• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Politika, Lufta dhe Ne, viktimat e tyre

June 8, 2015 by dgreca

nga Andon Dede, Nju York/
Dy tema të mëdha, për të cilat janë shkruar qindra e mijëra vëllime dhe do të qe mundim i kotë e guxim i madh të merresh me trajtimin e tyre, në çdo këndvështrim që t’i shohësh. Media, institucionet studimore, kinematografia e televizioni janë marrë aq shumë me to sa që si zor të ketë ngelur ndonjë aspekt i tyre i pa ezauruar. Jo vetëm kaq, por tani, në epokën e Internetit, mjafton një klikim në kompjuter dhe të vërshojnë për to lumej informacionesh.
I vetëdijshëm për gjithë sa më sipër, unë mora guximin të shkruaj këto radhë me një qëllim tepër modest: t’i shoh ato në një këndvështrim krejt tjetër, fare të zakonshëm, madje nisur nga përballja me to në jetën e përditëshme, pa as më to voglin pretendim për t’u futur në trajtesa të thella psiko-social-filozofike.
Shkak për këtë u bë një episod fare i rëndomtë. Tek po udhëtoja me tren si përditë, dëgjoj dikë që po fliste me zë të lartë në shqip, gjë që më ndodh jo rrallë këtu në Nju York. “More, e ndoqe dje “Opinionin” e Fevziut, se mua më iku, nuk qeshë në shtëpi?”. “Po, – ia ktheu tjetri, – po mos u mërzit se s’qe gjë: punë femrash të bukura e më the të thashë…”. “Ashtu, hë? S’qe për politikën? Edhe unë s’i ndjek dot diskutime të tilla kot më kot. Llafe pazari. Po sot kemi Parlamentin, hë, se është e enjte”. “Po, po. Dhe unë s’lë seancë pa parë…Hej, ç’punojnë ata, s’i lënë gjë pa i thënë njeri tjetrit. Gallatë e madhe…”
Ky qe episodi i parë që më shtyu të shkruaj. Dy bashkëatdhetarët e mij, që m’u dukën se punonin në pastrim të ndërtesave të Manhatanit, kishin qejf diskutimet për politikë, në kanalet e ndryshme të televizioneve shqiptare apo dhe në seancat parlamentare. Shkurt, për ta politika qe një temë e preferuar, ndërsa diskutimet e tjera, me tema shoqërore, artistike e kështu me radhë, nuk i tërhiqnin.
Kjo më ktheu larg në fëmijërinë apo dhe rininë time. Jam nga brezi i lindur në vitet e Luftës e, për rrjedhim, kam përjetuar dhe pasojat e saj të tmerrshme që nuk do t’ia dëshëroja asnjeriu. Kinemaja tek ne, në Përmet, sapo kishte filluar të shfaqte filma, dokumentarë e artistikë. Por publiku, si të mos qe ngopur me tmerret e luftës, donte që edhe filmat të kishin po atë përmbajtje, me luftë. Kjo vazhdoi për vite të tëra. Edhe gjatë shkollës së mesme, në Politeknikum, sa herë që shkonim në kinema, prefenca jonë, dhe jo vetëm e jona, ishte për filma me luftë. Këtë e kishin kuptuar edhe punonjësit e kinemasë dhe tek pllakati i filmit vinin një copë letër: “Film me luftë”. Po shkoj edhe më tej. Si në Unike dhe në Politeknikum, ndodhte që na organizonin biseda të ndryshme. Përsëri parapëlqimi ynë qenë temat e luftës. Dhe duke qënë kështu, herë pas here, veteranë apo më mirë të them, ish-pjesëmarrës të Luftës, me që shumë syresh qenë ende të rinj në moshë, na nderonin me vizitat e tyre e na tregonin episode nga më të ndryshmet të cilat ne i ndiqnim me një frymë. Refren i përbashkët i tërë atyre bisedave qenë fitoret triumfuese të partizanëve dhe këmbëmbathjet me turp të pushtuesve, qofshin ata italianë apo gjermanë.
Kështu vazhdoi kjo punë edhe për disa vjet, deri sa, bashkë me ne që po rriteshim e po formoheshim, filluan të ndryshojnë edhe shijet tona. Ndikuan shumë për këtë filmat e huaj, sidomos ata perëndimorë që trajtonin tema sociale e që ngjitnin aq shumë me psikologjinë e me shqetësimet tona.
Nga gjithë sa më sipër, nxorra përfundimin se ashtu si në rininë time, që na tërhiqnin temat e luftës dhe tani ka njerëz që i tërheq politika dhe i bezdisin temat sociale. A është kjo një dukuri tek e cila vlen të ndalesh sadopak? Për mua po dhe ja sepse.
Këto dy dukuri, si politika dhe lufta, janë për mua nga fenomenet më të urryera, dhe me këtë kam parasysh si ata që merren me të parën edhe ata që shkaktojnë të dytat. E kam vështirë që të mendoj se ka njeri që të ketë respekt për politikën dhe politikanët dhe të mos e urrejë luftën. Por, edhe pse mund t’i urrejmë, ato kanë qënë e janë të pranishme në jetën e tërë gjeneratave të derisotme. Ja, pra, a nuk përbën një kënaqje kureshtjeje, edhe pse jo të këndëshme, që të përligjësh dëshirën e njerëzve për t’u marrë me to?!
Sa i çuditëshëm që është njeriu! Sa viktima ka pasur nga luftërat dhe ç’i kanë punuar e po i punojnë atij politikanët e, prapëseprapë, i pëlqen të gërvishtet me to, si dy bashkëpatriotët e mij apo dhe tërë brezi im i pas Luftës?! Apo kjo nuk ndodh vetëm me ne?! Ja dhe një arsye tjetër që më shtyu të ndalesha në këto çështje.
Duke rrëmuar këto ditë në Internet, u njoha me një studim të autorëve e njëkohësisht bashkëshortë, Xhon Tubi, (John Tooby), anthropolog dhe Leda Kozmides, psikologe, nga universiteti i Santa Barbarës, në Kaliforni. Ata së bashku drejtojnë dhe Qëndrën Studimore të Psikologjisë Evolucionare. Lista e studimeve dhe botimeve të tyre apo dhe e çmimeve e titujve të nderit që i kanë shoqëruar ato, është tepër e gjatë, ( mjafton një klikim në Googël për t’i parë ). Sipas tyre, njerëzit bëhen agresivë prej politikës po aq sa edhe prej luftës dhe për këtë, “fajin” e ka një rajon i trurit, që aktivizohet sa herë që diskutohet për to. Njerëzit, pohojnë ata, vijnë nga një histori evolucionare e ngarkuar me konflikte mes grupeve e fraksioneve. Ne mund të diskutojmë e debatojmë për shijet muzikore, filmat që na pëlqejnë apo ushqimet e preferuara. Por, sapo biseda kalon në politikë, diskutimi i qetë e i shkujdesur, papritur kthehet në të keq, i pakëndshëm, deri dhe agresiv.
Gjithë sa më sipër, si për një përkitje të rastit, m’u kujtuan tek lexova një shkrim të Svetllana Aleksejeviçit që njihet edhe si “luftëtarja” kundër luftës, për zhvillimet e sotme në Rusi. Psikoza e luftës që ka përhapur në popull politika e Putinit, që të kujton Stalinin, të kall tmerrin e sikur nuk do që ta besosh. Si ka mundësi, në kohën tonë, thashë me vete, të ketë akoma politikanë të tillë luftënxitës dhe turma popullore që t’i shkojnë pas liderit symbyllur, si ne dikur?! Nuk dua ta mërzis lexuesin, duke u zgjatur më tej me këto tema por, sa për ilustrim, po riprodhoj këtu vetëm nja dy-tre paragrafë nga shkrimi i mësipërm.
Lufta e Rusisë kundër Perëndimit ka nisur. Askush nuk do ta marrë atë si të vërtetë, as në Rusi e as në Perëndim, mirëpo Rusia është shndërruar në një tjetër vend ndërkaq. Nga erdhi ky militarizëm primitiv, kjo prapambetje, ky obskurantizëm? – Kjo është pyetja që ne shtrojmë përditë. Ndoshta edhe Europa po pyet veten…Çfarë ka ndodhur tashmë me ta? Tani ata thërrasin: “Putin! Putin!” Miqtë e mi janë të hutuar, të gjithë lexojnë libra mbi ngritjen e fashizmit në Gjermani dhe Itali apo rreth fillimit të Revolucionit në vitin 1917. Ne po lëvizim drejt së panjohurës. Për ku? Përse populli hoqi dorë kaq kollaj nga liria e tij?… Në fund të shkurtit, në muret e Kremlinit, fare pranë Sheshit të Kuq, ku çdo hap mbikëqyret vazhdimisht me kamera dhe kontrollohet nga policia, u vra opozitari më i rëndësishëm rus, Boris Nemcov. Një vrasje të tillë politike kaq spektakolare, nuk është parë në Rusi prej njëqind vjetësh.Nemcov kishte paralajmëruar një fjalim: “Putini dhe Lufta“…Rusia, në harkun e një viti e gjysmë është shndërruar në një vend tjetër, që po e lëviz atë drejt një diktature dhe një lufte civile. Imazhet dhe bustet e Putinit po prodhohen në masë dhe po shiten nga shumëkush…Në marshimet që organizohen në sheshe të mëdha, ku drejtohen apele të hapura, ushtarët këndojnë: “Ne do marshojmë drejt Kievit”…Unë jam një njeri që ka përjetuar vitet nëntëdhjetë. I përkas gjeneratës së Gorbaçovit. 25 vjet me radhë ne jetonim me shpresën se Rusia do të bëhej një vend më i mirë, mirëpo kjo nuk ka ndodhur.  HYPERLINK “http://www.zeit.de/politik/ausland/2015-02/wladimir-putin-russland-ziel” Rusia jeton në një marrëzi revanshiste. Një sondazh i bërë publik pak kohë më parë thotë se: nëse Putini do të kandidonte sërish në zgjedhjet e reja presidenciale, do të fitonte 80 për qind të votave…“Rusia është Putini, pa Putinin s’ka Rusi”. Këtë e besojnë shumë vetë. Të gjithë kanë nisur t’i mbushin mendjen vetes se ne jemi njerëz të luftës, pasi nuk kemi njohur ndonjë gjë tjetër veç saj. Gjithnjë ne ose kemi marrë pjesë në një luftë, ose na kanë përgatitur për një të tillë. Te ne mbizotëron një kult i luftës.
Në një raport të ministrit të Luftës, Kuropatkin për Car Nikollën II., thuhej: “Madhëria juaj Perandorake! Në vazhdën e shekujve të 18 e 19, Rusia ka kryer në 128 vjet luftëra, nga të cilat vetëm në 72 vjet ka mbizotëruar paqja. Nga 128 luftërat, vetëm 5 prej tyre kanë qenë luftëra mbrojtëse, të tjerat kanë qenë fushata pushtuese”…Jo më i mirë duket se ka qenë edhe shekulli i 20: Njeriu rus nuk është mësuar me jetën në paqe. Ai ka jetuar në luftë, për shtetin, asnjëherë për veten e tij. Ai ka një marrëdhënie të veçantë me vdekjen…Me bekimin e Kremlinit lindi një video militante “Unë jam një pushtues rus”. Brenda pak muajve, atë e panë në internet tre milionë njerëz. Pati qindra komente njerëzish të ekzaltuar: “Ne pushtuam Siberinë dhe tani kemi naftë dhe gaz”. “Ne pushtuam Ukrainën, Balltikun dhe Kazakistanin dhe ishim vendi më i madh në botë”…Një vend lufte, një psikologji lufte…Ky është terreni ku ne jetojmë – lufta…(Marrë nga DIE ZEIT, 29 maj 2015, përkthyer nga A. Plaka, botuar në “Shqip”, 1 qershor 2015).
Më pëlqen t’i mbyll këto shënime me disa vargje të Kadaresë, nga poezia e tij: ”Kënga e ushtarëve të vjetër”:
Nga lufta vijmë, në luftra shkojmë / në zjarr e tym na shkoi kjo jetë / gjithmonë drejt luftrash shtegëtojmë / siç shtegëtojnë drejt dimrit retë…/ Gjithë jetën mbetëm majë kalit / mbi tokën tonë që na bekoi / ka kohë që s’shkelim me dy këmbë / por shkelim me katër patkonj. / Alarmi prapë ja, gjëmon / dhe horizonti është me re / nga luftra vijmë, në luftra shkojmë / dhe tjetër fat s’kërkojmë ne.
A kanë lidhje me temat që trajtuam apo dhe me shqiptarët e sotëm këto vargje? Mua më duket se po, ndaj dhe i vura, edhe pse nuk do ta dëshëroja një gjë të tillë. Lexuesi le ta gjykojë vetë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Lufta, Nga And on dede, Politika, viktimat

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT