• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DR.MURTEZANI: “Po të duam të jemi një komb, ne duhet të jemi një gjuhë”*

June 16, 2020 by dgreca

Skënder Murtezani, është një nga mjekët shqiptarët në Nju Jork i cili ndodhet në vijën e parë të frontit kundër Covid-19. Profesori dhe mjeku epidemiolog shqiptar tregon mbi situatën aktuale të koronavirusit dhe për rëndësinë e zbatimit të masave për reduktimin e përhapjes së këtij virusi.

Rritja e numrit të të infektuarave dhe humbja e jetës së shumë njerëzve në të gjithë këtë kohë, mjeku shqiptar e shikon si një luftë, të cilën mund ta fitojmë vetëm nëse jemi të bashkuar dhe të respektojmë masat që na janë kërkuar.

“Që prej muajit mars unë fillova me intervistat dhe me apelin si në atdhe e si në komunitetin tonë këtu në Amerikë, se kujdesi duhet të jetë i veçantë. Është një luftë biologjike, e papritur e cila kërkon aktivitetin dhe pozicionimin e çdo personi deri në fitore të kësaj lufte biologjike. Fituam besimin dhe vetëbesimin e qytetarëve se vetëm së bashku mund ta fitojmë këtë luftë të rrezikshme që akoma po vijon.

Për fat të keq edhe pse Amerika ishte në vend të dhjetë me numrin e vdekshmërisë për 10 milion banorë, dy ditët e fundit ka arritur në vendin e pestë por jo shkaku i Nju Jorkut kësaj radhe, i cili ka treguar një maturi shumë të madhe si nga ana e popullatës në përgjithësi ashtu dhe nga e qeveritarëve, një disiplinë që është kuptuar jashtëzakonisht mirë ”,- është shprehur ai.

Rikthimin e një vale të dytë të koronavirusit në stinën e vjeshtës, epidemiologu shqiptar Skënder Murtezani e shikon si të paqartë, duke marrë parasysh faktin që akoma nuk ka përfunduar plotësisht vala e parë.

“Mos harroni se ne nuk e kemi mbaruar ende valën e parë. Prandaj nuk do ta kemi të qartë nëse është vala e dytë apo përkeqësimi i valës së parë. Unë mendoj se një riedukim duket shumë i thjeshtë, shumë banale, ndoshta e mërzitshme por në qoftë se ne si amerikanë, si pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme bëhemi bashkë, përdorim masën e distancimit për 4-6 javë. Unë mendoj se mund t’i japim fund pandemisë,”- vijon më tej mjeku Murtezani.

Doktor Murtezani është një histori suksesi dhe ngjitja në shkallët e karrierës në mjekësi padyshim që edhe për të nuk ishte lehtë. Teksa kthehet pas në kohë duke kujtuar fëmijërinë e tij, çështjen e karrierës në botë, ai nuk e shikon si të rastësishme por si rezultat i një studimi këmbëngulës dhe një pune të mëvonshme me plot pasion.

“Po të kisha menduar për vështirësitë nuk do kisha arritur aty ku jam tani. Mendoj me një heshtje, me një pranim të vështirësive, vetëm vazhdoja e ecja përpara. E kisha limitin e caktuar. Kisha dëshirë që të punoja me njerëz të shkencës në Amerikë. Ja arrita. Punova në zbulimin  e hormoneve të reja. Jam shumë i kënaqur me karrierën profesionale. Kam mbi 600 raste që i kam bërë me dorën time në situatën ku sot ndodhemi”- tregon mes emocionesh.

Profesori Skënder Murtezani nga Tetova, tregon se prindërit e tij kanë bërë një punë të shkëlqyer me të saqë e lidh edhe me karrierën dhe profesionalizmin e të tre djemve në punën e përditshme.

“Një fëmijëri jashtëzakonisht e bukur, me prindër të dedikuar. Ishim tre vëllezër. Ato punuan me ne aq bukur saqë të tre jemi mjekë,”- tha ai.

Të jetosh dhe punosh prej shumë vitesh në Nju Jork, nuk e ka zbehur aspak pastërtinë e të folurit kaq pastër dhe kaq kuptueshëm gjuhën e bukur shqipe. Për këtë, mjeku tregon:

“Familja jonë ka qenë jashtëzakonisht atdhetare. Ne të gjithë jemi rritur në principin “Po të duam të jemi një komb, ne duhet të jemi një gjuhë”. Ne i kemi respektuar gjuhëtarët tanë, që ata të marrin vendimin se cila gjuhë do të jetë standarde. Detyra jonë si profesionist është të ndjekim atë që na është shtuar. Edhe në të ardhmen nëse do bëhen ndryshime ne sërish do t’i përshtatemi. Unë kam qenë 12 vite në shkollë shqipe. Gjimnazi i Tetovës ka qenë me emër shumë të mirë, për arsye se profesorët shqiptarë ishin të gjithë me magjistraturë. I gjithë kualiteti u mblodh në këtë gjimnaz që unë isha shumë fatlum të kem profesorët më të mirë shqiptarë. Në 8-vjeçare dhe në gjimnaz unë nuk kam pasur asnjë notë tjetër përveç 5.”- përfundon ai.(Kortezi:Diaspora)

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Skender Murtezani, Nje gjuhe, Nje Komb

NJË KOMB, NJË APEL

September 12, 2017 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Pesë ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara, republikanët Xhorxh H. W. Bush i vjetër, Xhorxh W. Bush i ri dhe demokratët Xhimi Karter, Bill Klinton dhe Barak Obama u bashkuan  jav;n që kaloi për të themeluar, “Apeli i Një Amerike”, me qëllim mbledhjen e fondeve urgjente për viktimat e uraganit Harvi në shtetin Teksas dhe të uraganit Irma, në shtetin Florida.

5 Presidentet USA

Apeli i Një Amerike është një thirrje e përbashkët nga pesë ish-presidentët amerikanë me qëllim për të inkurajuar bashkqytetarët e vet që të mbështesin përpjekjet për rimbkëmbjen e viktimave të uraganit Harvi në Teksas dhe uraganit Irma në Florida. Ish-presidentët amerikanë, sipas portalit të këtij apeli, u frymëzuan për të bërë diçka, për të ndihmuar vikimat e këtyre fatkqesive natyrore, që shkaktuan vërshime të mëdha shkatërruese, por të cilat bënë që mijëra qytetarë vullnetarë anë e mbanë Shteteve të Bashkuara të vërshonin në këto dy shtete, për të ndihmuar bashkë-kombasit e tyre të prekur rëndë nga uraganët që goditën dy shtetet jugore të Amerikës, Teksasin dhe Floridën.   Sipas shifrave zyrtare, thuhet se më shumë se një milion banorë janë detyruar të largoheshin ose të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre.   Llogaritet që uragani Harvi në Teksas të ketë shkaktuar rreth 180-miliardë dollarë dëme materiale, duke shkatërruar mbi 200.000 shtëpi, në një hapësirë prej 300-miljash tokësore.   Ish-presidentët angazhohen se të gjitha ndihmat e mbledhura nga apeli i tyre do të dorëzohen menjëherë dhe qind për qind do jepen njerëzve në nevojë — të prekur rëndë nga këto fatkeqsi natyrore.   Fondet që do mblidhen nga ish presidentët janë krejtësisht private, janë pra shtojcë dhe nuk do të zëvëndsojnë fondet e parapara për raste të tilla, që do të dërgohen nga të gjitha nivelet dhe institucionet e qeverisë federale dhe shtetërore, të aprovuara paraprakisht nga Kongresi dhe autoritetet vendore, për qëllime të tilla.

Siç dihet, këta politikanë të lartë amerikanë – në rolin e tyre dikur si presidentë dhe tani si ish-presidentë — kanë pasur dhe kanë gjithnjë, midis tyre, ndryshimet politike dhe partiake, por siç është tradita në këtë vend, në raste të tilla emergjente kombëtare, ndërkombëtare dhe të fatkeqsive natyrore ose të tjera, pikpamjet dhe qëndrimet politike, tradicionalisht,lihen mënjanë dhe janë bashkuar për të përballur, si është më mirë, sfida të tilla që prekin shtetasit e këtij vendi, pa dallime politike ose në cilin shtetin ndodhin ato.   Ky apel është një përpjekje, thanë ata, për t’u bërë thirrje “Bashk-atdhetarëve por dhe miqëve tanë përtej detit” që tu vimë në ndihmë të prekurve nga këta uraganë, jeta e të cilëve është këthyer mbrapsht duke u ndërprerë në mënyrën më brutale nga kjo fatkeqësi natyrore, ndërkohë që kanë humbur pothuaj çdo gjë me vlerë, përfshirë banesat e tyre.   Edhe Shqipëria dhe Kosova, janë ndër vendet përtej detit të cilat kanë premtuar ndihma për viktimat e uraganit në Shtetet e Bashkuara.

Ish-presidentët amerikanë shprehen se themeluan një portal të posaçëm dhe të sigurt me qëllim mbledhje fondesh private, ndërkohë që njëkohsisht, sigurojnë donatorët se çdo qindarkë do të përdoret për të ndihmuar drejtë për drejtë, viktimat e prekura rëndë nga vërshimet dhe dëmet që rezultuan nga ujërat që mbuluan zona të tëra dhe hapësira të gjëra kontinentale në jug të Amerikës.   Thuhet se lartë nga një million banorë janë detyruar të ç’vendoseshin nga shtëpitë e tyre nga urgani Harvi në Teksas dhe Luiziana muajin që kaloi, duke shkaktuar kështu vdekjen e të pakën 70-vetave.   Ndërsa nga pikëpamja e dëmeve materiale, governatori i Teksasit, Greg Abbot llogarit se ato mund të arrijnë në qindra miliarda dollarë.   Ndërkaq, sipas njoftimeve jo zyrtare të fundit që përcillen në komunitetin shqiptaro-amerikan, nga uragani në Teksas dhe sidomos nga uragani në Florida, mësohet se janë prekur edhe shumë familje shqiptaro-amerikane që jetojnë në këto dy shtete, megjithse numri i saktë i tyre nuk dihet ende.

Duke njoftuar krijimin e këtij apeli për të ndihmuar viktimat e uraganit në Teksas dhe në Florida, ish-presidenti Bill Klinton tha se uragani Harvi në Teksas, me të vërtetë solli shkatërrime të tmershme materiale, por kjo fatkeqsi bëri gjithashtu që njerzit të tregonin anën më të mirë humanitare të tyre duke u ardhur në ndihmë dhe pa përtesë, bashkombasve të vet, në një kohë kur ata kanë nevojën më të madhe për ndihmë dhe mbështetje, më shumë se kurrë, për ri-mbëkëmbjen e tyre dhe për këthimin e tyre – megjithse nën rrethana shumë të vështira e që mund të marrë një kohë të gjatë — në një jetë sa më normale që të jetë e mundur për ta, u shpreh në një video mesazh të transmetuar në television, ish-presidenti Bill Klinton.   Ndërsa ish-presidenti Xhorxh W Bush tha se, “Njerzit po vuajnë shumë nga pasojat e uraganit në Teksas”, por siç u shpreh një banor i Teksasit, shtoi ai, “Ne kemi më shumë dashuri për njëri tjetrin në Teksas se sa ujërat e vërshuara.”   Ndërsa ish-presidenti Obama, tha me rastin e themelimit të apelit për mbledhjen e ndihmave për të prekurit nga uragani se, “Si ish-presidentë, ne duam të ofrojmë mbështetjen tonë, për të ndihmuar bashkombasit tanë amerikanë që të nisin të rimkëmben nga kjo fatkeqësi natyrore.”

