Nga Miranda HAXHIA/
E kujtoj gjithmonë e më shpesh; nuk e kam fjalën për 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, pasi atë e kujtuan qindra e mijëra shqiptarë, pak e nga pak, duke mbajtur gjallë kujtesën e madhe kombëtare; as për nënshkruesit e Pavarësisë një e nga një, pasi secili prej tyre, një ditë para datës 28 u nderua nga Kuvendi i Shqipërisë: aty më ndali kujtesa. Pikërisht atë ditë, kur emri, vepra dhe kontributi i Sheh Ibrahim Karbunarës, po nderohej nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, një pinjoll i familjes së Shehëve të Karbunarës, anëtari i radhëve të para të Partisë Demokratike, demokrati dhe shkrimtari Izet Shehu u fik.
Diku, në një libër me poezi ka shkruar: trazoj hirin e rinisë,/ mallin e dufit të parë,/ nuk u bëkam dot më lis,/ nuk u ndezkam dot më zjarr./ …Trazoj dufin e parë, / ëndrrën që mu dogj e njomë./ edhe pse nuk bëj dot zjarr,/ ai mall më djeg gjithmonë.
E kujtojmë gjithmonë si jetonte me dëshirën për të mos humbur asnjë ditë, asnjë gëzim, asnjë pikë loti, asnjë dhimbje miqsh. Të gjitha i jetonte dhe i mbante me dinjitet.
Izet Shehu, poeti sqimatar dhe prozatori i pikëlluar, ky muzg i trishtuar lushnjar, mbartësi i lodhur i historisë së një fisi që filloi me një akt të madh patriotik e kombëtar, i nderuar nga historia e fisit të tij: me pjesëmarrjen e Shehut të Karbunarës në Aktin e Pavarësisë më 1912, po Shehu i Karbunarës i pranishëm në hapjen e punimeve të Kongresit të 1920-ës, që nuk u rrëzua edhe kur fisi i tij provonte pushkatimet, burgun, torturat dhe përçudnimet, shkalafitjen nga një njeri qytet në tjetrin, në ditët e fundit të nëntorit iku pa thënë një lamtumirë, as ne miqve të tij, si të na kujtonte: se unë jam ende me ju, në rrugën dhe vendet ku shpesh jemi endur, kemi folur dhe hera-herës edhe kemi përzierë debatet dhe pikëpamjet.
Nuk e kam njohur Shehun e Karbunarës dhe djalin e tij, Hysenin, sepse u pushkatuan në vitin 1947 dhe si ndodhte atë kohë, nuk kujtoheshin më kurrë, si të mos kishin jetuar; nuk i kam njohur as dy djemtë e tjerë të Shehut, Rizain dhe Bakiun, sepse i burgosën, torturuan dhe i mbajtën në galerat e persekutimit.
Nuk është folur atë kohë as për vëllezërit e Shehut të Karbunarës, Njaziun dhe Eminin, sepse edhe ata i arrestuan për shkak të Shehut të Madh të Karbunarës; as për nipërit e Shehut të Karbunarës, Tajfurin, Fahriun, kushërinjtë: Ahmetin dhe Nesimin – edhe ata i arrestuan;
Kam mësuar nga rrëfimet e këtyre njëzet vjetëve se ai fis është mbajtur në këmbë nga gra të zonjat që nuk u shëmbën, se familja, shtëpia, toka u zhbënë, u vodh, u plaçkit. Teqeja u shkatërrua nga eksperimenti i famshëm i luftës kundër fesë.
Po kam njohur birin e Teqesë së Karbunarës, Izet Shehun, sepse kam njohur poezinë e tij, kam lexuar tregimet e tij, sepse jam ndierë më shumë lushnjare, edhe pa qenë e lindur në atë vend. Kur e kam parë si përfaqësues në Kuvendin e Shqipërisë, të parin kuvend mbas shembjes së diktaturës, pikërisht atëherë, kur në fisin e Shehajve mendonin se dritat pothuajse ishin fikur të gjitha dhe nuk do ndizej qoftë edhe një shkëndijë, sa për të kuptuar dëmin e madh të errësirës pesëdhjetëvjeçare, kam kuptuar se njeriu jeton edhe përtej jetës së tij. Për shkak të veprës. I tillë është në këtë kohë të mëpasme, kur mungon dhe nuk frymon mes njerëzve, shkrimtari dhe poeti Izet Shehu.
Ndoshta po të jetonte ende, nuk do ta kujtoja kaq shpesh dhe gjithmonë, kur rruga ime kalon te Tirana e Re, sepse mendja do më thoshte, miqtë e mi janë diku, duke diskutuar, duke u shqetësuar, duke shkëmbyer rima dhe batuta nëpër metaforat e dalldisura.
Por ai u shua pikërisht atë ditë, kur Sheh Ibrahim Karbunara nderohej në Kuvendin e Shqipërisë, 100 vjet pasi ai nënshkroi aktin e shtetit shqiptar në Vlorë. Nuk u besoj bestytnive, por ndoshta ishte një shenjë që poeti, politikani, publicisti dhe njeriu i mirë dhe i urtë, i mençur dhe i dashur, i drejtë deri në thelb, gojëmjalti që nuk i lodhi asnjëherë miqtë, duke u kërkuar ndonjë “të mirë”, të ikte përgjithmonë, në pragun e një dite të jashtëzakonshme, 100-vjetorin e Pavarësisë. Qe ditë e zakonshme, një ditë, ashtu si sot, si nesër, kur ne, të gjallët i kujtojmë gjithmonë e më pak njerëzit, kur me dashjen apo ngasjen tonë të pavullnetshme ngremë mure përqark vetes sonë dhe heshtim.
Izet Shehu nuk e meriton heshtjen tonë. Për shkak të vetë mënyrës se si ai jetoi. Për shkak të letërsisë që shkroi. Për shkak të gjithçkaje që ka jetuar. Duke shëtitur në vargjet e Izet Shehut, gjej vargun më të denjë për ta quajtur mikun tonë: Trill i djegur nga rrufetë,[ …]/ të gëlltitën egër retë,/ humbe si të ishe erë….(RD)