Leter per Z. Füle nga shoqata “Pronesi me Drejtesi” dhe “Bregdeti “/
I nderuar Z. Füle,/
Në emër të Shoqatës Kombëtare “Pronësi me Drejtësi” dhe Shoqatës “Bregdeti”, dy shoqatave kryesore historike që përfaqësojnë pronarët e shpronësuar në Shqipëri, po ju drejtohemi me shqetësimin më të madh në lidhje me të drejtat e pronësisë në Shqipëri, duke ju ofruar një strategji dhe një zgjidhje përfundimtare të problemit të të drejtave pronësore në Shqipëri që ne besojmë fuqimisht se është e nevojshme t’i imponohet qeverisë dhe klasës politike shqiptare të cilat në këto 22 vite të demokracisë, që ka qenë e tillë vetëm në emër, janë treguar të paafta ta zgjidhin. Gjendja aktuale e të drejtave të pronësisë në Shqipëri tallet me idenë e njerëzimit për drejtësinë, është një farsë për barazinë. Ajo përqesh devocionet tona, vë në dyshim konsideratat dhe përkushtimin tonë. Sepse nuk ka sesi të shikosh atë çfarë ndodh me të drejtat e pronësisë në Shqipëri dhe, nëse je i sinqertë, të konkludosh që kjo gjë mund
të lejohet të ndodhë edhe në vendin tuaj. Duke qenë të bindur, ashtu siç ka thënë edhe Hayek se “prona private është garancia më e rëndësishme e lirisë”, dhe që të drejtat e pronës, siç ka thënë Friedman, janë “më themeloret e të drejtave të njeriut dhe një themel esencial për të gjitha të drejtat e tjera njerëzore” dhe se, siç ka thënë Von Mises, “programi i liberalizmit, nëse mund të përmblidhej në një fjalë të vetme, do të duhet të lexohej: prona, që do të thotë pronësia private e mjeteve të prodhimit…Të gjitha kërkesat e tjera të liberalizmit rrjedhin nga kjo kërkesë themelore”, atëhere jo vetëm shqiptarët por të gjithë ne, institucioni juaj dhe një botë demokratike, e paqtë dhe e drejtë nuk mundet dot më t’ja lejojë vehtes të vazhdojë pa i vendosur të drejtat e pronësisë në krye të radhës, të parën e të gjithë përparësive!
Pasi BE‐ja e vendosi zgjidhjen e çështjes së të drejtës së pronësisë si një nga 12 prioritetet kyçe që duhet të përmbushë Shqipëria për t’u pranuar si kandidate për anëtarësim në BE, ne prisnim që qeveria të propozonte një projekt ligj dhe strategji që me të vertetë do të kthente pronat tek pronarët e tyre të ligjshëm në përputhje me Nenin 181 të Kushtetutës së Shqipërisë, Nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Nenin 17 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, dhe të kërkesave të përsëritura të Këshillit të Europës, specifikisht Dokumentit Nr. 11115 mbi Shqipërinë