• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SAGA E HAJDAR TONUZIT, NGA DIBRA NE TIRANE, SHKUP, GEROVE, PARIS…

June 8, 2017 by dgreca

IKU HAJDAR TONUZI, NACIONALISTI QE JETOI MES VATRES DHE LEGALITETIT(Pjesa e Pare)/

18951434_232023970629914_2069739194258709375_nHajdar Tonuzi ka një jetë interesante, që zhvendoset nga Allajbeg i Dibrës, në Tiranë, nga Dibra e Madhe në Shkup, nga kampi famëkeq i Gerovës në Paris, nga Parisi në New York e Madrid etj. Korrieri i vogël partizan, do ta ndjente veten disi të hutuar, kur menjëherë pas lufte do ta shihte veten të veshur me uniformën e kadetit në kryeqytet, por pa iu gëzur aspak uniformës, do t’i ofronin një shkollë më të besueshme, pasi njollat e biografisë ia bënin pis kostumin ushtarak. Ndoshta ish partizanit të vogël, korrierit të Brigadës së 18-të , nuk do t’i shkonte kurrë ndërmend se do të ishte i pranishëm në shumë ngjarje kyçe, si në takimet me mbretërorët, ashtu edhe në Federatën “Vatra”, se do të zgjidhej kryetar i legalistëve të Parisit, e kryetar i Vatrës në Amerikë. Po jetës nuk i dihet, varka e fatit mund të sjellë në rrugë që as i ke shkelë, as i ke menduar.

1 ahim Karagjozi2 Mbreti Tonuz2 Rugova3 Tonuz Nxenesit4Hajdar Tonuzi

Nga Dalip Greca/Jetoi në kontenë e Bruklinit në shtetin e Nju Jork-ut. I ka kaluar të tetëdhjetat, por ende nuk ka hequr dorë nga veprimtaritë e diasporës shqiptare në Amerikë.
Hajdar Tonuzi, lindi më 15 shtator 1930 dhe kur nuk do të ishte më shumë se 14 vjeç, rasti e çoi partizan në rreshtat e Nacionalçlirimtares, edhe pse familja e tij ishte në radhët e legalistëve. Kur e pyes se në ç’rrethana u përfshi me Ushtrinë e Enver Hoxhës, ai përgjigjet:

5– Kur shkova unë të luftoja, nazizmi kishte marrë tatpjetën dhe po kërkonte shtigjet e veriut të Shqipërisë për t’u tërhequr drejt Jugosllavisë; ishte koha kur dara po shtrëngohej drejt mbylljes: aleatët po përparonin. Ishte koha kur partizanët më shumë sulmonin kundërshtarët e tyre, nacionalistët e Legalitetit dhe të Ballit, për të qëruar hesapet, që të mos u bëheshin pjesë në tortën e pushtetit.

E pyes me shaka vatranin nëse e merr pensionin e partizanllëkut. Ai buzëqesh dhe thotë se ka qenë shpallë ”armik” nga regjimi i Enver Hoxhës dhe nuk pret shpërblime e trajtime prej tij.
Po si shkoi Hajdari tek partizanët?- këmbëngul unë në pyetjen e mëparshme.
E tregon pa ndonjë emocion të veçantë atë moment krejt të rastësishëm. Kishin ardhur partizanët për të kërkuar përforcime njerëzore derë më derë. Ç’burrë gjenin, e merrnin. Sipas informacioneve që kishin, ata e dinin se vëllai i madh, Shehati, i cili kishte studiuar për artileri në një akademi italiane, sillej atyre anëve.U duhej për artilerinë, por nëna i tha se Shehati nuk ishte aty dhe nuk e dinte se kur kthehej. Pyetën për vëllanë tjetër, por dhe ai ishte diku larg shtëpisë, me bagëti. Atëherë, nuk u mbeti zgjidhje tjetër veçse të merrnin me vete Hajdarin, më të voglin e djemëve të shtëpisë.Ishte korriku i vitit 1944, kur djaloshi 14-vjeçar, u bashkua me forcat e Brigadës 18 -të partizane, e cila komandohej fillimisht nga Esat Ndreu, ndërsa pas shtatorit, komandant u emërua Petrit Dume, gjenerali që do të arrinte të bëhej Shef i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare, deri në kohën kur Enver Hoxha do ta shpallte armik, si bashkautor i “tezave të zeza” dhe do ta ndëshkonte me plumb prapa kokës.
Tonuzi kujton se atë, korrierin e vogë, e linin gjithmonë në krye, mes pararojës dhe pjesës tjetër të kolonës partizane; ishte si tip ndërlidhësi. E pyet njëherë Tonuzi komandantin:Përse duhet të rri unë gjithmonë në krye të kolonës?
Ai ia kishte kthyer gjysëm me të qeshur e gjysëm seriozisht:Ti je i vogël, nuk të merr plumbi, nuk të qëllon armiku…Hajt, qerrata, mos u tremb…!
Pyetjes time nëse mban mend ndonjë betejë kundër gjermanëve ai i përgjigjet jo pa humor: ç’gjermanë mo,(edhe pse nuk ua mohon partizanëve kontributin tërësor kundër pushtuesve), mbaj mend se ca herë ndoqëm forcat e Muharrem Bajraktarit, rrallë përplaseshim me gjermanët, të cilët po tërhiqeshin dhe shtegu i vetëm për ta ishte ai i veriut të Shqipërisë. Partizani Hajdar Tonuzi kujton se Brigada me të cilën ai ishte rreshtuar sulmoi forcat e Bajraktarit në Lumë, Dragosh, e më pas nga Kukësi kaloi drejt Gjirokastrës, ku në pranverën e 1945-ës, ky formacion ushtarak u shkri në divizionin e katërt. Nuk kishin kaluar as 3 muaj kur Komanda e Përgjithshme nxori urdhërin që të gjithë partizanët që ishin nën 16 vjeç do të liroheshin nga shërbimi ushtarak dhe do të shkonin në shkollën ushtarake ose siç quhej atëherë; shkolla e kadetëve. Nën 16 vjeç ishte dhe Hajdari, kështu që një ditë prej ditësh u ndodh në shkollën e kadetëve. Mirëpo, Hajdari kishte probleme me biografinë, e cila filloi të kontrollohej që në atë kohë nga komisarët që kujdesishin për vijën e partisë.

Vëllai, adjutanti i Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë Shqiptare

Familja Tonuzi përbënte historinë tipike të pasluftës së Dytë Botërore, ku familjet ishin të ndara në dy kampe; vetë Hajdari ishte në radhën e triumfatorëve, ndërsa vëllai i madh, Shehati ishte, në anën e humbësve, që komunistët i shpallën kolaboracionistë. E vërteta është se Shehati, kish qenë adjutanti i Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë Shqiptare, sapo pat mbaruar akademinë ushtarake italiane, e mbajtën ca kohë në Torino dhe më pas e çuan në front që të luftonte në krah të ushtrisë së Musolinit. Duke qenë se ishte shok me të birin e komandantit të Akademisë Italiane, i cili u kujdes që të dy të mos përfundonin me ndonjë front skëterrë, i çoi në Sicili.Për fatin e tij, ushtria italiane nuk i qëndroi më shumë se katër orë sulmit të aleatëve që kishin zbarkuar me forca e armatime të shumta. Shehati, i cili tani jeton në Bufalo, edhe sot kujton stuhinë e sulmeve të aleatëve dhe disfatën e pashmangshme të italianëve. Pasi këtij kontributi pa shkëlqim, i vëllai i Hajdarit u kthye në Shqipëri. Ai nuk iu përgjigj thirrjeve për të marrë pjesë në administratën e qeverive që krijuan fashistët italianë dhe më pas nazistët gjermanë. Sapo partizanët e Enver Hoxhës morën pushtetin, ai përfundoi në pranga dhe iu rrezikua jeta me pushkatim, por shpëtoi falë ndërhyrjes së Dali Ndreut e Ramadan Çitakut, të cilët dolën garant se ai nuk i kishte bërë keq njeriu, nuk i kishte duart me gjak.Ndoshta ndikoi edhe fakti që njëri vëlla, Hajdari, kishte qenë partizan…Kështu që Shehati përfundoi në burg.

E nxjerrin nga radhët

Ndërkohë, Hajdari ndodhej në kryeqytet, duke u përgatitur si kuadër i zbritur nga mali, simbol i atyre që kishin sjellë lirinë. Mirëpo ëndërrat në përgjithësi nuk zgjasin shumë. Nuk u deshën më shumë se 3 muaj nga fillimi i shkollës ushtarake, që Hajdari, të hiqej mënjanë, si jo fort i besuar nga regjimi.Ja si e kujton atë ditë:
– Më thërret në zyrën e vet, komandanti i shkollës, kolonel Halim Xhelo dhe më pyet:-Do t’më thuash vetëm të vërtetën?
Unë po qëndroja si i habitur, një pëllëmbë njeri para tij, dhe mblodha supet. S’dija ç’ti thosha, vetëm shqiptova fjalinë:Po, vetëm të vërtetën !
– Ke njëri në burg?
– S’kam si e fsheh, shoku komandant, kam vëllanë, Shehatin, – i thashë…
– Që sot ne do të heqim që këndej, ti s’do të mërzitesh, nuk do të shkosh në shtëpi, por do të çojmë tek një shkollë tjetër, ku përgatiten kuadro të reja, për bujqësinë, për atdheun…
Dhe që nga ajo ditë Hajdar Tonuzi do të linte shkollën e kadetëve për të shkuar tek shkolla e ”Kuadrove të reja”, në degën e bujqësisë.Ai thotë se nuk i bëri shumë përshtypje atëherë ndërrimi i shkollës, madje kostumi që i veshën atje, e tregonte më të pashëm se me uniformën ushtarake. Ishin rroba që kishte sjellë UNRA për Shqipërinë… Hajdari kujton se 3 herë në javë shkonin në Kavajë, ku praktikoheshin për mirërritjen e bletëve, kujdeseshin për kultivimin e krimbit të mënadafshit, pulave, lopëve etj. Ai nuk e harron dashurinë që tregonte për nxënësit, mësuesi i përgatitur nga Harry Fullci, agronomi i shquar, Abedin Çiçi, i cili kultivoi tek ata dashurinë për çdo lloj pune dhe u përcolli njohuri të thella shkencore; trashëgimi e shkollës amerikane.
Më 1948, Tonuzi diplomohet si Teknik Bujqësor dhe emërohet në rrethin e vet, në Peshkopi. Sapo ia kishte marrë dorën punëve, filloi operacioni i pastrimeve për biografi. I grumbulluan në sallën e mbledhjeve dhe paralajmëruan:Kush nuk do të dëgjojë emrin në listë, nuk duhet të qëndrojë më këtu, por të shkojë në shtëpi. Ishin fazat e para të operacioneve biografike të kuadrove. Emër pas emri, Tonuzi e kishte humbur durimin kur nuk po ia shqiptonin emrin, por kishte pritur edhe shqiptimin e emrit të fundit në listë. Atëherë, uli kokën dhe u kthye në shtëpi. Nuk u tha gjë pjesëtarëve të familjes, as nënës as vëllait, por provoi dhe një herë që të merrte rrugën drejt kryeqytetit. Drejt e tek drejtori i shkollës, Abedin Çiçi.
– Më kanë pushuar nga puna, – i tha Çiçit.
Ai i habitur, e kishte pyetur:
– Çfarë prapësie ke bërë?
– Asgjë, – ia ktheva. – Kam punuar me sa kam pasur fuqi e dituri, asnjë vërejtje nuk kam patur…
-Eja pas meje, – i kishte thënë i miri drejtor dhe drejt e tek Ministria e Bujqësisë, ku ishte zv/ministër një nga ish nxënësit e tij.
Pa e përshëndetur, i kishte folë ashpër zëvendësministrit:
-Prandaj shpenzojmë ne që ju t’i nxirrni nga puna kuadrot e reja? Po a e dini ju sa na ka kushtuar përgatitja e tyre?
Zv/ ministri dukej si i hutuar, dukej që e adhuronte ish drejtorin e vet dhe menjëherë i kishte telefonuar Peshkopisë dhe kishte dhënë urdhërin e prerë që Hajdari të rikthehej përsëri në punë…Ata të rrethit, ca të trembur se telefoni kishte rënë nga Ministria, kishin lëshuar pe, ishin justifikuar se do të ishte bërë ndonjë ngatërresë….
-Ja kështu ndodhi, – kujton Hajdari atë skenë të zhvilluar këtu e 45 vjet të shkuara.
Por nuk kaloi shumë kohë dhe ndërhyrjet nuk do të pinin më ujë.

Familja në shënjestër

Vëllai i tij, Shehati, që kishte dalë nga burgu, pas 5 vjet vuajtjeje, kthehet në fshat dhe merret me punët e bujqësisë. Një ditë vijnë në fshatin Allajbeg dy oficerë të Ministrisë. Ishte koha e prishjes me Jugosllavinë e Titos. Oficerët kishin ardhur me mision që të përcaktonin vendet e baterive kundërajrore, largësitë e qitjes së zjarrit, ngaqë pritej ashpërsim i situatës me fqinjin. Kush më mirë se sa Shehati i njihte lartësitë dhe largësitë topografike të atyre vendeve? Ai qe një ndër artilierët e shkëlqyer, i vlerësuar edhe nga akademia italiane. Njëri prej oficerëve, Mahmud Agolli, kishte qenë koleg me Shehatin, por gjatë luftës kishte lënë legalistët e ishte bashkuar me partizanët, kështu që pat zënë vend në Ministrinë e Mbrojtjes. Oficerët trokitën në shtëpinë e madhe të tonuzëve. Atë ditë, në një moment të volitshëm, Agolli, i është përvjedhur oficerit tjetër dhe e kishte thirrur mënjanë Shehatin, të cilin e ka paralajmëruar se familja Tonuzi ishte në shënjestër, ndërsa, Shehati vetë, ishte shumë i rrezikuar. Nuk bëhej fjalë thjesht për burgosje, por ndoshta dhe jeta ishte në kufijtë kritikë të rrezikshmërisë…
– Ishte ky sinjal i marrë në kohën e duhur, – thotë Hajdari, që e detyroi familjen Tonuzi të merrte shtigjet e arratisë. Së bashku me nënën, vëllanë e madh Shehatin dhe dy vëllezërit më të vegjël Hajdari, kujton se në pranverë të vitit 1950, familja e tyre kishte lënë përmes një ankthi vatrën e të parëve dhe ishte hedhur në Dibër të Madhe. Aty kishte nevojë për mësues, prandaj e dërgojnë Hajdarin në Shkup për të vazhduar studimet pedagogjike, ndërkohë që tre muajt e verës vazhdoi një kurs për pedagogji, psikologji dhe metodikë. Më pas u emërua mësues në Dibër të Madhe. Më 1953 do të pranohej për të vazhduar studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkupit. E mbaroi vitin e parë shkëlqyer, por përsëri telashet nuk kishin të sosur.

Në skenë del Mugosha

Hajdari kujton se serbët bënin ç’ishte e mundur të punonin me emigracionin nacionalist shqiptar duke e kthyer atë mish për top ndaj Shqipërisë, kryesisht edhe për interesat e vetë Jugosllavisë. Atij dhe sot i duket habi se si Dushan Mugosha, që gjatë viteve të luftës punoi me komunistët e Enver Hoxhës dhe i ndërseu ata kundër nacionalistëve në atë që u quajt luftë civile mes shqiptarëve, pas lufte, punoi me kundërshtarët e tyre për t’i hedhur kundër komunistëve. Edhe kur kishte patur ndonjë përpjekje që ‘t’i jepej fund kësaj tabloje, siç kishte bërë Shehati, Mugosha ishte përpjekur që të fuste zjarrin mes vetë nacionalistëve. Ngjarja ndodhi aty nga fundi i vitit 1954. Mugosha kishte tundur një letër që Shehati e kishte nisur në Perëndim, ku denonconte politikën e mbrapshtë jugosllave, e cila kishte çuar drejt vdekjes dhjetëra djem nacionalistësh, të cilët në përpjekje për të kryer detyrat që u jepeshin nga jugosllavët, mbeteshin në kufi, të shtrirë për vdekje nga plumbat e kufitarëve e të Sigurimit Shqiptar. Shehati qe ngritur kundër Dushan Mugoshën dhe i pat kërkuar atij që t’i jepej fund përdorimit të shqiptarëve nacionalistë si mish për top kundër vendit të tyre, ku një pjesë jo e vogël linte kockat atje. Debati qe i ashpër. Mugosha u tregua i djallëzuar duke kërkuar që përmes debatit të vetë shqiptarëve të dënohej Shehati. Idriz Lamaj, i cili e saktëson këtë të vërtetë në librin e tij “Xhaferr Deva në dritën e letrave të veta”, shkruan:”Letrat që niseshin nga Jugosllavia për tek vëllezërit e tyre shqiptarë në perëndim cenzuroheshin. Edhe ato letra që vinin nga Perëndimi në Jugosllavi, pësonin të njëjtin fat. Të gjitha letrat e rëndësishme, apo për ato që ngjallnin dyshim, fotografoheshin. Kështu vet gjeneral Dushan Mugosha përzuri Shehat Tonuzin prej Dibre që ishte anëtar i një klubi emigrantësh, duke i nxjerrë atij letrën që i kishte dërguar një personalitet emigrant nga Perëndimi….”. Tonuzi, jo vetëm që nuk e mohoi, por i mbrojti me dinjitet të drejtat e shqiptarëve dhe kërkoi t’i jepej fund shfrytëzimit të tyre për interesa të jugosllavëve. Mugoshës nuk i eci tentativa e tij për t’i futur shqiptarët në sherr me njëri-tjetrin. Por,pas debatit me Mugoshën, familja Tonuzi u shpall e dyshimtë për jugosllavët dhe që atë çast u internua në Stara Serbi(Serbia e vjetër). Me urdhër të Mugoshës dhe UDB-së familja u trajtua ashpër dhe u vendos në Shumadi . Për muaj të tërë familja Tonuzi përjetoi jetën e vështirë të internimit. I shtynte ditët me shpresën e kapërcimit për në Perëndim dhe me këtë shpresë kërkuan viza për në Itali, Belgjikë ose Paris. UDB i mori dhe i futi në kampin famëkeq të Gerovës së Kroacisë. Hajdari kujton jetën e vështirë në atë kamp që nuk u linte mangët asgjë kampeve të nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më shumë se 800 të internuar ngrysnin ditët dhe netët e vështira në atë kamp, ku mungonin kushtet elementare, ndërkohë që telat me gjemba që e rrethonin i jepnin jo vetëm pamje izoluese, por edhe të frikshme. Aty qëndruan nga janari 1955 deri në korrik 1956, kohë e mjaftueshme për t’u takuar me vdekjen për së gjalli.

Hapen dyert e perëndimit

Më në fund, më 7 korrik 1956, pas kërkesash të njëpasnjëshme, familja u lejua të ikte në Perëndim.
– Nuk na besohej se ishim të lirë kur arritëm në Paris, – kujton Hajdari, i cili shton se familja u nda; një pjesë në Paris e tjetra në Belgjikë dhe Itali.
Menjëherë Hajdari, që nuk ishte më shumë se 26 vjeç, me të mbërritur në Paris, mendoi për shkollimin e tij. U regjistrua në “ALLEANCE FRANCESS” dhe për një vit zotëroi gjuhën franceze, të cilën nuk e kishte fare të panjohur, ngaqë për një vit, sa studioi në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkup, kishte zgjedhur frëngjishten si gjuhë të dytë. Pasi përfundoi me rezultate të larta ”ALLEANCE FRANCESS” kalon në “DESSINATEUR D’ETUD-ET INGENIERUR DE MECANIQUE GENERAL” .(Hajdari ruan me fantatizëm shembullor të gjitha certifikatat dhe diplomat, të cilat i solli edhe në redaksi). Tonuzi u tregua i zellshëm në studime dhe e shfrytëzoi bursën që pat marrë nga Europa e Lirë. Iu desh ta braktiste pedagogjinë dhe agronominë për inxhinierinë.Studimet për inxhinieri i vazhdoi nga 1958 deri në 1962 dhe në qershor u diplomua.(VIJON) U botua per te paren here ne Gazeten ILLYRIA

 

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca, GEROVE, NGA DIBRA NE TIRANE, Paris, SAGA E HAJDAR TONUZIT, Shkup

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT