Shkruan: Kadri Tarelli/
Në këto dit të bukura fundtetori 2014, në Durrës erdhi Sokol Demaku, një ndër veprimtarët më në zë në fushën e mësuesisë, krijimtarisë letrare dhe publicistikës, të mërgimtarëve shqiptar që jetojnë e punojnë në Suedi. Për nikoqirët durrsak dhe miqtë e hershëm të tij është diçka e pritur, pasi Sokoli e ka bërë zakon që me plot miq suedëzë, bashkëkombas shqiptarë Kosove, mësues, nxënës dhe prindër, të jetë çdo vit i mirëseadhur në Durrës. Herët e tjera ka qëndruar më gjatë, pasi veprimtaritë ishin ndërshkollore, njëkohësisht shoqëruar me takime e biseda për bashkëveprim me organe të pushtetit vendor, Bashki dhe DAR. Këtë vit qëndroi vetëm një ditë, shumë pak, por të mbushur me plot veprimtari të dobishme e mbresëlënse.
Si fillim një vizitë në bibliotekën e qytetit, ku u prit nga drejtore Mirela ylli dhe koordinatore Teuta Dhima. Biseda mes miqsh dhe krijuesish rrodhi lirshëm, sepse njohja dhe bashkëpunimi është krijuar dy vite të shkuar. S`ka si ndodh ndryshe, sepse çuditërisht ky soji i letrarëve krijues, sa shpejt e gjejnë gjuhën e mirëkuptimit mes njëri-tjetrit. Një sasi librash dhuratë për bibliotekën shoqëruan fjalën e Sokolit për forcimin e bashkëpunimit të ndërsjelltë, kërkesë që u mirëprit nga stafi drejtues, duke premtuar vazhdimësinë e lidhjes dhe miqësinë e krijuar. Kurdoherë, vizitat mundësojnë projekte ndihme e bashkëpunimi, aq të nevojshëm e të dobishëm për shqiptarët kudo që janë, të mirëpritura, sidomos për mërgimtarët dhe fëmijët e tyre.
Deshira për të vazhduar gjatë bisedën e ngrohtë ishte e madhe, por koha nuk premtonte, pasi nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Neim Babameto”, ishin në pritje. Për ta ishte e para herë që takoheshin me shkrimtarin, poetin dhe përkthyesin Sokol Demaku, i cili shoqërohej nga shkrimtari i njohur z. Viron Kona. Prezantimin e bëri nën/drejtori i shkollës z. Avdyl Buçpapaj, si mik i hershëm i Sokolit dhe nismëtar i lidhjes këtu e gjashtë vjet më parë, kur ishte drejtor i shkollës “Demokracia” të Durrësit. Drejtori Xhevdet Hoxholli, stafi drejtues dhe nxënësit e shkollës i uruan Sokolit mirëseardhje, suksese në krijimtari, falëndrim për librat e dhuruar dhe shprehën deshirën për shkëmbime vizitash mes nxënësve të shkollës së e tyre me të shkollës së Borasit. Në shenjë miqësie u shkëmbyen dhurata simbolike.
Në atmosferë miqësie dhe dashurie, Sokoli, me pak fjalë paraqiti para lexuesve dhe krijuesve të vegjël të shkollës, tre libra për fëmijë. I pari “Djali dhe tigri”, i dyti “Gjueti diamantesh”, të dy të përkthyer mjeshtërisht nga Sokoli, ndërsa i treti është libri “Një vështrim antropologjik dhe kulturor magjepës në veriun e largët”, me autor vetë Sokol Demakun. Në atë kuvendim aq të ngrohtë, cilido kuptoi mesazhin njerëzor, mësimor, pedagogjik dhe metodik, që vjen nga Suedia e largët nëpërmjet këtyre librave, që me formën dhe përmbajtjen janë modele për t`u njohur, zotëruar e zbatuar. Vlera e tyre është e shumëfishtë, jo vetëm për nxënësit, por edhe për mësuesit, e mëpastaj edhe për krijuesit, pasi njihemi me përvojën suedeze në ndërtimin e demokracisë dhe edukimit të brezave të rinj. Ata i kushtojnë vëmendje të veçantë punës me fëmijët, duke u kujtuar vazhdimisht porosinë: “Mos shqetëso! Mos prish!”. Këto fjalë, besoj se janë thirrje edhe për ne. Mund t`i dëgjojmë!?
Vizita në shkollën “Demokracia”, u shëndërua në çaste feste, sepse Sokoli është mik i vjetër dhe shumë i njohur nga nxënësit dhe mësuesit. U prit nga drejtori i ri, z. Iljas Bande dhe n/drejtorët Zabit Rexhepi dhe Fuat Zerdelia, pa qënë nevoja e prezantimit, pasi ai e ndjen veten si pjestar i atij kolektivi të madh. Spektakël letërsie dhe emocione në sallën e vogël të koncerteve. Mësuesi Thoma Shtambari dhe nxënësit, me oratori të rrallë shpalosën vlerat e librit “Djaloshi dhe tigri”, shumë kopje të të cilit, Sokoli ua pat dhuruar një vit më parë. Nxënësit, duke falënderuar mikun e tyre për librat e rinj dhuratë për bibliotekën e shkollës, përcollën dëshirën për vazhdimin e vizitave të ndërsjellta mes nxënësve të dy shkollave.
Në orët e mesditës, pritje në shkollën 9-vjeçare “14 nëntori”. Drejtore Merita Thartori (Kuçi), mjeshtre e organizimit të takimeve me artistë dhe shkrimtarë, ishte në merak si do të dilte biseda, pasi vetë nxënësit, (letrarët e rinj), kishin kërkuar që, me shkrimtarin dhe poetin Sokol Demaku, të zhvillonin kuvendimin në formë intreviste. Ata ishin njohur me librin “Djaloshi dhe tigri”. Pyetjet nuk pushonin. Sa të vërtetë janë fëmijët në pafajësinë dhe çiltërsinë e moshës! Në zërin e Sokolit, ndjehej kënaqësia për pyetjet e gjetura e të mençura. Biseda shkoi gjatë, por askush nuk tundej nga vendi. Kjo është magjia e bashkëbisedimit me shkrimtarë dhe poetë. Sokol Demaku, tashmë edhe mik i kolektivit të mësuesve dhe nxënësve të shkollë “14 Nëntori”, dhuroi libra, duke premtuar për takime të tjera, mbase edhe vizita të ndërsjellta në të ardhmen.
Në këtë shkrim, detyrimisht u përshkruan të katër takimet, pasi ishin të ndryshëm në formë, por të njëjtë në përmbajtje; Lidhje, bashkëpunim, shkëmbim mesazhesh të miqësisë dhe mirëkuptimit, dhurim librash, që vetiu sjell njohje dhe shkëmbim kulturash dhe afrim mes shqiptarëve dhe popujve. Kjo është pamja e parë, si të thuash e dukshme. Duke gjykuar më thellë, më duhet të them se është një përvojë mjaft e dobishme, që duhet mbajtur gjallë e duhet përgjithsuar tek kolegët drejtorë shkollash dhe kolektivat mësimore të Durrësit e më përtej. Si drejtues i vjetër shkolle dhe njëkohësisht gazetar, gjatë këtyre dy dekadave demokraci, jam njohur me shumë lidhje shkollash të Durrësit me simotra në vende të ndryshme, Itali, Maqedoni, Kosovë, etj. Shpesh kam qënë pjestar, ndaj kam përjetuar çaste të bukura në takime dhe vizita të ndersjellta dhe jam ndjerë mirë. Por koha solli zbehje e më pas fshirje të lidhjeve, aq sa ka mbetur vetëm kujtimi i tyre në memorjen e pak mëuesve dhe nxënësve, në rastin më të mirë, nëpër disa artikuj të gazetave, apo në faqet e nonjë libri historik të shkollës. Nuk gaboj të them, se e vetmja lidhje që po i qëndron kohës është kjo mes shkollës “Demokracia”në Durrës dhe shkollës “Fjardingskolan” në Suedi. Ajo që e vlen të theksohet është se, kjo miqësi nuk mbeti me kaq, sepse u zgjeruan hapsirat. Bashkëpunimi, siç shihet, është zgjeruar edhe me dy shkolla të tjera të Durrësit, për të vazhduar më tej në Tiranë dhe në Vushtri, në Kosovë, etj. Kjo lidhje përbën një përvojë dhe ,pasuri për jetën arsimore të Durrësit dhe arsimit shqiptar. Ndaj meritojnë falëndrim dhe mirënjohje dy nismëtarët, Sokol Demaku dhe Avdyl Buçpapaj, të cilët pavarësisht vështirësive, që për palën tonë i prekim përdit, kanë mundur me të gjitha format, të mbajnë e forcojnë bashkëpunimin, në dobi të edukimit të nxënësve, në shkëmbimin dhe pasurimin e përvojës.
Atdhedashuria dhe patriotizmi shprehen me fjalë, por duken me vepra.
Urime dhe takime të tjera po kaq të bukura e të dobishme.
Përgatiti
Kadri Tarelli
Durrës