga trojet e tyre lindake.

      Ligësia irrituese e shpifësve


     Në ditën e varrimit, në ditën e zisë kombëtare, kur arkmorti, me trupin e pajetë të Nexhmije Pagarushës, bartej bulevardit të Prishtinës, gazetari Reshat Sahitaj, nga Brukseli, villte vrerë për simbolin e dashurisë së popullit, kur shqiptarët e kudondodhur, me lot e dhimbje, po i jipnin lamtumirën e fundit! Përçudshëm, si e pikasi, pikërisht, këtë ditë, për lansimin e një shpifje të madhe, kundër Nexhmijës!? 
     Gazetar Reshati na kujton ndoca biçim “inelektualë” në vitet `60-a, të cilët në vend të mburrjes me zërin, këngën, artin e Nexhmije Pagarushës, e përcillnin me shpifje e denigrim, vese këto të provincialëve profanë. Në mes tjerash, llapaqenët llomotisnin se Nexhmija vizitat mjekësore i bën ke doktori gjinekolog serb. Për hir të vërtetës, mjekësia, qoftë edhe ajo e bërë nga doktorët serbë, ka qenë shumë korrekte. Shkrimtari Gorki shkruan: “Mos mohoni gjithëçka tek tjetri, sepse rrezikohesh të të mos të besojë askush për asgjë”.
     Ndoshta, si rrethanë lehtësuese për gazetarin Sahitaj, mund të shërbejë çekuilibrimi i tij, edhe në dy raste paraprake:
     1) Për ta arritur, pa meritueshëm, ndihmën sociale belge, bëri veprime spektakulare publike jo normale, njëjtë sikur ndoca “politikanë” të Kosovës dhe të Maqedonisë, në Zvicër dhe gjetkë në Evropë, më vonë “komandantë të UÇK-së!!”
     2)  “Vehbiu donte ta helmonte Beogradin e Kralevën”, duke helmuar ujin e pijshëm, shkruante, dikur, Reshat gazetari. Por, helmimi masiv është hiç më pak se terrorizëm. Rrjedhimisht, ai e justifikon vrasjen e Vehbi Ibrahimit nga Serbia, sot dëshmor i Kosovës.
     Zot, na ruaj nga shpifësit e çekuilibruar! 

Filed Under: Analiza, ESSE Tagged With: Idriz Zeqiri, nexhmije Pagarusha

Nexhmije Pagarusha-Bilbili i Kosovës, sot ditëlindjen e 83-të

May 7, 2016 by dgreca

Foto arkiv, maj 2010: Nexhmije Pagarusha e Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu – dorëzimi i Dekoratës Presidenciale/

-Zë i fuqishëm i shpirtit dhe vlerave estetike shqiptare/

PRISHTINË, 7 Maj 2016-B.Jashari/ Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha, ka sot ditëlindjen e 83-të.  Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar ditëlindjen e këngëtares së madhe shqiptare. “‘Bilbili i Kosovës’, ‘Mbretëresha e muzikës shqiptare’, ‘Këngëtarja e Shekullit’, ‘Artiste e Merituar’ , ‘Nderi i Kombit’, janë vetëm disa prej epiteteve dhe dekoratave që këngëtarja më e madhe kosovare e të gjitha kohërave, Nexhmije Pagarusha, i ka merituar gjatë dekadave të këndimit”, ka shkruar sot Mustafa.

“Sot, Nexhmije Pagarusha feston ditëlindjen e 83-të, duke qenë idhull i të gjithë brezave të Kosovës nga viti 1948 e deri më sot. Me zërin e saj mbresëlënës, Nexhmija u shndërrua në institucion kulturor të Kosovës. Urime, edhe shumë vite të tjera.
Kosova krenohet me ty!”, është shprehur kreu i qeverisë së Kosovës.

Poashtu, ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka uruar këngëtaren e shquar shqiptare. Ai u shpreh se Pagarusha me zërin e saj të mrekullueshëm, i ka dhënë kulturës së Kosovës vlera të përhershme, duke u bërë njëherësh burim frymëzimi për breza të tërë. “Zëri i saj ka kumbuar fuqishëm përgjatë dekadave të tëra, duke na mbajtur gjallë dashurinë për kulturën, të bukurën dhe shpresën për një të ardhme ma të ndritshme”, u shpreh Shala, dhe shtoi se popujt që kanë këngëtare si Pagarusha janë të bekuar.

 Ai më tej u shpreh se arti i Pagarushës, është dëshmi e fuqishme e identitetit të Kosovës dhe një vlerë e jashtëzakonshme me të cilën krenohet vendi ynë. Po ashtu, Shala u shpreh se Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të përkrahin dhe ndihmojnë kulturën e pasur të Kosovës, duke e promovuar, nxitur dhe ruajtur atë si vlerë për brezat e ardhshëm.

 Shala u shpreh se artistet si Nexhmije Pagarusha na nxisin që të punojmë edhe më shumë dhe më me përkushtim për Kosovën tonë.Nexhmije Pagarusha, e njohur edhe si Bilbili i Kosovës, në maj 2010, është dekoruar nga atëherë Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, me çmimin “Artiste e Merituar” për veprimtarinë dhe kontributin e veçantë dhënë kultivimit të muzikës dhe këngës së përsosur shqipe, teatrit dhe filmit.

Dekorata është dorëzuar solemnisht në ambientet e zyrës së Presidentit të Kosovës. Në arsyetimin e dekorimit të znj. Pagarusha, Presidenti Sejdiu theksonte se “kontributi i Nexhmije Pagarushës në fushën e krijimit, kultivimit, interpretimit dhe të promovimit të artit muzikor shqiptar është i një rëndësie të jashtëzakonshme”.

“E përkushtuar gjithë jetën për të  ngritur vlerat e artit muzikor, duke krijuar identitet referues kulturor, duke qenë zë i fuqishëm i shpirtit dhe vlerave estetike shqiptare, ajo ishte dhe mbetet shenjë identifikuese  e Kosovës dhe simbol i artistit që me veprën e vet komunikon në mënyrë autentike dhe përherë frymëzuese me një audiencë të gjerë muzikore”, theksohej në arsyetim.

Po ashtu vlerësohej se Nexhmije Pagarusha “është shembulli më i mirë i personalitetit që tërë jetën ia kushtoi zhvillimit dhe ngritjes së artit dhe kulturës shqiptare dhe si e tillë ajo është frymëzim nxitës për brezat krijues dhe interpretues të artistëve”.Presidenti Sejdiu ka dekoruar znj. Pagarusha në 77-vjetorin e lindjes së saj dhe dekorimi u bë në  bazë të Nenit 84, pika 28 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në bazë të Nenit 3, 34 dhe 49 të Rregullores mbi Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit të Kosovës që i jep Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Procedurat e Dhënies së tyre.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: -Bilbili i Kosovës, ditelindja, nexhmije Pagarusha

NEXHMIJE PAGARUSHA NË “GALERI LAFAJET”

January 30, 2014 by dgreca

RAMIZ KELMENDI PËR NEXHMIJE PAGARUSHËN*

“Populli që nderon njerëzit e vet të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, para së gjithash e mbi të gjitha – nderon veten. Një popull që u ngre përmendore figurave dhe personaliteteve të veta më të nderuara, ai popull, para së gjithash e mbi të gjitha, i ngre përmendore kulturës së vet, qytetërimit të vet, historisë së vet. I ngre përmendore vetvetes.” (Ramiz Kelmendi: Nexhmija)/

 NEXHMIJA NË “GALERI LAFAJET”/

Parisi është plot me shtëpi të mëdha mallrash. I ka të thuash, në çdo hap: “Prentan”, “Bazar d’Otel dë Vil”…Por, shtëpi mallrash mbi shtëpi mallrash është pa mëdyshje “Galeri Lafajet”, një nga më të mëdhatë kësodore jo vetëm në Paris, po ndoshta edhe në mbarë botën. Pa tepri: po të duash të vizitosh çdo stand të kësaj galerie, të shikosh vetëm vitrinat e tyre e tërë ata artikuj të ndryshëm të ekspozuar me shije, si të ishte vërtet ndonjë ekspozitë e jo magazine, shtëpi mallrash, njeriut i nevojitet të paktë një javë. Për “Galeri Lafajet” mund të thuhet me plot të drejtë se në të mund të gjejë njeriu çdo gjë – nga gjilpëra deri te lokomotiva.

Kisha dëgjuar e lexuar edhe unë për “Galeri Lafajet”.

Dëshirova, prandaj, ta vizitoja sa më parë, të bindesha edhe vetë.

Fillova njëherë të vështroja standet me radhë, por kur pashë se koha po kalonte shumë shpejt e unë s’do të arrija deri në mbrëmje të shikoja as dy kate të saj, vendosa: po shikoj vetëm çfarë më intereson posaçërisht.

Me një prirje diskofili në kohën e fundit, zura të kërkoja atë pjesë të “Lafajetit”, që mirret me shitjen e disqeve.

Pasi kalova një varg labirintesh të katit të parë, kur iu afrova pjesës ku ishin ekzpozuar televizorët, radiot, tanzistorët, magnetofonët e prodhimet tjera kësodore të çdo lloji, e dita: aty afër duhet të jenë disqet.

I gjeta më në fund.

Diskofilit, tek e sheh tërë atë mori disqesh në një vend, si të ishte shtëpi disqesh, i bëhet sikur ka arritur në parajsë dhe mahnitet fare.

Kahdo të sillesh: disqe. Kahdo të shikosh: disqe. Të gjitha me kopertina të ilustruara me shije. Me fotografi këngëtaresh më të njohur botërorë.

Megjithatë: myshteriu mund të orientohet menjëherë. Madje edhe shumë lehtë. Më një vend shiten disqet e muzikës serioze, me një tjetër ato të muzikës argëtuese, mandej ato të muzikës popullore e të tjera. Në “Galeri Lafajet” ka stande të posaçme edhe të disqeve të këngëtarëve më të popullarizuar, sidomos të muzikës argëtuese.

Kështu bie fjala, pashë standin e pagëzuar “Festivali i Sharl Azvanurit”. Aty afër: Zhilber Beko. Mandej: Edit Piaf.

Në atë të soditur të asaj begatie, thashë: pa le të shikoj vallë mos është ndonjë disk në gjuhën shqipe.

Pasi flitet aq shumë për të, e thonë se s’ka gjë që lypet e s nuk mund të blihet në “Galeri Lafajet”, thashë: ja, pra, unë dua të blej një disk shqip. Dhe – vendosa ta lyp në mjedis të Parisit, mu në shtëpinë famëmadhe të mallrave.

-Ju lutem, keni ndonjë pllakë të Nexhmije Pagarushës?

Po, mu kështu i thashë. Pa kurrfarë shpjegimi tjetër. Pa i treguar cila është Nexhmije Pagarusha, çfarë këngësh këndon, a ia ka dëgjuar ndonjëherë zërin, se mos është e detyruar ajo në Paris të dijë për një Nexhmije që jeton atje diku, kushedi ku, në njëfarë qyteti të vogël të Ballkanit.

–  Si urdhëroni, zotëri, – ma ktheu ajo me buzëgaz dhe, pa mëlënë të vi në vete, më vuri përpara një pllakë të Nexhmijes me katër këngë shqipe, titulluar “Shanson popyller dë Skipetar dë Jugosllavi”. Po, në ato mbështjellëse të bukura të këtij disku francez, lexova edhe emrin e Nexhmije Pagarushës.

Natyrisht s’e zgjata më tutje. Si mund të më bindte ndryshe “Galeri Lafajet” pos kështu?!

 

(“Rilindja”, 1965)

NEXHMIJA

Si lum e lum ata të rrallë, për ata, si thotë populli, që lindin me yll në ballë, e pse jo, madje dhe hiç më pak, lum e lum edhe për atë popull që i lind, që i ka, që i nderon (pse e nderuan) dhe mjafton t’u zësh n’goje vetëm emrin, a vetëm mbiemrin, e ta kesdh saora parasysh tërë figurën, personalitetin, veprën. Se me gjith çfarë bënë, bënë emër. U bënë emër. U bënë të merituar e të nderuar. Të çmuar.

Një emër i tillë në muzikën shqiptare, një emër i tillë në mbarë kulturën tone kombëtare, është edhe emri: Nexhmija.

 

Se jo në çdo popull dhe jo në çdo ditë lindin talentë nga më të rrallët, artistë nga më të mëdhenjtë, emra që nderojnë dhe krenojnë kombin, qytetërimin e tij, kulturën e tij.

Populli ynë, përkrah emrave të mëdhenj, prijatarë nga më të ndryshmit, pati edhe jo pak femra prijatare, duke nisur nga Teuta. Bënë emër dhe na bënë nderë Elena Gjika – Dora D’Istria, Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë, Motrat Qiriazi, Sevastia dhe Parashqevia, e në këtë artin e Nexhmijes, më e para dhe më e madhja: Tefta Tashko Koço dhe, shoqja e saj Marie Kraja.

 

Nexhmija, falë pakujdesit dhe mospërfilljes së atyre që vendosin për rrugët e zhvillimit të mëtejmë të talentëve nga më të rrallët, nuk studioi kanton në Konservatorin e Parisit të Tefta Tashko Koço, as në Konservatorin e Romës si Jorgjia Filçe (Truja), as në Konzervatorin në Austri si Marije Paluca (Kraja).

 

Artisti, thonë, krijon me gjallje bazamentin e përmendores së vet, ndërsa ardhmëria është ajo që ia vë (ose jo) bustin. Më e mira soprano – koloraturë shqiptare, Tefta Tashko, nga të 37 vjetët e jetës, 22 i kaloi jashtë vendit të vet, vendit i cili mezi ia siguroi asokohe – një piano. Shoqja më e denjë e Tefta Tashkos, mbase këngëtarja më e madhe dhe më e çmuara e këngës sonë popullore, e cila do të ketë ca më vonë një motër të vet më të re në Kosovë, të denjë t’i vihet përkrah, Nexhmijen, Marie Kraja, me Konservatorin e mbaruar në Austri, u emërua – mësuese e gjimnastikës në një shkollë të Shkodrës.

Edhe Nexhmija, e përgëzuar dhe e pagëzuar si “Bilbili i këngës shqipe”, “Zëri më i bukur dhe më i ëmbël i Kosovës”, “Ambasadorja jonë e kulturës”, “Artsitja jonë e madhe e këngës popullore shqipe”, që për shumë vjet me radhë shkriu veten, energjitë dhe trohët e fundit prej artisteje të madhe në bazamentin e përmendores së vet, zor të ketë qenë dhe zor të jetë e kënaqur. Jo pa ndjenjën e borxhit bukur të madh që i kemi dhe i mbetemi, u desh të mbushë të gjashtëdhjetat dhe Shkupi të gëzojë nderin (u qoftë aferim atyre që u kujtuan dhe e organnizuan!) për të mbajtur një akademi solemne.

Populli që nderon njerëzit e vet të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, para së gjithash e mbi të gjitha – nderon veten. Një popull që u ngre përmendore figurave dhe personaliteteve të veta më të nderuara, ai popull, para së gjithash e mbi të gjitha, i ngre përmendore kulturës së vet, qytetërimit të vet, historisë së vet. I ngre përmendore vetvetes.

