Nga Bep Kuqani/ SHBA/
Kam ndigjue se nji mjek francez i famshem psikiater, të cilit nuk ia mbajë mend emnin, paska thanë mbas shpartallimit të “kampit socialist” se: “të gjthë ata persona që kanë vuejtë mbi 10 vjetë burg në regjimin diktatorial të Stalinit në ish B.S. dhe në regjimin diktatorial të E.Hoxhës në Shqipëri, nuk mund të konsiderohen njerëz normalë.
Në këte konkluzion ai kishte mbrrijtë tue pasë në konsiderate torturat e tmerrshme fizike e psiqike; vuejtjet e pa pershkrueshme nga trajtimi i tyne si kafshë, shumë ma i eger se skllevërit e dikurshëm kur nuk konsideroheshin si njerëz, por si kafshë pune; vuejtjet e pa përshkrueshme në kampet e punës të detyrueshme nga urija, nga, etja, nga ngricat dhe nga vapa e padurueshme si dhe nga lodhja e mundimshme; ku humbnin për ditë jetë njerëzish. Dhe ky konkluzion i Profesorit të famshëm nuk ishte rezultat i studimeve teorike, por i përvojës praktike sepse kishte pasë rastin me vizitue nji numer të konsiderueshme nga këta persona që kishin mbrrijtë me mbijetue.
Dy ngjarjet që do të tregoj në vijim, të ndodhuna shumë kohë ma përpara në burgun e Burrelit, e vërtetojnë plotësisht këtë “profeci” të Profesorit.
Ngjarja e parë : Nuk di se kush ia kishte vanë në ruejtje Musë Halilit, nga Peshkopia, me arsim 7 vjecar, librin “ETIKA” të Benedikt Spinozës, të cilin ai e ruente me fanatizem, si nji liber të shejtë se thonte e kam amanet dhe në dalsha gjallë e, në mujsha me e nxjerrë nga burgu duhet të ia dorëzoj personit që e kishte të shenuem diku në nji nga faqet e mesit të librit, që e kishte maskue me kopertinen e nji libri te F.Engelsit:”Origjina e Familjes, Pronës Private dhe e Shtetit dhe, i kishte lidhë nga dy-tre fashikuj, në fillim, në mes dhe në fund të librit që kishte pothuejse të njejtin format me “Etiken” e Spinozës. Libri ishte nji boptim original në gjuhen latine. (Spinoza i pat shkrue të gjitha veprat e tij në gjuhen latine, sic ishte tradita e atyne kohëve)
Por problemi ishte se atë gjuhë e dinin vetëm dy-tre intelektualë dhe ata pak klerikë katolokë që kishin mbetë ende në burg.
Nga “Etika” kishim marrë pak njohuni të percipta nga “Heronjtë e Mendimit” të W.Durant, në perkthimin italisht dhe kjo na kishte shtue kuriozitetin dhe dëshiren për t’a lexue këte vepër komplet. Prandaj u luteshim shpesh herë njenit e herë tjetrit që të na e përkthenin jo në shqip sepse ishte shumë e vështirë, por në italisht ; Por mjerisht edhe ata dy-tre intelektualë ishin të moshuem dhe me probleme shëndetësore dhe nuk e merrshin përsiper me u angazhue me këte mision jo të lehtë. Edhe ata pak klerikë katolikë që kishin mbetë refuzojshin me e perkthye për faktin se Vatikani e kishte në “index”.
Kishim ra me të vertetë në hall. Kaq e madhe ishte dëshira e jonë, sa dy shokë të dhomës nr. 10 filluen me mësue latinisht me Ndoc Vaten nji ish xhakue në seminarin Papnuer të Shkodrës dhe që kishte kenë në prak të shugurimit “meshtar”, Këta ishin Gjon Mark Ndou dhe Viktor Luka. Me sa më kujtohet dy intelektualët e tjerë që e zotnojshin latinishten ishin Gjergj Kokoshi dhe Xhevat Korca që ma vonë i dha fund jetës me grevë urije. Këta ishin në dhomen nr.7 që konsiderohej si dhoma e të sëmurëve me probleme të ndryshme shndetësore.
Ma në fund, për fat të mirë, nji prift katolik që ishte ma i riu në moshë (s’i kishte mbushë ende të 50-tat) pranoi me e perkthye në italisht me kusht që të mbetej i pa identifikuem, sepse përvec tjerash cdo perkhim pa autorizimin e direjtorisë së burgut dënohej plot me tre muej birucë, në cimento, pa tesha fjetje. Nji dënim të tillë e pat pësue edhe At Pjeter Meshkalla për nji studim mbi “Historinë e Kishës Katolike Shqiptare”, megjithjëse kjo i kje kerkue nga autoritetet e Minist. P. të Mbrend ; vetëm pse ai e shkroi në nji frymë krejtësisht realiste, anti-ateiste dhe anti-komuniste, por e mbajten vetëm dy muej; nji muej ia falen.
Por tash që kanë kalue rreth 57 vjet nga ajo kohë dhe afersisht po aq vjet që asht hjekë edhe “indexi” nga Vatikani; besoj se sot nuk asht ndonji mëkat përmendja e emnit të tij, por perkundrazi nji Homazh plotësisht i merituem që i bahet me nderimin ma të madh kujtimit të përjetëshem të emnit të tij: Ky ishte Dom Lazer Jubani, i cili bani edhe pesë vjet internim mbas burgut dhe përsëri axhentët e sigurimit nuk iu ndanë, por ia shkurtuen jeten tue e helmue tradhtisht.
Dom Lazer Jubani ishte vëllai i Dom Simon Jubanit, nji tjeter figurë madhore e disidencës së anti-komunizmit shqiptar, i mirënjohun jo vetëm në të gjithë Shqipninë, por edhe në të gjithë diasporen shqiptare të kudo ndodhun.
Dom Lazri ishte i paisun nga natyra me nji inteligjencë të jashtëzakonëshme. Kishte nji kulturë klasike të niveleve ma të nalta. Ishte nji shkencëtar i vërtetë në fushen e Historisë dhe të Filozofisë. Zotnonte me themel gjuhët latinisht dhe greqishten e vjetër, përvec Italishtes, frengjishtes, spanjishtes dhe esperantos. Në burg mësoi brenda dy vjetësh edhe rusisht e anglisht falë memories së rrallë që kishte. Ishte shumë guximtar dhe i pa-pajtueshëm me anmiqt e tij (komunistë); Kur e thirrën pak ditë para plotësimit të dënimit për t’i propozue nji “bashkëpunim”; Ai aty për aty iu përgjegj “Pse, zagari i juej do të bahem unë”? Mjaftoi kjo përgjegje që i kushtoi 5 vjet internim dhe helmimin.
Nërsa Dom Loro Nodej i shpëtoi internimit kur e thirren për të njejtin propozim për nji përgjegje pak ma të butë; “Këtë nuk mund t’a baj kurrë sepse nuk ma lejon as feja dhe as ndërgjegja. Do t’ishe mëkati ma i madh për mue me tradhtue besimtarët që vijnë e rrëfehen tek unë.
Pa piken e turpit dhe me paftyrësinë ma të madhe u kërkonin meshtarëve me dekonspirue “rrëfimet”.
Etika e Spinozës ishte nji vëllim prej plot 300 faqesh, pa asnji fjalë të tepërt. Dom Lazri i bani nji përkthim perfekt simbas vlerësimit të të gjithë intelektualëve që e lexuen dhe mori përgëzimet e tyne ma të mira.
Tue kenë se unë kishe nji shkrim relativisht të bukur dhe kjartësisht të lexueshem, më kërkuen që t’a hidhnja në të pastërt, gja që e pranova me knaqësi sepse do të kisha privilegjin me kenë lexuesi i parë i kësaj vepre të vyer.
Përkthimin e shkrove në tri fletore të mëdhaja arithmatike kineze të asaj kohe, që kishin nji format ma të madh se “Etika” e Spinozës në të dy dimensioned. Tue shfrytëzue rresht për rresht e kuadrat për kuadrat ia dola me e përfshi edhe unë në 300 faqe, madje tepruen disa faqe që mbetën bosh. Mbasi e perfundova ia dorëzova Dom Lazrit që donte me i hjedhë nji sy për kontroll të ndonji gabimi eventual. Mbas këtij verifikimi të tri fletoret iu nënshtruen “operacionit” të maskimit me nji broshurë tjetër të F.Engelsit: ”Hymje në Dialektiken e Natyrës”, fashikujt e së cilës u lidhën të gjitha në pjesët e ndryshme të “Etikës”, mbasi u barazue formati,
(Duhet dijtë se ne i blejshim këto libra marksiste me të vetmin qellim për të maskue veprat shkencore, historike e filozofike në gjuhët e hueja). Mbasi u kryhen të gjitha këto punë, “Etika” u hodh në qarkullim.
Për këte qellim ishte pregaditë nji listë e personave që kishin cfaqë dëshiren me e lexue dhe që do të ndiqej simbas radhës së kërkesave. Afati ishte 10 ditë për cdo lexues.
Në listë kishte shkrue emnin edhe prof. Foto Bala që kishte krye studimet e nalta në Francë për Filozofi dhe kishte mbrojtë si tezë diplome pikrisht “Etiken” e Spinozës.
Këtu fillon tash ngjarja: Kur mbas disa javësh i erdhi radha prof. Fotos për ta lexue; unë po e vëzhgoja me vemendje për të pa se cfarë përshtypje po i bante përkthimi, por nuk më la me e vëzhgue gjatë, sepse pa mbarue së lexuemi faqen e parë, -e përsëris- vetëm faqen e parë; befas i bjen shputë ballit dhe thërret : “Puuuuuuuuu, tashti po e kuptoj Spinozen!!!
(No Koment)
Ngjarja e dytë:
Me Ali Selenien i kena pasë vendet e fjetjes perbri njeni-tjetrit për afro 6 vjet, deri sa nji ditë e moren dhe e izoluen për shkak të sëmundjes së sarallekut, ku pa kalue nji muej në izolim, ajo sëmundje i mori jetën megjiithëse ishte nji sëmundje plotësisht e shërueshmë me pak kujdes e mjekim. Në vendin e tij prunë Suad Asllanin, nji ish avokat i njohun në Tiranë,i cili kje arrestue bashkë me Gjergj Kokoshin me akuzen e tentimit për krijimin e nji partie socialdemokrate të tipit skandinav me inisiatore themeluese Musine Kokalarin, nji nder intelektualet e rralla shqiptare.
Ali Selenica ishte nji burrë i shkurtë, aq i lodhun dhe aq i vuejtun sa ishte dobësue e mbetë si skelet; po ta peshoje nuk besoj t’i mbrrinte 35 kilogram. Kshte mbarue studimet e nalta në Itali për dretësi dhe kishte kenë para ardhjes së komunizmit në pushtet Kryetar Gjykate në Korcë. Përsa jetuem bashkë nuk vinte njeri me e vizitue dhe as me letra nuk interesohej askush për ‘te.
Brenga ma e madhe që e mundonte ishte se nuk dinte asgja për fatin e dy djelmëve, me të cilët kishte humbë kontaktin para 4-5 vjetësh. Disa herë i kishte kërkue organeve të Ministrisë P. të Mbrend. se mos janë kapë ose vra në kufi në tentative për tu arratisë, por përgjegja i kthehej gjithmonë negative: “Nuk figurojnë në asnji pikë të kufinit tonë të vramë ose të kapun dy djelm me emnat e tyne. I ishte drejtue edhe Kryqit të Kuq Shqiptar e Ndërkombëtar, por kishte marrë edhe prej tyne përgjegje. negative.
Asht vëshirë të përftyrohet brenga dhe dëshprimi i nji burri të moshuem 70 vjecar, të mbetun krejtësisht i vetëm dhe në kushtet e nji burgu të randë si ai i Burrelit!
Dy hertë në ditë na nxirnin në oborr për ajrosje dhe shetitje me qellim që të lëviznim dhe të mos mpiheshim, por edhe që të na mbanin në gjendje të aftë për punë në rastë nevoje. Kjo kohë shfrytëzohej edhe për nevoja të ndryshme; dikush gatuente ndonji gja të shpejtë, dikush lahej ose lante ndonji rrobe dhe në përgjithësi mbushnim ujë për ta pasun mbrenda në dhomë.
Ali Selenica kishte nji pagure (matare) të ushtrisë italiane të madhe dy kilogramshe, të cilen e mbante vazhdimisht të mvarun në njenen dorë.
Kur mbaronte orari i pajtosit delte roja i brendëshem, i binte bilbilit dhe duhej të futeshim sa ma shpejt mbrenda nëpër dhoma. Ndonji që vonohej rrezikonte edhe “birucen”, sidomos kur ishte me sherbim kapterr Asllan Uka që s’të falte sekondin.
Kështu qëlloi nji ditë pikrisht kapter Asllani që vetëm 5 minuta të linte afat me u futë mbrenda. Ndërsa të Burgosunit po vraponin me u futë sa ma shpejt mbrenda, shoh Aliun tue nga nëpër oborr. Shkonte herë te cezmja, herë te vendi ku gatuhej dhe herë atje ku lahej; E pyes “Hajde mor Ali, cka ke, cka kërkon?
-Po kërkoj mataren mor Bep, nuk di se ku e lashë,- Mataren me dy kgr. Ujë e kishte të varun në dorë.
-Hajde mor Ali shpejt- I them- se mataren e ke të varun në dorë.- I ra kokës me gisht dhe vrapoi me hy mbrenda!
Ja pra; A nuk i thonë kësaj nji trullosje e plotë psiqike???
Dhe nji mrekulli e pa besueshme: Sali Vata prej Macukullit të rrethit të Matit kishte kenë oficer në garden mbretnore të A.Zogut me graden kapiten. Megjithëse 77 vjec, ruente formen e nji trupi të mirë; 1,90m i gjatë, me shpatulla të gjana e me nji trup të drejtë e të hijshem.
Mirëpo c’prej nji viti e kish kapun keq reumatizma, aq keq sa e kishte këputë në kryq, nuk mund t’a drejtonte shtatin prej dhimbjeve dhe rrinte “gërmuc”, i përkulun si i thyem në mes.
Nji ditë dhetori, pak para Vitit të Ri e ndjeu veten shumë keq dhe nuk mundi të ngrihej në mëngjez kur ra bilbili i zgjimit nga gjumi që bahej gjithmonë në oren 5, në cdo stinë të vitit.
Atë ditë qëlloi me sherbim ma i pa shpirti i rojeve, krimineli dhe sadisti Asllan Uka që s’pryeste as për pleq, as për të sëmurë. Kur ky erdhi në dhomë për të kontrollue në se janë cue të gjithë, ku përvec dy-tre të sëmurëve ma grip që kishin leje prej kapterr Kamberit me ndejë ratë. {Kapter Kamberi ishte ndihmës mjekuj i burgut}, iu vërsul Sali Vatës: “Po ti pse nuk je cue? Cou shpejt, në birucë!” E antihuman dy vetë të shkretin Sali me u cue e me u veshë dhe ashtu tue e mbajtë për krahësh e cuen në birucë, ku e la kapter Asllani plot nji muej. E kuj t’i ankoheshe? Kapter Kamberi kishte shkue me pushime me rastin e festave! Vendimi i dënimeve që jepshin rojet nuk diskutoheshin dhe as nuk kundershtoheshin kurrë nga drejtoria e burgut.
Shokët e dhomës, pothuejse të gjithë mendojshin se Saliu nuk do të delte ma i gjallë prej aty; në cimento, në dimen, pa tesha fjetje dhe me atë reumatizëm të fortë…Por ndodhi “mrekullija”: Mbas nji mueji po na vjen Sali Vata në dhomë drejtë si qiri, pa dhimbje, i shëruem krejtësisht!!!
Pa he more Sali,. si e kalove, si u shërove? -E pyetëm. Dhe Saliu na u përgjegj:
– Si e kalova?, Si u shrova?, Vetëm Zoti e din!-
Qe, po ju tregoj:
Kur më cuen në biruë, i humba të gjitha shpresat. Tash thashë me vete më ka ardhë fundi dhe që të ia shpejtoja fundin vetes që të mos vueja shumë në birucë, u shtrina nji copet në cimento dhe ashtu qëndrova diten e parë, diten e dytë, diten e tretë; në pritje që reumatizma të më përhapet në të gjithë trupin, të më bllokonte krejtësisht dhe të më mbysë. Po për cudi, mbas 5-6 ditësh që vazhdoja me qëndrue i shtrimë, ndjeva se kryqet më liruen. Trupi në vend që të më bllokohej, m’u shbllokue fare edhe pse rrija pothuejse gjithë kohen i shtrimë dhe e mblidhnja vetëm kur ndjeja shumë të ftohët. Ja, kështu u shërova
A nuk asht kjo nji “mrekulli“ e vërtetë???