Nga Dalip Greca/
Të shtunën me 11 Janar në Kew Gardens, Queens, New York, anëtarët e Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, familja Kupi dhe miqtë e saj, përfaqësues të shoqatave të komunitetit, si çdo vit, përkujtuan ditëndarjen nga jeta të Gjeneral Abaz Kupit. Veprimtaria përkujtimore nisi me një takim përkujtimor në një nga ndërtesat që ndodhet në Maple Grove Cemetery, ne Kew Gardens. Salla për shërbime publike ishte e dekoruar me flamurin shqiptar dhe atë amerikan, portretin e heroit të 7 prillit, Gjeneral Abaz Kupi, i rrethuar nga kurora me lule shumëngjyrëshe.
Ndërsa pjesmarrësit takohen me njëri-tjetrin, pijnë kafe apo pije, më tërheq vëmendjen një voglëush, që ledhaton portretin e heroit. Ai është Abaz Kupi i ri,i lindur në Nju Jork, i biri i djalit të Fatbardh Kupit. Kur i kërkoj vogëlushit që të qëndrojë për një fotografi aty pranë stërgjyshit hero, ai qëndron dhe pozon serioz, ndoshta pa e kuptuar ende se është para heroit antifashist, të cilit i trashëgon emrin. Veçse qëndrimi pranë portretit, përkëdhelja e tij, dhe vetëdija e vendosjes së luleve tek varri, janë shenja se gjyshi Bardhi dhe Gjyshja Liri, si dhe prindërit e tij, ia kanë spjeguar historinë e emrit që mbanë. Kësisoj përcillet historia tek brezat…
Takimin përkujtimor e ka hapur numri dy i Partisë Lëvizja e Legalitetit, dega e Amerikës, z. Ahmet Hoti, i cili u ka uruar mirëseradhjen pjesmarrësve dhe ka falenderuar familjen Kupi. Ai ka ftuar të pranishmit që të përcjellin së bashku Hymnet Kombëtare të Amerikës dhe Hymnin Kombëtar Shqiptar.
Me një minut heshtje është nderuar heroi i 7 prillit, Gjeneral Abaz Kupi. Më pas z. Hoti ka prezantuar folësin e takimit përkujtimor, z. Isuf Kurti.
GJENERAL ABAZ KUPI E KREU ME NDER DETYRËN NDAJ ATDHEUT
Përfaqësuesi i brezitë të ri të legalistëve, z.Isuf Kurti, evokoi jetën e heroit të 7 prillit 1939, duke u ndalur në momentet kyçe të jetës së tij. Është normale, tha ai, që çdo njeri që e don Atdheun dhe Kombin e vet, bën sakrifica në momentin që i kërkohet, pa pritur urdhër. Kështu dhe Gjeneral Abaz Kupi e udhëhoqi sulmin kundër pabesisë fashiste në të premten e zezë të 7 prillit, i prirur nga shpirti dhe vetëdija Kombëtare. Si një ushtarak dhe besnik i Mbretit Zog, heroi u gjet në vendin e duhur dhe kohën e duhur.Ai dhe forcat e organizuara prej tij e zmbrapsën ushtrinë Italiane në det për dy herë rresht.
Jeta e Abaz Kupit dhe kontributi i tij lidhen me çaste kulmore të historisë së Shqipërisë. Pas shpalljes së Pavarësisë me 28 nëntor 1912 në Vlorë, e deri në janar të vitit 1920, vendi kaloi çaste të vështira. Direkt pas Kongresit të Lushnjës dhe vendosjes së kontrollit mbi të gjithë territorin nga qeveria e dalë prej Kongresit historik, për të parën herë në historinë e saj, Shqipëria njihet nga Lidhja e Kombeve. Folësi u ndal në konferencën e Paqes në Paris, ku dihet kontributi madhor i shqiptarëve të Amerikës, konkretisht i Vatrës, që gjeti mbështetje tek Presidenti i atëhershëm amerikan Wilson.
Të gjithë patriotët shqiptarë, duke përfshirë edhe Abaz Agën u angazhuan për t’i dalë zot atdheut në çastet e vështira. Viti 1924 u karakterizua nga një luftë e ashpër politike. Triumfi i Legalitetit i bindi, si Konicën e madh këtu në Amerikën e largët,edhe Abaz Kupin atje në Krujën e Skënderbeut, se ai djaloshi 25 vjeçar i Kongresit të Lushnjës,Ahmet Zogu, e kishte vendosë ta bënte Shqipërinë shtet, tha z. Kurti.
Kështu qeveria e Ahmet Zogut i dha mundësitë reale çdo shqiptari të punonte për Kombin. Abaz Kupi si një udhëheqës popullor dhe ushtarak i respektuar, diti t’i shërbejë Atdheut, si një nga bijtë më të mirë të tij.
Duke u ndalur në aktin më kulmor të jetës së Abaz Kupit, z. Kurti tha: Jehona e qëndresës shqiptare të 7 prillit e mahniti botën. Ai tregoi akte heroizmi në krye të forcave të organizuara nga ai vetë. Por ndeshja me ushtrinë e madhe qe e pabarabartë. Abaz Kupi largohet përkohesisht nga vendi, familja internohet nga pushtuesit, dhe pasuria i konfiskohet. Kur vendi e kërkoi sërish, ai u kthye nga mërgimi dhe ia nisi luftës kundër pushtuesëve. Ai pranoi që të bashkohej me çdo shqiptar që e urrente fashizmin, pavarësisht nga pikpamjeve ideologjike. Në Pezë është ndër njerëzit kryesorë. Por shpejt do të dukej se komunistët kishin më për zemër sllavët se sa pjesët e Atdheut, siç ishte Kosova. Vjen Mukja e 2 Gushtit 1943 bashkë me përfaqësuesit e Ballit Kombëtar, kërkon Shqipërinë Etnike dhe çështjen e regjimit t’ia linin vullnetit të popullit. Por marrëveshja prishet nga influenca Jugosllave tek komunistët. Forcat e Abaz Kupit bashkë me nacionalistët matjanë e bajraqet e Lurës e Selitës kishin sulmuar garnizonin fashist të Burrelit vetëm dy ditë përpara Mukjes më 31 korrik. Pas prishjes me komunsitët organizon monarkistët dhe brenda dy muajësh krijon Organizatën Kombëtare Lëvizja e Legalitetit. Shumë shpejt lufta kundër pushtuesëve do të kthehet në luftë civile nga komunistët e Abaz Kupi nuk e donte një gjë të tillë, tha z. Kurti në kumtesën e tij përkujtimore.
Vjen fundi i luftës dhe Abaz Aga, duke iu shmangur luftës vëllavrasëse, largohet nga Atdheu duke u bindur se pushtimi komunist po triumfonte. Iku me mendimin për t’u rikthyer sërish duke menduar se aleatët do e ndihmonin, Shqipërinë, iku për t’i shërbyer vendit të tij duke sakrifikuar një pjesë të familjes. Bardhit, të birit, i kërkoi besën që të ishte zot shtëpie e Bardhi e mbajti fjalën; megjithëse komunistët e burgosën për bindjet antikomuniste, e internuan, por ai qëndroi i papërkulur.Familja Kupi u dënua nga të dy diktaturat, nga ajo fashiste dhe diktatura komuniste. Sapo largohet hidhet në veprim në mërgim. Mbreti Zog i përdori të gjitha mundësitë për organizimin dhe bashkimin e emigracionit antikomunist. Krijimi i Komitetit Shqipëria e Lirë nën drejtimin e Mithat Frashërit, ishte një shpresë për çlirim nga diktatura komuniste. Abaz Kupi si kryetar i OKL, dhe një nga drejtuesit e Komitetit Shqipëria e Lirë, përkrahur edhe nga shteti amerikan, nuk pushoi në përpjekje për të përkrahur popullin shqiptar. Jeta e tij ishte një luftë të cilën ia vlen ta kthesh në frymëzim Kombëtar për çdo shqiptar e për çdo kohë. Kanë kaluar thuajse 70 vjet që kur Abaz Kupi e la vendin e tij, që e deshi aq shumë dhe amaneti i tij mbetet aktual: “Shqipëria ka nevojë për ju, kurrë mos e mendoni se detyrimet ndaj vendit i keni shlyer.”
ABAZ KUPI IA ZBARDHI FAQEN SHQIPËRISË
Veprimtaria përkujtimore pati si moto përfundimin e përbashkët se :Abaz Kupi me aktin e tij trimëror në 7 prill ia zbardhi faqen Shqipërisë. Vende të fuqishme të Europës nuk arritën që të zbraznin një pushkë në pushtimet rrufe të nazi-fashizmit.
Zv/ kryetari i Vatrës, z. Asllan Bushati, ishte i pari nga përfaqësuesit e komunitetit që përshëndeti pjesmarrësit, organizatorët dhe familjen Kupi.Ai tha se Gjenerali Abaz Kupi është figurë qëndrore në historinë e Shqipërisë, veçanërisht gjatë luftës së dytë Botërore. Ai analizoi figurën e Abaz Kupit, si udhëheqës i luftës për liri. Bashkëpunimi i tij me nacionalistët e tjerë dhe Frontin, pjesmarrja në Konferencës së Pezës, tregon vizionin e tij të qartë kombëtar. Distancimi nga fronti pas Konferencës së Mukjes, e qartëson akoma më shumë vizionin e tij Kombëtar. Për z. Bushati, reputacioni ushtarak i Abaz Kupit duhet të tërheqë vëmendjen e studiuesëve. Më pas ai trajtoi lidhjet e Abaz Kupit me Vatrën, të cilën vetë heroi e konsideronte –Vatër Kombëtare. Z. Bushati i ftojë legalistët e rinj, ashtu si të vjetrit t’i bashkëngjiten Vatrës, si një organizatë e sprovuar kombëtare, që ka më shumë se një shekull aktivitet e qëndresë kombëtare.
Më pas kanë shprehur opinionet dhe konsideratat e tyre rreth figures dhe kontributit të Abaz Kupit; Sali Bollati, përfaqësues i Shoqatës Çamëria, veprimtaret Merita Shkupi dhe Mimoza Dajçi, Adem Saliui si dhe editori i Diellit, Dalip Greca.
Në emër të familjes Kupi, përshëndeti nipi i Abaz Kupit, djali Fatbardh Kupit, Sokol Kupi, i cili falenderoi pjesmarrësit që patën mundësi të bëheshin pjesë e përkujtimit dhe nderimit të gjyshit të tij, Gjeneralit Abaz Kupi në këtë përvjetor të 38 të vdekjes.
GJANA: PËRKUJTIMI I ABAZ KUPIT MERR DIMENSION TË RI
Për këtë veprimtari përkujtimore, Kryetari i Partisë së Lëvizjes së Legalitetit, z. Sulejman Gjana, kishte dërguar një mesazh që u duartrokit nga pjesmarrësit. Ja teksti i mesazhit:
Inderuar Kryetar i degës PLL në ShBA, z. Hakik Mena
E nderuar familja Kupi
Ndjej keqardhje të madhe që nuk mund të jemë sot i pranishëm në mesin tuaj në ceremoninë përkujtimore të 38-vjetorit të vdekjes së heroit të rezistencës së 7 prillit 1939 dhe figurës së shkëlqyer të patriozmit shqiptar, Gjeneral Abaz Kupit. Njëherazi, ju falenderoj për ftesën tuaj, por angazhimet dhe axhenda jonë e ngarkuar në Tiranë në këtë fillim viti dhe pas Kuvendit tonë të XVIII nuk na lejuan që të jemi fizikisht në mesin tuaj, ndonëse zemra dhe mendimet tona janë gjithnjë pranë jush sidomos në këto moment që përkujtojmë humbjen e udhëheqësit historik të gjithë legalistëve dhe nacionalistëve shqiptar.
Tradita që ju keni ndjekë ndër vite duke organizuar një ceremoni tek varri i Gjeneral Abaz Kupit ju lartëson dhe është një shembull për të gjithë, aq më tepër në kushtet aktuale, kur në Shqipëri sundojnë ata që shtrembëruan historinë tonë Kombëtare. Planet e tyre të fundit për të përkujtuar sivjet 70 vjetorin e të ashtuquajturit çlirim të vendit dëshmojnë se qeveritarët aktual nuk janë shkëputur nga mentaliteti dhe praktikat sllavo-komuniste që shkaktuan një luftë civile gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila kishte për qëllim eliminimin e patriotëve shqiptar dhe që rezultoi në pushtimin e Shqipërisë nga diktatura më e egër dhe ideologjia komuniste.
Në këto kushte, përkujtimi i jetës dhe veprës së Gjeneral Abaz Kupit merr një dimension krejtsisht të veçantë e që na nderon pa masë, sepse u përket djemve dhe vajzave të atyre që ndërtuan shtetin shqiptar dhe e mbrojtën pavarësinë dhe nderin e Shqiptarëve që të tregojnë të vërtetën historike dhe të mbrojnë vlerat morale, politike dhe Kombëtare për të cilat dhanë jetën mijëra dhe mijëra Shqiptarë.
Nëse ne do të dimë të ndjekim shembullin e Gjeneral Abaz Kupit dhe të patriotëve të tjerë me në krye mbretin Zog, besoj se do të kemi bërë detyrën tonë ndaj Atdheut dhe Kombit dhe do të kontribuojmë që brezat e ardhshëm të gëzojnë një Shqipëri të lirë, të sigurtë, të zhvilluar dhe të bashkuar,-atë Shqipëri për të cilën lindi dhe jetoi Gjeneral Abaz Kupi.
I paharrueshëm qoftë kujtiumi i Tij!
HOMAZHET E PËRVITSHME NDEROJNË HEROIN E 7 PRILLIT
Ka 38 vjetë që në Varrezat në Kew Gardens në Queens, New York, legalistët, familja Kupi dhe komuniteti shqiptar në New York, organizojnë homazhe në kujtim dhe në nderim të aktit burrëror të atij, që i zbardhi faqen Shqipërisë, Abaz Kupit.
Kështu ndodhi edhe këtë herë. Pas tubimit përkujtimor pjesmarrësit shkuan tek varri i heroit dhe zhvilluan homazhe. Abazi i
vogël mban një lule simbolike dhe e vendos tek mermeri, ku është gdhendur emri i stërgjyshit. Kështu dhe familja, dhe të afërmit, legalistët, miqtë.
Pak fjalë, i thotë për heroin, legalisti dhe vatrani i kahershwm, Ndrec Gjergji, një nga të paktët, që e kanë jetuar atë ditë të përcjelljes së Abaz Agës, 38 vite të shkuara.
Sokol Kupi, sërish i falenderon ata që patën mirësinë të bëjnë homazhe tek varri i Abaz Kupit dhe ndanë me familjen Kupi këtë ditë përkujtimore. Fotografitë pranë varrit i japin fund ceremonisë.