nga MSc. Albert R. HABAZAJ/
Lefter Çipa (gjyshi), Aleksandër Çipa (biri) dhe Akri Çipa (nipi) e zbukuruan Vlorën. E veshën Vlorën me kostumin e Flamurit Kombëtar dhe me kostumin e Diellit të Ngrohtë të Krijimit. Përurimi i trilogjisë “ETËR E BIJ – AUTORË” është një festë letrare për botën kulturore të qytetit dhe një spaletë morale e artit në Vlorë. Fakti që kjo sallë e madhe e teatrit “Petro Marko” është e mbushur plotë e për plotë, ka mjaft njerëz në këmbë, të tjerë janë në holl e dashamirës të shumtë mbetën jashtë për mungesë hapësire, tregon interesim deri në adhurim ndaj veprës sa letrare e kulturore, po aq atdhetare e qytetare të krijuesve të kombit, bij të palcës kombëtare pilurjote, me bërthamë nga Bregu i Himarës.
Të gjithë e pëlqejmë dhe e këndojmë Këngën e Madhe Shqiptare: “Kush është lule e vilajetit?/ Bota ia kanë sevdanë,/ Himara në breg të detit/ Shtatë fshatëra që janë,/ Të penës dhe të difekut,/ Aman, trima kapedanë!…”. Do t’ju pyesja, ju të nderuar miq, poetë, artistë, dashamirës të artit tonë, se ku më bukur, se në familjen e Lefter Andrea Çipës, këto vargje brilantine të këngës hyjnore labe himariote janë më kuptimplotë?
Lefter Çipa përbën një familje fisnike, sa tradicionale, aq dhe model qytetarie. Ata, si familje janë familje atdhetare; po aq sa janë edhe familje artistike: “të penës dhe të difekut…”, jo thjesht në kuptimin metaforik, por lartësisht të drejtpërdrejtë.
Lefteri është djali i madh i babë Andreas dhe mëmë Lelos, dy prindërve me uratë, që me shpirt e zemër ua lanë fëmijve Bekimin e Madh. Por edhe 4 vëllezërit, që vijojnë pas tij, Lefteri i ka artistë, të mirë, punëtorë, veprimtarë të dalluar shoqërorë e të ditur: Aristidhi vlerësohet si poet i thellë, ka qenë drejtor i Drejtorisë Arsimore Rajonale në Vlorë, sot është pedagog letërsie në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë; Jorgua është piktor dhe ndërtues me emër; Llambros, aq të mirë nuk i ecën dhe aq shëndeti, ndërsa më i vogli, Kristua, duket, por në fakt, nuk po zë vendin e Lefterit, veçse ecën nën shembullin e tij, me edukimin e prindërve dhe moralin qytetar, po krijon individualitetin e vet’ të nderuar, po bën një emër të madh, me grupin polifonik të Bregdetit të Himarës, qysh nga viti 2004, me Eleni Mërkurin (marrëse dhe hedhëse), Eleni Joshin (marrëse), Dhimitraq Balën (kthyes) e ata bilbila kënge që konkurojnë bilbilat e qiellit. Kristo Çipa është poet dhe rrëfenjëtor i talentuar; ka botuar 3 libra deri më sot, (çdo 2 vjet, si duket, e ka si hobi): “Guri i rëndë në vend të vet”, poezi, 2008, “Ruzana: mite dhe legjenda të Pilurit”, 2010, “Këmbana e dashurisë”, poezi, 2012, së shpejti presim botimin e radhës me krijime me burim nga gurra e pashtershme e prozës popullore. Kristo Çipa është edhe nënkryetar i Shoqatës Atdhetare – Kulurore “Labëria”, për Vlorën; ai është vlerësuar me dekoratën më të lartë që jep Shoqata Atdhetare – Kulurore “Labëria”, “Personalitet i Shquar i Labërisë”. Vlen të përmendim me nderim se Kristua është dhëndër në Bolenë, të Kurveleshit të Poshtëm, në krahinën e Lumit të Vlorës, sepse Leta është bijë e Maze Hysit të Bolenës, se djemtë e vajza e Kiços janë nipër të Hyse, në Labër, pra. Në fakt, Himara dhe Labëria janë sinonime të njëra – tjetrës, plotësojnë njëra – tjetrën, si pjesë e së tërës etnografike. Kur themi Himarë kemi thënë Labëri, kur themi Labëri kemi nënkuptuar Himarën. Lefteri ka tre motra: Rina, Vathia, Janulla, të tria artiste, shembullore në familjete tyre, që e kanë ndezur zjarrin, nuk e kanë shuar. Fap ia bëjnë degët e tyre, se i kanë të forta e të thella rrënjët! Lefteri me Qeranën, grua e zonjë grua, nga dera me emër e Lape të Pilurit lindën fëmijë e buruan si fieri. Një djalë u iku herët, Akroqerani; fat i hidhur që u pre ferishte. Lefteri me Qeranën i dolën zot jetës, që u vinte herë si det me lule, herë si det me furtunë. 4 djem dhe 1 vajzë janë fëmijët e tyre, të pesë të martuar. Djemtë me nuse shumë të mira dhe me familje të mrekullueshme, me fëmijë të shkëlqyer. Edhe vajza e vetme, Parashqevia ka mbaruar shkollën artistike dhe është nuse në Vranisht të Mesaplikut, në krahinën labe të Lumit të Vlorës. Jeton e punon në Tiranë. Është bashkëshorte e publicistit të njohur Pano Hallko, nuse e Azis Hallkos, burrë zakonlli nga fisi i njohur i intelektualit të shquar të viteve ’20- 30 – të të shekullit XX, Sali Hallkokondi. Në festën e Kulturës, që na nderoi “Dinastia Çipa” në Vlorë” Parashqevia erdhi me një suprizë për Babain, (pas 25 vjetësh) interpretoi në flaut meloditë e vjershërimeve të këngëve të Babait të saj, Kapedanit të Këngës Kombëtare Shqiptare, Lefter Çipa, të cilin, bujari i kulturës mbarëshqiptare, Bujar Leskaj e “emëroi” Mbret të Polifonisë, të Folklorit dhe të Kulturës Kombëtare Shqiptare. Djemtë e Lefterit e të Qeranës, e cila me tërë mend mund të cilësohet Presidente e Nënave Heroina të Shqipërisë, janë të katër të shkëlqyer, njëri më i mirë se tjetri. Po t’i veshim petkun tradicional modernitetit që jetojmë, mund të shprehemi se, djali i tyre, i madhi, Sandri, është për ta, Babëzoti i sotëm i Çipajve të Bregut. Andrea është piktor, Ardiani është artist, por bota shqiptare e njeh si një figurë të rëndësishme të policisë së shtetit. I vogli, Arbeni, është baletmaestër, kërcimtar i shquar i nivelit europian, ndërkohë edhe admistrator i agjencisë “Sipa Tours”, ideator e adhurues i turizmit alpin.
Lefter Andrea Çipa është shtiza e Flamurit Kombëtar në Poezinë e Lartë të Shqiptarisë. Përveçse, këngët e tij kanë një përhapje e popullaritet respektor në të gjitha trevat shqiptare, në të gjitha gjinitë e muzikës, në atë polifonike, folkorike, popullore, të lehtë e klasike, ai ka edhe botime të cilësuara për nivel të lartë artistik, sepse është mjeshtër i kalibrit për artin e fjalës së kënduar e sidomos për vargun e gdhendur, siç di Lefter Flamuri! Janë 11 libra të botuar me poezi, poema e balada dhe përkatësisht: e famshmja “Bejkë e bardhë”, 1976, “Shqipëri moj ballëhapur”, 1980, “Për Kosovën prapë do ngrihem”,1999, “Këngët e Akroqeranit”, 2002, “Kënga që tret lotin”, 2002, “Këngët e Ruzanës, 2004, “Flet princi i polifonisë”, 2007, “Engjëj të polifonisë: artikuj, esse, letra, refleksione dhe një poezi”, 2009, librat “Princi i dashurisë”, 2010 dhe “Vij nga drita”, 2014, me poezi, si dhe librin antologjik “Këngët e atdheut tim: vjershërimi i këngës këngëtare”, kolana”Traditë” vëll.1, 2014.
Miq të nderuar! Unë që kam nderin e flas sot para jush, në këtë festim letrar solemn të merituar, Lefter Çipën e kam të shtrenjtë familjarisht, sepse e kam mikun e babait tim (ndjesë pastë e bëftë dritë atje ku prehet!). E kam mikun e babait, qysh në vitet 1967- 1970, ku bulëzoi e lulëzoi artistikisht cilësor folklori lab i Vlorës së asaj kohe e bëri emër flamurtari në rang kombëtar. Nga viti 1983, kur unë fillova punë në Pilur e në vijim, deri sa të kem frymë personalisht dhe familjarisht, Lefter Çipa është e do të jetë mik i familjes sime, brez pas brezi, NDERI I MIQËSISË SË FAMILJES HABAZAJ! Takimi i sotëm është i veçantë, simbolik, gati i papërsëritshëm: Etër dhe bij – poetë. Tre brezat i transmentojnë njeri – tjetrit Stafetën Yjore të Krijimit. Tradita rezonon me modernen bukurisht si një dritë e ngrohtë diellore. Lefter Andrea Çipa është këngëtar i madhërishëm dhe poet kombëtar i folklorit të vërtetë shqiptar me palcë rilindasi në shtyllën vertebrale dhe në kockën e fortë të krijimit. Ai vjershëron këngët e madhëruara dhe krijon melodi të shkëlqyeshme epiko- lirike labohimariote për kombin. Vetë firma e tij (kush ka fatin ta ketë kujtim) është e shkruar përherë në një pentagram, sa herë ai lëshon autografe apo hedh në letër krijimet e tij. Djali i madh i Lefterit, Aleksandër Lefter Çipa është emblemë e gazetarisë së guximshme, qytetare dhe profesionale shqiptare, i krahasueshëm me gazetarët me emër europianë. Por Sandri është ndërkohë një poet elitar, jo vetëm i brezit të tij elitar, por edhe i letërsisë së sotme shqiptare, ku dallon për vargun lakonik, të zgjedhur, social – fiilozofik. Tre libra me poezi ka botuar Sandri: “Ikanakë të mbetur”, 2002, “Zhurma e qetësisë”, 2005 dhe “Mbi re s’ka stacione”, 2014. Poezia e tij nuk matet me sasi, me vëllim; poezia e Sandrit ka peshë specifike, sepse është një zë i dalluar në poezinë bashkëkohore shqipe. Sandri, që shquan për gjakftohtësinë e tij, natyrshëm sot po ndihet i emocionuar bukur, që na falënderon me zemër e më vijim shprehet “Sot provova diçka substanciale: Pa Bregdetin, pa Himarën, Vlora nuk do të ishte e plotë, kjo që është. Po kur flasim për kulturën, unë jam shumë krenar, që viset e mia janë kontribuese për kulturën” dhe më tej rrëfen apostulatin e gjyshit Andrea që ja pat treguar stërnipit Akri: “Të parët nuk na lanë emër për mbiemër. Kështu që ne e patëm të vështirë ecjen përpara. Jetuam, punuam, luftuam dhe u lamë emër për mbiemër. Ju e keni më të lehtë. Punoni për emrin tuaj, se mbiemrin e keni!”. “Etër dhe bij – autorë” është trilogjia e dinastisë letrare – kulturore Çipa, e Çipajve të Bregut, ku tre brezat, gjyshi, ati dhe biri paraqiten denjësisht në botën e letrave, të tre bashkë e secili me individualitetin e vet krijues. Lefteri thotë: “Në Vlorë duhet folur me zë të fortë, se vlonjatët janë polifonët e Europës”. Akri krenohet “Gjyshi është zanafilla”. Sandri citon: “Zanafillat nuk përsëriten”. Ja kështu ecën sfafeta e kulturës nga bërthama në kopështin me pemë të shëndetshme. Stafetën e vijon në sotshmëri Akri Aleksandër Lefter Andrea Çipa, i cili prezantohet me dinjitet letrar, duke bërë sfidë në botën e poezisë bashkëkohore shqipe, qysh me këtë vëllim poetik, të parin që boton, “Në modernitet humbëm”, 2014; njëkohësisht me gjyshin dhe babain, botuar nga shtëpia botuese serioze “Ombra GVG”, e cila meriton vlerësime për ndershmërinë profesionale të botimit.
Lefter Çipa funksionon me logjikën e floririt. Edhe floriri i vogël është, por ka vlerë të çmuar. Flori, kur thonë! Edhe Lefter Çipa trupvogël është, por flori i tëri, flori në trajtë njeriu! Kryestrofa Lefteriane: “Nga kjo balt’ e kësaj toke/ Merr një grusht e shtrydhe fort,/ Pika gjaku do kullojë,/ Luftën e Madhe tregon…”, sot merr kuptimin: Nga qenia, trupi e shpirti i Lefter Çipës, po ta shtrydhësh, kullon art, poezi, komb, qytetari. Vetë Lefteri, me vëllezërit, me motrat, me djemtë e nuset, me vajzën e dhëndrrin, me nipër e me mbesa gurgullon si gurrë kënge kombëtare, ku shndrit pastërtia si bora e malit të Çikës në vargmalin e Vetëtimave, në Arkokeraune. Gjyshi, Biri, Nipi. Dhe kështu vijon stafeta në plus infinit vija e krijimit Lefterçipjane.