Flet Enriketa Kalldrëmxhiu Barbey, nga Universiteti i Gjenevës, Zvicër/
Nga Liliana Pere/Histori Suksesi/
Enriketa Kalldrëmxhiu Barbey është nje grua nga qyteti muze i bukur i Beratit. Ajo tashme ka ndertuar jetën dhe karrierën e saj në universitetin e Gjeneves ne Zvicër.Enriketa eshte krenare per qytetin e saj muze Beratin, qytetin e 1000 dritareve, me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme për nga gjinitë, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, , të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, Në kufijtë e legjendës dhe të historisë, ky vendbanim ka qenë Orestiada e lashtë, i quajtur kështu ngaqë aty banonin një fis i pellazgëve, orestët. Qyteti i mirëfilltë është quajtur Antipatrea nga mbreti Kasandër. Ky është emri i parë i qytetit te Beratit. Pas pushtimit romak ai u quajt prej tyre Albanorum Oppidum (Fortesa e Arbërve). Në shek. V, nën perandorinë Bizantine, u quajt Belgrad– Berati i sotëm.
Profili Enit
Diplomimet Enit , janë përputhur për fat të mirë me pasionet e saj. Pasioni saj , letërsia, bëri të përfundoje studimet e larta në Institutin e lartë pedagogjik « A. Xhuvani » (sot Universiteti « A. Xhuvani ») në Elbasan. Pasioni tjetër (i bashkangjitur letërsisë) libri, bëri të specializohet si Experte Biblioteke në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe më pas të diplomohej dhe dy herë të tjera në fushën e librit dhe të dokumentacionit (këto herë jashtë shtetit).Me pas dashuria per librin dhe letersine behet me e forte dhe ajo shton ne korrikulumin e saj një diplomë të Exp biblioteke Zvicerane dhe një Master në « Inxhinieri dokumentare » në Shkollën e Lartë Kombëtare të Bibliotekave (ENSSIB) në Lyon të Francës.
E Largohet nga Shqipëria se përfiton nga një oportunitet studimesh, pikërisht në Zvicër.
Enriketes i ofrohet një bursë studimi prej 18 muajsh, pikërisht në degën e saj , bibliotekë.
Bursa e Zvicrës I mbaroi, por ajo nuk ishte diplomuar akoma. Kalon në Francë, Lyon ku regjistrohet në një kurs gjuhe në Universitet, dhe fillon pune në bibliotekën e Universitetit Lyon2 per t’u përgatitur në të njëjtën kohë diplomën e Exp.biblioteke ne Zvicrës.
Ajo diplomohet edhe ne Master ne Inxhinieri documentare.
Gjate studimeve si Exp-biblioteke në Zvicër dhe stazhit profesional-biblioteke në Lyon shkruan dy raporte të disponueshëm në bibliotekën e Lyon-it : «Shqipëria në rrjetin e bibliotekave romande (të Zvicrës frankofone)», bibliografi dy vëllimëshe, si dhe «Shqipëria buzë humnere – bibliografi zgjedhëse e artikujve të shtypit rreth krizës shqiptare, evolucionit dhe dyshimet që lindnin prej saj (periudha shkurt-8 korrik 1997».
Tema te intriguara me materiale qe zotëronin bibliotekat e Zvicrës frankofone nga autorë shqiptarë, materiale të botuara në lidhje me shqiptarët dhe Shqipërinë. Numri ishte impresionues. Bëhet fjalë për 1998 dhe vetëm për Kadarenë në këtë rrjet ekzistonin mbi 70 tituj. Ishte një punë-barometër që mbetet e hapur dhe mendoj, që të ndiqet ecuria, barometra të tillë duhen bërë herë pas here, të dhënat duhen aktualizuar, dhe duhen bere te njohura si evidente.
***
Ndiqni bashkebisedimin ju lutem.
***
E dashur Eni. Kujtimet e bukura nga periudha e femijërise se hershme na ben qe përherë te fillojmë, te tregojmë nga femijëria, si periudha më e bukur qe jeton gjithe jetën ne kujtesën e gjithsecilit, c’fare kujtime ruani, përshkruaini shkurt ju lutem ?
-Fëmijëria e hershme? Gjunjët e vrarë nëpër kalldrëmet e lagjes muze « Mangalem » të Beratit(mbiemri im i vajzërisë e justifikon më së miri përkatësinë time kësaj lagjeje). Portën e madhe me një « dorë zonje » përsipër për të trokitur, shkallët e lyera me gëlqere që të lejonin të ngjisje tre katet e shtëpisë së madhe ku jetonin gjyshërit, xhaxhai me familje dhe familja jonë. Deriçkën që dilte në anën tjetër të shtëpisë, por në katin e sipërm dhe që u shkurtonte rrugën komshinjve që jetonin në shtëpitë mbrapa nesh… I tillë është Mangalemi : reliev me karakter të fortë, hahaha ! Do i shtoja akoma kësaj panorameje këmbët si « cingla » prej kalamani që vareshin jashtë shtatë dritareve të dhomës së miqve për të ndjekur së andejmi xhiron e qytetit në bulevardin kryesor…. Minderin e gjatë që lidhte të shtatë dritaret nga brenda dhe mbi të cilin ne, kushërinjtë e shumtë, luanim « kumar » ditëve të Vitit të Ri….
***
– Ju rridhni nga nje familje je e thjeshtë qytetare Beratase zejtare-tregëtare nga babai, dhe bujku nga ana e nënës.Prindërit tuaj ditën vetëm t’u na rrethonin me gjenë e tyre më të çmuar, dashurinë,dhe t’e edukonin nje vajzë te sjellshme dhe studiusese (melhelmi i plagës sëtyre).Mund te sillni ne vemendjen e lexuesve per njohje disa detaje te familje tuaj ?
-Familja ime ishte një familje e goditur nga fatkeqësitë, humbjet njerëzore. Në një intervistë tuajën me prof. pianisten e njohur Nora Cashku, është folur për dhimbjen e saj për humbjen e vëllait në moshën 16-vjeçare. Në familjen time zija i tejkaloi masat : kur isha vetëm 14-vjeç humba babanë, Janin, dhe dy muaj e gjysmë pas tij, vëllanë tim të madh, Sotiraqin në lulen e moshës, 22-vjeç. Pas kësaj, lidhja ime me time ëmë, Vitën dhe vëllanë në jetë, Polizoin, u bënë të pashkëputshme. Nëna ime, mbetur e ve në moshën 42-vjeçare e kaloi pjesën tjetër të jetës duke na u përkushtuar vetëm ne të dyve dhe duke mohuar me ndërgjegje gëzimet në jetë, sikur nuk kishte të drejtë t’i shijonte, përderisa dy të dashurit e saj nuk bënin më pjesë në këtë botë…. Unë u bëra njësh me të. Doja t’i jepja vetëm gëzime me imazhin tim « të përkryer » : vajzë e sjellshme dhe studiusese (melhelmi i plagës së saj). Por dhe grua e civilizuar në të njëjtën kohë për të më kuptuar dhe pranuar shoqëritë dhe miqësitë e mia edhe se i duhej të përballonte ndonjëherë kthimet e mia të vonëta nga koncerte ose aktivitete : « ty të njoh mirë, por ç’do thotë lagjia duke të parë në këtë orë jashtë ? ».
Sot, ajo është 80-vjeç, jeton në Belgjikë dhe ka tre vjet që ka pësuar një AVC (varianti : goditje truri) ; e shfytyruar, ka humbur të folurit dhe dalëngadalë po humbet dhe funksione të tjera vitale. Dhimbja është e fortë, një lloj proteste në vetvete nuk më lë të mos mendoj që nuk e meritonte ajo një « fund » të tillë. Por jeta është e tillë. Mes kësaj fatkeqësie ka fatin të jetojë në familjen e tim vëllai ku gjithë familja, ime kunatë, im vëlla dhe të tre fëmijët që ajo i ka rritur vetë, e trajtojnë me pekulet më të mëdha. Dhe gjthë devotshmëria jonë është e drejtuar në atë që t’i falim sado pak momente « të lumtura » në jetën e saj të përvuajtur…
***
-Ju keni krijuar familjen tuaj ne Zvicër , me nje bashkeshort Profesor,te fërngjishtes qe keni nje mirëkuptim të mirë , kjo ndoshta dhe falë kulturës së madhe që ai ka, tolerancës se tij, per komplekset që kemi ne shqiptarët, tregoni disa episode ju lutem…
-Në vitin 2000 u martova me Michel Barbey dhe kemi dy fëmijë : Davidin 14-vjeç dhe Chloé-n 11 vjeç. Im shoq, Michel Barbey është profesor i frëngjishtes (kur dua të bëj shaka them që e zgjodha për të vetmen arsye që për të avancuar në frëngjishte kisha nevojë për një profesor). Por një profesor që më « pranoi » me nivelin tim të frëngjishtes së asaj kohe dhe që kurrë nuk më « injoroi » për gabimet e bëra. Tolerancë e fortë edhe në gji të familjes. Se po të isha unë në vend të tij (ose ndonjë shqiptar tjetër) do qeshnim pambarim me gabimet gjuhësore të tjetrit. Njeri i pasionuar pas muzikës xhaz, në mënyrë autodidakte u bë kritik i këtij zhanri dhe kontribuon edhe sot në gazetën e Zvicrës frankofone « Le Temps » si kritik xhazi. Falë tij pata rastin të zbuloj këtë muzikë të mrekullueshme si dhe muzikantët më të mëdhenj që nga djepi i këtij zhanri, një pjesë të madhe të të cilëve ai i ka intervistuar. Një episod që dua t’a ndaj me juve : për një ditëlindjen e tij (datë rrumbullake) doja t’i bëja dhuratë diçka të fortë. Me gjithë pasionin e « çmendur » të tij, ai kurrë nuk kishte qenë në SHBA për të ndjekur ndonjë muzikantin e tij fetish. Organizova një udhëtimin tonë (vetëm çifti) në New-York, djepi i dytë e xhaz-it (i pari është ai i New Orleanit). Nuk e merrni dot me mend gëzimin e tij prej fëmije të kalonim netët nëpër kafe-xhaz-et e Manhatanit…. Në gjurmët e të mëdhenjve, vendet mitike të tij. Kulmi arriti me vizitën në shtëpinë e Louis Armstrong, në Queens. Të prekte objektet që atij i kishin shërbyer në jetë, të shihte ambientet ku ai kishte jetuar dhe të ndëgjonte pothuaj të qeshurën e fortë të Armstrong-ut…. Ëndërra e tim shoqi e realizuar….Për të kompletuar « peizazhin », të njëjtën datë rrumbullake për mua e kaluam në anën tjetër të globit, në Rusi, për Shën Peterburgun dhe Moskën.Takimin e kisha vendosur me shkrimtarët e mëdhenj rus, dashuria ime e parë për letërsinë. I gjeta gjithë shkrimtarët e mij, i vura në dekorin që kisha krijuar në kokë, së bashku me personazhet e tyre. Përjetova magjinë e netëve të bardha të Shën-Peterburgut, ashtu siç i kisha përjetuar në leximet e mia të hershm ; u tkura nga çmenduria e madhështisë dhe bukuria e Moskës. Pushkini, Dostojevski, Tolstoi, Cehovi, Gorki, ishin me ne gjatë kësaj kohe…Akoma falë tim shoqi, pasionit të tij për kinemanë, mbusha boshllëqet e mia kinematografike të periudhës komuniste. Me fillimet e kinemasë botërore, të asaj pa zë e deri tek artistët më të mëdhenj holliwoodianë, që ne vetëm emrat ua kishim dëgjuar tek-tuk asaj kohe….
***
-Sa Shqiptarë ndihen fëmijet tuaj te lindur ne Zviër dhe cfarë ndjenje atdhedashurie keni percjellë tek ata ?
Për një gjë që ndihem krenare : fëmijët tanë.Janë shumë të lidhur me Shqipërinë, aq sa e konsiderojnë veten shqiptarë më parë dhe pastaj zviceranë. Këtë vit ata morën dhe nënshtetësinë shqiptare, por kjo përkatësi ka filluar që prej disa vitesh, sa që dhe nëpër profilet e tyre në rrjetet sociale ata venë si origjinë, përkatësi atë shqiptare dhe jo zvicerane.
***
–E dashur Eni. Berati qyteti muze , qyteti juaj i lindjes qe ju bën nostalgjike,dhe jeta vazhdon ne Gjeneve qyteti ku jetoni, cfare kufiri dhe diference ekziston në mendimet dhe sensibilitetin tuaj ndermjet Beratit dhe Gjeneves. Sa jeni e lidhur me qytetin tuaj ngelur ne kujtesë qytet i bukur i 1000 dritareve ?
Qyteti i Beratit është ngritur fillimisht si kështjellë, në krahun e djathtë të lumit Osum para se ky të dalë në fushën e Myzeqesë.
Berati eshte nje qytet muze. Qyteti im i parë – Berati, ku u linda dhe u rrita, u arsimova dhe formova personalitetin tim. Qyteti im i bardhë i një mbi një dritareve…
Qyteti im i dytë – Gjeneva në Zvicër, ku jetoj prej 16-vjetësh. Një nga qytetet më të këndshme, të përmasave njerëzore, që më ka lëshuar me tepër zemërgjerësi një vend në gjirin e tij. Mund të them se ndihem tepër e lidhur tashmë me këtë qytet. Ai ka kaluar në të njëjtin paralel me Beratin, ndaj dhe nuk i ndaj dot më. Në Berat u linda, ai më dha jetën, por në Gjenevë u dhashë jetë të dy fëmijëve të mi.
***
– Diplomimi juaj eshte Gjuhë letersi me sa mësova, por ju keni vazhduar kete linjë , per të qene pranë librave, pë r tu mos u larguar nga letersia dhe per te qene perhere brenda tyre si një menaxhuese e mire culture, dhe dijeje në Zvicer dhe të studioni ne nje fushë që ka të bëje direct me menaxhimin e librave dhe arkivimin dixhital si Exp Biblioteke?
Diplomimet e mija, janë përputhur për fat të mirë me pasionet e mija.Pasioni im, letërsia, më bëri të përfundoja studimet e larta në Institutin e lartë pedagogjik « A. Xhuvani » (sot Universiteti « A. Xhuvani ») në Elbasan.Pasioni tjetër (i bashkangjitur letërsisë) libri, më bëri të specializohem si Experte Biblioteke në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe më pas të diplohesha dhe dy herë të tjera në fushën e librit dhe të dokumentacionit (këto herë jashtë shtetit). Një diplomë të Experte biblioteke zviceran dhe një Master në « Inxhinieri dokumentare » në Shkollën e Lartë Kombëtare të Bibliotekave (ENSSIB) në Lyon të Francës.
***
-Ne karrierën tuaj profesionale keni provuar mjaft veshtirësi në vendin tuaj, duke punuar si mësuese larg qytetit tuaj. Pranuat keto vështiresi se ju ishit e dhëne dhe e donit profesionin tuaj per te mos e ndëruar me punë tjeter?
-Po Liliana .E fillova si mësuese e gjuhës shqipe dhe letërsisë në Qereshnik të Beratit që më bëri të kisha dhe unë « Lulat e mij të vecërr » përgjatë dy vjet e gjysmë… Të bëja dy orë më këmbë ose po të kisha fat të kapja një kamion të punëtorëve të Ndërrmarjes së Bonifikimit që ndërtonin një rezervuar ndonja treçerek ore nga shkolla, të kisha « luksin » dhe të hipja në karrocerinë e kamionit, ku kujtoj me mirënjohje respektin e këtyre punëtorëve « të pashkolluar » por që ngjisheshin me njëri-tjetrin për të na bërë sadopak vend ne dy-tre vajzave mësuese…. Të përdorja « tualetet » e bëra prej thuprash dhe balte jashtë dhomave të mësuesve… Në të njëjtën kohë bashkëpunoja në shtypin lokal dhe atë qendror.
Për këtë, për të qenë sa më pranë « komfortit » të qytetit për të shkruar dhe marrë pjesë në jetën letrare të qytetit, më ofruan mundësinë të punoja si bibliotekare në Bibliotekën e qytetit të Beratit. Gëzimi im ishte po aq i madh sa dhe trishtimi. Mbaroi koha të lija gojë-hapur Lulat e mij të vecërr duke u folur për Migjenin dhe Lulin e tij të vocërr… Momentet që ndava me ta duke u krijuar aktivitete dhe zbavitje që nuk i kishin patur deri atëherë….të shkruaja pjesë të vogla dhe skeçe për t’i interpretuar në festën e Vitit të Ri, si dhe të sajoja kostumet e babagjyshit dhe personazheve të tjerë, në kohën kur pëlhura ishte e rallë në Shqipëri.Në bibliotekë, sot Biblioteka « Vexhi Buharaja », mbuloja sektorin e gjuhëve të huaja.Është e vërtetë që kisha një vend pune të nderuar. Kisha një jetë të mbushur, me një rreth miqsh të kompletuar si letrarë (shkrimtarë dhe gazetarë) si dhe artistë (të artit figurativ dhe muzikal). Periudha më e mbushur e jetës sime : me aktivitete, krijime (sidomos të miqve) dhe ndarje përshtypjesh dhe pikëpamjesh, emocionesh dhe ëndërrash.
***
-Si mund t’i shprehni shkurt, e dashur Eni, disa impresione , sensibilitete që ju ka krijuar diplomimi dhe puna juaj në Universitetin e Gjenevës ?
Nga puna ime në Arkiv, mund t’ju flas për emocione thë thella që kam provuar në lidhje me vendin tim, Shqipërinë : Universiteti i Gjenevës është krijuar më 1559, por në fillim si Akademi. Më 1873 e ka marrë emrin Universitet. Gjatë gjithë jetës së tij, ka qenë prestigjioze të kryeje studimet në bankat e tij. Është impresionuese të shohësh nëpër statistika të fundit të shek. 19, fillimi i të 20-tit, numrin e madh të studentëve të huaj, sidomos të vendeve të Europës Lindore. Dhe emocionet e mia të sipërpërmendura lidhen pikërisht me ata pak emra shqiptarësh që gjenden nëpër këto lista, apo të prek dosjet e tyre…
***
-A jeni ndjerë e mbështetur dhe e vlerësuar në punën tuaj dhe kush jane keta personalitete me vlere ne fushen tuaj ?
S’kam si të harroj vitin e parë të karrierës sime profesionale si, 1986-1987. Festohej 100 vjetori i Mësonjëtores së Parë shqipe. Gjithë Udhëheqja gjendej në Korçë. Gjatë ceremonisë zyrtare, përshëndeti një veteran i arsimit, mesuesi i merituar Kole Xhumari. Nderi e donte dhe një mësues të sapodiplomuar. Pata fatim e madh të flisja në emër të këtij brezi të ri…. Nder i madh për mua (kënaqësi e jashtëzakonshme për time ëmë – siç e kam përmendur më lart). Nuk do e harroj kurrë Korçën e 100-vjetorit, 7 marsin 1987
***
-Kur jeni larguar nga Shqipëria ? Cilat ishin arsyet tuaja ?
E lashë Shqipërinë më 1 nëntor 1996 jo me mendimin se nuk do kthehesha më. Unë e lashë Shqipërinë se përfitova nga një oportunitet studimesh, pikërisht në Zvicër. M’u ofrua një bursë studimi prej 18 muajsh, pikërisht në degën time, bibliotekë. Kur dhashë datën e ikjes nga Shqipëria, për të realizuar se pikërisht dy-tre muaj pas ikjes sime filloi kriza e Shqipërisë, e ‘97ës. Dëgjoja krismat e armëve të Beratit nëpërmjet telefonit dhe drama e kombit më shndërrohej në një ankth të pashlyeshëm, që e kalova dhe tek kolegët e mi të parë nëZvicër, atyre të Bibliotekës kantonale të Sionit, ku kryeja stazhin profesional. Në vazhdim të krizës, familja ime mundi ta linte Beratin « për të shpëtuar kokën », sidomos fëmijët e vegjël të tim vëllai. Pas kësaj, pyetja ime për t’u kthyer në Shqipëri nuk shtrohej më.
***
-E pastaj vazhdimi… ? Suksesi, ruga në vazhdim përshkon … ?
Për vazhdimin mund të fus vështirësitë e miamë të mëdha, por dhe arritjet e mia të të mëdhaja gjithashtu.
Bursa e Zvicrës më mbaroi, por nuk isha diplomuar akoma. Kalova në Francë, Lyon ku u regjistrova në një kurs gjuhe në Universitet, gjeta ca orë pune në bibliotekën e Universitetit Lyon2 dhe përgatisja në të njëjtën kohë diplomën e bibliotekarit të Zvicrës. Tre ngarkesa në të njëjtën kohë, merreni me mend sa e vështirë. Unë u hyra studimeve në frëngjisht duke mos zotëruar mirë gjuhën. Por pata kurajon të bëja edhe Master ne Inxhinieri documentare.
Gjate studimeve si Eks-biblioteke në Zvicër dhe stazhit profesional-bibliotekar në Sion shkruajta dy raporte të disponueshëm në bibliotekën e Sion-it : «Shqipëria në rrjetin e bibliotekave romande (të Zvicrës frankofone)», bibliografi dy vëllimëshe, si dhe «Shqipëria buzë humnere – bibliografi zgjedhëse e artikujve të shtypit rreth krizës shqiptare, evolucionit dhe dyshimet që lindnin prej saj (periudha shkurt-8 korrik 1997».
Për temën e parë isha e intriguar të dija se çfarë zotëronin bibliotekat e Zvicrës frankofone nga autorë shqiptarë, materiale të botuara në lidhje me shqiptarët dhe Shqipërinë. Numri ishte impresionues. Bëhet fjalë për 1998 dhe vetëm për Kadarenë në këtë rrjet ekzistonin mbi 70 tituj. Ishte një punë-barometër që mbetet e hapur dhe mendoj, që të ndiqet ecuria, barometra të tillë duhen bërë herë pas here, të dhënat duhen aktualizuar.
***
-E dashur Eni.Ne vitin ’97 për arësyet qe dihen tashmë, niset kërkimet dhe ratë në kontakt me Shkollën e Lartë Kombëtare të Bibliotekave (ENSSIB) në Lyon të Frances, ku bëtë Masterin në «Inxhinieri dokumentare», një shkollë prestigjioze në degën tuaj në plan botëror, me tej ?
Masterin e kryeva në vitin 2000. Masteri në atë kohë ishte i ri; në Zvicër egziston vetëm këto pesë-gjashtë vitet e fundit. Në shkollë u mora me praktikat dixhitale, duke marrë pjesë edhe në programin europian «DEBORA» (Digital Acces to Books of Renessance) të dixhitalizimit të librave të shek. 16-të.Puna e dytë, lidhet drejt për drejt me krizën shqiptare të ’97. Punë më konkrete. Përgjatë 5-6 muajve që zgjati kriza e ’97 (të paktën për aq sa e trajtoi shtypi zvicera frankofon), shfletova të gjitha gazetat e përditshme që botoheshin në Zvicrën frankofone (rreth 7-8) dhe bëra një lloj «iventari» të të gjithë artikujve në lidhje me Shqipërinë e asaj periudhe. Ky lloj studimi, i mbyllur, është me tepër vlera, një pasqyrë e asaj se si u përjetua në këtë pjesë të Zvicrës kjo krizë për një sy shqiptar apo të huaj. Pothuaj çdo ditë kishte artikuj në shtyp rreth gjendjes, dmth bota perëndimore merrej seriozisht me ne shqiptarët, në një kohë që ne kishim nevojë për një «syçkë».
Për të dy studimet, di që i kam dërguar Ambasadës së Shqipërisë në Bernë, ambasador në atë kohë ishte z. Vladimir Thanati, që kishte punuar para meje në bibliotekën e Beratit. Ishte pak dhe kjo nostalgji beratase që më shtyti t’ia dërgoja. Di dhe se njërën, apo të dyja (nuk më kujtohet mirë) ia kam dërguar Bibliotekës Kombëtare, drejtorit të saj, z. Aurel Plasari. Nuk e di në u futën në fondin e bibliotekës, apo mbetën në fondin e zyrës. Temat e trajtuara në dy punimet ishin kombëtare, ndaj synova Bibliotekën Kombëtare.
Në shkollë u mora me praktikat dixhitale, duke marrë pjesë edhe në programin europian «DEBORA» (Digital Acces to Books of Renessance) të dixhitalizimit të librave të shek. 16-të. Realizim i raportit të stazhit « Libri i shek. 16 në agim te dixhitales », i disponueshëm në bibliotekat e Francës dhe Zvicrës Në këtë program përfshiheshin sidomos bibliotekat më të njohura e më të vjetra të Europës (Biblioteka Casanatense, Rome, Universiteti i Coimbra-së, Portugali si dhe biblioteka municipale e Lyon-it, France me trashëgimi të rrallë të librave « të parë = incunabla», të shek. 16, shekull që shpiku Shtypshkronjën më 1450 nga Gutemberg-u. Gjithë ky projekt u mundësua për t’iu shërbyer sa më mirë shkencëtarëve-kërkues dhe doktorantëve në mbarë botën, për të çuar këta libra të lashtë të dixhitalizuar tek ta dhe për të « kursyer » zhvendosjen fizike të tyre drejt këtyre bibliotekave që zotëronin librat origjinalë. Si dhe për të “kursyer” origjinalin në të njëjtën kohë… Mendoni, nëse shumë duar do shfletojnë faqet e këtyre librave të lashtë, tashmë pesë shekullorë, do i dëmtojnë, kështu që do shkojmë drejt zhdukjes së kësaj trashëgimie botërore për brezat e ardhshëm…
***
E dashur Eni. Desha te di , para se të angazhoheshit në projektin Debora, kishit investuar me kërkimet për logjicielat-software-t, (programme informatike) për dixhitalizimin e librave të vjetër ? Arkivi i hapur si koncept pas Deklaratës së Berlinit për disponimin e lirë të informacionit shkencor u vu në prodhim më 2008 dhe dokumentat e para në version elektronik, dicka më tepër ju lutem rreth dixhitlizimit të Bibliotekave ?
-Kur kandidova në janar të 2002 në vendin e punës që kam, kam përshtypjen se pata prioritet mbi kandidatët e tjerë nga profili që kisha krijuar. Direkt e fillova me tezat, një projekt dixhital që sapo kishte lindur në Universitetin e Gjenevës. E përdor gjithmonë imazhin e bebes që e gjeta të sapolindur, por që e ushqeva me gji. Ishte momenti që sapo kisha lindur fëmijën e parë dhe e ushqeja me gji gjithashtu. Kështu që u shndërrova dhe në « nurrisë » (gruaja që ushqen me gji bebe të tjera, si tradita në familjet mbretërore). Në atë kohë Arkivi i Hapur i universitetit nuk ekzistonte akoma. As edhe në vendet e tjera.Per arkivin elektronik te hapur ne 2008 si version bu desh vetëm një transferim drejt Arkivit të hapur. Më pas Arkivi u pasurua nga gjithë prodhimtaria universitare : artikujt e profesorëve dhe kërkuesve, librat e gjithshka tjetër. E përditëshmja ime profesionale konsiston në publikimin e tezave të doktorantëve të Universitetit të Gjenevës (rreth 300 teza çdo vit). Kësaj pjese i kushtoj vetëm një ditë e gjysmë pune (30 %). Pjesën tjetër, dy ditë të plota (40%) ia kushtoj Arkivit administrativ të Universitetit. Për këtë pjesë të dytë të punës, dmth Arkivin administrativ, jam e ngarkuar që përveç punës së përditshme, të reflektoj për atë se ç’mund të dixhitalizojmë nga masa e dokumentave zyrtare që prodhon universiteti. Si të gjejmë një zgjidhje për të shpëtuar një kopje të atyre dokumentave që krijohen vetëm në format elektronik dhe rrezikohen të humbasin duke mos u arkivuar.
***
Bilanc jete, Mesazh, Falenderim Enriketa
Nëse këtë herë do hidhja sytë pas për të kaluar në « intervistë » jetën time, do të thoja : një jetë e arritur (jo me pak sakrifica), grua dhe nënë e realizuar në planin profesional dhe atë familjar. Një individ që mbart me nder dhe krenari origjinën e saj (shqiptare) për të treguar sa përkatësinë e këtij kombi, aq dhe përkatësinë zejtare për ata që e marrin mundimin dhe pyesin kuptimin e mbiemrit « Kalldrëmxhiu », në zemër të një nga qendrave më internacionale në botë, Gjenevës.
Si përfundim, me këto pak rreshta do doja të falenderoja Organizatën e Gruas Shqiptare në Botë dhe në mënyrë të veçantë Presidenten e saj, Zonjën e nderuar Liliana PÈRE për gjithë kontributin e jashtëzakonshën në realizimin e misionit të saj, për të treguar që emancipimi i një shoqërie kalon nëpërmjet emancipimit të femrës dhe për të sjellë raste konkrete të zonjave « të emancipuara » shqiptare në mbarë botën. Mund të frymëzohemi sado pak nga këto arritje ???
Ju faleminderit për besimin dhe vendin që më krijuat në këtë galeri shembujsh të realizimeve të femrave shqiptare në Botë.
***
Liliana
Ju faleminderit e dashur Enriketa, jeni nje frymezim dhe inspirim , për arritjet tuaja të spikatura ne nje fushë qe eshte baza e njohurive dhe kulturës , dhe krijimit te gjeneratave elitare, Suksesi juaj profesional ne vendin më te zhvilluar dhe me ekonomine me te konsoliduar ne bote Zvicer, na bën krenare, qe ne nje vend si Zvicra ju bëni pune cilësore ne Universitet duke ecur sinkron me kohen ‘’Exp Biblioteke dhe Arkivimit dixhital të saj , kryefjala e fundit e shkencës elektronike në fushen tuaj te Letërsise dhe Librit, dhe në te gjitha fushat e tjera .
Ju faleminderit Eni dashur për komunikimin e ngrohtë dhe dinamik.Ju uroj Suksese nga zemra .
Liliana Pere
Ing Informatic
President: International Organization.
” Albanian Woman in the World
Peace Missionary & Honorary Advisor of DMPP