Nga Isuf Bajrami*/
Në kohën e sotme përveç Serbisë, edhe Greqia është shteti në Evropë, që shkel në mënyrë flagrante disa nga konventat kryesore, mbi të cilat mbështetet rendi i ri ndërkombëtar. Këtë shkelje të përbindshme më shumë e ndien popullsia mbi 200.000-she shqiptare, e dëbuar me dhunë e gjenocid nga trojet e veta etnike në Çamëri.
Para 70 vjetësh, forcat më të errëta të nacionalizmit grek, të nxitura nga qeveria e tyre dhe të drejtuara nga kriminelët e luftës, gjeneralët Zerva e Plastira, bënë spastrimin etnik të Çamërisë nga pjesa e popullsisë shqiptare. Në këtë veprimtari kriminale, rol aktiv ka luajtur edhe kisha greke bizantine me krerët bashkëpunëtorë të nazifashistëve, Spiridhoni e Dhorotheu.
Pastrimi etnik në Çamëri kishte filluar qysh në vitin 1913 dhe ishte shoqëruar me vrasje masive, ku vetëm në vendin e quajtur Përroi i Selanit u masakruan 72 krerë, intelektualë dhe personalitete të grupit etnik shqiptar në Greqi.
Gjatë një periudhe 30-vjeçare, çamët e pambrojtur iu nënshtruan të ashtuquajturës reformë agrare, ku iu grabit toka dhe iu shpërnda kolonëve grekë, të sjellë nga Azia e Vogël në vitet ’20, iu mohua e drejta e shkollës në gjuhën amtare e deri tek e drejta e votës dhe jeta u katandis në skajet e padurimit.
Para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore, çamët u paragjykuan dhe u internuan në ishujt e Egjeut, etj. Atyre që u thirrën në ushtri, iu dhanë kazma e lopata, duke i trajtuar si robër lufte. Megjithatë, gjatë luftës çamët dhanë një kontribut të çmuar me pjesëmarrjen e tyre në batalionet ”Çamëria” e “Ali Demi”, ku morën pjesë mbi 1000 luftëtarë, krahas formacioneve çlirimtare greke e në përbërje të tyre, fakte këto të vërtetuara qartë me dokumente e libra të shkruara nga vetë autorët grekë të të dy krahëve politikë, si dhe nga misionet ushtarake aleate (Jani Sharra, Niko Zhangu, Mihal Miridhaqi, C.M.Uoodhouse etj).
Por, të gjitha sakrificat e kësaj popullsie në Luftën Çlirimtare u mohuan nga autoritetet greke në fund të Luftës dhe vazhdojnë të mohohen deri në ditët e sotme.
Për këtë në mënyrë absurde, shteti grek mban “de jure” në fuqi Ligjin e Luftës Nr. 2636/1940 si dhe ligjet, pjella të tij, 4506/1966 e 1664/1998.
Në kohën kur është dekretuar Ligji i Luftës me Shqipërinë, çamët ishin shtetas grekë dhe ky ligj s’kishte të bënte fare me ta. Ai mbahet sot si gozhda e Nastradinit dhe për të dëshmuar para botës së qytetëruar se si Greqia shkel konventat ndërkombëtare, të nënshkruara nga vetë ajo.
Greqia vazhdon të shkelë sot “Konventën mbi Mosparashkrimin e Krimeve të Luftës dhe Krimeve Kundër Njerëzimit”, hyrë në fuqi më 11 nëntor 1970.
Kjo Konventë rikujton rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, datë 13 shkurt 1946 dhe 31 tetor 1947, në lidhje me ekstradimin dhe ndëshkimin e kriminelëve të luftës dhe Rezolutën 95 të 11 dhjetorit 1946, që konfirmon parimet e së Drejtës Ndërkombëtare, të njohura nga Statuti i Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut dhe nga vendimi i atij gjyqi, si dhe Rezolutat e dhjetorit 1966, nëpërmjet të cilave Asambleja e Përgjithshme ka dënuar shprehimisht si krime ndaj njerëzimit shkeljen e të drejtave ekonomike dhe politike të popullsive autoktone, siç është popullsia e martirizuar e Çamërisë, ku pjesës myslimane iu grabitën pronat, kurse popullsisë së krishtere i mohohet sot identiteti kombëtar, shkolla dhe gjuha amtare.
Në neni 1 të kësaj Konvente, theksohet se:”… krimet e luftës janë të pa parashkrueshme, cilado qoftë data kur janë kryer”.
Gjithashtu, në pikën b të nenit 1, dënohen pa kufi kohor: “Dëbimi nëpërmjet një sulmi të armatosur ose pushtimit dhe aktet çnjerëzore …, si dhe krimi i gjenocidit, ashtu siç është përcaktuar në Konventën e 1948, për parandalimin dhe ndjekjen e krimit të gjenocidit, qoftë dhe kur këto akte nuk përbëjnë shkelje të së drejtës së brendshme të vendit ku janë kryer”.
Për cilindo nga krimet e kryera në Çamëri, dispozitat e kësaj konventa kërkojnë të vihen në zbatim edhe “ndaj përfaqësuesve të autoritetit të shtetit që tolerojnë kryerjen e tij”, theksohet në nenin 2, pra edhe qeveria aktuale ka përgjegjësi për çfarëdo qëndrimi zvarritës në dhënien e të drejtave të mohuara popullsisë çame në ditët e sotme.
Në nenin 4, Konventa e detyron Greqinë “të marrë të gjitha masat legjislative e të tjera që do të jenë të nevojshme, për të siguruar mosparashkrimin e krimeve të përmendura në nenet 1 dhe 2 …, si për sa u përket ndjekjeve, ashtu edhe për sa i përket dënimit, atje ku mund të ekzistojë një parashkrim, me ligj apo me një mënyrë tjetër, ai do të hiqet”.
Në kundërshtim të plotë me Konventën e Mosparashkrimit të Krimeve të Luftës, shteti grek nuk ka nënshkruar edhe Protokollin Nr.4 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kjo është bërë qëllimisht për të mbajtur të pushtuar Çamërinë, në kuadrin e strategjisë greke të “Megali Idesë”, të parit traktat nacionalist antinjerëzor në historinë e Evropës. Në pikën 1 të nenit 3 të këtij protokolli, theksohet: “Askush nuk mund të dëbohet me anë të një mase individuale ose kolektive nga territori i Shtetit, shtetas i të cilit ai është” dhe në pikën 2 të të njëjtit nen nënvizohet: “Askujt nuk mund t’i hiqet e drejta për të hyrë në territorin e Shtetit, shtetas i të cilit ai është”.
Nga ana tjetër, Greqia si anëtare e Këshillit të Evropës e ka ratifikuar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut e, megjithatë, ajo vazhdon të shkelë të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë, duke i akuzuar pa të drejtë si bashkëpunëtorë të nazifashizmit.
Në pikën 2 të nenit 6 të kësaj Konvente thuhet: “Çdo person i akuzuar për një shkelje të ligjit, prezantohet i pafajshëm deri sa fajësia e tij të provohet ligjërisht”.
Në fakt, pafajësia e çamëve është provuar ligjërisht nga Gjykata e Diktimit të Janinës, në shkresën me numër protokolli 1837, datë 29 shtator 1976, dërguar Ministrisë së Rendit Publik, Drejtorisë së Shërbimeve Kriminale në Athinë.
Pra, ka ardhur koha që pas këtij spastrimi etnik me dhunë të Çamërisë, Greqia të kërkojë falje publike për 2900 viktimat e pafajshme të masakruara, për 40.000 vetët e dëbuar me dhunë, për 68 fshatrat e qytetet e grabitura e të djegura, të gjitha objektet e kultit të rrënuara dhe 60 vjet shfrytëzim të padrejtë të pasurive të tyre. Të marrë të gjitha masat për të siguruar kthimin e çamëve në vendin e tyre në Çamëri, me dinjitet, sipas të gjitha Konventave Ndërkombëtare që ajo vetë i ka ratifikuar.
Shteti shqiptar, krahas punës me fqinjët jugor, të vërë në dijeni OKB-në dhe gjithë organizmat e interesuara evropiane dhe amerikanë, se si “i zbaton” Greqia konventat dhe kartat ndërkombëtare.
Gjilan; 25.06.2014
***
Dokumente historike
Ligji i Luftës Greqi – Shqipëri – Itali i vitit 1940
Shkruan: Isuf B.BAJRAMI
Gjilan, 27. II. 2008
Ligji i Luftës që Greqia i shpalli Shqipërisë dhe Italisë, i cili ende nuk është shfuqizuar vazhdon t’i ruajë efektet e tij mbi ndëshkimin ndaj shqiptarëve. I vetmi shkak për të cilën është penalizuar Shqipëria në këtë sanksion të gjendjes së jashtëzakonshme është fakti që nëpërmjet territorit Shtetit shqiptar marshuan në vitin ‘40 ushtarët fashistë – italianë për të pushtuar Greqinë!
Në këtë ligj përshkruhen me hollësi sasia e pronave dhe pasurive, që bllokohen si efekt dëmshpërblimi. Ndërkohë nëpërmjet neneve të tij, pasqyrohet rruga gati e pamundur për t’i rikthye ato prona me komisione shtetërore, që do të duhet të mblidhen për secilën prej tyre, me praninë e ministrave dhe ekspertëve të zyrave të shumta, të cilët është krejt e pamundur për t’i ulur në një tavolinë.
Në këtë akt ligjor të Athinës ka sanksione edhe për pronat apo pasuritë italiane, që sipas Traktatit të Paqes së Parisit në 1946, u sekuestruan përfundimisht dhe kaluan në dorë të palës greke, si pjesë e dëmshpërblimeve që italianët si vend sulmues duhet t’ia paguanin Greqisë.
Çështja e pronave të bllokuara të shqiptarëve vazhdon të mbetet një proces i ngrirë si vetë procedura me këtë Ligj. Për më tepër që ky Ligj është bazamenti juridik edhe i disa ligjeve dhe akteve të tjera juridike e normative që ka marrë Athina për çështjen e pronave të shtetëzuara dhunshëm të shqiptarëve që në fillimin e viteve ‘40.
Kjo procedurë që është ripërsëritur kohë pas kohe, madje deri në vitin 2006 ka pasur si synim bllokimin e kësaj pasurie që arrin në miliarda dollarë.
GAZETA QEVERITARE E MBRETËRISË SË GREQISË
Athinë, më 10 nëntor 1940
Pjesa e Parë
Numër botimi 379
Përmbajtja
Ligje detyruese
Rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurive armike.
Rreth ndryshimeve dhe plotësimeve të dispozitave të organizimit sigurues të rreziqeve të luftës dhe ligjeve detyruese.
Dekret
Rreth përcaktimit të shteteve armike sipas kuptimit të ligjit detyrues nr. 1636/1940 të Italisë dhe Shqipërisë dhe zbatimit në lidhje me këto shtete, të dispozitave të këtyre ligjeve.
LIGJE DETYRUESE – RAPORT MOTIVUES
Rreth planit të ligjit Detyrues, “rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurive armike”.
Drejtuar Lartmadhërisë së tij, mbretit
Lartmadhëri
Rëndësi që kanë të gjitha burimet ekonomike të shtetasve të palëve ndërluftuese, gjatë zhvillimit të luftës bashkëkohore, u duk nga lufta e fundit botërore, ku të gjitha shtetet ndërluftuese dekretuan ligje me të cilat bëhet e pamundur shfrytëzimi i burimeve të shtetasve të armikut, të prejardhura nga pasuri që ndodhen në territorin kombëtar dhe ndalohet çdo lloj akti juridik në favor të shteteve armike ose të shtetasve të tyre. Kjo masë u mor edhe gjatë luftës së tanishme, pavarësisht nga shtetet që morën pjesë në të. Me paraqitjen e këtij plani “Për ligjin detyrues”, dekretohet një gjë e tillë edhe për ne. Dispozita e planit në një pjesë të madhe janë përsëritje e ligjit 1073 të vitit 1917, por të plotësuara me rrjedhimet që kanë ardhur si rezultat i zbatimit të këtij ligji, me qëllim që të përjashtohet çdo veprimtari ekonomike direkte ose indirekte e shtetasve armike në shtetin tonë gjatë kohës së luftës. Gjatë hartimit të këtij plani u morën gjithashtu parasysh edhe ligjet që miratuan palët e tjera ndërluftuese. Dispozitat e ligjit bëhen dispozita definitive dhe çdonjëra prej tyre vihet në zbatim me dekretet mbretërore të botuara mbi bazën e propozimit të kryetarit të qeverisë dhe të ministrit të Financave. Plani i paraqitur synon në realizimin e qëllimeve të lartpërmendura, prandaj lutemi të keni mirësinë që ai të gëzojë miratimin tuaj.
Athinë, më 08 nëntor, 1940
Shtetas të devotshëm të Lartmadhërisë Suaj
Ministrat
i Drejtësisë
i Financave
Ajis Tabakopullos
Andhr. Apostolidhis
Ligji i Forcës Nr. 2636 1940
“Rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurisë armike”
Jeorjios B’
Mbret i Grekëve
Mbi bazën e propozimit të Këshillit tonë të Ministrave, vendosëm dhe urdhërojmë:
Kapitulli A’
Neni 1
Armiq
Armiq sipas kuptimit të këtij neni, konsiderohen:
a. Shtetet, kryetarët e këtyre shteteve dhe personat juridike të juridiksionit shtetëror të tyre, të cilat përcaktohen secili në veçanti si armik nëpërmjet Dekreteve Mbretërore të botuara me propozim të Kryetarit të Qeverisë, të Ministrit të Punëve të Jashtme, Ministrit të Financave, sipas kuptimit të këtij Ligji.
b. Persona fizikë, të cilat kanë shtetësinë e shteteve armike, sipas rastit a), ose ata që kanë banesë, ose banim të përhershëm në to.
c. Personat juridikë të juridiksionit privat dhe çdo bashkim personash, ose pasurish, përderisa kanë qendrën drejtuese të tyre në shtetet armike, sipas rastit, ose janë nën influencën ligjore, ose ekonomike të armiqve, sipas këtij neni.
2. Nuk janë armiq, sipas kuptimit të këtij ligji, personat fizikë, të cilat kanë fituar nënshtetësinë e shtetit armik, por janë me kombësi greke dhe banojnë në shtete të huaja, ose shtet aleat.
3. Në rast se ekzistojnë dyshime në lidhje me karakterizimin si armik të cilitdo personi ose bashkimi, sipas paragrafit 1, vendoset pas mendimit të komitetit, sipas nenit 19, të Ministrave të Financave dhe të Ekonomisë Kombëtare, me vendim të përbashkët të tyre.
Neni 2
Ndalimi i shkëmbimeve
1. Ndalohet dhe është i pavlefshëm çdo shkëmbim tregtar dhe çdo marrëveshje midis personave, pavarësisht nga shtetësia, që banojnë në Greqi, dhe armiqve, si dhe çdo akt i administratës, ose akt i njëanshëm i personave që banojnë në Greqi, përderisa për të nëpërmjet saj, fitojnë të drejta, ose përfitojnë armiqtë.
2. Aktet që lidhen një gjashtëmujor para vënies në zbatim të këtij ligji, mund të shpallen të pavlefshme me rrugë gjyqësore, pas padisë së ushtruar, nga shteti, pas mendimit të komitetit sipas numrit 19.
Neni 3
Ndalimi i kryerjes së veprimeve ligjore
Përmbushja në Greqi e çdo veprimi ligjor dhe përmbushja e çdo detyrimi kundrejt armiqve, për cilindo arsye, ose përderisa nga përmbushja e tyre përfitojnë armiqtë bëhet me gjobë pavlefshmërie kundrejt administratorit, sipas nenit 12, dhe në qoftë se ai nuk ekziston në Arkën e Depozitimeve dhe Huave dhe ndalohet kryerja me cilindo mënyrë direkte të huadhënësit e armiqve.
Neni 4
Persona të familjes
Ndalimet në nenet 2 dhe 3 kanë fuqi edhe për personat e familjes.
Neni 5
Përjashtime
Me vendim të Ministrit të Financave dhe pas mendimit të Komitetit, sipas nenit 19, për raste të veçanta, mund të bëhen përjashtime nga dispozitat e neneve 2, 3 dhe 4, përderisa një gjë të tillë e imponojnë arsye të veçanta dhe vetë nevoja e mbajtjes se personave dhe familjeve, sipas nenit 1, b.
Kapitulli B’
Pasuritë armike
Neni 6
Sekuestrimi
Pasuritë armike në Greqi me hyrjen në fuqi të këtij ligji ndalohen dhe është i pavlefshëm disponimi i këtyre pasurive tek armiqtë, ose në shkelje të dispozitave të këtij ligji.
Neni 7
Pasuri armike në Greqi
Si pasuri armike në Greqi konsiderohen elementet pasurore të mëposhtme, përderisa u takojnë ligjërisht ose ekonomikisht armiqve, sipas kuptimit të nenit 1:Elemente të patundshme dhe të tundshme të ndodhura në Greqi.
Letra me vlerë dhe tituj të tjerë të çdo lloji të ndodhura në Greqi, obligacione të shtetit grek, të firmave, të organizmave me selinë administrative të tyre, ose qendrën e tyre në Greqi, akoma edhe titujt përkatës të ndodhura jashtë shtetit.
Para dhe lloje të tjera pagese të ndodhura në Greqi.
Aksione të firmave, të cilat kanë selinë administrative të tyre ose qendrën e shfrytëzimit në Greqi, pavarësisht nga fakti nëse këto aksione janë të mishëruara në letra me vlerë, ose jo, dhe në qoftë se këto mishërime ndodhen në Greqi, ose jashtë shtetit.
Kërkesa ndaj debitorit me banesë, ose me banim të përhershëm në Greqi, ose kërkesa të prejardhura nga shkëmbimet të firmës tregtare në Greqi.
Të drejta të pasurisë industriale dhe intelektuale, të cilat mbrohen në Greqi.
Të drejta mbi elementet pasurore të përshkruara në pikat a-f.
Të drejta nga marrëveshjet rreth elementeve pasurore të pikave a-f.
Çdo element tjetër pasuror i ndodhur në Greqi.
2. Përjashtohen nga dispozita e paragrafit të mësipërm elementet pasurore, të cilat u përkasin shtetasve grekë me banesë, ose banim në shtete armike.
Neni 8
Sekuestrimi i përkohshëm.
Me ligj, konsiderohen nën sekuestrim të përkohshëm, të gjithë ata që gjatë zbatimit të këtij ligji janë pronarë me cilëndo arsye të pasurive armike, sipas nenit 7, si dhe drejtuesit, administruesit, sekuestruesit, këshilltarët ose cilitdo kujdestarë ose debitorë të elementeve pasurore të tyre, përderisa këta zotërues të pasurive armike janë pronarë të këtyre elementëve pasurore.
Neni 9
Marrëdhëniet rreth pasurive përkohësisht të sekuestruara.
Në lidhje me marrëdhëniet rreth pasurive përkohësisht të sekuestruara zbatohen përkatësisht, me rezervimet e dispozitave të këtij ligji, dispozitat e procedurës civile për konfiskimin konservator, në emër të debitorit sipas nenit 8 të sekuestrimit të përkohshëm që ka vendin e tretë dhe të administratorit sipas nenit 12, që ka vendin e kreditorit.
Neni 10
Të drejtat e të të tretëve jo armiq.
1. Sekuestrimi nuk pengon të tretë jo armiq, të ushtrojnë të drejtat e tyre kundër pronarit, pasuria e të cilit është në sekuestrim dhe të kërkojnë plotësimin e tyre, sipas ligjeve analoge, kjo me rezervimet e dispozitës së paragrafit 2 të nenit 2. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, tjetërsimet, regjistrimet në librat e Hipotekës ose në regjistrat themeltarë të anijeve, ose të parashënimet kanë fuqi vetëm për sa kohë që bëhen mbi bazën e një titulli me vendim gjyqësor, ose me dëshirën personale të mëparshme nga zbatimi i këtij ligji dhe bazuar në dokumente shtetërore ose private me datë të saktë, me rezervimet e paragrafit 2 të nenit 2.
Neni 11
Deklaratat e pasurive armike
1. Të detyruar për deklaratë të pasurive armike në sekuestrim janë:
Pronari i pasurisë armike. Cilido qoftë sipas nenit 8 është sekuestrues provizor i pasurisë armike.
2. Ata që sipas paragrafit 1 janë të detyruar të bëjnë deklaratë, duhet që brenda një muaji nga hyrja në zbatim e këtij ligji, të paraqesin te nëpunësi i Shërbimit Ekonomik Shtetëror deklaratë të hollësishme në dy kopje, për të gjitha elementët pasurore armike, ose të debitorëve të tyre. Për këtë deklaratë, nuk paguhet asnjë lloj takse.
3. Afati i paraqitjes së deklaratës mund të shtyhet me një akt të Ministrit të Financave të botuar në Gazetën Qeveritare.
4. Ata që paraqesin elementet e pasurisë armike pas përfundimit të afatit, përderisa nuk janë të detyruar të bëjnë deklaratë, sipas dispozitave të këtij neni kanë të drejtën e pagesës deri në tre për qind të vlerës së tyre të përcaktuar kundrejt këtyre elementëve me vendim të Ministrit të Financave.
Neni 12
Administruesit
1. Administruesit e pasurive armike nën sekuestrim janë nëpunësit e Shërbimit Ekonomik Shtetëror të vendit ku ndodhet çdo element pasuror.
