• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË EMIGRANT GREK NË RININË TIME

December 5, 2016 by dgreca

nje-grek-ne-rinine-time-Një grek, në korrik të vitit 1959, në  fermën Çlirimi të Fierit, më dha një amanet…/
Nuk po e mbaj për vete, është i të gjithëve…/

Një gazetë e përditshme greke bën thirrje për dëbimin e shqiptarëve…/

4-mars-2012-2-copyNga Abdurrahim Ashiku/Një eurodeputete greko-qipriote provoi ti verë flakën në mes të Tiranës mullarit që ka marrë ujë nga shiu i racizmit mesjetar.

Një ministër civil, i veshur  ushtarak pa grada, deklaron se çamët janë dëbuar si bashkëpunëtorë të gjermanëve !?
Popujt, shqiptarë dhe grekë, në ditë të vështira i kanë qëndruar krah njeri tjetrit si dy fqinj pa “shpata e pushkë” drejtuar kurrë njeri tjetrit, kanë ndarë bukën e thatë dhe kripën e detit të tyre të përbashkët…
Historia që po përcjell flet në rreshta e midis rreshtave…

* * *

Në korrik të vitit 1959  lash prapa Fierin me vitet e shkollës së mesme për t’u ngjitur në vitet  e universitetit, e më tej në vitet e punës në një  trevë, vertebër e kurrizit të Shqipërisë e shqiptarëve…

Në vitin 1996 lash prapa Dibrën për të zbritur  në ultësirat e Egjeut, për ta lidhur jetën me Athinën …

Sikur jeta ime të mos kishte përshkuar këtë trajektore,  ajo fletë e zverdhur blloku, me atë fotografi të ngjitur me marmelatë, me ato katër radhë të shkruara greqisht, do të kishte mbetur e pakuptueshme…

Edhe kujtimet do të kishin mbetur të ngrira … në frigoriferin e kujtesës…

Akullin e ngrirë, një mbrëmje të zakonshme do të niste të ma shkrinte një fytyrë në televizionin grek, një fytyrë deputeti. Ai, me një cinizëm dhe ksenofobi të egër tha : “Ne shqiptarëve u japim bukë e ata na mundin”. Ishte fjala për një ndeshje futbolli ku Shqipëria fitoi bindshëm  mbi kampionen e Evropës…

Akullin do ma shkrinin tërësisht e do të lëviznin vrullshëm mullirin e kujtesës bisedat e herëpashershme me njerëz ksenofobë që nuk mungojnë të na e përsërisim “bukën” që na “japin”, pa e ditur se në raport të ndërsjellët ne u japim bukë atyre. Krahu jonë i lirë i punës i ka gjallëruar bizneset e tyre…  Bujqësia greke mbahet në masën mbi 80 për qind nga krahu i lirë i shqiptarëve hallexhinj…  Bankat greke, siç deklarojnë vetë ato, kanë në kasaforta mbi katër miliardë euro kursime të shqiptarëve… Pensionistët grekë mbajnë atë nivel pensioni në sajë të sigurimeve të detyruara (pa asnjë shpresë pensioni) të mbi 500 mijë shqiptarëve…

Ndërsa akulli i kujtesës shkrihej në pah më dolën vitet e fundit ‘40-të, atëherë kur Greqia ishte në Luftë Civile, atëherë kur në spitalin e Gjirokastrës (sipas një dëshmie publike të kohëve të fundit të një infermieri të kirurgjisë) operoheshin e mjekoheshin mbi 12 mijë grekë të plagosur në betejën vëlla me vëlla. Mu kujtuan edhe grekët e gjorë, jo pak por mbi treqind mijë, që asokohe kaluan kufirin shqiptar dhe u strehuan në familjet shqiptare. Asokohe, kush e ka jetuan e mban mend mirë, Shqipëria përjetonte krizën më të rëndë të bukës pas krizës së “Nemces”, Luftës së Parë Botërore…

Pas kësaj “shkrirje akulli” mulliri i kujtesës filloi të rrotullohet shpejt duke nxjerrë një dorë miell misri me të cilën gatuhej buka në një konvikt të një shkolle të mesme ku bashkë me ne mësonin edhe dy grekë nga ata që kishin mbetur nga “marshimi” i të treqind mijëve drejt  Polonisë e Kazakistanit ku shumë prej tyre jetojnë edhe sot…

Shqiptari kurrë nuk ia ka kursyer dhe nuk ia ka përmendur bukën kujt…

* * *

Në Fier, diku 100-150 metra poshtë godinës së teatrit, në vitet ‘50-të ka qenë një shkollë me karton, me një lloj kartoni të trashë dy gisht, me çati pupuliti të fortë dhe me dysheme dërrase që lëkundej  nën këmbët tona. Shkolla kishte formë U-je me dritaret që shihnin agjencinë e transportit nga njëra anë dhe rrugën Fier-Vlorë, aso kohe ende e paasfaltuar, në dy krahët e tjerë. Oborri i shkollës i binte paksa djathtas derës së avllisë së konviktit, i vendosur në një ndërtesë, sekuestruar një tregtari fierak, ndërtesë që edhe sot e kësaj dite është ashtu siç ka qenë.

Flinim në krevate druri një mbi një, në dyshekë dhe jastëkë që i mbushnim me kashtë tek lëmi i ekonomisë ndihmëse, në dhoma të vogla,  ngjeshur si dushku në mullar. Kishte edhe një konvikt  tjetër tek fusha e futbollit, aty ku më vonë do të ngrihej ndërtesa e gjimnazit…

Në konvikt, në një dhomë me krevate tek hekuri me susta, e me dyshek e jastëk pambuku, flinin edhe dy grekë. Njeri prej tyre, Vangjeli, ishte në një klasë me mua. Tjetri, emrin e të cilit nuk e mbaj mend, ishte dy klasë më lart. I dyti dukej të ishte i pasur, çka e tregonte jo vetëm veshja e tij që binte në kontrast jo vetëm me ne por edhe me mësuesit tanë dhe tërë qytetin e Fierit. Thonin se  i vinin shumë para nga Amerika dhe se një pjesë të tyre i shfrytëzonte për të joshur femrat e bukura të qytetit. Vangjeli vishej më thjeshtë, sigurisht më mirë se ne, apo më saktë me thënë vishej si mësuesit tanë.

Të dy grekët hanin në një dhomë të vogël ngjitur me kuzhinën, ndërsa ne në një sallë  paksa të madhe, në tre turne…

Mëngjeseve dhe mbrëmjeve hanim bukë misri me çaj. Nganjëherë mëngjeseve i shtohej edhe një pesëdhjetë gramësh marmelate molle ose ftoi. Qëllonte që gjellës me barishte dhe makaronave apo pilafit t’i shtohej të dielave edhe ndonjë racion mish dhe në ditë festash të kishim edhe nga një racion kabuni apo hallve të zezë…

Grekët hanin ndryshe. Mëngjeseve e darkave nuk u mungonte asnjëherë qumështi apo kosi, djathi i bardhë apo kaçkavall, veza e zier apo e tiganisur me gjalp, mishi dhe ëmbëlsira, shto mbi këto edhe bukën e grurit.

Ishte koha kur Shqipëria akoma nuk kishte dalë nga sistemi i triskëtimit dhe barku i njerëzve ishte gjithmonë i unshëm. Mirë që kishim një ekonomi të vogël ndihmëse  diku përballë  uzinës së pambukut  dhe çoku hanim ndonjë domate apo qepë të freskët …Mirë që na çonim në fermën e Çlirimit  ose në kooperativën e Qenasit dhe, mes bimëve të pambukut, vjeshtës, të gjenim ndonjë kombisht, siç u thoshin vendasit pjeprave të njomë, farat e të cilëve i hidhnin gjatë prashitjeve që  vjeshtës të shuanin etjen dhe urinë, tek vilnin pambukun e bardhë…

…Duket sikur u larguam nga tema duke i përcjellë lexuesit të sotëm diçka që duket se  i përket  mesjetës, diçka ireale që bota e sotme shpirtërore dhe kamore e tyre nuk e honeps dot.

Vangjeli, siç thashë, ishte në një klasë me mua. Trup shkurtër, me flokë të dendur në ngjyrë të zezë rreth një fytyre gjithnjë serioze, veshur me një xhaketë kafe e me pantallona gri, në një moshë të paktën sa dyfishi i moshës sonë, Ai, mes nesh, i ngjante  një burri në moshë, ulur në bankë me nxënës të shkollës fillore. Ishte studiues dhe shqipen e fliste mjaft mirë. Shoqërohej më tepër me Jorgo Milon nga Himara, me të cilin flisnin greqisht. Me ne të tjerët  nuk hynte gjatë në bisedë si të kishte frikë se i hiqnim nga shpina , paksa e kërrusur, barrën e halleve që dukej se fshihte.

Vangjelin e kam në një fotografi me të gjithë shokët e klasës së 3-të B, në një moment pas orës mësimore të mekanikës bujqësore, me traktorin BTZ prapa. Është i katërti në radhën e dytë duke filluar nga e majta, në mes të njërës prej motrave Mustafaraj, Sotiraqit nga Fieri (prapa), Dhionisit nga Piluri, Shefqetit nga Dibra dhe Lirionit e Llazarit nga Patosi

Vangjeli një ditë nuk u duk më në klasë. U tha se e kanë çuar në Bashkimin Sovjetik për studime, ashtu siç kishin çuar asokohe në Çekosllovaki, Hungari e Poloni shumë grekë që ndodheshin në Shqipëri.

Asokohe ishim ende të vegjël dhe shumë gjëra që kishin lidhje me botën politike nuk i kuptonim. Kishim dëgjuar se në Shqipëri kishin ardhur shumë grekë por arsyen pse kishin ardhur e kishim shumë të mjegullt. Më vonë do të mësonim për betejat e Gramozit, për kalimin e kufirit shqiptar të afro treqind mijë partizanëve grekë që kishin luftuar dhe kishin lënë trupat e pavarrosur të shokëve të tyre në malet e Gramosit, për përcjelljen e tyre në vendet e lindjes, ku, siç na thoshin, kishte më shumë bukë…

Në vitin 1958 e lamë shkollën e kartonit, konviktin me mensën me “tre turne” dhe u larguam nga Fieri. Diku në mesin e hapësirës fushore që ndante fabrikën e tullave me fermën e Çlirimit, u ndërtua një shkollë dykatëshe me tulla të kuqe dhe një konvikt me dhoma plot dritë dhe mensë të madhe  që nxente  dyfishin e konviktorëve. Shqipëria asokohe kishte kaluar periudhën e rëndë të triskëtimit dhe ushqimi në konvikt  ishte rritur si në sasi po ashtu  edhe në cilësi. Edhe ekonomia ndihmëse ishte më e madhe dhe më e organizuar, çka  e kishte larguar goxha urinë e moshës…

Fieri tashmë ishte larg, afro tre çerek ore në këmbë,  dhe ne  sikur e premë daljen  nëpër rrugët e tij, përveçse kur luante ndonjë film i preferuar për kohën si “Vagabondi” apo “Zotëria 420”. Kursenim kështu edhe ndonjë pesë lekëshe, por mbi të gjitha kursenim këpucët që rruga e kalldrëmtë i hante si të ishte shtruar me gurë stralli.

Kohën e lirë e kalonim duke zbritur paksa poshtë, tek qendra e fermës ku kishte një kinoklub goxha të madh, një kinema ku shpesh shihnim filma, një sallë lojnash me pingpong  e bilardo…

Kishte edhe një dhomë të vogël ku punonte një berber grek. Ishte një njeri mjaft  i ëmbël në zë e në muhabet, megjithëse shqipen e fliste keq. Duke pas të bëjë gjithnjë me kokat e njerëzve, me vëmendjen tek flokët, ai nuk kishte pas mundësinë e Vangjelit tonë që të fliste me njerëzit, të ishte i detyruar të kërkonte e gjente fjalën shqipe për ta  përdorë rëndom. Megjithatë kjo gjë nuk e pengonte që me të gjithë të ishte i sjellshëm, të dhuronte buzëqeshje e njerzillëk.

Një dashuri të sinqertë kishte me ne konviktorët. Ndoshta sepse edhe jeta e tij ishte si në një konvikt, larg  njerëzve të vet e mbi të gjitha larg atdheut që asokohe e kishte bërë sikterr. Tani që i mendoj dhe i hedh në letër ato momente, larg vendit tim, në kushte krejt të tjera, e ndjej dhimbjen e atij njeriu dhe e kuptoj pse-në e atij afrimi me ne.

Duhet të them se qethte bukur, me shije dhe nami i profesionalizmit ( sigurisht edhe në sajë tonën ) kishte shkuar edhe në Fier dhe shpejt, klientë të tij do të ishin edhe shumë gjimnazistë…

Nuk do të ishin shkruar këto, as nuk do të hapej kjo dritare e rinisë sime, sikur ai njeri që e thërrisnin Kureas,  pa e ditur se ajo fjalë nuk kishte të bënte me emër  por me profesion njeriu, nuk do të më kishte dhënë një amanet…

Në korrik të vitit 1959, pasi dhamë provimet, në pritje të “Mbrëmjes së Maturës”, për të pasur me vete kujtime të shkruara të viteve të bukura të rinisë, hapa, si shumë të tjerë një bllok kujtimesh…

Në atë bllok  nuk mungon as berberi grek. Ndaj Kureasit kisha një respekt dhe dashuri të veçantë, ndaj nuk  mund ta lija jashtë kujtimeve të mija. Edhe ai ishte bërë një copë e jetës sime dhe “copat e jetës” nuk ndahen…

Shkova pra, ditën e mbrëmjes së maturës dhe i kërkova të shkruaj diçka në bllokun e kujtimeve të mija.

Ai, pasi më buzëqeshi dhe më shtrëngoi me një dashuri prindërore pas trupit të tij  të bëshëm, mori bllokun dhe pasi ngjiti me marmelatë (marmelata ishte  në ato vite zamka bazë me të  cilën sajonim e ngjisnim zarfe e letra ) shkroi katër radhe në greqisht.

Αγαπητέ  σύντροφε Ασικου

Σου δίνω την μικρή μου αυτή

Φωτογραφία μου μαζί με της ποιο

θερμής ευχές μου…

I dashur shoku Ashiku

Ju jap  fotografinë time të vogël

        së bashku me urimet më

        të nxehta të shpirtit tim…

Unë nuk i kuptoja atëherë ato fjalë…Tani i kuptoj dhe i ndjej…Ndjej se Ai, ndonëse kishte dyfishin e moshës sime, më konsideronte  shok, ndjej urimet e tij të nxehta që buronin  nga një zemër e zjarrtë…

Atëherë mua më mjaftonte pamja e atij njeriu në një fletë të bllokut tim të kujtimeve, një njeriu serioz, veshur me një kostum dopjopet, shumë i përhapur në modën e asaj kohe, me kollare…Një njeriu që në tërë pamjen e tij rrezatonte dashuri dhe respekt.

Ku është sot ai njeri i mirë që as firma nuk më jep mundësinë të di emrin e vërtetë ?

Ai njeri, në korrik të vitit 1959 më dha një amanet, një shprehje dashurie dhe respekti në gjuhën e nënës së tij dhe një fotografi. Pas shumë vitesh, i ndodhur tashmë si mërgimtar në dheun e prindërve të tij, amanetin po e shkruaj.

Mali me mal nuk takohet. Njeriu me njeriun qëllon që një ditë, në një  tjetër kohë e vend, edhe takohen…

Abdurahim Ashiku

Filed Under: Analiza Tagged With: Abdurrahim Ashiku, NË RININË TIME, NJË EMIGRANT GREK

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT