–Reflektime nga leximi i romanit të shkrimtarit Shpend Sollaku Noè “Filius Hostis ovvero Il figlio del nemico” (“Biri i armikut”) –
Nga Nini Mano/
Romanin e fundit të sapobotuar nga Shpend Sollaku Noe, shkruar në gjuhën italiane “Filius Hostis ovvero Il figlio del nemico” (“Biri i armikut”) e lexova me një frymë. Në të ka aq shumë Berat, aq episode, që brezi që u rrit në Shqipërinë komuniste i ndjeu në cdo hap, duke humbur aq shumë jetë lirie.
Kanë kaluar 30 vjet nga rënia e shtetit komunist dhe ne, dëshmitarët e asaj periudhe të përfshirë në përditshmërinë tonë, në luftën për jetesë, i kujtojmë shumë pak, pse jo, edhe aspak. Dhe kështu, si padashje, jemi duke bërë gabimin e madh, sepse një histori që harrohet, rrezikon rikthimin akoma dhe më të egër të pasojave të atij sistemi, që na dëmtoi përditë e ngapak. Por ja që ka disa shkrimtarë si Shpend Sollaku Noè, që i risjellin të gjalla, të dhimbshme, që përveçse na prekin kujtesën tonë, na bën të mundur arsyetimin se çdo gabim dhe krim, jetuar aso kohe, duhet të rithuhet me zë të lartë. Historia e popullit tonë që ka kaluar në periudha të dhimbshme, pikërisht tek harresa e ka tragjizmin e vet. Kështu ka ndodhur ndër shekuj dhe nëse do të vijojë njëlloj, ripërsëritjet nuk do të vonojnë.
Romanin “Biri i armikut” po e quaj roman-ditar jete, një kronologji qytetare, sepse autori ja ka dalë të ngërthejë fort dhe bukur copëza jete, ndjesi të asaj kohe, pasqyruar në jetë të ndryshme personazhesh. Në cdo faqe që lexoja, sikur jetoja ditët tona të asaj kohe në Berat, ku gjithcka zjente nën rrogoz, ndërsa kujtime shoqesh dhe shokësh që vuajtën, më erdhën para syve.
Mosdhënia e një të drejte studimi në shkollën e lartë aso kohe, ishte nisja e dënimeve për atë që goditej. Për një të ri 18 vjecar, ishte nisja e periudhës së frikës, përndjekjes, revoltës dhe dënimit të pashmangshëm. Kështu ndodhi me Venetik Kazazin, personazhi kryesor në roman, rreth të cilit përsillen fate të tjerë djemsh e vajzash, familjet e të cilëve jetuan përndjekjet politike dhe dënimet e formave nga më të ndryshmet. Ai sistem këtë kishte qëllim: të ngulte frikën që të tulateshe, të mos ngrije zërin ndaj padrejtësive, përndryshe, dënimin e kishe mbi kokë.
Shkrimtari Shpend Sollaku ka përfshirë shumë aspekte të asaj periudhe dhe ja ka dalë. Kronologjia e kohës përfshin rininë më të pafajshme të moshës 17-18 vjeçare, që përballet me mungesën e të drejtës për ta jetuar jetën siç i takon. Çdo përpjekje prindërore për t’ia arritur një të drejte të tillë në roman përshkruhet me shumë gjallëri faktesh mes mundjes dhe pamundjes, mes një injorance të verbër krejtësisht deri lart në Byronë Politike, deri tek udhëheqësi satrap i kohës, ku më së shumti, gjithcka varej nga humori i zgjimit në mëngjes të tij. Sado që ka dhe skena sarkazme në këtë drejtim, revolta e mungesës të së drejtës, mbizotëron teksa lexon faktet e tilla.
Kushdo që ka provuar mosdhënien e të drejtës për studimet e larta, e ndjen në kockë atë dhimbje, që nuk ikën. Kam qëlluar në biseda me personazhe të tillë gjatë këtyre viteve, që ndonëse ja kanë dalë të bëhen të suksesshëm pas 90-tës në jetë, plagën e mosdhënies së të drejtës së studimit e kanë një plagë që pikon dhimbje shumë fort edhe sot e kësaj dite. Sepse askush nuk mund ta pranojë se dallimi mes të aftit dhe të paaftit që përfitonte shkollimin e lartë vetëm falë biografisë së “mirë” për sistemin komunist, përbën një padrejtësi që nuk harrohet. Dhe në një moshë 18 vjeçare, kushdo që e pati këtë fat, në fakt u bë më vëzhgues dhe kritik për sistemin politik, sepse gjykon cdo veprim që rëndon të ardhmen. Por përvec tyre, në roman përfshihen dhe një kategori tjetër të rinjsh, kryesisht nga familje pa anëtarë partie, të cilëve u jepej e drejta e studimit për degë që nuk i kërkonin, edhe pse mund të ishin fatlum. Por në këtë kategori futeshin dhe bij komunistësh, për të cilët sistemi i kohës kishte kategorizimet e veta, sepse jo të gjithë kishin të njëjtën devotshmëri bindjeje ndaj shtetit.
Për vajzat që mbeteshin pa studimet e larta, puna me turne në fabrika ishte e ardhmja, ku zhgënjimet edhe nga dashuri të pamundura, shkatërronin jetët. Ndërsa për djemtë, vinin tre vitet e detyrueshme në ushtri dhe personazhit të romanit i ra t’i bënte në ishullin e Sazanit, vendi-burg i vërtetë i sigurisë së lartë. Por me dallimin që ndërsa burgjet në tokë rrethoheshin me tela, burgu i ishullit ishte rrethuar me ujra të pakapërcyeshme. Për më shumë, largësia e detyrueshme dhe e kontrollueshme nga radarët, krijonte një mbytjeje të shpirtit, gati pa u kuptuar. Kushdo që ka kryer ushtrinë aso kohe, e di mirë se ato tre vjet përbëjnë humbjen e një periudhe të shtrenjtë të jetës, ku kuptoje se duhet të përballoje një “armik imagjinar” tek mendja e sëmurë e udhëheqësit, që nuk mbrriti kurrë në prag. Por nga ana tjetër, sistemi komunist duke zgjedhur këtë lloj rruge, forcoi vëzhgimin pas jetesës dhunuese dhe arsyetimeve mes ushtarëve, që përgjithësisht vinin nga shtresat e dënuara nga politika komuniste, për një botë qesharake imagjinare, ku lufta bëhej gati me mullinjtë e erës.
Duke lexuar këtë roman me titullin domethënës “Biri i armikut” , njeh aspekte të jetës së asaj shtrese të dënuar, ku dhimbja nuk shkëputej nga e përditshmja me aq shumë fate tragjike të personazheve të ndryshëm. Secili prej tyre përbën një histori dhimbjeje, që ngushtonte hapësirat e jetës. Sepse askush sot nuk mund ta kuptojë se si vepronte Sigurimi i shtetit me grupmoshën e 20-vjecarëve për t’i tërhequr në veprimtari spiunllëku tek shokët dhe shoqet e ngushtë. Ne që e jetuam atë kohë, pas viteve 90-të kemi mësuar aspekte të ndryshme, kur shoqja, apo shoku i klasës, kryesisht bij komunistësh, që u përfshinë në këto veprimtari, na spiunonte ne, pa ditur gjë. Ndër ta, edhe nëse gjendej ndonjë që guxonte ta shprehte nën zë këtë fakt, vetëm rriste pasigurinë dhe frikën.
Romani “Biri i armikut” përbën tërheqje për tre kategori lexuesish. Së pari për brezin që e jetoi atë kohë me aq shumë pengesa lirie, ku mosha e rinisë piqej dhe ndryshej pa kuptuar asgjë nga jeta që ikte. Për të rinjtë e sotëm ky roman përbën një mundësi për të njohur marrëzitë e asaj jete , që ndrydhte gjithcka dhe për të kuptuar se sistemet diktatoriale pjellin vetëm krime dhe fatkeqësi njerëzore me mungesën e lirisë. Në grupin e tretë përfshij të huajt, të cilët përmes këtij romani, mund të njohin jetën në një shtet të vogël në jug të Europës, ku jeta mbyllej me një ndrydhje të frikshme, të trembur nga gjithcka.
Besoj se ky roman duhet të përkthehet edhe në gjuhën shqip, si njëmundësi rikujtese për një sistem që shkatërroi njeriun dhe fatet e secilit prej nesh.