2. Aty ku janë shumë nëpunës të Shërbimit Ekonomik Shtetëror, administrator emërohet njëri prej tyre, me vendim të Ministrit të Financave.
3. Me vendim të të njëjtit ministër, lejohet të emërohen administratorë në vend të nëpunësit të Shërbimit Ekonomik Shtetëror, nëpunës të tjerë shtetërorë ose privatë në qoftë se ushtrimi i administrimit nga nëpunësi Ekonomik Shtetëror, nuk është ai që duhet.
Neni13
Detyrat dhe pushteti i administratorëve.
1. Administratorët kanë për detyrë gjetjen, regjistrimin, mirëmbajtjen dhe sipas destinacionit të zakonshëm, shfrytëzimin e pasurive të sekuestruara, duke marrë për këtë qëllim gjithmonë masat e duhura, kanë për detyrë të synojnë në kënaqjen e kërkesave të sekuestruara, si edhe kënaqjen e të drejtave të të tretëve, kundër pronarit të pasurisë së sekuestruar. Administratorët fillojnë nga puna, me hyrjen në zbatimi të këtij ligji, ose me përcaktimin e pronësisë të pasurisë armike të sekuestruar.
2. Administratorët përfaqësojnë në mënyrë të plotë, në rrugë gjyqësore dhe jashtëgjyqësore, pronarin e pasurisë së sekuestruar brenda kufijve të detyrave, të përshkruara në paragrafin 1 dhe tek ata dhe vetëm tek ata, publikohen detyrimisht gjithnjë dokumentet gjyqësore ose jashtëgjyqësore të çdo natyre, që kanë të bëjnë mepasurinë e pronarit.
3. Çështjet që kanë të bëjnë me administrimin e pasurive nën sekuestrim, mendime të Ministrit të Financave, të botuara në Gazetën Qeveritare. Me të njëjtat vendime rregullohen çështjet e funksionimit të Shërbimit Qendror, në zbatimin e këtij ligji.
4. Pagesa e administratorëve përcaktohet nga Ministri i Financave, pas dhënies së mendimit të komitetit të përshkruar nga neni 19.
Neni 14
Vazhdimi i funksionimit të ndërmarrjeve
Përderisa nuk bëhet fjalë për firma të kategorive të veçanta, me vendim të Ministrit të Financave, të Ekonomisë Kombëtare dhe të Ministrit kompetent sipas natyrës së ndërmarrjes, mund të lejohet vazhdimi i funksionimit të ndërmarrjeve tregtare ose industriale që janë nën sekuestrim, me të njëjtin titull ose me titull të ndryshëm dhe me cilado burime të tjera. Si administratorë të këtyre ndërmarrjeve, mund të jenë po ata drejtues që ishin, përderisa nuk janë armiq, ose të emërohen si administratorë mevendime të përbashkëta të ministrave të lartpërmendur, persona të ndryshëm, nëpunës shtetërorë ose privatë, me kushte që përcaktohen me vendim, lidhur me vazhdimin funksionimit të ndërmarrjes.
Neni 15
Detyrimi i informimit.
Çdo pronar dokumentesh, librash ose të dhënash, të cilat janë të nevojshme për gjetjen, përcaktimin, ose administrimin e pasurive armike në sekuestrim, sipas nenit 6, është i detyruar t’i vërë ato në dispozicion të administratorëve, në qoftë se ato kërkohen.
Neni 16
Akte urgjente.
Deri në botimin e vendimeve sipas nenit 13, paragrafi 3, lejohet jepja me qira e pasurisë civile, ose bujqësore, ose shitja e detyruar e objekteve, që ndodhen në rrezik degradimi, ose nënvleftësimi me ankand të shpejtë, ose edhe pa të, nga sekuestruesi provizor, ose nga administratori, pas miratimit të Ministrit të Financave dhe pas mendimit të Komitetit sipas nenit 19.
Kapitulli C’
Dispozita të përgjithshme.
Nga dispozitat e këtij ligji mund të bëhen përjashtime me kushte, ose pa kushte, me vendime të përbashkëta të Ministrit të Financave dhe të Ekonomisë Kombëtare të botuara në Gazetën Qeveritare, në lidhje me disa kategori aktesh, në lidhje me disa persona ose disa akte.
Neni 18
Dispozita penale.
1. Kushdo që shkel dispozitat e neneve 2, 3, 4, dhe 6, dënohet me burgim deri në dy vjet, ose me gjobë deri në pesëqind mijë dhrahmi, ose me të dy këto dënime, në qoftë se këto akte nuk dënohen me dënim më të rëndë, sipas dispozitave të ligjeve penale të përafërta.
2. Trupi gjykues bashkë, me dënimin, mund të urdhërojë edhe konfiskimin e elementeve pasurore, të cilat kanë të bëjnë me shkeljen.
3. Kushdo që shkel dispozitat e neneve 11 dhe 15 dënohet me burgim deri në gjashtë muaj, deri në njëqind mijë dhrahmi, ose me të dy këto dënime, në qoftë se aktet nuk dënohen me dënim më të rëndë, sipas dispozitave të ligjeve penale të përafërta.
Neni 19
Komiteti i zbatimit të ligjit dhe llogaritjes së sekuestrimit të pasurive armike.
1. Për ndjekjen e zbatimit të këtij ligji, për kontrollin e administratorëve dhe dhënien e mendimit për çdo çështje që mund të rezultojë nga zbatimi i këtij ligji, krijohet një komitet i përbërë nga një Këshilltar i Shtetit, ose Gjykatës i Shkallës së Lartë, të Gjykatës së Apelit, si kryetar dhe një prej Profesori ose Docenti ose i së drejtës private, shtetërore ose i së drejtës ndërkombëtare të Universitetit, ose i ndonjë shkolle të lartë, të cilët emërohen nga plotësuesit e Ministrit të Drejtësisë, prej një punonjësi të lartë të Ministrisë së Jashtme, një punonjësi të lartë të Ministrisë së Financave dhe një punonjësi të lartë të Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare, të emëruar nga Ministrat kompetentë bashkë me plotësuesit e tyre. Sekretar komiteti emërohet një punonjës i Ministrisë së Financave, megradë të paktën të klasit a’ dhe me vendim të Ministrit të Financave. Me vendim të këtij Ministri mund të emërohet në komitet një punonjës i kësaj Ministrie dhe një referues pa të drejtë vote. Tek anëtarët e komitetit dhe tek referuesi jepen për seancë dyqind e pesëdhjetë dhrahmi dhe te sekretari njëqind e pesëdhjetë dhrahmi.
2. Gjithnjë të ardhurat kesh nga administrimi i pasurive të sekuestruara, depozitohen në një llogari të veçantë, që ruhet në bankën e Greqisë me titullin “Llogari sekuestrimi i pasurive armike” dhe e cila lëviz me urdhër të Ministrit të Financave, me autorizim nga kryetari i komitetit, sipas nenit 1 të këtij ligji. Nga kjo llogari paguhen të gjitha shpenzimet për zbatimin e këtij ligji
3. Deri në fazën e grumbullimit të një sasie të mjaftueshme, për përballimin nga shtetit dhe nga kredi të shënuara në bilancin e shpenzimeve të Ministrisë së Financave, të cilat jepen nga llogaria e përshkruar në paragrafin më lart.
Neni 20
Zbatimi i ligjit
Me dekrete Mbretërore të botuara pas propozimit të Ministrit të Financave rregullohet çdo çështje, që ka lidhje me zbatimin e këtij ligji.
Neni 21
Fuqia dhe zbatimi
1. Ky ligj hyn në fuqi më datën 28 tetor 1940.
2. Dispozitat e këtij ligji hyjnë në zbatim plotësisht, ose pjesërisht me dekret mbretëror, i cili botohet mbi propozimin e Kryetarit të Qeverisë, të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Ministrit të Financave, nga dita e botimit të dekretit, ose edhe me fuqi prapavepruese. Në të njëjtën mënyrë përcaktohet, ose plotësisht, ose pjesërisht përfundimi i zbatimit të këtyre dispozitave.
Athinë, më 10 nëntor 1940.
Jeorjis B’
Këshilli i Ministrave
Kryetari
Metaksas
Anëtarët:
Ajis Tabakopullos; I. Dhurendis; A. Apostolidhis; I. Arvanitis;A. Ikonomu;S. Polizogopullos;N. Papadhimas;I. Spenxas;S. Papavasiliu;P. Ikonomakos;K. Burbulis;H. Lis;H. Alivizatos;Th. Nikoludhis; J. Zafiropullos;K.Manjadhaqis;A. Xifos;M. Qiriakopullos;K. Koxias.
U verifikua dhe u vu vula e madhe e shtetit
Athinë, më 10 nëntor 1940
Ministri i Drejtësisë
Ajis Tabakopullos
Ligjet detyruese nr. 2637. 1940
Rreth modifikimit dhe plotësimit të dispozitave në lidhje me Organizmin Sigurues të Rreziqeve të Luftës dhe Ligjeve Detyruese.
Jeorjios B’
Mbreti i Grekëve
Mbi bazën e propozimit të Këshillit tonë të Ministrave, vendosim dhe urdhërojmë:
Neni 1
Pjesët a dhe b, të paragrafit 1, të nenit 18 të ligjit Detyrues 2116/1939, ashtu siç u modifikua nëpërmjet nenit 3, të ligjit Detyrues të 2355/1940 dhe nëpërmjet nenit 6, të ligjit Detyrues 2557/1930 zëvendësohen si më poshtë:
Të trupave (anijeve dhe mekanizmave), të anijeve tregtare. Të çdo mjeti transportues, nëpërmjet detit ose tokës, që transporton çdo lloj ngarkese pavarësisht nga destinacioni dhe nga vlera e saj.
Neni 2
Në fund të paragrafit 7, të nenit të ligjit Detyrues 2116/1939, ashtu siç u plotësua nga ligji i Forcës 2557/1940, shtohen paragrafët 8 dhe 9 si më poshtë:
8. Në rast se bëhet fjalë për punëtorë deti të huaj për llogaritjen e dëmshpërblimeve të lartpërmendura, merret parasysh rroga bazë e zakonshme e punëtorëve vendas, e specialiteteve respektive, dhe jo rroga e punëtorit të huaj, për të cilën është lidhur marrëveshje, për çdo rast konkret.
9. Në dëmshpërblimin për arsye papunësie të nenit 4004, shtohen edhe shpenzimet e mbajtjes në shtet të huaj të personave, që kanë shpëtuar nga mbytja e anijes, deri në ditën që do të rikthehen në atdhe, dhe shpenzimet për gjetjen e tyre, punë në lundrime të tjera, por për çdo rast, për një kohë jo më të madhe se dy muaj nga mbytja e anijes, përveç se në raste të jashtëzakonshme me vendim të posaçëm të Ministrit të Flotës Tregtare Detare, të botuar pas mendimit të Këshillit Drejtues të Organizimit Sigurues të Rreziqeve të Luftës përcaktohet ndryshe.
Athinë, më 09 nëntor 1940
Jeorjios B’
Këshilli i Ministrave
Kryetari
Metaksas
Anëtarë:
A.Tabakopullos; I. Dhurendis; A. Apostolidhis; I. Arvanitis; J. Nikolaidhis; N. Papadhimas; I. Papavasiliu; P. Ikonomakos; K. Burbulis; Th. Nikoludhis; K. Majnafhaqis; A. Xifos; M. Qiriakopullos.
U verifikua dhe u vu vula e madhe e shtetit
Athinë, më 10 nëntor, 1940
Ministri i Drejtësisë
Ajis Tabakopullos
Rreth përcaktimit, si armike të shteteve sipas kuptimit të ligjit detyrues nr. 2636/1940 të Italisë dhe Shqipërisë dhe vënies në zbatim në lidhje me këto shtete të dispozitave të këtij ligji.
Jeprjios B’
Mbret i Grekëve
Duke marrë parasysh dispozitat 1 dhe 21, të Ligjit Detyrues nr. 2636/1940 “rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurive armike”, mbi bazën e propozimit të Kryetarit të Qeverisë sonë, të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Ministrit tonë të Financave, vendosim dhe urdhërojmë: Përcaktojnë si shtet armik, sipas kuptimit të ligjit detyrues 2636/1940, Italinë, pas marrjes prej saj të tokave perandorake dhe kolonive të saj, si dhe Shqipërinë.
Vëmë në zbatim plotësisht dispozitat e ligjit të mësipërm në lidhje me këto shtete prej datës 28 tetor 1940.
U ngarkojmë Ministrave tanë të Punëve të Jashtme dhe të Financave detyrën e botimit dhe vënies në zbatim të këtij dekreti.
Athinë, më 09 nëntor 1940
Jeorjios B’
Këshilli i Ministrave
Kryetari
Metaksas
Ministri i Financave
Andreas Apostolidhis
* I dergoi per Diellin, vete autori