• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI META PRITET NGA PAPA FRANÇESKU

September 17, 2018 by dgreca

PRESIDENTI META PRITET NË NJË AUDIENCË TË POSAÇME NGA PAPA FRANÇESKU/

VATIKAN- 17/09/18 Presidenti Meta pritet në një audiencë të posaçme nga Papa Françesku

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, u prit sot në një audiencë të posaçme nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Presidenti Meta shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të Selisë së Shenjtë në rimëkëmbjen shpirtërore e sociale të komunitetit katolik dhe popullit shqiptar, veçanërisht pas daljes së vendit nga izolimi i gjatë komunist dhe vendosjes së pluralizmit në Shqipëri.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta e falënderoi Papa Françeskun, për lartësimin mbarëbotëror të simbolit më domethënës shpirtëror të kombit shqiptar, Nënë Terezës, përmes shenjtërimit të saj.

Duke shprehur mirënjohjen për vëmendjen e veçantë që Papa Françesku ka treguar për popullin shqiptar, Presidenti Meta, e siguroi Atin e Shenjtë për vokacionin e qartë e të pandryshuar evropian të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe vendosmërinë e tyre për të ecur në rrugën e integrimit evropian.

“Shenjtërimi i Nënë Terezës, si dhe lumturimi i 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare dhe emërimi i At Ernest Troshanit si Kardinal Nderi në Vatikan, na bëjnë krenarë ne shqiptarët dhe na japin më shumë besim e forcë për ta ruajtur e promovuar me vendosmëri e përkushtim bashkëjetesën e harmoninë shembullore ndërfetare e kanonike” – nënvizoi Presidenti Meta.

“Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut na rikthen në kujtesën tonë jo vetëm marrëdhënien e ngushtë të Heroit tonë Kombëtar me Selinë e Shenjtë, por edhe rolin e tij të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e civilizimit evropian duke përcaktuar qartë identitetin evropian të shqiptarëve,” vuri në dukje Presidenti Meta gjatë takimit me Atin e Shenjtë.

Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e jashtëzakonshme që merr në ditët e sotme modeli shqiptar i harmonisë ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, si dhe ranë dakord për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë për promovimin e mëtejshëm të kësaj vlere në mbarë botën.

Një mirënjohje të veçantë Presidenti Meta e shprehu edhe për mbështetjen e vyer që Papa Françesku dhe Selia e Shenjtë i kanë dhënë Kosovës dhe, ku padyshim lartësimi në ditën e Shën Terezës së Kishës katolike të Prizrenit në Dioqezë, përbën një akt domethënës jo vetëm për komunitetin katolik të Kosovës, por për mbarë shqiptarët.

Presidenti Meta dhe Ati i Shenjtë diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit dhe rëndësinë e jashtëzakonshme që ka bashkëjetesa ndëretnike dhe fetare në dobi të stabilitetit, sigurisë, paqes dhe mirëqenies të popujve tanë për të mos u rikthyer më kurrë në konfliktet e përgjakshme të viteve 90-të.

Ati i Shenjtë vlerësoi forcën e shqiptarëve dhe përkushtimin e tyre për t’u ringritur shpirtërisht pas periudhës së gjatë të shtypjes dhe ndalimit të besimit, nënvizoi arritjet e deritanishme të Shqipërisë veçanërisht në fushën e lirisë së besimit dhe shprehu mbresat e tij të jashtëzakonshme nga vizita e tij në Shqipëri dhe mikpritja që ju rezervua gjatë kësaj vizite historike.

“Gjatë kthimit nga Shqipëria një nga gazetarët më pyeti se përse kisha zgjedhur të bëja vizitën e parë në Evropë, në Shqipëri, në një vend jo anëtar të Bashkimit Evropian, unë iu përgjigja se zgjodha Shqipërinë për të dhënë një mesazh,” – tregoi Ati i Shenjtë gjatë audiencës së posaçme me Presidentin Meta.

Presidenti Meta dhe Ati i Shenjtë diskutuan gjithashtu edhe për çështjen e mprehtë të emigracionit, luftën kundër varfërisë, rëndësinë e ruajtjes së ambientit dhe kujdesin ndaj familjes dhe veçanërisht ndaj gruas dhe fëmijëve, në këndvështrimin e ndërtimit të një shoqërie më njerëzore dhe të një bote në paqe.

Ati i Shenjtë dhe Presidenti Meta diskutuan mbi rëndësinë e madhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për të rinjtë me qëllim ndalimin e fenomenit të largimit nga vendi i tyre dhe mbajtjes larg nga veset, droga dhe fenomenet negative sociale.

“Evropa po përjeton një dimër demografik,” – u shpreh Papa Françesku, ndaj, vendi juaj duhet të mos vuajë nga ky fenomen, i cili kërkon një përkujdesje, përkushtim dhe vëmendje më të madhe në edukimin, arsimimin dhe krijimin e mundësive më të mira për ta.

“Rrallë kam parë”, – tha Papa Françesku gjatë audiencës, “aq shumë të rinj gjatë vizitës sime në Tiranë sa në asnjë vend tjetër e duhet bërë gjithcka që ata të qëndrojnë në vendin e tyre.”

Gjatë kësaj audience të posaçme të Atit të Shenjtë, Papa Françesku, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta shoqërohej nga familja e tij

Filed Under: Featured Tagged With: nga Papa Françesku, PRESIDENTI META PRITET

Dom Simoni nderohet përsëri nga Papa Françesku

May 7, 2016 by dgreca

Thonë që mrekullitë nuk ndodhin vetëm një herë në jetë. Kështu mund të thuhet edhe për historinë Dom Ernest Simonit, një prift i cili gjatë kohës së regjimit komunist në Shqipëri, sakrifikoi veten duke duruar torturat e dhëna nga Enver Hoxha, për të mos mohuar Krishtin.

Sipas “Aleteia” Papa Françesku ka përqafuar e nderuar përsëri Dom Ernest Simoni, priftin shqiptar i cili kaloi 28 vjet në burg për të qenë besnik ndaj Kishës gjatë regjimit komunist.

“Ky është një martir shqiptar”, tha Papa, kur e pa. Ata së pari janë takuan në 21 nëntor të 2014, në Tiranë; kur Ati i Shenjtë e thirri Dom Ernest Simonin për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me torturat që pësoi për refuzimin për të mohuar Krishtin. “Papa menjëherë u kujtua,” tha autori italian Mimmo Muolo e Avvenire Aleteia.

“Ai iu drejtua atij me emrin,” Simoni”, dhe tregoi se e mban mend historinë e persekutimit të tij. “Natyrisht, Dom Ernesti bëri të pamundurën në mënyrë që Ati i Shenjtë të mos i puthte duart e tij, në të njëjtën kohë, duke u përpjekur për të puthur ai të Papës”, vërejt Muolo. Ato ishin vite të terrorit nën regjimin komunist të Shqipërisë, vendi i vetëm i deklaruar “ateist” nga kushtetuta, në vitin 1967. “Për 11 ditë, ai ishte torturuar”, shpjegoi Muolo.

Përshtati: Redjon Shtylla

Filed Under: Komente Tagged With: Dom Simoni, nderohet përsëri, nga Papa Françesku

Radio Vatikani- 38 martirët shqiptarë të fesë të shpallur të Lum nga Papa Françesku

April 29, 2016 by dgreca

Ja Kush janë 38 martirët shqiptarë të fesë së krishterë që janë shpallur të Lum nga Papa Françesku:

Imzot Vinçenc Prennushi: françeskan, ipeshkëv i Durrësit, poet i ëmbël. U burgos e u torturua sepse nuk pranoi ta shkëpuste Kishën shqiptare nga Selia e Shenjtë; dha shpirt me 19 mars 1949 në burgu, i shtrirë në dheun e lagësht, të ftohtë, këmbëzbathur, si Shën Françesku, bir të cilit ishte!

Imzot Frano Gjini: ipeshkëv, martirizimi i të cilit ia kaloi çdo fantazie kriminale njerëzore: i papërkulur para torturave, si nuk pranoi ta shkëpusë Kishën nga Papa, u dënua me vdekje e u pushkatua më 11 mars 1948.

Imzot Jul Bonati: meshtari i madh intelektual, si u mbyll, për torturë, në çmendinë e si provoi tmerre të padëgjuara në qeli të ndryshme të sigurimit famëkeq, nga Vlora në Durrës, vdiq në burgun e Durrësit, pranë Imzot Prennushit, i cili i jepte shûjtën për shtegtimin e mbram: Vojimin Shenjt.

Dom Alfons Tracki: prifti gjerman, më shqiptar se shqiptarët, bir i Breslaut, u torturua dhe u pushkatua më 25 qershor 1946, në moshën 50 vjeçe.

Dom Anton Muzaj: u torturua në mënyrë çnjerëzore, vetëm sepse nuk pranoi të mohonte fenë: si i thyen këmbë e duar, e liruan nga burgu dhe e nisën në shtëpi, ku vdiq mes dhimbjeve të tmerrshme mbas pak ditësh, në moshën 29 vjeçare.

Dom Anton Zogaj: famullitar i Durrësit, sekretar i Imzot Prennushit, meshtar jashtëzakonisht i përgatitur në të gjitha drejtimet, u burgos e u torturua mizorisht. E lanë të mbyllur disa ditë në një banjo të qelbur, në sa priste ditën e pushkatimit: 31 dhjetorin e 1946-tës.

Dom Dedë Maçaj: i akuzuar si spiun i Vatikanit, u torturua, u gjykua dhe u pushkatua për rezistencën e tij heroike fetare, në moshën 27 vjeç.

Dom Dedë Malaj: mbeti i paharruar në kujtesën e popullit për mbrojtjen heroike që i bëri fesë së krishterë në gjyqin e organizuar kundër tij, që e dënoi me vdekje. U pushkatua në breg të Liqenit të Shkodrës më 12 maj 1959. Ishte 39 vjeç.

Dom Dedë Plani: dha shpirt në spital më 30 prill 1949, mbasi nuk pranoi asnjë akuzë e u bëri ballë heroikisht torturave mizore.

Dom Ejëll Deda: famullitar i Bushatit, i arrestuar vetëm pse ishte prift, vdiq më 12 maj 1948 në spitalin e burgut, mbas torturash çnjerëzore.

Dom Jak Bushati: e akuzuan se ndihmonte diversantët, se bënte agjitacion e propagandë: pretekste të cilat e çuan në pushkatimin pa gjyq më 12 shkurt 1949.

Papa Josif Mihali: Njeri i Zotit, arrestuar e torturuar veç me këtë akuzë, u mbyt për së gjalli në baltën e kënetës, në kampin e shfarosjes të Maliqit.

Dom Zef Maksen: meshtar gjerman, pushkatuar me 1946, duke shqiptuar fjalët: “Des i lumtun, tue mendue se do të kujtohem prej shqiptarëve si meshtár i fesë së Krishtit”.

Dom Lazër Shantoja: meshtár i ndritur, njeri i kulturës, i letërsisë e i artit, u masakrua deri në atë gradë, sa vetë e ëma kërkoi nga xhelatët komunistë ta  pushkatonin një orë e më parë, gjë që s’munguan ta bënin në fushat e shkreta të Tiranës, në sa ishte në moshën 54 vjeç.

Dom Lekë Sirdani: personalitet i shquar i Kishës katolike: prift, patriot, shkrimtar. U torturua mizorisht dhe u mbyt për së gjalli në një gropë ujërash të zeza.

Dom Luigj Prendushi: u arrestua, u torturua dhe u pushkatua si spiun i Vatikanit më 24 janar 1947.

Dom Marin Shkurti: i shuguruar meshtar më 1961, shërbeu pak kohë në Kishën me dyer të hapura e shumë, në atë të heshtimit: guxoi ta vijojë heroikisht shërbimin meshtarak në kohën e terrorit. U arrestua, prandaj, u torturua e u pushkatua në vitin 1969.

Dom Mark Gjani: u arrestua për veprimtarinë e tij meshtarake dhe u shua gjatë torturave të tmerrshme në duart e salvuesve të tij në qeli, me 1945.

Dom Mikel Beltoja: u pushkatua më 10 shkurt 1974, mbasi mbrojti heroikisht e haptas idealet e veta fetare në gjyqin që iu bë pas gjashtë muaj torturash, i cili e dënoi me vdekje.

Dom Ndoc Suma: vdiq 2 vjet mbasi ishte liruar, i shkatërruar, nga burgu, ku u torturua me akuza për të cilat thoshte: “Vetëm kur dola në gjyq e mora vesht pse isha arrestue”.

Dom Ndre Zadeja: prift e poet, pushkatuar pa gjyq në qytetin e Shkodrës, duke u bërë martiri i parë, viktimë e diktaturës komuniste.

Dom Pjetër Çuni: prift; vdiq i varur me kokë poshtë mbi gropën e ujërave të zeza.

Dom Shtjefën Kurti: prift, pushkatuar para banorëve të Gurëzit. Sigurimi e akuzoi se deshi të helmatiste popullin duke shfrytëzuar për këtë, furrat e bukës.

Atë Bernardin Palaj: frat e poet i madh, do të vdiste ne Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, shndërruar në burg për 700 vetë. Nën torturat e Sigurimit mori tetanozin. Qe mbledhësi i parë i Eposit të Kreshnikëve, mitolog i shquar, por edhe muzikant e pianist i talentuar. Gjeni i letrave shqiptare, pasardhës i denjë i Fishtës së madh, i mbytur e i harruar.

Atë Çiprian Nika: françeskan, vdiq nën akuzën e rëndë e shpifëse se kishte fshehur armë në elterin e Shëna Ndout, në Kishën françeskane të Gjuhadolit.

Atë Gaspër Suma: rregulltar, pinjoll i një familjeje, që u shua nga komunistët, u arrestua më 1947 dhe vdiq në burg.

Atë Gjon Shllaku: frati i madh filozof, u pushkatua së bashkut me jezuitët Atë Gjovani Fausti (misionar italian) e Atë Daniel Dajani si dhe me seminaristin Mark Çuni, në fillimet e masakrës komuniste kundër klerit katolik. U akuzuan për “tentativë arratisjeje” dhe për formimin e Partisë Demokristiane. Që të katërtëve shteti shqiptar u ka dhënë dekoratën “Martir i Demokracisë”.

Atë Karl Serreqi: frati që nuk pranoi të kallëxojë rrëfimin e një të plagosuri në ndeshjet me komunistët në mal, e kaloi jetën burgjeve. Vdiq në Burrel më 4 prill 1954. Është një ndër martirët e rrallë të sekretit të rrëfimit në historinë e Kishës universale.

Atë Mati Prendushi: frati që mori pjesë në ngritjen e flamurit në Deçiq, u përndoq dhe u fal nga krajl Nikolla e nga mbreti Zog, por u dënua me vdekje nga i ashtuquajturi “gjyq” komunist. Nuk i dihet as varri.

Atë Serafin Koda: frat françeskan; dha shpirt mbasi hetuesët komunistë, duke mos u ngopur me torturat e zakonshme, ia shqyen fytin me thonj.

Vëlla Gjon Pantalia: jezuit; u arrestua ndër të parët e vdiq në spital, mbasi vuajti tmerre të papërshkrueshme.

Fran Miraka, Qerim Sadiku e Gjelosh Lulashi, të rinj që edukoheshin ndër jezuitë; u vranë pse deshën Krishtin.

Rishtarja stigmatine Maria Tuci: u torturua e mbyllur në një thes, së bashku me një maçok, të cilin e godisnin me shkop.  Virgjër e martire, vasha dha shpirt me mundime të jashtëzakonshme.

Filed Under: Histori Tagged With: 38 martirët shqiptarë të fesë, nga Papa Françesku, të shpallur të Lum

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT