• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AT PJETER MESHKALLA S.J.

April 29, 2017 by dgreca

1967- A  KISHIN  MBETË  BURRA  QË  E  KUNDERSHTUEN “REVOLUCIONIN  IDEOLOGJIK  E  KULTURAL” ?/

1 pjeter-meshkalla-1PAPA GJON PALI II ka thanë: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit…”/

Nga Fritz RADOVANI/

■Kishin mbetë edhe pak!..

Tirana zyrtare komuniste e “tipit të ri kinez” publikonte artikuj dhe thirrje të “rinisë revolucionare” per një vendosmeni të pashoqe per me çue deri në fund idetë e detyrat e “shokut” Enver… Dhe, kur u kthye nga Shkodra kamera e kinostudjos së Tiranës, dilnin detyra tjera urgjente nga podet e sallës së Institutit Pedagogjik, ku kishte ardhë me “zbatue” ata ide në Shkoder “hija e drejtuesit revolucionit” ose “dora vetë” Ramiz Alia.

■Aso kohe kishte “disa dr. Profesora” që kur ishin në Bulevardin e Tiranës në xhiro dhe, po të fillonte me cikrrue shi… Po të ishin pa mrrela, futeshin derisa të pushojnë shiu në Komitetin Qendror të PPSH, ose edhe në Kryeministri… Ndersa, po t’ ishin tek qendra pra, tek Xhamija, futeshin në ministrinë e mbrendshme jo per gja, po “pinin një kafe”!

■Këta “intelektualë” edhe sot vazhdojnë me thanë dhe me shkrue se: “Mbas vitit 1946 në Shqipëri nuk kishte më kundërshtarë të regjimit dhe as të PPSH, pas atyre që u vranë deri në 46 (dyzetegjashtën), pushteti popullor nuk kishte më asnjë pengesë kundershtare as në qytet dhe, as në fshat. Populli punonte për ndertimin e plotë të socializmit!…”

■Kjo thanje atëherë dhe sot ishte vetem dobsi që mbrohej nga injorantët me tituj. Shumë prej tyne e perforcuene këte “ide” kur filluene bashkpunimin me sigurimin e shtetit.

Në kjoftëse nder “demokraci popullore të Lindjes”, “me të vertetë në 1967 nuk kishte kundershtarë të qeverive atje”, Shqipnia vazhdonte me pasë ma shumë kundershtarë që e dishronin ose e kerkonin perditë permbysjen e pushtetit komunist, sesa e donin ate!

■Një nder Herojt ma të mëdhaj kundershtarë të sistemit komunist në Shqipni (e ndoshta në krejt Lindjen komuniste) asht kenë i Madhi At Pjeter Meshkalla…

■Pak ditë para arrestimit të dytë i ka tregue Nanës s’ime se do të arrestohet, sepse i kishte shkrue një letër kriminelit Mehmet Shehu për shka po ngjante me “Revolucionin Kultural” në Shqipni…Mbasandej, …“Edhe ndonjë meshtar që ka pasë kenë në burg, ka vdekë, e asht e nevojshme me hy dikush prej nesh mbrendë, se aty ka shumë nevojë për meshtar, mbasi ndër burgje janë shumë të rijë dhe njerëz që janë dëshprue nga mërzia dhe vuejtjet e randa, që janë tue kalue tash sa vite. Asht e nevojshme prania  jonë aty…”

Me daten 29 Prill 1967, ora 17.00 u organizue një mbledhje e madhe në auditorin e Institutit Pedagogjik, ku merrnin pjesë instruktorë partije, profesorë dhe intelektualë të “njohun” per kulturen e gjanë ateiste dhe antishqiptare, shumica agjenta sigurimi…  Luigj Shala, i ngarkuem me drejtue mbledhjen i dha të drejtën e fjalës At Mëshkallës.

Ai porsa doli para auditorit dhe porsa iu afrue podit të konferencierit, tha këto fjalë:

“Ah, sa mirë që po më jepet rasa me folë njëherë para Popullit me altoparlanta!

Unë jam Katolik dhe besoj në Zotin! Po më vjen mirë, që po flas prej një vendi ku kam mundësi me iu drejtue Popullit tem, që më ka nderue, me ka respektue, me ka ndigjue fjalën teme dhe, më ka pritë e përcjellë në shtëpijat e veta, me dashni të madhe. Qellimi em ka kenë gjithmonë i mirë…me predikue fjalën e Krishtit dhe dashninë ndërmjet të të gjithë njerëzve, të të gjithë njerëzve pa dallim Feje!.. Këte kam folë në të gjitha shtëpijat ku kam shkue, ndër Katolikë e Muslimanë, mbasi jemi vëllazën dhe besojmë në një Zot, jemi të një gjaku, sepse, jemi të gjithë Shqiptarë… Ka shumë njerzë që kërkojnë me na shkatrrue, me na përça dhe nda, me zhdukë traditën, me prishë besimin, me mohue Krijuesin tonë, me rritë një rini servile e hipokrite, që nesër nuk do t’ju durojnë ma as ju, do të ju shporrin qafët, e një ditë ka me ju hangër kryet… Ka këtu në sallë që nuk lanë gja pa shpifë kundër nesh edhe pse me të gjitha forcat kemi punue për Shqipni…

Unë e kuptoj mirë që ata sot ashtu do të flasin, mbasi ba mos me folë ashtu si ua kanë dhanë të shkrueme në letër, nesër pushohen nga puna e në darkë nuk kanë shka me u vu fëmijëve para me hangër, sepse të gjithë njerëzit janë të lidhun për kafshatën e gojës… Kjo asht arësyeja për të cilën i kam shkrue udhëheqësit të Shtetit, kjo më ka detyrue, mbasi Populli Shqiptar asht popull besimtar dhe nuk asht vullneti i tij me prishë atë që ka ndërtue ai vetë me ndërgjegjën e tij… Kurrë nuk asht Populli shkatrrues i Kishës e i Xhamisë, kurrë nuk ka nxjerrë jashtë populli priftin e hoxhën nga katundi…

Ju i përgjithësoni veprimet, ju flitni për Inkuizicionin e Shek. XV, por ju harroni se shka jeni tue ba në Shek.XX…Njerëzit i dinë të gjitha, por nuk guxojnë me folë se nuk ka liri fjale e tashti nuk ka as liri feje e ndërgjegje…Unë po ju them këtu se Populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojë me besue në Zotin edhe pa Kisha e Xhamija… Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që bani ju sot këtu, a e dini se po bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë e Krishtit!” (Teksti asht ruejtë nga z. Nikolin Muzhani).

U ndigjue një za nga salla, ishte “shoku” Xhemal Dini: “Që sonte populli do të djegin Ungjillin!” –Mëshkalla ju përgjegj: “Digjeni edhe ju që sonte, ka dymijë vjet që thërrasin shokët tuej me djegë Ungjillin e Feja e Krishtit veç sa vjen e po forcohet! Shqiptarët nuk e djegin Ungjillin, këte e them si Shqiptar që jam, mbasi kur kam lindë kam pasë vetëm një emën, ky ishte emni SHQIPTAR, se linda nga prind Shqiptarë. Mbasi u pagëzova me emnin Pjetër, më quejtën Katolik, pra, ma parë jam kenë Shqiptar, mandej kam marrë Sakramendet dhe u bana Ushtar i Krishtit dhe i Papës, Mëkambësit të Krishtit në tokë. Emni i parë që kam marrë në këte tokë dhe e kam mbajtë me nder, asht kenë emni Shqiptar e derisa të vdes do të jem SHQIPTAR! Unë i përkas  Popullit tem, ai me njeh mirë dhe e di sa kam ba unë për té, por ai  mos harroni se ju njeh mirë edhe ju!”…

■Filluen mbas At Mëshkallës diskutimet e zjarrta në sallë kundër Zotit, Fesë, klerit dhe në veçansi kundër jezuitëve, mbasi atij Urdhni i përkiste edhe At  Mëshkalla. Dufin ma të madh kundër jezuitëve e shfreu anadollaku Jup Kastrati, miku i Ramiz Alisë. Ky ishte i porsazgjedhuni “Kryetar i Komisionit të Përzgjedhjes së Leteraturës Fetare (Kishtare)”. Ai foli për rolin reaksionar që kanë luejtë jezuitët në Shqipni tue përfshi këtu krejt klerin katolik, madje edhe ata prej të cilëve kishte vjedhë e përvetësue edhe librat e artikujt që ka kopjue e botue në emnin e vet. Ishte koha e bashkpunimit me oficerin Rakip Beqja.

Mbas tij e mori fjalën mjeku Ramiz Hafizi, i cili u mundue me shpjegue disa “pakjartësi” të Biblës, por At Mëshkalla i tha: “Shko e lexoi mirë, se as nuk janë të shkrueme kërkund tek Bibla këto që thue ti!..”. Foli edhe “shoqja” Angjelina Uli, së cilës në fund të diskutimit i shtërngoi dorën Shefik Osmani, për fjalët e “bukra” që shprehi në drejtim të At Mëshkallës… Asht kërkue me folë aty edhe mjeku Kolë Pepa dhe mësuesi Mark Temali, të cilët nuk kanë pranue. Mark Temali, kur asht kërkue me i dorëzue diskutimin Halit Isufi (atëherë drejtor i Gjimnazit), ai nuk e ka marrë se: “E kam pasë mësues At Mëshkallën dhe nuk mund të flas kundër Tij, sepse nuk nderoj figurën e mësuesit me folë në këte moshë kundër mësuesit tim”. Xhemal Dini, sekretar i Komitetit të PPSh, njoftoi per ata Degën e Mbrendshme, “Me pasë në kujdes qendrimin e tyre.”.

■Nga vendët e para u çue xhelati i njohtun i Sigurimit Xhevdet Miloti (që ishte edhe Shef i Seksionit Katolik në Degën e Mbrendëshme të Shkodrës), e tue u ngërdheshë i vuni prangat. Tue hy At Mëshkalla në gjips të Sigurimit, krimineli i ra me shqelm…

***

DOSJA 4191/1 Padër Pjetër Mëshkalla Dosja (Arkivi M. M. Tiranë, 1998)

Hetimet fillojnë me 30 prill 1967, ora 08.00. Oficeri pyetës asht Llambi Jegeni, asistues Skënder Myftafaraj. Në kontrollin që u ba në shtëpinë e tij asistoi oficeri kriminel Dhimitër Shkodrani. Arrestimi dhe kontrolli i shtëpisë u ba me urdhën të prokuror Faik Minarollit. Hetimet u banë në disa seanca gjatë muejt qershor, me dt. 10, 15, 20, 24, 26.

Pyetjet fillojnë nga materiali i mbledhjës së zhvillueme në Institut… Përsa i përket veprimeve të Shtetit në drejtim të Fesë, ata për At Meshkallën janë të papranueshme: “Janë shkelje e të drejtave të njeriut, për të cilat vetë Qeveria Shqiptare asht angazhue se do t’i ruejë të paprekuna.”

■Nga një proçes-verbal rreth dy faqësh i mbajtun me 19 korrik, në orën 14.00, shënohet: “Mbas hetimëve të bëra ndaj armikut të popullit Padër Pjetër Mëshkalla, Gjykata e Rrethit të Shkodrës e përberë nga: Kryetar: Muhamet Tyli, anëtarë: Ferit Halluni e Gjovalin Jaku, prokuror Kostaq Shandro dhe kryesekretari Ibrahim Stankaj, me vëndimin nr. 44, dënoi të pandehurin Pjetër Mëshkalla me 10 (dhjetë) vjet heqje lirie dhe, me konfiskimin e pasurisë (së tundëshme dhe të patundëshme)”. Ai u dënue me masën maksimale se në gjyq deklaroi: -Se po të shprehin lirisht mendimët e tyne (njerëzit), ky Pushtet nuk ka për të zgjatë shumë.”(Marrë nga proçes-verbali i Gjykatës së Rrethit të Shkodrës). Duket se ajo copë letër nuk tregon asgja, por, jo!..Tregon ate që mohohet!

***

■Gjyqi u zhvillue po, pak kush dinte mbylljen e asaj ngjarje të madhe historike per të cilen vazhdon edhe sot heshtja… E kjo heshtje me siguri njëditë “do të shkrepin”!

Në fjalen e fundit në gjyq At Mëshkalla tha: “Ju më dënoni sa të doni, mbasi mue nuk keni shka më bani, unë prap se prap do të dal, sepse, ju shpejt keni me mbarue, mbasi shoshojnë keni me hangër, e aty asht fund i juej! Feja e Krishtit nuk mbaron kurrë!”

At Pjeter Mëshkalla ia mbërrijti asaj ditë që pat profetizue ma parë. Ai  pa me sy shka paralajmëroi. Diktatorët me të vërtetë hangrën kokat e njeni tjetrit dhe këtij nuk patën shka me i ba. Ai dhe Ideali i Tij FITOI !

***

Mbas Gjetsemanit, përsëri Kalvar,…. Kalvar i pafund ishte për Klerin Katolik Shqiptar rregjimi komunist! Çohej e rrëzohej, gjakosej, dërmishej e pështyhej, rrahej e torturohej, varrosej për së gjalli, mbytej e pushkatohej, tretej nëpër zallishta e shkurre me coftina. Fluturonin në qiellin e zymtë korba e sorra me copa mishi, zhguni e veladoni në skjep, e askush në Botë nuk mori një “leckë” me Ua fshi fëtyrën e pastër këtyne Martirëve kaq të mëdhaj, të këtij Populli kaq të “vogël”! Shikonte Europa… e bante sehir! Ndokush… edhe zgërdhihej!..Per me vertetue këte që kam shkrue do të Ju paraqes Letren që At Pjeter Mëshkalla S.J., i ka shkrue terroristit njohun të Spanjës, pra atij Kryeministrit që kur u ngjitej shkallave të Kryeministrisë, hapeshin dyertë “vetvetiu”… dhe, ja çka i thotë:

Kryetarit të Këshillit të Ministrave

Mehmet Shehu Tiranë

Shkëlqesë,

   Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli.

   Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut. Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.

   Por unë dëshiroj të çfaq disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.

   Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrnija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen.

   Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vaj, si përfaqësuesin e fesë së vet.

   Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonaret, e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit. Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjegje populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh? Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të ?

   Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.

   Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjegjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.

   Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vedit.

   Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.

Krytarit të Kësh. të Ministrave                                               Me nderime

Mehmet Shehu                                                                   Pjetër Mëshkalla

në Kryeministri – Tiranë                                          meshtar katolik i Shoqënisë Jezu.

5 Prill 1967.

■Shënim FR: Letra u kopjue nga origjinali në Arkivin e Ministrisë së Mbrendëshme në (1998). 

***

1992 Shkova tek Don Mikel Koliqi per dekorimin e At Mëshkallës e u gëzue shumë. Mbasi firmoi peticionin, më tha: “Ai e meriton, mbasi Ai nuk asht arrestue kur i ka ra ndër mend atyne, por me punën e palodhun të Tijën në drejtim të Fesë dhe të Atdheut, ua ka shti Ai ndër mend atyne arrestimin, gja të cilën, na të tjerët nuk e kemi ba.”

2017 Prill: Po sot, a u kujtue kush per Veprat Heroike të At Pjeter Mëshkallës !?

■At Pjeter Mëshkalla S.J. nuk asht shpallë “I Lumnueshem!”. A duhet rishikue Lista?!

Filed Under: Histori Tagged With: At Pjeter MËSHKALLA S.J, Nga Fritz RADOVANI

4 SHTATOR 2016: POPULLI SHQIPTAR NË FESTË…

August 22, 2016 by dgreca

AFROHET  DITA  MA  E  BUKUR ! SHEJTNIMI I NANËS TEREZA (1910 – 1997)/

 “Jeta e Saj, nuk don komente,/

I thonë: – Nanë! Pesë kontinente!”/Zeqir LUSHAJ 1988/

Nga Fritz RADOVANI/

 As njëqind meter larg shtëpisë sime, në rrugen Badra, në Shkoder, ka banue Nana dhe motra e Nanës Tereza, perballë shtëpisë së Frano Lleshit… Erdhën nga robnia në robni!

Drandja e Kolë Bojaxhiut kishte perveç vajzës Age, që jetonte me Te, edhe një tjeter që ishte murgeshë dikund kah India…Ndersa, djali, Lazri flitej se asht në Itali. Ganxhia

niset nga Shkupi i Shqipnisë, me 13 Tetor 1928 shkëputët një meteor i cili, kalon nëpër Kroaci, Austri, Zvicërr, Francë e përfundon në një kuvend Motrash në Dublin të Irlandës. Me emnin e ri Tereza vazhdon udhtimin e Saj rreth planetit tue u ndalue në një prej mbretnive të vorfnisë, pranë botës së panjohun të Hindisë, ku, shpati i Himalajave pushon i zhytun në një skam të tejskajshëm e gropë sëmundjesh të mënershme për njerzimin. Bengal e Kalkuta, janë qendrat e Misjonarës së panjohun. Në vitin 1948, arrinë me bindë Papën Piu XII, se Motra e Loretos, ka zgjedhe një rrugë shumë ma të vështirë se ajo që njihët ndër kuvendet e Evropës dhe të shumë shtetëve të zhvillueme. Kështu, Tereza, në vitin 1949 asht shtetase Indjane dhe ka formue Kongregatën “Misioni i Dashunisë”, që edhe u miratue nga Vatikani tue fillue rrugën e vështirë, të panjohun e plot të paprituna, por me bindje të patundun në qellimin e madh për të cilin, gati askush nuk i besonte! Ajo deklaron: “Vorfnia për né asht Liri, nuk asht turp as, ndeshkim..!”

Ishte viti 1961, kur murgesha e njohun Nanë Tereza e Kalkutës u ba e gjallë! Qeveria e tiranëve katilë nuk e lejoi me ardhë me takue Nanën e vet dhe, as motren në Tiranë.

Ndër të parët njerëz që arrinë me kuptue Nanë Terezën asht Xhon Kenedi, të cilit, Ajo, i kërkoi nderhymje me ardhë në Shqipni, për me takue Nanën e motrën e vet, mbasi E. Hoxha nuk e lejonte me shkelë në Atdhe. Presidenti Kenedi i siguron Nanë Terezës, se, “…mbrenda 24 orëve mund të urdhnohet Tirana për me hy Ju, por, për Ju, unë nuk Ua këshilloj këtë veprim…” dhe, Nanë Tereza tërhiqet dhe nuk vjen në Atdhe…

Ishte viti 1961, ajo kohë kur India e largët vlerson Nanë Terezën ma shumë se Shqipnia. Vetë Nehru i jep shpërblimin “Padna Shri”, në emen të Qeverisë Indjane…

Ndersa, Grueja që la gjurmë të pashlyeshme në histori Indira Gandi, i tha gazetarve për Nanë Terezen: “Trendafili nuk ka nëvojë të predikojë, aroma asht predikimi i tij!”

Sekretari- Gjeneral i Kombeve të Bashkueme Javier Pérez de Cuéllar e ka cilsue kështu Nanë Terezen: “Ajo asht Kombet e Bashkueme. Ajo asht Paqa në Botë.”

Me datën 22 Gusht 1968, u hap Kuvendi i Parë i Misionarëve të Bamirësisë edhe në Evropë. Shtëpia ishte një kësollë me çati llamarine…shkruen zonja Franca Xambonini.

Në vitin 1979, me datën 10 Dhjetor, Nanë Tereza asht e pranishme në Oslo, ku, merr çmimin “Nobel” për Paqen… Aty, Ajo, kërkoi korrigjimin e dokumentit, tue deklarue: “Nga gjaku dhe prejardhja jam Shqiptare, kam shtetësi Indjane, jam murgeshë Katolike. Nga prirja i përkas gjithë Botës. Në zemër i përkas plotësisht Jezusit!”

Në sallë i drejtohet Mbretit Olaf i V: “Po, përsëris Madhni, abordi asht një vrasje!”

Dhe, pak ditë ma vonë deklaron: “I mora paret nga duert e lypsit dhe, ndjeva në zemër që prej tij, kishe marrë ma shumë se çmimin ‘Nobel’…”

Me datën 2 Qershor 1985 Presidenti Reagan, në Shtëpinë e Bardhë i dorëzon Nanë Terezës “Medaljen e Lirisë”…Kur Atdheu i Saj vazhdonte t’ ishte i robnuem…

Papa Gjon Pali II, asht ndër Ata pak njerëz që arrinë me kuptue kenjen Shejtneshë të Nanë Terezes, qyshë se Ajo asht në mes të njerzve të kësaj Botë, pikërisht, kur Ajo me duert e Saja mjekon lebrozët, të gerbulunit, të sëmurët me SIDA në qendrat “Gift of Love”, ku, “Dashunia asht me të vërtetë një dhuratë”, pikërisht, Aty, ku tue dhanë Shpirtë, në mes t’atyne vuejtjeve dhe dhimbjeve të papërshkrueshme, ku nuk ndigjohet asgja tjetër veç ofshamjes… Kur Papa Gjon Pali II, vizitoi Shtëpinë Nirmal Hriday në Kalkuta, tha: “Kjo ishte dita ma e gëzueshme e gjithë jetës sime!…” (4 Shkurt 1986).

Një gazetar pyeti Papën Gjon Pali II: “Si mund të flasë Kisha, në gjuhën kristjane evangjelike në Liban…?”…Ishte ajo kohë kur armët aty nuk pushojnë për asnjë çast…

Papa, përgjegjet: “E din Nanë Tereza, që shkon në Liban atë punë, e din edhe pa studjue shumë libra. E din pse kjo i përket Shpirtit të saj, gjenisë së saj, Zemrës së saj…”

Mbas 24 orësh, porsa Nanë Tereza ven kambën në Liban, shpallët armëpushim!!..

Ishte viti 1989, ma në fund vjen edhe në Shqipni…ku, Ajo zbaton porosinë e Krishtit: “Dueni anmikun tuej…!”, Ajo, ndezi edhe një qiri mbi vorrin e diktatorit ateist…

Data e paharrueshme historike e pranverës së shumpritun nga gjithë Shqiptarët, me 25 Maji 1993, shenon në memorjen tonë ata çaste të paharrueshme, kur në Katedralën e Shkodres, tashma të rindërtueme, erdhi Papa Gjon Pali II dhe, bashkë me Té, asht edhe Ajo që tashma gjithë Bota e quen Shqiptaria e Madhe, Nanë Tereza, për të cilën, Papa tha: “Prej përsonit të Nanë Terezës, Shqipnia asht e nderueme gjithmonë. Ju falnderoj sot në emnin e Kishës Katolike, për këte Bijë të Tokës Suej dhe të Popullit Tuej… E si mos të kujtojmë tashti një Bijë të zgjedhun  të Popullit Shqiptar, Motren Tereza të Kalkutës, Nanë shumë e vorfën ndër ma të varfërit në Botë? Me zjarrin e Fesë në krahnor Kjo grue e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruen mbrenda Saj hovin e bujarisë së papërmbajtun dhe të pamposhtun të zemrës Shqiptare…”.

Presidenti Amerikan Bill Klinton, nё qershor tё 2002 u shpreh: “Nanë Tereza, ishte e para Ajo, qё më bani ta due Kombin Shqiptar dhe tashti unë ndihem shumё krenar, që plotsova njё detyrim moral ndaj Saj dhe ndaj vlerave tё Lirisё në Kosovë”.

E, nuk janë aq pak sa kujtojmë na, Ata që besojnë tek Mrekullia e Nanë Terezes, janë miljona njerëz të mjeruem…Që, kanë provue e provojnë çdo ditë lumninë e lutjes së Saj!

E koha do të provojë se e Shejtnueshmja Nanë Tereza asht Guri i Parë i thëmelit të Lirisë së Shqipnisë dhe Kosovës, nga pushtuesit shekullorë…

            Melbourne Gusht 2016.

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: I NANËS TEREZA, Nga Fritz RADOVANI, SHEJTNIMI

Artikujt e fundit

  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT