• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BRUNO SELIMAJ, NJË EMËR I KOHËS SHQIPTARE

September 15, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1. Bruno Selimaj, i Nokshiqit të historisë, i qytetit ilir të Gucisë, me shtatin lis bjeshke, u
çue vigan në kamb’ në restorantin e vet elitar në Manhatan të Nju Jorkut, të kthyem prej tij në “Qendra e Ndihmave për Kososvën”. Aty ishin mbledh mirësisht tanë ata shqiptarë për të dhanë ndihma në dollarë amerikanë për Kosovën. E kishte të vështirë ky burrë i lartë me i lyp kujt, po gurra e zemrës ia vrelli fjalët e shpirtit:
-Unë i dhashë të gjitha çka pata për Kosovën, po janë ka më duken pak për Kosovën tonë. A ka burrë këtu që m’i jep 100 (njëqind) mijë dollarë hua se due me i dhanë edhe ato për Kosovën?
Një tjetër burrë i të mirës e i të mbarës, Nikë Mehmeti i thonë, atypëraty ia huajti Bruno Selimajt, njeriut të sakrificës përtej të zakonshmes, plot 100.000 USD cash, të cilat ia ktheu mbasandejna me çek bankar. E aty, para të gjithëve, e istikami atë kryefjalën refren i ditës: “Për Kosovën”. Të pranishmit e përcollën kit’ akt fisnik në kambë, me duartrokitje, plot mirënjohje.
Atë ditë historike në lokalin e Bruno Selimajt 40 kontributorë dhuruan 1.620.000 (një milion e gjashtëqind e njëzet mijë) USD për Kosovën, për lirinë e pavarësinë e saj.
Bruno Selimaj në at’ ag pranvere 1999 u këndell në fytyrë. Si e kuqja e Flamurit Shqiptar. Dorën e kishte vnue tek zemra. Sigurisht, ajo i rrahte shpejt, fort, shumë. Si ditët e luftës për lirinë e pavarësinë e Kosovës…
Ky akt ishte biblik. Përndryshe: një “Giness shqiptar”. Kurrsesi një “ankand” në lokalin e tij klas. Gjithësesi një piedestal i kohës. Vet Bruno Selimaj ishte një nga piedestalet e kontributeve të mëdha e të vazhdueshme për Kosovën e sotme shtet i pavarur e sovran. Mbi njëzet vjet me dorë në zemër e në xhep për Kosovën.
Ai, Bruno Selimaj, në atë vit 1999, e pat’ mbyll përkohor aktivitetin tradicional të dy restoranteve në afri e pronë hipotekore e tij në Manhatan. Njani mbeti i heshtur, magazinë. Tjetri plot gjallëri: e ktheu në “Qëndra e Ndihmave për Kosovën”. Ky akt nuk ishte pak. Mijëra dollarë amerikanë mbeteshin pa hyrë si zakonisht në llogaritë e tij bankare, në jetën e tij familiare, në kontributet e tij farefisnore, miqësore, kombëtare. Prapë, asokohe, në atë ditë të tubimit për ndihma për Kosovën, i boshatisi llogaritë e tij bankare. Si rrallëkush. Ndoshta si askush. Sikur të mos i mjaftonin të gjitha këto, shqiptari i madh Bruno Selimaj i lypi e i dha fisnikërisht edhe 100.000 USD. Zoti e bekoftë në jetë e mote, kit’ jetëepunë ndritur!
Tradita shqiptare e ka një thanie të njohur: Burri ban çka mundet. Ky, i miri shpirtbutë e punëartë, Bruno Selimaj, me shembullimet e tij dëshmoi edhe ndryshe: Burri ka i’here ban edhe çka s’mundet, sidomos kur flitet për sakrifica të larta për Kombin, si ky rast e akt i tij i shumëfisht për Kosovën dardane.
2.Bruno Selimaj është ma i madhi ndër dhjetë fëmijët e Bajram Mujë Selimajt, ndër vllaznit e tij: Nino, Dino, Bali, Besim e Alex dhe motrat Igballa, Nakshia, Naxhie e Resmie.
Kur ishte në Guci punonte si bujk i arave e shpesh bari i tufës. Toka ia njifte dorën e malet kamben. Ai punonte shumë e mirë se ishin familje e madhe, se ishte punëtor i madh. Puna i kishte hap, grat’ e uratë. Një herë e provoi të shkonte në Shqipërinë Londineze, po u rikthye shpejtas në trollin e lindjes, në krahinën e Plavë-Gucisë të futun padrejtësisht nën Malin e Zi. Ndoshta, gjithkund, në dy anët e kufinit të 1913-tës, jeta po i dukej njësoj. Ai kërkoi diku tjetër një jetë ndryshe: ma të begatë, ma të lirë, ma të paqme, ma të mirë, ku të punonte me të dyja duart: njana për veten e tij e shtëpinë e tij dhe tjetra për Kombin Shqiptar e për Amerikën.
Ishte viti 1970. Bruno Selimaj 18 vjeçar kapërceu Atlantikun. Rroku tokaqiellin e Amerikës. Si të gjithë emigrantët e atyshëm. Iku sëbashku me prindërit e tij të mirë, model në udhën e vet, magnet për fëmijët e vet, të ylltë në humanitetin e vet, të lidhur me trojet e veta e me idealet kombëtare shqiptare, të cilët i dhanë Kombit Shqiptar një trashëgimi tejet të madhe: fëmijët e vet, veprat e fëmijëve të vet.
Amerika e rinuar në gjithçka dhe e zhvilluar pa kufi nga Toka në planete të Galaktikës, kryefuqi e botës në shek. XX, Tempull i Demokracisë, si i thonë shprehjes së emigrantëve të atjeshëm, e “mori me të mirë” Bruno Selimajn e ri, djaloshin gene e virtyte pastër. Njejtësisht e virtytshëm, edhe Bruno Selimaj i doli Amerikës një ndër shqiptarët më të mirë në tokën e vitet e saj.
Në “planetin” Amerikë, në kit’ vend kryezot mbrojtës i Kombit Shqiptar, Bruno Selimaj ia mbrrini të jetë një shqiptar i mbrrimë. Një shqiptaro-amerikan dinjitar. Flamurtar. Simbol. Dje, sot, nesër.
Në nëntor 2012, përkitas me 100 vjetorin festë madhështi të Pavarësisë së Shqipërisë, gazeta amerikane “Neë York Daily Neës” e rendit qytetarin e kulturës perëndimore e biznesmenin atdhetar Bruno Selimaj një ndër “10 Shqiptarët më të njohur në SHBA”, krahas e ballas me personalitetet e tjera emblematike: Harry Bajraktari, Stan Dragoti, Bardhyl Tirana, Ëiliiam Gregory, Skënder Ghilaga, Emine Çunmulaj e të tjerë.
Qendra Shqiptare e Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS) në Tiranë për kontributet e atributet e shquara e nderoi me Çmimin e madh “Konica”, një çmim i ndarë edhe për personalitete të larta botërore e shqiptare si Bill Klinton në Amerikë, Tony Blair në Britaninë e Madhe, Ibrahim Rugova në Kosovë, e të tjerë. Kjo dekoratë nderi do t’i dorëzohet solemnisht në veprimtarinë tradicionale kulmore të Fondacionit Plavë-Guci për Ditën e Flamurit, në fund nëntor 2014, në Nju Jork – kryeqëndren e sotme të shqiptarëve në SHBA.
Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, më i fuqishmi organizëm i shoqërisë civile në Amerikë, e dekoroi Bruno Selimajn në shtator 2006 në hotel “Cipriani” të Nju Jorkut me Çmimin e lartë “Arritje gjatë jetës” (Lifetime Achievement Aëard) për përkushtimet e tij për Çështjen Kombëtare Shqiptare. Me një çmim të tillë vjetor KKSHA ka nderuar edhe presidentin amerikan Bill Klinton, sekretarët e shtetit amerikan Xhejms Bejker e Madlen Ollbrajt, senatorët Bob Doll e Miç MekKonell, ambasadorin amerikan në OKB, Riçard Hollbruk e të tjerë. Sigurisht, përkrah, në mes, në rradhë, me këta njerëz të mëdhenj për Kombin Shqiptar edhe Bruno Selimaj ndihet shumë mirë, i nderuar lartësisht.
Ndoshta edhe presidentët e Shqipërisë e të Kosovës, ndonjë ditë, në ndonjë rast, do i japin personalitetit të mirënjohur shqiptaro-amerikan Bruno Selimaj dekorimin përkatës për meritat e tij, pasi ky është një emër i nderuar i kohës shqiptare.
3.Geni i mirë i trollit të tij rrënjas nokshiqas, geni i trungut familjar nga gjaku i babës e tamli i nanës, dhe geni i degëlidhjeve kah dajët e vet, i jeton prej në kohë lindje shqiptarit bestar e nderimtar, Bruno Selimaj. Ky gen i jeton në gjakun e shpirtin e tij, në udhët e arritjet e tij. Ky gen i mirë e fisnikëron atë në palcë e asht, i gjeneron forcë suksesi, i jep bukuri shpirti, i sjell e përcjell madhështi brezash, epokash. E ban të pathyeshëm, të pakthyeshëm, të patjetërsueshëm. S’ka se si të ndodhë ndryshe!
Biznesmeni Bruno Selimaj, ndër dekada, në restorantin e tij “Club A Steakhouse” ( 240 East 58th Street New York. NY 10022) e mban figurshëm si emblemë në trupveshjen e vet, tek qysteku i tij – një Shqiponjë, simboli i Flamurit Kombëtar Shqiptar. Qyshse në pamje të syrit klientë nga etni e komunitete të ndryshme të Amerikës e paradijnë se pronari i tij, Bruno Selimaj, është Shqiptar Etnik. Po. Ai realisht është i tillë në pamje, me fjalë e vepra – nga thonjtë tek flokët, nga gjaku tek fjala, nga ashti tek hapat. Në mbi 60 vite të jetës së tij.
Ajo Shqiponjë tek qysteku i Bruno Selimajt nuk është rastësi apo dekor. As shenjë antike apo moderne. As diçka tjetër. Ajo e ka simbolikën e vet, e cila lidhet fort e mirë me trollin e tij atnor, genetik, me vet Nokshiqin e historisë mbarëshqiptare, panballkanike, ndërplanetare.
Flamuri Kombëtar Shqiptar, pas Shtetit fitimtar të Skënderbeut, për herë të parë, e ritheksojmë për herë të parë, në një luftë frontale kombëtare mbarëshqiptare, u përdor pikërisht në Luftën e Nokshiqit, në dy betejat e mëdha gjeostrategjike e ushtarako-politike të saj (4 dhjetor 1879 – 11 janar 1880). Pra, u përdor në kit’ vis të origjinës e trollit edhe të Bruno Selimajt.
Ky fakti historik i Flamurit në gurra dokumentare dëshmohet edhe nga vet okupatori shumëshekullor otoman, nga vet Dervish Pasha, kryekomandat i Armatës Otomane me 30.000 ushtarë pjesmarrës në Luftën për pushtimin e Ulqinit e dorëzimin e tij Malit të Zi (23 e 26 nëntor 1880). Ky gjeneral gjakatar otoman në vitin 1881 i relatonte me telegram Sulltanit: “Fjala është për flamujt shqiptarë, të cilët Lidhja i ka përdorur para dy vjetësh (1979) për ushtrinë shqiptare të cilët kanë shkuar për të mbrojtur Plavën dhe Gucinë nga sulmet malazeze. Sikurse u informova në atë kohë kishte afër 20-30 flamuj të tillë. Mirëpo flamuj shqiptarë, të cilët i ka përdorur ushtria e Lidhjes qysh atëherë kanë mbetur në Plavë e Guci” (Vepra “Lidhja e Prizrenit në dokumentet osmane”. Përkthyer dhe përgaditur nga Iljaz Rexha. Botim i Arkivit të Kosovës. dok. 71. Prishtinë. 1978. f. 173). Tjetra. Sot për sot, Flamuri Kombëtar Shqiptar ma i vjetër në fondet etnografike të Qëndres Albanologjike në Tiranë, ndër 16 flamujt e arkivuar zyrtarisht, është Flamuri i gjetur në Plavë-Guci, sigurisht i përdoruri në Luftën legjendare të Nokshiqit, në kit’ vis edhe të Bruno Selimajt.
Historiografia kombëtare shqiptare në vazhdimësi kohore po i jep vendin e munguar e të merituar kësaj lufte epokale e epope të Nokshiqit, luftë fitimtare e cila cilësohet si “Parathënie” e Pavarësisë Shqiptare në Vlorën e 1912-tës të Ismail Qemalit. Populli kit’ histori shqiptare me dy akte të mëdha kombëtare të Flamurit Shqiptar, në Nokshiq e në Vlorë, e përjetësoi në muzen e vet me një simbolikë mjaft domethënëse:
Si dy male i rrijnë Historisë,
Nokshiqi e Vlora e Pavarësisë…

4. Bruno Selimaj në 100 vjetorin e Pavarësisë Shqiptare të Vlorës, në veprimtarinë e organizuar nga Fondacioni Plavë-Guci (FPG) për Ditën e Flamurit, në at’ 25 nëntor 2012, i dhuroi për pjesmarrësit e atyshëm 400 plisa të bardhë dhe 400 flamuj kuqezi. Ato kishin simbolikën, krenarinë e atmosferën e vet. Shqiptarët me plisa në kokë e flamuj në duar, ndiheshin si “mbretër të vërtetë” në hotel “Royal Regency” në Jonkers të Nju Jorkut. Si rrallëherë, si rrallëkund, vendi u dhezë me ngjyrat e simboleve tona kombëtare. Një mrekulli në mërgim. Një mesazh i madh për vendlindjen në Plavë-Guci e kah i thonë Shqiptari.
I përkushtuari atdhetar Bruno Selimaj i Nokshiqit, i Gucisë e i Nju Jorkut, ashtu sikurse me Flamurin Kombëtar Shqiptar, njëherash e pothuaj njejtësisht, edhe me “Plisin e Bardhë” e ka lidhjen e vet historike, kombëtare, shpirtërore.
Plisi i bardhë (kapuçi, qeleshja) është simbol e traditë ilire. Në gjetje arkeologjike të kohës së Antikitetit ilir ka gjithato statuja me plis të bardhë. E ka mbajt edhe mbreti Pirro i Epirit. Në një foto të shekullit kaluar tek Manastiri i Deçanit (ish kishë katolike) shumica e pjesmarrësve në oborrin e saj janë me plisa të bardhë, shqiptarë. Në Kuvendin e madh historik të Junikut të Kosovës (21-25 maj 1912) që i dha hov Kryengritjes së Përgjithshme drejt Shkupit (gusht 1912) e udhëçoi drejt ngritjes së Flamurit në Vlorë, askush nuk u lejua të merrte pjesë me kësulë turke, po vetëm me plisin e bardhë iliro-arbnor-shqiptar. Një nga firmëtarët e Aktit të Pavarësisë, Lef Nosi, më 29 nëntor 1912 nga Vlora e ngritjes së Flamurit lajmnonte në Elbasan, vendlindjen e tij: “Qeleshet e bardha këtu u shtrenjtuan shumë”. (Jaho Brahaj. Flamuri i Kombit Shqiptar. Monografi. EB Gj. Fishta. Lezhë. 2007).
Një tjetër lidhje ka shqiptari atdhetar Bruno Selimaj me plisin e bardhë. Kjo ka të bajnë me vet identitetin kombëtar të shqiptarëve etnik nën Malin e Zi.
Princi-bishop Petri II Petroviç-Njegos i Malit të Zi (1833-1851), i etnisë serbe, filozof e poet epik, që i zgjeroi kufijtë me pushtime e aneksime të territoreve shqiptare, e shpiku “kapicën e zezë” malazeze, si identitet malazez. Kësisoj, sllavo-ortodoksia e shpiku edhe “kombin malazez”(!) Nipi i tij, Krajl Nikolla i Malit të Zi, kur ishte princ (1860-1910) e, mbasandejna, mbret (1910-1918) e ktheu në detyrim të pashmangshëm e të përgjithshëm politik, ushtarak, shkollor e fetar për çdo malazez mbajtjen e “kapicës së zezë” malazeze. Edhe fëmijëve në shtëpi e në shkolla iu mësohej se rrethi i kuq tek kapica e zezë ishte gjaku që duhej marrë për Malin e Zi, gjaku që duhej derdhë ndaj shqiptarëve etnik me plisa të bardhë në viset e veta deri në çfarosjen e tyre nga trojet iliro-arbnore.
Kjo ishte ndamja e madhe e kohës: shqiptarët me plisa e malazezët me kapica.
Kjo u përflak ballas, preraz, përgjakshëm edhe në Luftën e Nokshiqit (1879-1880). Kangët e popullit iu dëshmojnë kohnave: …Asht Shqipnija tan’ me plisa…/ apo …E ti Marku (Milani) i Malit t’ Zi / Mblidh kapicat për n’ Çeti’ (Çetinë)! /.
Diku tjetër gjejmë në vargjet e popullit dialogun e Krajl Nikollës me vojvodë Mark Milanin, antar i Senatit të Malit të Zi e komandant ushtarak që humbi randshëm në Luftën e Nokshiqit – në ma të madhen e ma të përgjakshmen luftë në historinë e Ballkanit në mes sllavëve e shqiptarëve:
“Mark Milani rrahi telin.
Në Çeti’ çoi haberin:
-Mymleqeti po lufton,
Tan’ ushtrin’ po ma faron.
Knjaz Nikolla ish idhnue:
T’madhe Markut ju gërmue:
Ku-ku majko çka po thue,
Mor’ vojvoda i Malit t’Zi,
Ku po i len ushtarët e mij
Me i marrë Limi bytevi,
Me hup nerën e Malit t’Zi,
Un’ të çova n’Mymleqet, (Plavë-Guci)
Me i qit fare ata krejt,
Me i qit fare, me i farue,
Mos me lan’ ma farë shqiptari
Ku del Syni e Gërçari /…”.
Bruno (Shyqeri) Selimaj ka edhe një lidhje të (për)hershme me Fondacionin Plavë-Guci (FPG) në Amerikë, me kit’ institucion kombëtar, humanitar e kulturor të plavë-guciasve…mërgimtarë atdhetar. Ai është ndër themeluesit e tij në atë 7 shkurt të vitit 1994. Ishte një ditë historike. Një nevojë publike. Një mision atdhetar kombëtar. Vendlindja e Mërgata – hark triumfi ndërveti në çdo kohë e rast të mundshëm. Aty e ngritën edhe Komisionin Nismëtar të FPG apo si ti themi: Kryesinë e tij të parë. Sipas proçes-verbalit, në mbledhjen themeluese ishin 21 plavë-gucias nga të gjitha fiset e fshatrat e krahinës, ndër të cilët edhe Bruno (Shyqeri) Selimaj. Edhe pas 20 vitesh Bruno Selimaj e ka synin e zemrën, shpirtin e dorën tek FPG. Shembulli i 100 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare është mjaft publik, stoik, fisnik, i veçantë.
Në një kumtim zyrtar të Fondacionit Plavë-Guci jepen vlerësime kolegjiale e meritore për shqiptarin kombëtar e humanistin atdhetar, Bruno Selimaj, për personalitetin e veprimtarinë e tij mbarëkombëtare. I përzgjodha dy thanie: “Veprat e Bruno Selimajt janë Enciklopedi Patriotike” dhe “Bruno Selimaj është një Ambasador i Plavë-Gucisë në botë”…
Në kësi rasti, si ky i Bruno Selimajt, tejkalohet edhe ajo thënia e Jezu Krishtit se profetët nuk vlerësohen në vendlindjen e tyne. Veçmas në gjallje të vet. Bruno Selimaj është një shenjt. Do të thojsha një shenjt i gjallë. Patjetër, e kanë shenjtërue veprat e tij, të mirat e tij. Sigurisht, ai ka shenjtëritë e veta.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bruno Selmiaj, nje emer i kohes, Ramiz Lushaj, shqiptare

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT