-Në takimet e veçanta me presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Isa Mustafa dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, anëtarët e delegacionit të Parlamentit Evropian dhanë vlerësimet dhe sugjerimet e tyre për proceset që lidhen me zbatimin e MSA-së dhe zhvillimet tjera, duke shprehur përkrahjen e tyre për Kosovën në këtë rrugë.
–Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, mbërrinë në Kosovë, ku nesër merr pjesë në sesionin e fundit të Komisionit Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim, ndërsa në axhendë ka edhe pjesëmarrjen në hapjen e konferencës “MSA – Stimulimi i zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës”, si dhe takimet me drejtuesit më të lartë institucionalë e politikë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Maj 2016/ Në Prishtinë, në sallën plenare të Kuvendit kosovar, nisi sot pasdite mbledhja e parë e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, e cila do vazhdojë edhe nesër.
Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, mbërrinë në Kosovë, ku nesër merr pjesë në sesionin e fundit të Komisionit Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim, ndërsa në axhendë ka edhe pjesëmarrjen në hapjen e konferencës “MSA – Stimulimi i zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës”, si dhe takimet me drejtuesit më të lartë institucionalë e politikë.
Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, e cila po vazhdon punimet, po merr pjesë delegacioni i Parlamentit Evropian, kryesuar nga Tonino Picula, ku janë edhe zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, si dhe europarlamentarët Dubravka Suica, Tanja Fajon, Jozo Rados, Georgios Kyrtsos dhe Julie Ward.
Pjesëmarrës janë edhe liderë institucionalë të vendit, ndërsa në takimet e veçanta me presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Isa Mustafa dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, anëtarët e delegacionit të Parlamentit Evropian dhanë vlerësimet dhe sugjerimet e tyre për proceset që lidhen me zbatimin e MSA-së dhe zhvillimet tjera, duke shprehur përkrahjen e tyre për Kosovën në këtë rrugë.
Krerët e shtetit kosovar kanë shprehur mirënjohje për Parlamentin Evropian për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe për besimin e patundur në institucionet dhe qytetarët e Kosovës dhe në orientimin e tyre evropian.
I krijuar në Kuvendin e Kosovës, para më shumë se një muaji Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim ka mbajtur mbledhjen e tij të parë – konstituive, ku miratoi Rregulloren e Punës, si dhe draftaxhendën e takimit të sotëm të parë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, Kosovë-BE.
Këtë vit, në 1 prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008.
Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian është miratuar në 10 mars 2016 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
AXHENDA E MBLEDHJES SË KOMISIONIT PARLAMENTAR PËR STABILIZIM ASOCIIM (KPSA), BE-KOSOVË:
Të hënën, më 16 maj 2016, në orën 16:00-18:30, në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit të Kosovës.
Të martën, më 17 maj 2016, në ora 9:00-12:30, në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit të Kosovës.
R E N D I I D I T Ë S
Për të hënën, 16 maj 2016, 16:00-18:30,
1. Miratimi i rendit të ditës;
2. Miratimi i draft Rregullores së Punë së KPSA-së;
3. Gjendja e marrëdhënieve BE-Kosovë;
4. Dialogu politik dhe funksionimi i institucioneve demokratike;
5. Marrëdhëniet me fqinjët dhe bashkëpunimi rajonal, duke përfshirë dialogun e lehtësuar mes Kosovës dhe Serbisë nga BE-ja;
6. Zhvillimi ekonomik në lidhje me sundimin e ligjit, përfshirë luftën kundër korrupsionit.
Për të martën 17 maj 2016, 9:00-12:30
7. Fuqizimi i rinisë dhe anti-radikalizmi;
8. Dialogu social, shëndetësia dhe arsimi;
9. Mbrojtja e të drejtave të njeriut, në veçanti të grupeve vulnerabël dhe e pluralizmit të mediave;
10. Miratimi i rekomandimeve;
11. Çështje të tjera;
12. Data dhe vendi i takimit të radhës së KPSA-së.
PRESIDENTI THAÇI: PËR KOSOVËN ËSHTË HAPUR NJË KAPITULL I RI EVROPIAN
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim një delegacion të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, të kryesuar nga eurodeputeti Tonino Picula, të cilët i falënderoi për vizitën e tyre, duke thënë se për Kosovën është hapur një kapitull i ri evropian.
“Ky është vit evropian, është një bazë e fuqishme për shtetin tonë, duke filluar nga miratimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, fillimi i zbatimit të saj, si meritë dhe punë e institucioneve të Kosovës, gjithnjë duke pasur parasysh obligimet e reja implementuese”, ka thënë presidenti Thaçi.
Thaçi shprehu mirënjohje për Parlamentin Evropian për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe për besimin e patundur në institucionet dhe qytetarët e Kosovës dhe në orientimin e tyre evropian.
I pari i vendit theksoi se kulmi i këtij suksesi është arritur me përmbushjen e të gjithë kritereve për rekomandimin për liberalizimin e vizave, me ç’rast u zotua se edhe si President i Kosovës do të mbetet i përkushtuar për kryerjen e të gjitha obligimeve që të ndodhë liberalizimi sa më shpejt të jetë e mundur, duke përfshirë grupet e veçanta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
“Këto ditë janë pozitive për Kosovën edhe për sa i përket anëtarësimit të shtetit tonë në UEFA dhe FIFA, prandaj po ndodhin hapa të rëndësishëm për të ardhmen evropiane dhe për integrimin e Kosovës në të gjitha institucionet ndërkombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi.
Në këtë takim u diskutua edhe për pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, me ç’rast presidenti Thaçi tha se Kosova vazhdimisht po ofron argumente edhe më bindëse për Spanjën, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron që të kompletohet njohja evropiane e Republikës së Kosovës.
“Kosova ngulmon për zbatimin e të gjitha kritereve dhe reformave demokratike, qoftë në legjislacion, ekonomi apo në politikë, dhe se do të vazhdojë dialogun e brendshëm, sidomos tani pas rikthimit të normalitetit në funksionimin e institucioneve të vendit”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se Kosova do të vazhdojë dialogun me Serbinë, me theks të posaçëm në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, si dhe do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha fenomeneve të tjera negative.
Për ta bërë këtë, presidenti Thaçi ka thënë se ka iniciuar edhe ndryshimin e Kodit Penal, sepse janë vërejtur disa boshllëqe në sistemin prokurorial, gjyqësor apo të qendrave korrektuese dhe se vendi mbetet i përkushtuar për reformën elektorale.
MUSTAFA: MSA-JA, BAZA KONTRAKTUALE E KOSOVËS EVROPIANE
Marrëveshja për Stabilizim Asociim është baza kontraktuale e Kosovës evropiane, tha sot kryeministri Isa Mustafa. Ai priti në takim delegacionin e Parlamentit Evropian, i cili do të marrë pjesë në takimin e Komisionit Parlamentar BE-Kosovë për Stabilizim Asociim, duke nisur sot pasdite dhe nesër në Prishtinë.
Në kuadër të këtij delegacioni, të kryesuar nga Tonino Picula, ishin zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, europarlamentarët Dubravka Suica, Tanja Fajon, Jozo Rados, Georgios Kyrtsos dhe Julie Ëard.
Kryeministri Mustafa i njoftoi për progresin në Kosovë, me theks të posaçëm në zhvillimin ekonomik, në proceset eurointegruese dhe anëtarësimin e vendit në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare.
Duke veçuar rëndësinë që ka për Kosovën hyrja në fuqi e MSA-së, kryeministri Isa Mustafa tha se ky dokument kontraktual i hap Kosovës një perspektivë të fuqishme ekonomike, politike dhe në proceset tjera evropiane, duke pasur parasysh edhe rekomandimin për liberalizimin e vizave.
Kryeministri poashtu foli për hapat konkret që Qeveria po ndërmerr në zbatimin e MSA-së, në mënyrë që ajo të jap efektet e pritura në të gjitha fushat e jetës.
Kryeministri Mustafa theksoi edhe prioritetet e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e shtetit ligjor, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe për heqjen e njollës së korrupsionit dhe stigmatizimit që i është bërë Kosovës në këtë drejtim.
“Qeveria e Kosovës dhe qytetarët e vendit janë të përkushtuar në realizimin e reformave eurointegruese dhe në fuqizimin e gjithanshëm të shtetit dhe progresit në Kosovë”, tha kryeministri, duke shprehur mirënjohje për Parlamentin Evropian, për eurodeputeten Lunacek dhe të gjithë pjesëtarët tjerë, për përkrahjen e jashtëzakonshme për proceset në Kosovë.
Anëtarët e delegacionit të Parlamentit Evropian dhanë vlerësimet dhe sugjerimet e tyre për proceset që lidhen me zbatimin e MSA-së dhe zhvillimet tjera, duke shprehur përkrahjen e tyre për Kosovën në këtë rrugë.
VESELI: SHPRESOJMË DERI MË 2018 KOSOVA DO TË APLIKOJË PËR STATUSIN E VENDIT KANDIDAT PËR NË BE
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim Komisionin e Parlamentit Evropian për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, të kryesuar nga eurodeputeti Tonino Picula.
Në takim u bisedua për bashkëpunimin e shkëlqyer midis Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës, i cili, tani, pas nënshkrimit të MSA-së, ka hyrë në një fazë të re dhe më dinamike të marrëdhënieve.
Kryetari Veseli falënderoi europarlamentarët evropianë dhe veçanërisht kryesuesin e delegacionit, Picula, për kontributin e tyre të vazhdueshëm dhe punën e madhe në raport me Kosovën, e cila u kurorëzua me nënshkrimin e MSA-së.
Takimin e sotëm midis dy komisioneve homologe, kryeparlamentari Veseli e cilësoi moment historik për Kosovën dhe Kuvendin e saj, sepse, siç theksoi ai, është hapi i parë institucional i zyrtarizmit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, i cili bëhet në Kuvendin e Kosovës.
Kreu i Kuvendit tha se integrimi në BE është prioritet i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe prioritet nacional i të gjithë spektrit politik në vend, ndërsa institucionet janë të përkushtuara të plotësojnë secilin standard i cili i kërkohet Kosovës në rrugën e saj drejt këtij procesi, me theks të veçantë, në përafrimin e legjislacionit dhe luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit.
“Shpresojmë që brenda mandatit aktual të Kuvendit, pra deri më 2018, do të aplikojmë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE”, theksoi kryetari Veseli.
Kryesuesi i delegacionit të Parlamentit Evropian, Tonino Picula, nga ana e tij, uroi kryetarin Veseli për vendimet shumë të rëndësishme për Kosovën gjatë muajve dhe javëve të fundit, duke konfirmuar vazhdimin e përkrahjes së PE-së edhe në të ardhmen. Ai potencoi angazhimet që duhet ndërmarrë gjatë periudhës në vijim, në funksion të luftës së mëtejmë kundër dukurive negative.
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy
Privacy Overview
This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.