• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHFLETOJME LIBRIN E EUGJEN MERLIKES

August 24, 2015 by dgreca

Fragmente*/
Një jetë nën diktaturë/
Një ditë nëntori të vitit 1949, na hipën në një kamion e na nisën për një rrugë të gjatë, të gjatë, që kalonte fusha, lumenj e male dhe përfundonte në Tepelenë. Tepelena…e famshme ne historinë shqiptare si vendi nga nisi veprimtaria e njërit nga personalitetet më komplekse e më të diskutueshme të kombit shqiptar, Ali Pashës, Vezirit të Janinës, do të bëhej në gjysmën e dytë të shekullit XX, simboli më i gjallë dhe më rrëqethës i tmerrit që vetëm stalinizmi shqiptar mund të shpikte.
Tepelena, zyrtarisht kampi i Dëbimit, në fakt ai i shfarosjes së njerëzve, padyshim barabitej me Mathauzenin, Aushvicin, Bukhenvaldin. Është e vërtetë që nuk pati krematoriumet e tyre, por puna e detyruar, mungesa e ushqimit, mizoria e aparatit policor e bënin vdekjen çdo ditë e më të dëshiruar se jetën. Vdekja qëndronte pezull mbi kampin tonë, e kishte pothuaj çdo ditë prenë e vet mes një turme të larmishme shqiptarësh, nga të gjitha moshat e nga të gjitha krahinat, të futur në pesë kazerma të mëdha ushtarake, me qindra vetë në secilën.
Tepelena dhe kampet e tjera të punës ishin varrezat e hapura mbi trupin e Shqipërisë, dëshmitë më të fuqishme, më tronditëse e më të pakrahasueshme të diktaturës së komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut etj. Tepelena është një njollë turpi e pashlyeshme në ndërgjegjen e kombit.
Është detyrë e demokracisë shqiptare t’i kujtojë me një përmendore madhështore viktimat e pafajshme të asaj tragjedie të madhe. Është një detyrë e letërssië së lirë shqiptare t’i jape botës një “Arqipelag Gullag” të markës shqiptare.
Tepelena ka aq shumë lëndë nga kujtimet e njerëzve, sa një pendë e fuqishme do të krijonte një vepër madhore me përmasa botërore Tragjeditë shpirtërore e jetësore që janë zhvilluar në atë kamp, nuk kanë të numuruar.(f. 9/)
f.11
Poshtërimi dhe tortura ishin kënaqësitë më të mëdha që ndienin këta ish-partizanë në marrëdhëniet me të internuarit e çfarëdo moshe, njerëz të pafajshëm, krimi i vetëm i të cilëve ishte se u përkisnin familjeve të të arratisurve ose të kundërshtarëve të diktaturës së kuqe. Emrat e toger Hakiut, aspirant Syrjait, kapitenëve Selfo e Tomi, policit Ismail e sa e sa të tjerëve janë shëmbëlltyra të së keqes njerëzore në mëndjet e ish-banorëve të kampit dhe kujtohen ende pas dyzetë vitesh, kur jeta ka fshirë nga kujtesa emra kryetarësh shtetesh e qeverish.

f.24
Ta ndjesh veten të huaj në vendin tënd, pa i bërë të keqe askujt, është një gjendje që nuk ja uroj askujt në botë. E tillë ishte gjendja jonë, që zvarritej kështu me dhjetëra vjet, me batica e zbatica, sipas tekave të “Zeusit”. Dallimi, urrejtja, pabesia mbilleshin e kultivoheshin në të gjitha drejtimet, kudo, në rrethin shoqëror, por edhe në farefisni, brenda familjes, deri në ndërhyrjet në marrëdhëniet dashurore. Ne nuk kishim të drejtë të dashuronim vajza me tjetër origjinë shoqërore, dhe as të mendonim të lidhnim jetën me to.

f.46
Familja Tase, mbas një demaskimi (publik në vendin e internimit), vetëm sespe një pjesëtar i saj nuk i përplasi duart për Enver Hoxhën, u qëllua me gurë nga gjithë ata njeërz të pranishëm, fëmijë e të mëdhenj. Një skenë biblike që vazhdoi mjaft, një njollë turpi në ndërgjegjen e asaj popullsie që ishte e pranishme në ato skena, pa reaguar aspak, një shembull tronditës i skajshmërisë së institucioneve të diktaturës së kuqe në Shqipëri.

f.61
Sa familje të prishura, sa jetimë, sa gra me shami të zeza peshojnë mbi ndërgjegjen e shpirtit tënd të keq, o vendi im! Sa tragjedi njerëzore brenda kufijve të tu, kufij gjithnjë e më të ngushtë, pasojë marrëveshjesh të pandershme të të Mëdhenjeve në kurrizin tënd!

f.77
Ne nuk jetuam, ne mbijetuam si zvarranikët që tërhiqen në kërkim të një qosheje me diell. Ne humbëm vitet më të bukura të rinisë sonë, duke gërmuar me kazma malet e fushat, sepse malet do t’i bënim si fushat. Ne, skllevërit modernë të shekullit XX, në ndryshim nga ata të botës së lashtë, nuk kishim të drejtë as që t’i mbanim flokët sikur dëshironim. Pantallonat dhe fundet duhet të kishin përmasat e përcaktuara e të miratuara nga “Faraoni” dhe vartësit e tij.
Ne shkrimë gjithë talentin e aftësitë tona për t’i kënduar madhështisë së “Sulltanit”, me vargje, me këngë, me piktura, me gdhëndje, madje duke gdhëndur edhe malet, që emrat e dyshes (ENVER HOXHA) me nga pesë shkronja të shiheshin së larti nga qielli, mbasi “Dielli” ynë ishte më i shndrritshmi i gjithësisë.

f.95
Nga intervista e Nexhmije Hoxhës dhënë një gazetari italian
Gazetari Purgatori, me një notë të lehtë ironie, vë re se “ajo tregonte një ëndërr krejt të sajën, ku nuk ka kujtesë për 600 mijë bunkerët prej betoni, të mbjellë që nga Greqia e deri në Mal të Zi dhe për gjysmë milioni kundërshtarë politikë, që i lashti Enver zhdukte ose riedukonte”.

Mjafton që ajo të marrë mundimin të lexojë kujtimet e atyre që regjimi i saj u grabiti rininë e jetën, jo pse ishin kriminelë, por se ishin ajka e kombit. Burgu i “massima sicurezza” ( ku ishte Nexhmija) i Tepelenës është një vend verimi në krahasim me Burrelin, Vloçishtin, Maliqin, Orman-Pojanin, Gjirokastrën e kampe e burgje të tjera, ku dergjeshin, vegjetonin e ndërronin jetë, në kushte të papërfytyrueshme, ata që konsideroheshin “armiq të popullit”.

“Në kohët tona skafistë zero, jetohej në mënyrë spartane”- deklaron zonja Hoxha.

Z. Pëllumb Kulla i përgjigjet: Klika komuniste e Hoxhës dhe e atyre që ai la pas, ka qenë dhe mbetet organizata më e fuqishme e trafikut dhe e kontrabandës në të gjithë globin tokësor. Është e pamundur që një organizatë tjetër t’ia dalë të vihet në krye të një shteti, të ketë ushtrinë, flotat ajrore e detare, të tëra nën këmbët dhe shërbimin e saj…

Përballë opinionit të huaj, shtetet komuniste vetëparaqiteshin si shoqëri pa papunësi, pa taksa, pa kriminalitet, pa konflikte të brendëshme, me arsim dhe shërbim shëndetsor falas, me qira simbolike, me kampe verimi e shtëpi pushimi të paguara nga shteti etj. Për çudi, zonja Hoxha nuk i radhit të gjitha këto në dobi të sistemit, ose gazetari i ka shkurtuar..Pas ballinës mozaik që përbëhej nga të gjitha këto arritje, fshihej e vërteta rrëqethëse që rëndoi mbi shqiptarët për gati gjysmëshekulli. Papunësia zyrtarisht nuk ekzistonte, por 70 % e popullsisë vazhdonte të përjetonte epokën e bujkrobërisë, ku vendin e skllavopronarëve e kishin zënë kryetarët dhe sekretarët, ajo punonte “që teksa lind e perëndon”, për t’u shpërblyer, në rastin më të mirë, me një bukë gruri dykilëshe. Për sa i përket “klasës punëtore” apo “inteligjencës popullore” mjafton të kujtohet se, për të blerë një televizor të thjeshtë nuk mjaftonte rroga e 7-8 muajve ose edhe më shumë.
Konfliktet shoqërore dhe krimiunalitetin e administronte vetë Partia- shtet, nëpërmjet ideologjisë së vet enveriste dhe praktikës së saj staliniste. Lufta e klasave ishte motori kryesor që lëvizte makinën e përbindëshme të partisë-shtet, ishte kundërvënia e përjetshme ndëmjet dy pjesëve të të njëjtit trung, të banorëve të Shqipërisë. Diktatura e proletariatit ishte shprehja më e shëmtuar dhe më ogurzezë e krimit të institucionalizuar në pushtet, ishte mynxyra më e madhe që populli shqiptar kishte provuar në historinë e tij mijëvjeçare. Arrestimet, ekzekutimet, dënimet me punë të detyruar, internimet gjysmëshekullore janë shfaqjet më makabre të krimit komunist, por për to zonja Hoxha nuk shprehet.

f.150
Stalini
Në sa milionë viktima llogaritet kasaphana njerëzore në “atdheun e socializmit”? Sipas historianit Roi Medvedjev “asnjë tiran në histori nuk kishte masakruar një numër kaq të madh bashkëatdhetarësh”, “së paku 15 milionë”- thotë Andrej Zaharov. Kurse Sollzhenicini thotë 60 milionë!
…Diktatura e proletariatit- thoshte Lenini- është një pushtet pa kufizime, pa ligje, pa rregulla, që mbështetet drejtpërdrejt mbi detyrimin…

f.153
Supozohet se komploti kundër Stalinit u organizua, sepse ai kishte në plan një fushatë arrestimesh në radhët e udhëheqjes, sipas modelit të gjyqeve të Moskës, e së fundi, studiues amerikanë mbrojnë tezën e një projekti për një konflikt të armatosur me SHBA, që do të shpinte botën në një katastrofë bërthamore.

f.270
Lazër Shantoja

Shantoja hyri me tërsëllim në hullinë e gjerë të klerikëve intelektualë katolikë, të cilët, që nga Buzuku, Bogdani, Bardhi e deri te Fishta, Mjeda, Gjeçovi, Marlaskaj etj zotëruan me personalitetin dhe veprimtarinë e tyre fetare e kulturore, në harkun kohor të shekujve, në sferën e qendresës shqiptare ndaj rrezikut thërmues të pushtimit, duke përfaqësuar shtyllën kurrizore të kulturës e të idesë kombëtare….Kisha katolike shqiptare në mesjetën tonë që u zgjat deri në shekullin XX, mbajti mbi shpatulla elementët themelorë të ringjalljes së kombit shqiptar.

f.273
Shqipërisë –thosh Shantoja- i duhen mësues që të jenë të vetëdijshëm për misionin madhor që i pret, e që punën e tyre ta shohin në prizmin jo të fitimit të çastit, por të dobisë së të ardhmes.

f.277
Ai ishte i pozicionuar në krahun e opozitës antizogiste. Idhulli i tij ishte Luigj Gurakuqi që “me një duresë e një palodhësi shembullore shkrini jetën për idealin e një Shqipërie të lirë, të madhe, të lume”.

f.279
Pushtimin e vendit Shantoja nuk e quajti tragjedi, përkundrazi si një mjet për t’u bashkuar me Italinë, e, nëpërmjet saj me Evropën e qytëruar, ku ai ëndërronte ta shihte edhe vendin e tij me të gjitha atributet. Shkrimet e kësaj periudhe ndoshta kanë qenë aktakuza më e fortë që drejtësia komuniste i ka bërë martirit të parë të ligjeve të saj….
*Eugjen Merlika
Përsiatje
Njerëzore, letrare, shoqërore, historike
387 faqe
OMSCA-1
2011

Filed Under: LETERSI Tagged With: Eugjen Merlika, Nje jete en diktature

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT