E S E NGA MAZLLUM SANEJA/ Varshavë/*
Kalorës i erërave
I fjalëve
Farkëtar i urtësisë
E përjetshme dritë
E atDheut
(„Dritë e përjetshme” – kushtuar Ali Podrimjes)
E nis këtë shkrim me poezinë “Dritë e perjetshme” kushtuar bardit tonë kombëtar Ali Podrimjes për të vazhduar këngën e tij të ëndërruar në kërkim të njeriut, që ndër duar poeti mban gjithnjë një grusht dhe Kosove ndërmjet jetës a vdekjes në kujtimet e rënda dhe të trishta, kur lotët të pikojnë mbi plagët e shpirtit, se ngado që të shkosh nëpër botë duhet nderuar gjakun e derdhur për atdhe dhe liri , sepse nuk bën të nëpërkëmbet liria e fituar me gjakun e derdhur të bijve më të vetëdishëm të kombit, thotë poeti ynë, sepse si humanist i epokes do të dëshironte të fluturonte me krah engjëlli:
„Lart atje
Në mbretërinë e yllësisë
Dashuri të promovojmë”
(„Platoja e yllësisë”)
Dhe, ky mesazh humanist i poetit, që në botë të mbretërojë dashuria dhe harmonia mes popujve, mesazh ky aq i rëndësishëm dhe me vlerë, kur na vjen nga një poet, që është një mjek i njohur në përmasa evropiane në fushën e urologjisë dhe të kirurgjisë.
Libri më i ri i poetit Xhemil Bytyçi na vjen si libër i arrirë dhe i pjekur artistikisht, me poezi të zgjedhura të marra nga katër vëllimet poetike të botuara mëparë: „Dëgjoj shushurimën”, „Fijet e fjalëve”, „Zjarr i lënë në harresë” dhe „Rreze yjesh” me një titull simbolik dhe metaforik „Në brendinë e fjalës”.
Poeti Xhemil Bytyçi, si një dëshmitar analitik thellë e ka ndier dramën tragjike të popullit të vet, i pashkëputur dhe i lidhur
emocionalisht dhe shpirtërisht me vuajtjet, dhembjet dhe sëkëllditë e përditshme, në të cilën ka jetuar dhe vepruar poeti.
Duke parë nga çdo anë imazhe trishtuese të luftës, se si pareshtur vritej e masakrohej populli i pambrojtur shqiptar nga një barbari apokaliptike, nga skuadronet paramilitare serbe, qe në Kosovë mbillnin shkrumb e hi, poeti asnjëherë nuk do të bjerë në rezignacion as dëshpërim, po gjithnjë shpresëdhënës, duke thirrur që të zgjohemi, se jemi „shqiponja të lashta”, apo „zgjohu, se dolëm nga nata”.
Ja, sa shpresëdhënës dhe optimist është poeti ynë, kur thotë se / „nuk bën të vajtohet e kaluara / aty është fshehur e ardhmja” , se, diku në horizont do të duket Feniksi, ai zog i përtërirë nga hiri, që do ta mund gamën e së keqes.
Duke lexuar me vëmendje poezinë e poetit Xhemil Bytyçi sikur gjendemi në një gjendje katarze, që t’i shkruajmë gjithë ata emra të humbur, që as emër as mbiemër nuk donin të na linin, ata emra shkruar me gjak, në mur, në gur, që t’i qes hapat që „kohën e humbur ta zë” siç shkruan me të drejtë poeti, që emrin e vet, të popullit të vet – të mos e humbas kurrë , sikur dëgjoj diku thellë klithmën e poetit, që do të arrij të mbijetojë fal guximit, dinjitetit dhe heroizmit stoik.
Dhe si të mos pajtohem me poetin kur shkruan:
„ Aty ku linda
Dhe eshtrat dua t’i lë
Në tokën e shenjtë…”
(“Aty ku linda”)
Apo, kur poeti përkujton tmerrin dhe hatanë e ndodhur në Atdheun e vet, ku mes gjithë asaj gjëme, klithmave, vajeve e eksodeve mbeti „vetëm pasqyra e thyer e vajit”, duke qëndruar gjithnjë stoik karshi fërfëllizave të papritura të jetës, për të ia lënë si dhjatë të përjetshme mikut të vet të mërguar në Amerikë, që tingëllon, si një porosi shpresëdhënëse:
„ Merre këtë gur, miku im
Atje larg ta kesh për kujtim
Ditë e bardhë të agojë
Bota të na shohë mbarë
Me një guri para portës së historisë
(“Merre këtë gur”)
A nuk është kjo një dëshmi e ekzistencës sonë kombëtare.
Duke lexuar me vëmendje poezinë e këtillë si dhe poezitë e tjera të këtij vëllimi me poezi të zgjedhura “Ne brendinë e fjalës” nuk mund të mos ngashërehem dhe tronditem sikur ngjet me poezinë e lexuar “Betohu në yllin e tij” që është një himn panegjerik, dëshmorit tonë Triumf Rizës, i cili zgjuar rri mbi Atdheun, sepse ai përgjithnjë do të mbetet si një “Trim yllësie” , ku me të drejte figurën e tij e ngre në një simbol nderi dhe guximi; apo kur lexojmë poezinë prekëse „Ku e ke shtëpinë motër”, ku poeti shprehet me një lirizëm të hollë njerëzor dhe poetik kundruall kësaj krijese të brishtë njerëzore, e cila përjetoi për të gjallë tërë tmerrin e ndodhur, sepse:
Ishe gonxhe si një lule
Të këputën të gjithë
Unazën e mishit ta shqyen
Humbe më të çmuarën…
(“Ku e ke shtëpinë motër”)
duke na përkujtuar ndjeshmërinë e tij të madhe karshi vlimit më të prekshëm njerëzor.
Duke korresponduar me kohën që jeton dhe botën përreth, poezia e Xhemil Bytyçit është e ndieshme jo vetëm karshi dramës njerëzore:
Ç’është kjo gjëmë
Nga ajo tufë
Vetëm një zog këndon
Përtej kufirit
Një zog fluturon
Pa pasaportë
(“Një zog këndon”)
Po, në të vërtetë është një provë shpëtimi dhe, gjithashtu manifestim i pafuqisë së njeriut kundruall shtypjes absurde dhe të pamëshirë të realitetit ekzistues:
Dëgjoje zemrën time
Zemrën tënde dëgjoj
Edhe kur klith
(„Dëgjoje zemrën tënde”)
Thonë se të kuptosh njeriun tjetër e veçmas të sëmurin duhet të kesh një mirëkuptim dhe ndjeshmëri të madhe njerëzore, e poeti ynë që në jetën e përditshme është mjek që shëron njerëzinë përreth, ai e ka këtë dhanti dhe, depërton thellë në skutat më të errëta të psikikës e shpirtit njerëzor, sepse:
Fije fjalësh në qëndisje
Në një cep qielli
Fjolla drite e njerëyimit
Për një pikë dashurie
(„ Fijet e fjalëve”)
Dhe, kjo grimcë dashurie që shpeshherë i mungon botës së sotme marramendëse të konsumit, botës së sotme të shurdhër dhe indiferente, ku vendin e dashurisë dhe të lirisë zëvendësuaka pushteti i parasë, i dhunës dhe i pazarllëqeve gjithëfarëshe.Duke lexuar me vëmendje të lexuesit kurioz veprën poetike te poetit Xhemil bytyçi “Në brendinë e fjales” lirisht mund të konstatoj se ky lloj i veçant poezie eliptike e begaton dhe e shpie mëtej poezinë moderne shqipe.
*-Xhemil Bytyçi : „Në brendinë e fjalës” (Poezi të përzgjedhura) Published in USA, 2012./
Varshavë, Janar 2014