Unë kam një kënaqësi të rrallë që të paktën me këto fjalë përurimi e përgëzimi, fjalë të përvujta e të vockëla për punën e madhe dhe artin e lartë të Nexhmijes, po e thyejmë me njëfarë dore atë ligjin tone të pashkruar që nuk na bën nderë: jo t’u ndërtojmë më të merituarve tanë, qoftëlarg, bustin, por as t’ua çmojmë e t’ua nderojmë, t’ua vëmë në spikamë e t’ua kujtojmë bile – bazamentet e busteve të tyre kurrë të ngritura nga pasardhësit, që pandehin se me ta nis bota. Lodhnie mendjen një çikë dhe pale a mund të ju kujtohet fare qoftë edhe një përmendore e vetme në të gjitha trojet tona etnike këtej kufirit me shtetin tonë amë, përmendore e ndonjë shkrimtari, artisti a shkencëtari shqiptar! Asnjë! Asnjë fare! Dhe, përse ta fshehim: jo gjithmonë qe i huaji ai që nuk na lejoi këtë! Jo gjithmonë. Mbushi dhe kaloi të treqind vjetët e vdekjes i linduri në Gur të Hasit skaj Prizrenit dhe i vdekuri në Prishtinë, 363 vjet i vjetri, po më lashti dhe më i merituari punëtor aq i mençur i këtyre trojeve, Pjetër Bogdani, po nuk mbahet mend, sot e treqind vjet, t’i jetë kujtuar ndonjërit nesh: o, burrani! T’ia ngrejmë bile Pjetër Bogdanit një përmendore, qoftë në Gur të Hasit, qoftë në Prizren, qoftë në Prishtinë!

Nuk e did he s’ma ha mendja gjithaq se ndoshta me këto ngushëllova sadopak Nexhmijen për pakujdesin dhe pamiradinë tone karshi meritave dhe artit të saj, që do të mbetet përgjithmonë një vlerë e shquar në kulturën shqiptare dhe një perlë, një yll, në panteonin e muzikës sonë, një rruzë smeraldi në gjerdanin e këngës popullore shqipe.

Për një popull, si ky yni, i vetmi a më i madhi përjashtim ndoshta në krejt rruzullin tokësor, NJË popull i ndarë në DY pjesë, në TRI fe, në PESË shtete, me SHTATË million banorë, po ama jo më pak se me NJËQIND E NJËZET E SHTATË parti, paraparti e pasparti, mbiaparti, mesparti e nënparti, me gjithëfarësoj shoqata e korporata, nuk është mençuri, është luks i madh, është në të mirë të së keqes sate, është dëm, është gabim, është e pafalshme, është kundërproduktive dhe kundërkombëtare, të harrosh, të mos çmosh dhe të mos nderosh njerëzit tu të mëdhenj, të mos vlerësosh vlerat e mirëfillta të tyre, të zvogëlosh madhështinë e tyre duke privuar kështu vetveten nga begatia e jashtëzakonshme e tyre.

Jo çdo ditë lindin Nexhmije.

Lindin shumë këngëtare në ndërkohë. Këngëtare të mira dhe shumë të mira.

Por një këngëtare mbetet e paharruar, mbetet atje lart, në majë të këngës shqiptare: Nexhmija. Prandaj, Nexhmije, të na rrosh edhe shumë vjet dhe – ta paçim borxh!

28. V. 1993

* Dy shkrimet me autor Ramiz Kelmendin, janë marrë nga libri i gazetarit Shaqir Foniqi: Nexhmije Pagarusha – Bilbili i Kosovës

*(Fragmente nga libri: Ramiz Kelmendi dhe Sibila e Ulqinit)

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: nexhmije Pagarusha, Ramiz kelmendi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT