Z. Tomorr Malasi e ka publikuar 15 vjet të shkuara dokumentin e Katovicës shqiptare të Ramiz Alisë në gazetën”Republika”. Ndërmjetës ishte Maksim Begeja…Atë kohë Servet Pëllumbi heshti…./
Nga Dalip Greca/
Deklarata e një prej ideologëve të së majtës shqiptare, ish Profesorit të Filozofisë Marksise Leniniste, Servet Pëllumbi, rreth Katovicës Shqiptare, në intervistën e tij me gazetarin e Televizionit “Channel One”, ushqehu edhe një herë median shqiptare me silazhin e përditshëm që gatuan politika dhe që është mësuar ta përtypë e ripërtypë në mënyrë mekanike. Gati të gjitha gazetat u morën gjatë dhe e lakuan në të gjitha rasat e shqipes, përfshirë dhe Thirroren, emrin e ish profesorit të Filozofisë Marksiste – Leniniste, ish kryetarit të Parlamentit Servet Pëllumbi. Deklarata e profesorit u cilësua si një provë autentike që u mbush mendjen shqiptarëve se Katovica, këtu e tutje duhet besuar si teori dhe si praktikë, sepse e ka thënë Servet Pëllumbi, teoriecieni ideologjik i M-L, përherë afër Ramiz Alisë. Nuk po e shtrojmë pyetjen përse nuk e pohoi në të gjallë të Ramiz Alisë atë që dinte, përse nuk u prononcua më parë, përse tani? Mendoj se një spjegim do të ishte në dobi të besueshmërisë të tezës që ai e hodhi nga ekrani. Pyetja është kjo: Kur 15 vite të shkuara, këtë dokument, e botoi gazeta Republika, përse nuk u ndje Profesori? Aso kohe Tirana dhe Shqipëria u morën gjatë me atë artikull, që shkaktoi habi e huti. Asgjë më shumë se ç’shkruhej në rreshtat e atij artikulli që niste në faqen e parë të Republikës, nuk na tha nga ekrani, tani pas 15 vitesh, Servet Pëllumbi.
Në atë artikull që botoi Republika tirrej i plotë skenari i Katovicës shqiptare, me ideator Gorbaçovin dhe me skenarist shqiptar Ramiz Alinë. Nëse atë kohë Servet Pëllumbi do të dilte para opinionit dhe do të thoshte, po kjo është e vërtetë-, ngjarjet mund të kishin marrë tjetër rrjedhë. Mjafton që të thoshte kaq:” E kam parë edhe unë dokumentin”… Atëherë shoqëria shqiptare do të kishte reaguar, ndërsa sot është vonë, tepër vonë. Dëmi ka ndodhur, demokracia është mbajtur peng, problemet tona kanë mbetë pa u zgjidhë. Tranzicioni vazhdon të jetë sfilitës.Vazhdojmë t’u japim përparësi sherreve dhe nuk pranojmë dialogun; pranojmë të takohen shqiptarët me serbët, por jo pozita me opozitën në Tiranë!
Artikullin në Republika e kam shkruar unë, në atë kohë kryeredaktor i gazetës. Ngjarja ndodhi kështu: Që në mbrëmje, miku im Maksim Begeja, më telefonoi në gazetë dhe më tha se të nesërmen kafenë e mëngjesit ta rezervoja se do ta pinim me një mik, që kishte diçka për gazetën. Të nesërmen u takuam në një kafe përballë Kafe Europa. Maksimi shoqërohej nga Tomorr Malasi, një ndër politikanët e spikatur të Partisë Demokratike. Gjatë pirjes së kafesë, z. Malasi më pyeti nëse mund ta botoja në Republika një dokument që mbahej secret, por që ai e kishte me vete? S’dija ç’të thoja sepse nuk e kisha parë ende dokumentin. Vështrova në drejtim të Maksim Begesë, që ishte zv/kryetar i Partisë Republikane. Ai qeshi lehtazi dhe foli para meje:- Mos e vë në dyshim z. Tomorr, nuk i mungon kurajo kryeredaktorit.Unë miratova me lëvizje të kokës.
Atëherë Tomori nxori materialin, që me sa mbaj mend përbëhej nga dy fletë të daktilografuar. Në krye të fletës së parë ishte shënimi se ky ishte material secret i lexuar në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë më 1989. Nuk më kujtohet nëse ishte edhe data apo muaji. Por mesa e ndoqa edhe zotin Servet Pëllumbi, as ai nuk i përmendi këto detaje.Nëse nuk gjendet i arshivuar ky material original, domosdo edhe i protokolluar as pas 23 vitesh përmbysje, dyshimi është real. Kjo hedh një hije dyshimi mbi vërtetësinë e dokumentit.
z. Malasi po më ndiqte me vëmendje gjatë leximit. I përpiva fjalët dhe radhët njëra pas tjetrës. Ndjeja një lloj habie dhe zhgënjimi njëkohësisht. Nuk po u besoja syve. Shkruhej e zeza mbi të bardhë ashtu siç kishte ndodhur në Shqipëri.Ngjarjet ishin zhvilluar si në teatër, duke ndjekur me përpikmëri skenarin e shkruar para kohe. Në fillim mendova se duhej të ishte ndonjë sajesë dhe se nuk kishte mundësi të zbatohej me përpikmëri ajo që ishte ideuar që më 1987 në Katovicë të Polonisë. Ua thashë dyshimin tim bashkëbiseduesëve, por letrat ishin aty si dëshmi të pakundërshtueshme të inskenimit.
Mos e boto kështu siç është, por komentoje,-ishte ideja e Tomorr Malasit. Maksimi miratoi.
Ashtu bëra. E mora letrën me vete dhe shkova në zyrë, ku nisa komentin, por të gjitha fjalitë e skenarit, porositë e Ramiz Alisë në Mbledhjene Byrosë Politike, i shkrova siç ishin, duke ruajtur origjinalitetin.Dukej se ishin konspektuar porositë e Gorbaçovit pikë për pikë. Pranohej se Socializmi kishte dështuar. Ky ishte fakt dhe nuk donte shumë mend se ishte koha që të përcaktohej strategjia e komunistëve shqiptarë për kalimin në demokraci në mënyrë graduale dhe pa ndëshkim. Nuk kishte më kohë për të humbur. Ngjarjet në ish kampin socialist kërkonin vigjilencë dhe përshpejtim masash. Shqipëria ishte e fundit dhe kishte mundësi të shmangte c’mund të ishte e shmangshme. Kjo u bë më emergjente pas 25 Dhjetorit 1989, ku Nikola Çaushesku u egzekutua. Padushim atë skenë e ka parë dhe Ramiz Alia dhe Byroja Politike. Dhe Ramiz Alia udhëzonte: “Do të nxisim dhe dotë krijojmë parti sa më shumë, por këto duhen kontrolluar nga ne. Në krye të tyre duhet të vendosen njerëz që të përkrahin strategjinë tonë. Le të na shajnë…Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin me themel e me çati, në mënyrë që të fitojë simpatinë e perëndimorëve”.
Duke lexuar këto porosi të ish udhëheqësit të fundit komunist mendoja atë kohë se kjo mund të ishte bërë me qëllim nga ish komunistët për të denigruar liderët demokratë. Këtë mendim ende e kam edhe sot, ndryshe duhet të pranojmë faktin që parashtron z. Pëllumbi, se Ramiz Alia, ishte zotëruesi i skenës politike derisa mbylli sytë.
Ajo që të bën të mendosh më thellë e të reflektosh ndër porositë e Ramiz Alisë, dhe të mos mëdyshesh në vërtetësinë e tyre, është referenca ndaj të përndjekurve politikë: “Të përndjekurit politikë duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin, sepse ata sapo të marrin fuqinë do të hakmerren. Ne nuk mund të bëhemi hyzmeqarë të tyre”. Aty flitej konkretisht edhe për Ballin dhe Legalitetin, partite tradicionale shqiptare. Madje në komentet të movonshme është shtuar se ai kishte dhënë porosi që bijtë e tyre të lejoheshin të emigronin në masë.
Ajo ç’ka e bënë të besueshëm skenarin Katovician të Ramiz Alisë janë porositë e tij për ish pronarët. Ai udhëzonte byroistët: “Të shpronësuarve do t’u japim letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’ua japim pronën. Në ato porosi ishte edhe parashikimi i rikthimit të komunistëve në pushtet, por jo më të varfër, por të pasur dhe me prona. Startegjia ishte : “Për dy-tre legjislatura ish klasa jonë komuniste-proletare do të kthehet në klasë kapitaliste.”
Të gjitha këto porosi të Ramiz Alisë u denoncuan në shkrimin e Republikës për Katovicën shqiptare para 15 viteve, por Servet Pëllumbi,me deklarimin e tij nga ekrani, vetëm na riktheu pas. Asgjë të re nuk solli.
…Të nesërmen gazeta u shit që në mëngjes. Atë kohë Republika kishte një tirazh që shkonte deri në 40 mijë kopje ditore dhe vetëm në Tiranë shiteshin 12-13 mijë kopje. Efekti qe i madh, por më shumë shkaktoi habi e huti. Më pas u harrua. Shumë nuk e besuan.Ramiz Alia ishte gjallë. Servet Pëllumbi me të tjerë që e dinin të vërtetën nuk u prononcuan, nuk dëshmuan. Dhe e plasi tani Pëllumbi, plot pas 15 vitesh.
Le të shpresojmë se pas kësaj do të vijë reflektimi i shoqërisë shqiptare, që vuan shpesh nga humbja e kujtesës. Le të shpresojmë se dhe vetë media nuk do të harrojë këtë”zbulim” të Servet Pëllumbit, për t’u rikthyer pas 15 vitesh të tjerë , ku të gjejë një tjetër Pëllumb, që të “rizbulojë” Katovicën e Ramiz Alisë… Këto radhë që shkrova janë lehtësisht të vërtetushme; shkoni në Bibliotekën kombëtare dhe shfletoni koleksionin e gazetës Republika. U kërkoj ndjesë Tomor Malasit dhe Maksim Begesë sepse u kisha dhënë fjalën se nuk do t’i publikoja emrat e tyre, por “bomba” e vonuar e Servet Pëllumbit ma diktoi thyerjen e “besës”.