Bilbili i Gjuhës Shqipe Rafael Gjona m’u përgjegj se: “Dakord që mund të dali nga shkolla jonë një president për në Amerikë, por mund të kemi dhe një president të ardhshëm për Shqipërinë, pse jo”?…/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Në Brooklyn në një nga qytetet historike dhe ndër më të populluara të Nju Jorkut si dhe në Amerikë nxënësit shqiptarë filluan shkollën Shqipe.
Në mjediset e shkollës publike amerikane nxënësit shqiptarë të lindur në Amerikë u ulën për të filluar vitin shkollor akademik 2014-2015. Ishte një ditë e bukur shtatori me fllad Oqeani një ditë që do të ngelet përgjithmonë në kujtesën e nxënësve. Shumë prej tyre njiheshin nga vitet e mëparshme dhe takoheshin me mall, sepse ishin me sezonin e pushimeve dhe kishin pothuajse gjithë verën që nuk ishin takuar, ngase dikush kishte shkuar në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Dibër, Çamëri ose vende të ndryshme të botës që ata i tregonin me aq mbresa dhe bukuriza fëminore.
Disa prej tyre uleshin për herë të parë në bangat e shkollës dhe që më të mëdhenjtë tregoheshin tepër të kujdesshëm për t’u dhënë ngrohtësi dhe dashuri si më të “vjetër” të shkollës shqipe. Nxënësit erdhën të shoqëruar nga prindërit e tyre të cilët me emocion dhe mirënjohje tregonin kujdes të posaçëm që ata të dëgjonin mësueset e tyre dhe të mësonin sa më shumë SHQIP.
Në ceremoninë e hapjes së fillimit të vitit shkollor përshëndeti Dr.Valbona Zylo Watkins zv/presidente e Shkollës Shqipe dhe bashkëthemeluese e saj e cila iu uroi mirëseardhjen të gjithë nxënësve, prindërve dhe mësueseve të shkollës. Dr.Watkins bëri një prezantim të shkurtër të historikut të shkollës shqipe “Alba Life” shkollë që operon në Staten Island, Brooklyn dhe së shpejti do të kemi Shkollë Shqipe dhe në Manhattan. Ajo vazhdoi se shkolla ka hyrë në vitin e shtatë të saj dhe së bashku me stafin jemi krenarë që fëmijët tanë këtu në Diasporë po mësojnë Gjuhën Shqipe, kulturën dhe traditat e mrekullueshme të popullit shqiptar. Sivjet shkolla shqipe në Brooklyn është shtuar me një klasë më shumë çka tregon për rritjen e saj dhe seriozitetin e punës së mësuesëve. Prindërve të mëparshëm dhe të rinj u ka prezantuar programin shkollor, abetaren unike dhe librat qëdo të përdorin nxënësit, të cilat janë të miratuara nga të dy ministritë e Kosovës dhe të Shqipërisë. Aktivitetet e ndryshme që organizon shkolla Shqipe si festën e Pavarësisë, festat e fundvitit, 7 Marsin, Ditën e Mësuesit, Festivalin e Shkollave Shqipe që u organizua vjet për herë të parë nën drejtimin e Konsullatës së Kosovës me ish Ambasadorin Bekim Sejdiu dhe me Keshillin Organizativ do të vazhdojë çdo vit, si dhe mbylljen e vitit shkollor janë aktvitete që nxënësit marrin pjesë gjallerisht dhe që ata paraqiten denjësisht për të demonstruar kulturën shqiptare në New York në metropolin e botës. Në fund ka falënderuar mësueset e shkollës në Brooklyn si Altiona Stefanllarin e cila për arsye pune, pasi jep mësim dhe në mbasdite nuk do të marre pjesë këtë vit dhe Aferdita Kacubaj te cilat punuan me përkushtim për vitin akademik 2013-2014. Ndërkohë ka prezantuar para nxënësve dhe prindërve dy mësueset e reja zonjat Marjana Bulku dhe Armela Shehaj të cilave iu ka uruar mirëseardhjen dhe punë të mbarë në vitin e ri shkollor. Ajo i ftoi ato para audiotorit ku mësuese Marjana tha se kam tre vje që kam ardhur në Amerikë dhe shprehu me emocion bashkëpunimin me stafin e Shkollës Shqipe dhe tha se unë kam një përvojë të konsiderueshme në arsim pasi në Shqipëri kam dhënë mësim në shkollë të mesme dhe do të mundohem të përshtatem dhe këtu me nxënësit e kësaj moshe. I shprehu falënderimin dhe themeluesit të shkollës shqipe z.Qemal Zylo për bashkëpunimn dhe përkushtim që do të vazhdojnë me të gjithe stafin për ecjen e shkollës shqipe. Mësuese Armela Shehaj tha se ka mbaruar për mësuesi në Shqipëri dhe tha kam vetem tre muaj që kam ardhur në Amerike. E falënderoj Shkollën Shqipe për ngrohtësinë që më krijuan dhe për kërkesën që më miratuan për të dhënë mësim, detyrë që do ta kryejë me dinjitet dhe devotshmëri.
Në fund të ceremonisë iu ka uruar mirëseardhjen z.Qemal Zylo të gjithë prindërve, nxënësve dhe mësueseve të vjetra si Altionës dhe Afërditës si dhe mësuese të reja Marjanës dhe Armelës që u treguan te gatshme për këtë mision fisnik. Gjithmonë e kam ndjerë për detyre karshi Atdheut dhe Diasporës që me mundësitë tona si familje të hapim shkollat shqipe këtu në Diaspore që femijet tanë të mos e harrojnë kurrë Gjuhen Shqipe dhe rrënjët nga kanë ardhur. Pa bashkëpunimin e ngushtë tuajin si prindër, si dhe shoqatave të ndryshme ne nuk do të kishim sukses në hapjen e shkollave shqipe, pasi vetëm bashkëpunimi dhe mirëkuptimi bëjnë gjithcka të mundur dhe për këte ju shpreh mirënjohjen time. Z.Zylo falënderoi te gjithe prindërit si dhe nje falënderim special ka qenë për nxënësit e rinj që u ulën për herë të parë në bangat e shkollës. Është kënaqësi që Shkolla Shqipe “Alba Life” përdor mjediset e Shkollës publike amerikane dhe për këtë falënderoi drejtoritë e shkollave amerikane si dhe Bordin e Edukimit të New Yorkut që i lejon ligjërisht për të vazhduar programin e mësimit shqip. Pasi u bënë regjistrimet, dhënia e librave, nxënësit grupe-grupe u ndanë sipas klasave dhe vazhduan programin mësimor. Duke kaluar në korridor pranë çdo klase nuk ka se si të mos ndjesh emocion kur dëgjon fjalën e ëmbël shqip nga fëmijët e Diasporës, të cilët të japin një kënaqësi krejtësisht të veçantë.
Ndërsa dëgjoja Shqip, kishja hyrë në rezonancë si në një muzike me tingëllim të fuqishem aktual me vargjet për Gjuhën Shqipe të Martirit të Kombit Gjergj Fishtës i cili shkruan:
“Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini/ gegë e toskë/ malci e qyteta/ gjuhën t’uej kurr mos ta lini/ mos ta lini sa t’jetë jeta/ por për tê gjithmonë punoni/ pse, sa t’mbani gjuhën t’uej/ fisi juej, vendi e zakoni/ kanë me u mbajtë larg kambës s’huej”…
Pasi i përfundova nën zë së brendshmi këto vargje hymn, ndalova një çast tek klasa e Marjanës dhe ju thashë mirë se erdhët dhe punë të mbarë. Ja përshembull mesuese Marjana i thashë se ç’kam një parandjenjë që nga kjo shkollë mund të dali ndonje president i ardshëm në Amerikë, ndërkohë nxënësi Rafael Gjona, Bilbili i Gjuhës Shqipe m’u përgjegj se: “dakord që mund të dali nga shkolla jonë një president për në Amerikë, por mund të kemi dhe një president të ardhshëm për Shqipërinë, pse jo”?… Nxënësit e miratuan duke qeshur. Folëm me sy me mësuese Marjanën dhe u largova me një buzëqeshje dhe me një mendim të thellë në kokë…
Bota e tyre gjithmonë më ka magjepsur si mësuese me një përvojë të gjatë midis dy kontinenteve, por dhe si prind, si gjyshe dhe si shqiptare.
Në muajin e shtatorit në Ditën e parë të Shkollës Shqipe, në Bruklinin historik ndër qytetet më të populluara amerikane që njihet më së shumti me urën e famshme me të njejtin emër dhe që futet në mrekullitë moderne të botës, Bruklini dëgjoi shqip, jehona e saj do të dëgjohet sa të ketë frymë shqiptari.
19 shtator, 2014
Brooklyn, New York