13 Shkurt-Sot në qytetin e Divjakës në Lushnje, u çel dita e ” Pelikanit Kaçurrel”, një specie tepër e rrallë dhe në zhdukje.
Në gjithë Ballkanin ky shpend i veçantë rritet dhe shumohet vetëm në Lagunën e Karavasta-Divjakës.
Sot kësaj specie për herë të parë i u kushtua edhe një datë simbolike,13 Shkurti.
Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Parkut Kombëtarë,ishin të pranishëm Drejtori i Shërbimit Pyjor të Lushnjes Ardian Koçi si dhe punonjës të kësaj drejtorie, Përfaqësues të Bashkisë së Divjakës,si dhe nga Ministria e Mjedisit.
Në fjalën e hapjes, Drejtori i Shërbimit Pyjor të Lushnjes, foli gjatë për këtë specie të veçantë të faunës sonë, rrezikun që pati kjo specie gjatë periudhës së tranzicionit prej gjahtarëve të paligjshëm dhe dëmtuesve të çerdheve të tyre. Me shpalljen e moratoriumit që për 2 vjet ndalohet gjuetia në territorin e Shqipërisë edhe Pelikani Kaçurrel ka filluar të shumohet e të kthehet përsëri në origjinë.
Pasi specialistët e shumtë dhanë mendimet e tyre se si duhet ruajtur kjo specie e veçantë por edhe të tjera që rriten në Lagunën e Divjakë-Karavastasë, organizatorët organizuan një vizitë në Ishullin e Pelikanit. Ai është një ishull i vetmuar në mes të kënetës,ku pelikani strehohet dhe shumohet. Ishulli është i ruajtur dhe i monitoruar 24 orë në 24.
Ishulli i Pelikanit ndodhet në lartësin rreth 0.5m mbi nivelin e detit. Është një ishull mjaft interesant i formuar nga akumulimet e mbetjeve organike, në të cilin është formuar një ekosistem dhe ku dallohet një botë shumë e pasur bimore barishtore.
Aty ku folenizon Pelikani Kaçurrel, aty ku ka ngritur mbretërin e tij dhe që vet ai konsiderohet si “Mbreti” i Lagunës. Pelikani kaçurrel është një nga banorët autoktonë të Lagunës. Ai rritet e zhvillohet në lagunë dhe nuk shtegëton. Është një shpend grabitqar e i madh me peshë rreth 16 kg. Pelikani kaçurrel ka ngjyrë të bardhë me pulla gri, ushqehet me peshq e gjallesa të tjera deti.
Ndërkohë shumimi natyral i tij është paksa delikat sepse femra ngroh dhe çel vetëm dy
vezë duke i depozituar ato në Kënetë.
Banorët e Divjakës tregojnë se para shumë vitesh, numri i pelikanëve arrinte rreth 500 ndërkohë për shkak dëmtimit dhe gjuetisë së paligjëshme,sot numërohen rreth 90 të tillë.
Vrojtimi në distancë nga qëndra e vëzhgimit e ngritur enkas,është një peizazh i pa përsëritshëm. Vizitorë të shumtë si dhe nxënës shkollash, prisnin radhën për të vënë syrin në objektivin e dylbive të montuara për vizitorët në qëndrën e vëzhgimit.(N Lena)