Mendime dhe mbresa rreth librit “Simfonia e nxënësve”/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Libri “Simfonia e nxënësve” “Letërkëmbime të zgjedhura”është një libër unik për nga lloji, i shkruar mjeshtërisht nga dora e një kompozitori poet me moshë relativisht të thyer, 80 vjet…
Mesuesi dhe Poeti i Kombit Shehu me qetësinë olimpike nxjerrë me majën e penës së tij nga shishja prej mishi dhe gjaku ku kishin mbyllur mjaft nxënës Lirine e tyre burgosur. Duke e lexuar gjithë librin me 361 faqe jo vetëm që e lexova me ëndje, emocion, dhimbshëm dhe bukur, por mora dritë nga llambushkat e shpirtit të një Poeti të madh. Në momente të caktuara m’u duk se dëgjova simfoninë e pestë dhe të nëntë të Bethovenit i cili thonë se kur u shurdhua shtrihej në dysheme dhe në kokën e tij ndiheshin valët e tingujve të mahnitshem, ndërsa Poeti ynë troket dhe zgjon me tingujt hyjnorë të GJUHëS SHQIPE tek “shurdhët”, që disa të mjerë duan t’ja humbasin dëgjimin dhunshëm…
Ja si i shkruan një ish nxenes i tij në vitin 1959 E.Isufi: “E ndjej vehten si në shishe… Edhe këtë vit jam në Muzinë si profesor. Përpjekjet për të fituar të drejtën e studimit dështuan para ndjenjës së miqësisë të Shefit të Seksionit së Arsimit-Sarandë, se bursat qenë të rezervuara për njerëz të zgjedhur”… (f.7)
Poeti dikur i internuar me punë në metalurgjik në Elbasan kujton nga lartësia e moshës letërkëmbimin me ish nxënësit e tij, ku ndjen dhe prek nga afër lirshmërinë e tyre ndaj mësuesit të letërsisë, në kohën e diktaturës që datojnë qysh nga viti 1959, çka të kujton thënien e Adams i cili thotë: “A teacher affects eternity; he can never tell where his influence stops”, që përkthehet; “Një mësues prek perjetësinë dhe kur nuk tregon se kur do të ndali influenca e tij”.
Midis letërkëmbimeve të shumta më ra në sy dhe letra e shkrimtarit të mirënjohur të dënuar prej 24 vitesh nga diktatura Daut Gumenit i cili i shkruante: “Jam mërzitur më shumë nga që s’u takuam sesa nga gjurma që më la kamçiku i kuqalashit (zyrtar)…
Vazhdoj leximin dhe në imagjinatën time krijohet portreti i mësuesit poet që me bashkëshorten e tij Zanën për dore qëndronte para zyrave të frikshme të Komitetit Qendror siç shkruan Ai të cilët do të vendosnin fatin e tyre për të shkuar në punë të rënda, në internim… Zana kjo grua intelektuale dhe e mënçur ngrihet para meje si një hyjneshë, si Zanat që qëndronin në malet tona qëndresë, në Olimpin e Tomorrit, Pashtrikut, Gjallices, ndërsa Zana nga dera e madhe e Kokoshajve të persekutuar të Vlorës ruante virgjërinë e nderit dhe të besës së burrit që shkrihej midis botës së magjishme të nxënësve dhe që ishte burim frymëzimi për ta.
Mësuesi i vërtetë mund të prekë retë gjer në qiell t’i ndajë kur grinden dhe me shiun e tyre të puthë butëz tokën e çarë si shegë për ujë, por mund të ndodhë që nxenesi të eci, eci pandalur dhe shpirti i një mësonjësi të vertetë të ngazëllehet dhe të frymëzojë për më shumë. Me humorin e hollë si fijëza ajri në mushkëri nxënësish ndjejmë bisedat nga më të ndryshmet brenda ditarit të një mësonjësi. Ish nxënësja e tij Diana Peza i shkruan nga xhirimet në metalurgjik se për fat të keq nuk u takuam… Do qe gjë e bukur të ngjiteshim dhe konkretisht gjer në majë, kësaj here nxënësja përpara, udhëheqëse si Virgjili e mësuesi pas tij, si Dantja!
Në këtë libër ka dhe ish nxënës që nuk jetojnë më ndaj dhe publikimi i letrave duket se janë një homazh për Ta. Letra e aktorit dhe regjisorit të shquar Agim Qirjaqi është nje letër mirënjohjeje respekti të veçantë për mesuesin i cili qe i pari që i tha se ju do të bëheni një artist i madh. Agim Qirjaqi i shkruan ndërmjet të tjerash: Ju mbeteni njeri i artit. Të paktën une s’jua harroj ngaqë pikënisjen e aktorit e kam nga ju. Më ngulët sytë si para një zbulimi, më tërhoqët me zor në estradën e gjimnazit e andej mirë keq përfundova ku jam.
Një mësuesi profesionist i besohen shumë gjëra sidomos në se je krijues. Ish nxënësve të tij ju duket ndonjëherë sikur mësuesi i tyre është ndërmarrje botuese, por nga ana tjeter ata i thonë se veç jush nuk mund t’ja tregojë kujt poezitë e mia i shkruan Enver Isufi. Po sjellë dy strofa nga poezia “Gjimnazistja nga fshati”. Ti gjithmonë e heshtur rri në bango/ kur muzika zemrat na rrëmben/ Ti nuk di të hedhësh “foks” e “tango”/ ti nuk di të veshësh dekoltenë/…Ti dhe fundin nuk e ke të ngushtë/ dhe as flokët s’i ke prerë mbi ballë/ dy gërshetat rrahin gjinjtë e ngurtë/ me këpucka fshati tek ngjit shkallë/…
Kujtimet janë pafund dhe me të drejtë ish nxënësit e tij i shkruajnë se duhen natë dimri për t’i treguar.
Ish nxënësi Zeman Lalaj e çmon si një thesar të letërsisë shqipe. Mësonjësi i tyre ishte poet, përkthyes, por mbi të gjitha Njeri! Ata kujtojnë poezitë e tij që futeshin në shpirtin e tyre si Ujëvara Dielli, titull në krijimtarinë e Shehut. Me shpirt kujtojnë dhe përkthimet nga Esenini si: Në Veri kam një mike intime/ Sa të ngjet Shagane, shpirtja ime/ më kujton ajo ndoshta atje/ Shagane, shpirti im Shagane/…
Lalaj i shkruan se tani në moshë të thyer mësova se Gjirokastres i thuhet Gjinokastër dhe argumentimi që ju i bëni emrit të qytetit është sa atdhetar dhe shkencor.
Ata i shkruajnë dhe në intimitet e quajnë nga më të afërmit mësuesin, se një mësues i mirë bëhet dhe prindi i dytë, bëhet shok, mik e vëlla. Ja si i hap zemrën Thoma Zhamo në zemrën e të cilit kishte ngritur folezë një dashuri e veçantë, por e parealizueshme, ndaj dhe i kish shprishur gjumin, ëndrrat dhe i kishte kushtuar këtë poezi dashurisë së hershme të tij: Sytë më mbyllen/ dhe çudi/ po më del perpara ti/ një kordele kaltëroshe/ përmbi flokë roje rri/ Ai shtat mermer i derdhur/ qenkësh art e poezi/ sytë seç m’u hapën prapë/ e përpara s’ka njeri/ humbi vajza flokëartë/ sërish mbetem në vetmi/…
Mbështetem në supin tuaj profesor…
Një nga letrat më të dhimbshme, më prekëse është letra e shkrimtares së njohur Kozeta Mamaqit drejtuar ish profesorit të saj të letërsisë, e cila para pak kohësh humbi tragjikisht birin e saj të vetëm, Sokol Olldashin, që preku zemrat e miliona shqiptarëve, për ikjen në përjetësi shumë i ri, por dhe shumë i njohur si krijues dhe politikan. Letra pikon lot nga syri i Kozetës, është syri i një nëne për birin e saj të shtrenjtë, është lot pikëllues që kthehet në dritë nga parajsa, atje ku ka zënë vendin përreth fronit të Zotit, poeti Olldashi.
Profesori i letërsisë ka pasur komunikim të mëparshëm me Kozetën dhe Sokolin, por me humbjen e Tij, zemra i drithërohet dhe i jep tejet vështirësi për ta ngushëlluar, e megjithatë Poeti e gjen fjalën ngushëlluese dhe depërton në zemrën e plagosur të saj duke u munduar ta shërojë paksa.
Po sjellë disa copëza nga letërkëmbimi: E nderuar Kozeta! E kam pasur tepër të vështirë të të shkruaja për fatkeqësinë tënde që i kalon përmasat e fatkeqësive! Ikja e papritur dhe e pabesueshme e Sokolit në një natë të errët e në mënyrë të errët nuk mënjanohet nga asnjë ngushëllim! I vutë në fëmini emrin Sokol për fluturim të guximshëm në hapësira Lirie, por ai kishte pamjen dhe shpirtin e pëllumbit të butë që kish lindur për Paqe! Nuk e mendoja kurrë që nxënëses sime aq të mirë, me shpirt prej qelqi të hollë, një ditë do t’i shkruaja ngushëllim për një humbje të tillë!… Të mbaj mend kur komentoja tragjeditë e shkrimtarëve…e ti qëndroje me hutim të bukur…Nuk mund të shkonte në mend se një lloj i atyre dramave me Andromakë e Ofeli do të hynte në shtëpi në moshën disi të thyer… Aq më keq mbi dramën e diktaturës që s’ia kishe për borxh njeriu, të shtohej dhe drama në demokraci! Kam bindjen se do më dëgjosh edhe në këtë rast ish mësuesin tuaj!…
Letra e poetit Shehu të kujton Frojdin i cili thotë: “Njeriun e sotëm e trondit jo më pak se grekun antik”
Duke e përjetuar thellësisht komunikimin e tyre më duket sikur letrat vijnë prej botës së përtejme dhe shoh një tragjedi antike në amfiteatrin e Butrintit që luhet nga aktorët modernë shqiptarë…
Përgjigja e Kozetës është sa delikate aq dhe tronditëse, sa e dhimbshme aq dhe poetike, i kalon kufijtë e një letre, është zemër e dhembshur plot art, është një vajtim i thekshëm i një nëneje artiste, sa që parandjen se mund të kthehet në mit në kohë dhe në hapësirë. Letra është si një blatim, nje dhuratë perëndie mbi varret e njerëzve, apo si një boskë, një vazo e bukur antike që mban hirin e të vdekurit në perjetësi.
Përgjigja e saj drejtuar profesorit të letërsisisë është: I dashur profesori im, ju falënderoj për ngushëllimin dhe mbështetjen. I nderuar profesori im i mirë që më ke shkruar me aq dashuri, dhimbje, delikatesë, të më ndjesh, por nuk kam mundur as të lexoj e aq më pak t’ju shkruaja më parë. Jam e dërmuar nga dhimbja…s’dua ta besoj që im bir…Oh Zot, profesor, më fal për këtë moment, por po mbështetem në supin tuaj…Ju falënderoj…që më dhatë forcë…A do të mundem dot, profesori im i mrekullueshëm?!
Ju përqafoj,
Kozeta fatkeqe!
Mbi thinjat e mësuesit ndrin shpirti i bardhë i nxënësve…
Letërkëmbimet me profesorin nuk kanë fund ato janë si pëllumba paqeje në qiellin pafund të shpirtit të një Poeti. Ksenofon Dilo pinjolli i familjes së shquar të Ilia Dilo Sheperit e çmon ish mësuesisn e tij si një mësues brilant të rrallë. Unë kam qenë me fat thotë Dilo sepse kisha një mësues nga më të mirët që kishte Shqipëria dhe ndoshta më tej.
Vlerësimi i mësuesit për ish nxënësin e tij Dilo është tejet njerëzor, duke i thënë se të kishja dhe nxënës dhe shok, koha e vërtetoi. Këto janë fjalë burrash, fjalë bese, njerëz human!
Brenda letrave gjen shkëmbime me ish nxënës që sot janë profesorë, si psh me prof. Republika Zeka e cila jep mendim dhe debaton plot kulturë me profesorin Shehu. Prof.Zeka e vlerëson publicistikën e Tij si të Nolit në mbrojtje të Kombit para synymeve dhe shpifjeve të qarqeve ultranacionaliste greke.
Me një tis humori të hollë përshkruhet dhe komunikimi me ish nxënësin e tij fabulistin Selam Shkurti nga Golëmi. Poeti e çmon talentin e tij se në fabula nuk ka përdorur kërrabë t’i shtrëngosh me zor qe të mblidhet tufa e deleve. Ai i kujton disa nga me të bukurat si: Kë do dërgoni në luftë/ sifetin që lëshon pufkë/ Lufta do burra për kordhe/ jo si ky që lëshon p…”! Kot i pari se ka thënë/ thesi bosh s’qëndron në këmbë”… Qeshi ministri u shkri/ ah golëmas shakaxhi/ holloj peta për byrekun/ në fund i rrah dhe dybekun/…”!
Shkrimtarja Vllasova Musta ish nxënësja e profesor Shehut i quan letërkëmbimet blerim, ngjyra, prek kolosët, tokën dhe qiellin, por mbi të gjitha ato kanë një harmoni shpirti a thua se mund të vijë nga lart?
Musta kishte lexuar “Fjalëurtat” e Shehut dhe kishte marrë lapsin në dorë të nënvizonte më të spikaturat, por kur mbaroi pa se i kishte nënvizuar të gjitha dhe s’kishte lënë asnjë.
Profesori Shehu nga malet me borë të Zvicrës ku emigroi në moshë të thyer ndihet me fat që Progonati e lindi dhe Gjinokastra, kryeqendra e Labërisë, e rriti. Në kalldrëmet e ngushta preku mistershëm imazhet e bulevardeve të mëdha që kish krijuar njerëzimi. Poeti plot kulturë dhe mirënjohje vlerëson gjimnazin “Asim Zeneli” nxënësit e tij dhe si i moshuar sytë dhe veshët i mban me adhurim tek brezat që vijnë, ndryshe është fatkeq ai mësues të cilit nuk ia kalojnë nxënësit. Në fund librin e mbyll me shprehjen e famshme te Kenedit se: “Mos pyet se c’të jep Atdheu, por c’i jep ti Atdheut”! Me këtë motiv sa tokësor dhe qiellor dha jetën Heroi emrin e të cilit mban gjimnazi Asim Zeneli.
Profesor Shehu është siç thotë Ataturku se një mësues i mirë është si një qiri që e konsumon vehten e vet për t’u bërë dritë të tjerëve.
Eshtë e pamundur të përmendësh gjithë emrat e nxënësve në këtë libër, por është më se e mundur të pohosh se pasi e ke përfunduar ke dëgjuar një simfoni të jashtëzakonshme me zëra dhe tinguj të magjishëm gjimnazistësh, ku poeti i mirënjohur tepelenas Petrit Ruka me të drejtë e pagëzoi librin “Simfonia e Nxënësve” dhe mësonjësi i mëncur e degjoi.
Profesor Shehu është siç thotë Ataturku themeluesi i Turqisë moderne se: “Një mësues i mirë është si një qiri që e konsumon vehten e vet për t’u bërë dritë të tjerëve”. Ndaj duke përfunduar shkruaj se lexova dhe ndjeva se Libri është një ujëvarë Drite, është Simfoni!
2 Nentor, 2014
Staten Island, New York