Shkruan: Fadil LUSHI/
Disa ditë më parë rastisi të jem “dëshmitar i paftuar dhe i heshtur” i një zënke, gjegjësisht i një “rebelimi” mes dy shqiptarëve. Njëra ishte femër a motër shqiptare, mësuese në detyrë, ndërkaq tjetri ishte me gjini asnjanëse-as mashkull as femër, as mish as peshk, as shehërli e as fshatar? Asnjëri prej protagonistëve të kësaj “grindjeje” nuk i kishte hallet, sikletet, qasjet, shijet e as sjelljet e njëjta. Karakteret e tyre ishin diametralisht të kundërta. Se ç’m’u desh të dëgjoja llafet e tyre, sot e kësaj dite s’ma pret fiqiri. Megjithëkëtë, kjo më provokoi që këtë “sherr” ta marr për kryefjalë të shkrimit në vijim. Nëse neve do na lejohej ta qëndisim këtë vështrim, atëherë do të bëjmë çmos për të mos marrë taraf, respektivisht nuk do ta avancojmë, nuk do ta kritikojmë e as nuk do ta lavdërojmë asnjërën palë, ndaj shpresojmë se këtu nuk do të ketë vend për ndonjë karakterizim diskriminues a diskreditues.
Shkëmbimi i mendimeve ndërmjet tyre u duk që në fillim se ishte jomiqësor, për faktin se këmbë e krye ishte e përmbytur me “qytetari, provincializëm, me inate, me xhelozi dhe me ca shaka me thepa që sjellin më shumë “zarar se qar”. Kjo motra a zonja e nderuar sikur donte në atë “komunikim linguistik” të zbulojë a të sheshojë pezmin e saj ndaj gjithë asaj që nuk bënte në profesionin e saj, përkatësisht në arsimin shqip, këtu e gjetiu; sikur donte ta shprehte gjithë atë nostalgjinë e saj të trishtë sa u përket mësuesve të dikurshëm që sot nuk duken më këtejpari. Sikur donte që bashkëbiseduesit t’i sugjeronte se dikur moti gjyshi i saj, që kur kishte zbarkuar në kasabanë e Tetovës (në vitet e gjashtëdhjeta), kishte hapur librarinë e parë popullore (shqipe). Sikur donte t’i thoshte: Ti, zotërote, të lus më kurse dhe mos më fol për kulturë, për arsim dhe për aristokraci, më lër të qetë, sepse këto virtyte të larta morale, i kam trashëguar nga gjyshi dhe prindërit e mi, në vaktin kur soji e sorollopi yt i shkonin pas cjapit të egër! Të lus, mos ma ngacmo kureshtjen a dëshirën time për të mësuar diç më tepër për ty…, më lër rehat që këtë trashëgimi ta ruaj me xhelozi dhe me atë fanatizëm të rrallë, një trashëgimi të ngarkuar me plot humanizëm, mirësi si dhe me altruizëm.
Kjo motra jonë e nderuar, sikur donte ta qortonte edhe më tej bashkëbiseduesin e saj të kompleksuar fund e majë, sikur donte t’i bërtiste e t’i thoshte: pse ti, vëllaçko, për “qytetari të rreme” hoqe dorë me aq lehtësi nga të qenët fshatar, pse hoqe nga mendja fisnikërinë e saj, pse nga higjiena e mendjes aq fare kollaj hoqe burrërinë, mikpritjen bujare, të ngrohtë, të përzemërt, vëllazërore dhe të thjeshtë të saj. Po ti, vëllaçko, ç’të duhet që për hir të një “qytetarie dhe aristokracie të shtirur”, ashtu për qejf, të shkelësh a të përbuzësh vendin ku ke lindur…, bukuritë e jetës në fshat!? Kjo motra jonë, mësuese në detyrë, sikur donte t’i thoshte bashkëbiseduesit të saj se aristokracia po dhe qytetaria e tij virtuale është një element i rrezikshëm, nëse me të do të mëtosh të ushtrosh pushtetin dhe ta zaptosh kryeminderin e saj, është edhe më i rrezikshëm, nëse gjithë këtë imagjinatë do ta “shndërrosh në besim dhe në bindje të verbër”!?
Motrës sonë si duket i doli pushka huq, sepse me gjithë përpjekjet për ta bindur vëllaçkon e saj, nuk ia doli dot…, nga fakti se bashkëbiseduesi mezi i shqiptonte fjalët, mezi ia ndiqte mendimet, jo pse i mungonte kjo dhunti e të shprehurit e të dëgjuarit, por pse “gojën e kishte plot me kikirikë”, se ashtu dhunshëm e detyronte motrën a zonjën e nderuar ta duronte arrogancën e dërdëllitjeve të tij të pafund. Dhe, në vend që t’i saktësonte mendimet, ai përkundrazi i ngatërronte ashtu njësoj si leshi i arapit…, në vend që të “kuronte kompleksin e të qenit provincial” ai, përkundrazi e ushqente atë të paqenë…, sikur turpërohej nga identiteti i tij, nga prejardhja a nga origjina e fisit, nga vendlindja etj. E gjithë kjo të krijon përshtypjen se puna e këtij “provincialisti” është si ajo batuta gjirokastrite: “…, e dini ç’e gjeti gomarin kur u mundua të pjerdh sa kali? Iu shqye b…”! (Besoj se lexuesit do më ndjejnë për këtë batutë)
Nëse do më lejohet, këtë shkrim do ta mbyll duke iu referuar një shpjegimi që e kishte bërë një mik yni (Salih Kabashi) në lidhje me një mesele nga vakti i ish-Jugosllavisë: “Një gazetar me nam i kishte kërkuar një intervistë Branko Mikuliqit, kryetarit të atëhershëm të Këshillit Ekzekutiv Federativ dhe ky ia kishte dhënë pa hezitim. Duke dashur që ta nderonte gazetarin, ai e gostit me një drekë dhe pas dreke e fton gazetarin që bashkërisht të “çlodhen” në një pishinë qeveritare. Dreka u hëngër, kafet u pinë…, u lanë dhe u kënaqën. Pastaj u shtrinë krah njëri-tjetrit. Ashtu duke ndenjur e duke bërë llaf, Brankoja po i shikonte vjedhurazi herë shputat e veta dhe herë shputat e gazetarit. Këmbët e veta i shihte të shtrembëruara dhe gishtat të gjithë çatall, me thonj të deformuar e keqas të çakorduar. Këmbët dhe shputat, lëkura dhe gishtat e gazetarit përbri i shihte me xhelozi, sepse ishin në rregull, të pathyer e të hijshëm. Nuk u durua Brankoja, nga katundi Pogragjë i Bugojnos, dhe e pyet mysafirin e tij: – Shoku…, po shikoj këmbët e tua dhe po shikoj këmbët e mia, po shikoj shputat tona. Shiko si janë të miat dhe shih si janë tuat. Pse është kështu?- Nuk e di, thotë gazetari zagrebas. Ndoshta pse në familjen tonë ka më shumë se një shekull që mbathen këpucë. Maloku, kryetar qeverie, nuk e kishte zgjatur muhabetin më tutje. I pikëlluar për mungesë të sadopak aristokracie për biografinë dhe veten e tij, çartaqejfas dhe jo pa siklet duke e parë veten fare thundrakë, i tha rrugë të mbarë zagrebasit!”
Mendjendriturit a ata me mendjen femër mbase mund të thonë se nuk duhet të heqësh mendjen nga prejardhja a origjina, pavarësisht se ky shpjegim i lartpërmendur mëton të diskreditojë a të diskriminojë bashkëbiseduesin e motrës a mësueses sonë në detyrë. Nga ana tjetër, ata që e njohin këtë shpjegim do të thonë se shumë kohë më vonë regjimi titist aristokracinë e familjes së gazetarit nga Zagrebi, ashtu pamëshirshëm, e kishte masakruar dhe denigruar dhe njëkohësisht ia kishte zaptuar të drejtën e shpalosjes së gjenealogjisë së familjes së tij! (Ashtu siç komunistët dhe harresa e turmës provinciale e shuan dhe e ekzekutuan me përpikëri, njëherë e përgjithmonë, aristokracinë e familjes prej mësuesi të motrës sonë!)
Se si kishte përfunduar ai “shkëmbim i lirë mendimesh ndërmjet protagonistëve në fjalë”, unë sot e kësaj dite nuk gjeta ndonjë provë. Një gjë e di, aristokracia e saj prej mësueseje është e vërtetë në krahasim me atë të bashkëbiseduesit që ishte i sajuar a i imagjinuar!