Në një mesazh televiziv që u reklamua gjatë ndeshjeve të futbollit amerikan, Presidenti Obama u shpreh se ,”Kohët e fundit, jemi dëshmitarë se vendi ynë është goditur rëndë nga një shkatrrim katastrofal”, ndërsa Presidenti Karter thotë se, “Anë e mbanë këtij vendi të madh, amerikanët i janë përgjigjur thirrjes së tyre”, ndërsa Presidenti Bushi i ri, në mesazhin e veçantë me këtë rast, flet për një “Apel të veçantë i cili na detyron që të bëjmë çdo gjë të mundur në mbështetje të njerëzve në nevojë.”

Ndërsa Presidenti në detyrë, Donald Trump shprehu mbështetjen e tij ndaj kësaj nisme të ish-presidentëve amerikanë, duke thënë se, “Ne do të përballohemi me cilëndo sfidë qoftë, pa marrë parasyshë se sa të forta janë furtunat ose sa të larta janë valet e detit.   Jam krenar”, shtoi ai, “që të mbështes nismën, “Apelin e Një Amerike”, të pesë ish-presidentëve të vendit tonë.

Mund të thuhet pa asnjë ekzagjerim se kjo ndërmarrje nga ish-presidentët amerikanë me këtë rast, është në traditën më të mirë të politikës amerikane.  Në të vërtetë, ky bashkpunim filantropik nuk është i pari midis ish-presidentëve amerikanë, në raste fatkeqsishë natyrore mbrenda dhe jashtë vendit, por është i pari në mandatin e Presidentit Trump.   Presidentët Bushi i vjetër dhe Bill Klintoni kanë mbledhur fonde për viktimat e cunamit në Azi në vitin 2004, si dhe për vikitmat e uraganit Katrina që goditi shtetet Luiziana, Misisipi dhe Alabama në vitin 2005, por dhe pas tërmetit të rëndë që shkatërroi Haitin në vitin 2010, Presidenti në detyrë Barak Obama i kërkoi Presidenti Klinton dhe Presidentit Bush të ri që të kryesonin përpjekjet për mbledhjen e fondeve për t’u ardhë në ndihmë viktimave të atij tërmeti të fortë që pat goditur keq Haitin, në vitin 2010.

Megjithë konfliktet e tyre politike gjatë viteve — në arenën e mbrendshme ose të jashtme në të kaluarën — presidentët amerikanë në raste fatkeqsishë natyrore si uragani Harvi ose Irma, por edhe në kohë lufte, ose në raste sfidash kombëtare dhe ndërkombëtare me rëndësi, tradicionalisht, ata kanë lënë mënjanë grindjet dhe interesat politike të momentit dhe janë bashkuar për “Një Amerikë”, duke vendosur mbi të gjitha — në vend të parë — interesin kombëtar dhe fatin e bashkombasve të vet të goditur rëndë nga fatkeqsitë natyrore.   Ndihma e tyre nuk është kufizuar vetëm mbrenda kufijve të Amerikës, ndërkohë që në shumë raste, ata kanë mbledhur fonde edhe për popujt përtej detit, të goditur nga fatkeqsi të ndryshme natyrore, qofshin tërmete ose uraganë kudo në botë, duke filluar nga Haiti e deri në Azi.

Një bashkpunim si ky, njoftuar ditët e fundit, nga ish-presidentët amerikanë — me pikpamje politike që shpesh i dallonin debatet e ashpra gjatë mandateve të tyre, si përfaqsues të partive që u përkasin, kur kombi amerikan është gjëndur, historikisht, përballë sfidash kombëtare ose ndërkombëtare — i ka rrënjët në fillim të republikës amerikane dhe kjo traditë ka vazhduar gjatë administratave të ndryshme gjatë shekullit të kaluar e deri në ditët e sotëme, siç dëshmon edhe themelimi nga pesë ish-presidentët amerikanë i Apelit për mbledhje fondesh, për të ndihmuar viktimat e uraganit, të kohëve të fundit, në shtetet Teksas dhe Florida.   Kjo nismë është diçka tipike e politikës amerikane – që tregon se për këta ish-udhëheqës amerikanë – qoftë në detyrë, qoftë në pension — interesat e kombit dhe nevojat e popullit të tyre përball sfidash dhe fatkqesishë dhe kurdoherë — janë gjithmonë mbi interesat personale, politike ose partiake – gjë që është për t’u lakmuar dhe për t’u kopjuar.

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, NJE APEL, Nje Komb

Koha që të kemi “Një komb, një kombëtare, një ligë shqiptare”!

April 14, 2014 by dgreca

Në vitin 2008 nga 2930 të anketuar: 1902 veta mendonin se Liga 1 e Kosovës, duhet të integrohet në atë të Shqipërisë/
Nga BEQIR SINA – Nju Jork/
New York City : Vazhdimisht, po diskutohet dhe janë shtuar zërat në portalet shqiptare në internet dhe disa media shqiptare, çështja e bashkimit të dy ligave të futbollit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Madje shpesh herë merret si shembull eksperienca e kontinetit të Amerikës së Veriut, Kanadja dhe SHBA ku janë gjashtë ligat më të mëdha sportive në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada : Football League Canada (CFL), Major League Baseball(MLB), Major League Soccer (MLS), Shoqata Kombëtare e Basketbollit (NBA), Lidhja Football Kombëtare (NFL), dhe League Kombëtare e Hokejit (NHL) që kanë një ligë të përbashkët.
“Një komb, një kombëtare, një ligë shqiptare”! Është kjo fushata më e fundit e nisur në stadiumet e Shqipërisë, Kosovës dhe madje edhe në Maqedoni, prej se kur Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008. Dhe ky qëndrim i shumë shqiptarëve si në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Preshevë, Bujanovc, Medvegje dhe diasporë është parë ngado si :”Një mesazh i qartë për krerët e futbollit, në të dy ligat futbollistike atë të Shqipërisë dhe Kosovës, duke dashur që shqiptarët në Ballkan të përfaqësohen vetëm me një kombëtare, pse jo, edhe me një ligë mbarëshqiptare futbolli ku brenda saj të zhvillohen të gjitha garat “.
Fushata e fundit mori shkas pas zhvillimit të ndeshjes së parë miqësore të Kosovës ndaj Haitit dhe për t’i paraprirë një debati marëkombëtarë si fillim dhe më pastaj për t’a kërkuar në instuticionet përkatëse ndërkombëtare për atë :” Që Kosova dhe Shqipëria të kenë “Një komb, një kombëtare, një ligë shqiptare”! apo dy kombëtare, pra secila të veten.
Por duket se në mënyrë dërrmuese janë për një kombëtare, të paktën shumica e shqiptarve, ku kryesorët, simbas shtypi shqiptar kan qenë edhe “Tifozat Kuq e Zi”, të cilët thuhet se e kanë thënë fjalën e tyre para se Kosova të merrte lejen nga FIFA për zhvillimin e ndeshjes miqësore me Haitin. Dhe po të ndjekësh debatet për këtë çështje në interrnet shikon qartë se nuk janë vetëm tifozët e futbollit ata që mbështesin për idenë e një kombëtareje apo të një lige mbarëshqiptare, por janë shqiptarët kudo .

“Në fakt, kjo ide është hedhur që në vitin 2007, simbas gazetës shqiptare, e cila shkruan se por publikisht, pikërisht më 4 mars të këtij viti, një ditë para ndeshjes miqësore me Maltën, kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, deklaronte hapur që duhet të jetë një kombëtare shqiptare dhe një kampionat i përbashkët, në mënyrë që t’i shërbejë cilësisë jo vetëm të garës sportive, por edhe të përfaqësueses së vetme. Lorik Cana, simbas Gazetës Shqiptare, duket se i parapriu edhe ndonjë mendimi kundër, duke deklaruar se natyrshëm që do të kishte edhe nga ata që nuk e donin këtë, por ishte i bindur se shumica do vetëm një kombëtare.
Rreth kësaj ideje janë shprehur disa vjetë më parë në një faqe elektronike shqiptare në interenet, e realizuar me një teknik bashkëkohore, në adresën(domain) : www.sportalbania.com – më shumë se 3 mijë shqiptarë. Për këtë qëllim pyetje e cila, deri tani, egziston dhe ka ngritur vëmëndjen, e një numëri të konsiderueshëm apasionuesish, të sportit dhe të kësaj faqe elektronike(web-site), por edhe të vizitorve të cilët, kan pas rastin të ndjekin atë, është thuajse e përditëshme në rrjetet sociale shqiptare në internet.
Për këtë tregon dhe vet numëri i madh i të anketurave, qysh në atë kohë, është tregues i qartë se ka një interesim të madh ky anketim, dhe i thyen ndoshta edhe parashikimet.
Pyetja e këtij anketimi ka qenë e formuluar në mënyrë të till : ku i kërkohej çdo njerit me anë të një klikimi, të përgjigjej në atë se : A mund të integrohet Liga 1 e Kosovës, në atë të Shqipërisë?. Sipas kësaj faqe; anketimi(sondazhi) kishte arrirë rezultatet dhe komentet e kënaqeshem të këtij anketimi. Të cilat, në shikim të parë u duken tepër dinjitoze dhe lanë pas shpresën se në të ardhmen rezultatet e tij përfundimatare, mund të vihen në jetë, duke i bashkuar zyrtarishtë dy ligat e futbollit e përfshirë ato në një ligë të përbashkët të futbollit shqiptarë.
Ky lloj organizimi ka arsye dhe mund të marr shëmbull konkret nga liga Amerikano – Veriore e disa sporteve. Në këto dy vende ka përfshirje të dy ligave Kanadezo – Amerikane, si të përbashkëta; në basketboll , bejsboll, hokej mbi akull, e sporte të tjera më të vogla.
Sipas ish- anketimit të “www.sportalbania.com” deri atheere kishin votuar gjithësej 2930 apasionues, të interenetit dhe sportit shqiptarë.
Ndër ta 1902 veta i kishin thënë : Po! pyetjes, ç’ka do të thoshte sipas atij rezultatit 64.91 % e të pyetureve, mendonin se kjo duhet të bëhet dhe se nuk ka asnjë penges ligjore ndërkombëtare për t’a kokretizuar realizmin e bashkimit të dy ligave të futbollit. Ndërsa, për “Jo” duket se mendojnë më pak se gjysma e të pyeturve pra 28.77 % ose 843 veta. Të pasigurt me përgjigjen “Nuk e di” 2.59 % ose 76 veta. Një “Po” tjetër në këtë anketim ka qënë ajo e mendimit të 3.72 % ose 109 të cilët thonë Po, por kësaj ideje duhet që së parit t’i paraprijë proçesit politik.
Mirëpo, duhet theksuar se debati që ka nisur menjëherë pas zhvillimit të ndeshjes së parë miqësore të Kosovës ndaj Haitit, për t’i paraprirë asaj që Kosova dhe Shqipëria të kenë apo të mos kenë dy kombëtare, pra secila të veten, duket se e i ka nxitur edhe më shumë shqiptarët, të kërkojnë ( votojnë në rrjetet sociale Facebook e Twitter ) për :”Një komb, një kombëtare, një ligë shqiptare”!”
Për një kombëtare, të paktën janë shumica e shqiptarëve në Kosovë dhe trojet shqiptare, por edhe “Tifozat Kuq e Zi”, në Shqipëri, të cilët thuhet se kanë thënë fjalën e tyre, që para se Kosova të merrte lejen nga FIFA për zhvillimin e ndeshjes së parë ndërkombëtare miqësore me Haitin në stadiumin e Mitrovicës në Kosovë, ndeshje e cila u mbyll me një barazim të “thatë” 0 – 0.

Filed Under: Sport Tagged With: Nje Komb, një kombëtare, një ligë, shqiptare

“NJË KOMB, NJË GJUHË, NJË KULTURË”

November 11, 2012 by dgreca

Në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë-  Libri është përgatitur: Dr. Ibrahim Gashi/

Nga Prof. MURAT GECAJ/

Dje  në mesditë, në sallën “Alakd Buda”, të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë,  u oranizua përurimi i veprës së re të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë, “Një Komb, një Gjuhë, një Kulturë”. Ajo ishte përgatitur nga i ndjeri dr. Ibrahim Gashi dhe u botua në SHB “Vest Print”-Tiranë, me drejtues Eduard Vathin. Kishin ardhur akademikë e profesorë, “Mësues të Popullit” e “Mësues të merituar”, punonjës të arsimit, kulturës e shkencës, nga trojet shqiptare të Ballkanit e diaspora dhe mndia e shkruar e ajo elektronike  e tjerë.

Pas Hamnit Kombëtar, drejtuesi i programit të veprimtarisë, Qani Sulku, ia dha fjalën e rastit, në këtë tibim, drejtorit të IIKSH, Rezart Gashi. Ndër të tjera, ai u ndal një mjaft veprimtari të këtij institucioni vullnetar, si brenda vendit dhe në trojet shqiptare të Ballkanit e në diasporë. Veprimtari kulmore e këtij Instituti ishte Konferenca e Parë Mbarëkombëtare, me temë “Studimi i mundësive të përafrimit, deri në njësim, të  programeve e teksteve mësimore, në të gjitha shkollat e trojeve amtare e në diasporë”, mbajtur në Tiranë, në shtator 2011. Temat e 30 refereuesve në atë tubim, i redaktoi dhe i përgatiti për botim Dr. Ibrahim Gashi, kryetar i Komisionit Qendror të IIKSH e i Bordit të tij, i cili fatkeqësish tu nda nga jeta më 9 maj 2012. Në vazhdimësi, punuan një grup kolegësh dhe u arrit që këto ditë vepra të dalë në qarkullim, në prag të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Më tej, në emër të Akademisë së Shkencave të RSH përshëndeti prof.dr. Emin Riza, i cili theksoi punën e thelluar kërkimore, studimore e botuese në fushën e shkencës, nga dr. Ibrahim Gashi dhe e vlerësoi këtë vepër një arritje të re kolektive  për trajtimin e çështjheve të ndyrshme, sidomos për gjuhën, tekstet e traditat kombëtare.  Duke e përshëndetur punën e secilit, ai i lexoi edhe emrat e gjithë bashkatutorëve. Për vlerat e shumanshme të kësaj vepre foli edhe prof.dr. Hulusi Hako. Ai nënvizoi se kjo vepër lidhet organikisht me punën e palodhur,  frymëzuese e organizuese të të ndjerit Dr. I.Gashi, duke u bërë kështu tani e tutje atë, pronë dhe mjet të mbrothësisë sonë mbarëkombëtare, duke plotësuar kështu edhe një dëshirë të madhe e amanet të tij.

Në emër të kyesisë së Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë përshëndeti znj. Yllka Beçi, e cila tha se Dr. Ibrahim Gashi ishte arsimtar dhe veprimtar shembullor, studiues e botues i palodhur edhe në ndihmë të shkollave shqipe, me tekste e botime të tjera. Ai u dallua  në punën  dhe veprimtaritë e disa institucioneve e shoqatave, si të SHASH e Shoqatës “Tirana”, në Institutin Shqiptar të Mendimit e Qytetërimit Islam (AIITC) e tjerë.

Po kështu, kryetari i Shoqatës atdhetare-kulturore “Tirana”, z.Arben Tafaj, nënvizoi veprimtarinë e palodhur shoqërore të dr. Ibrahim Gashit, shprehur kjo gjë dukshëm  me ndjenjat fisnike e atdhetare. Për këtë arsye, duke e vlerësuar lart tërë punën  dhe përkushimin e tij, ai i dorëzoi familjes titullin “Mirënjohja tiranase”, shoqëruar me motivacionin përkatës.

Prof.dr. Emil Lafe, në fjalën e tij, u ndal në punën e përkushtuar të dr.I.Gashit në dejtimin e Komisionit Qendror e të Bordit të IIKSH. Po kshtu, nënvizoi disa nga vlerat kryesore të kësaj vepre të re, duke cituar dhe emrat e 30 autorëve të saj, të cilët janë  profesorë e doktorë shkencash, studiues e shkrimtarë dhe peronalitetetjerë të letrave, jo vetëm nga Shqipëria e trojet shqiptare të Ballkanit, por dhe nga diaspora. Në vazhdim foli M.Gecaj, i cili solli kujtime nga takimet e bashkëpunimi me autorin e përmbledhjes, përmendi mjaft vepra të tij të botuara ose të lëna dorëshkrim dhe pastaj tha: “E falënderoj nga zemra birin e Dr.Ibrahim Gashit, Rezartin, drejtor i Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, që ngulmoi dhe u kujdes pandërprerje, që ky libër ta shihte dritën e botimit, duke patur edhe ndihmën e kolegëve! Kështu, tani ne jemi disi më të qetë, se me këtë vepër nderojmë, kujtojmë dhe vlerësojme sadopak punën e përkushtuar, atdhatare e profesionale, të këtij kolegu e mikut tonë, të dashur e të paharruar”.

Me interes u ndoq përshëndetja e dr. Nail Dragës, studiues dhe botues i njohur në Ulqin të Malit të Zi. Ndër të tjera, ai kujtoi edhe udhëtimin e një grupi të IIKSH, me dr. I. Gashin atje, në vitin e kaluar,si dhe Konferencën, që u mbajt në shtator 2011 në Tiranë, me pjesëmarrje të veprimtarëve nga të gjitha trojet shqiptare të Ballkanit e diaspora. Më tej, për nevojën e bashkëpunimit dhe me diasporën shqiptare në Turqi foli shkrimtari i ri, Ahmet Okçun. Ai premtoi se, në periudhën  vazhduese  do t’i përkushtohet këtij qëllimi, në përbërje të IIKSH. Kujtime nga jeta në arsim  e dr. I. Gashit solli studiuesi i njohur Uran Butka. Ai nënvizoi edhe disa nga vlerat atdhetare, arsimore, kulturore e shkencore të kësaj vepre të re.  E frymëzuar ishte fjala e mësuesit dhe poetit Namik Selmani, i cili në këtë vepër ka ndihmesën e çmuar për trajtimin e çështjes së pazgjidhur të Çamërisë.

Në vijim u laxua një mesazh mjaft i ngrohtë, dëruar posaçërisht për këtë tubim, nga z. Sadik Elshnai, kryetar  i Shoqatës atdhetare e kulturore “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia të SHBA. Në pamundësi ardhjeje, në këtë veprimtari të IIKSH, i kishin dërguar përshendetjet dhe mesazhet e tyre, disa persona të veçantë, si: Sokol Demaku: Qendra Atdhetare-Kulturore Shqiptare “Migjeni” (Suedi); Shefqet Hoxha, “Mësues i Popullit” dhe Isa Halilaj, “Mësues i merituar” (Tiranë); Prof. Skënder Skënderi  dhe prof. Gani Pllana (Prishtinë); Viron Kona: shkrimtar e publicist, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (Tiranë); Halil Haxhosaj: arsimtar dhe poet i njohur (Gjakovë); prof. Musa Kraja: rektor i Akademisë Pedagogjike (Tiranë); Hysë Hasa dhe Vlashi Fili: shkrimtarë (Amerikë) dhe të tjerë.

Po kështu, emocione të forta shkaktoi te të pranishmit leximi nga Enkelejda Gashi i mesazhit, që u kishin drejtuar pjesëmarrësve në këtë përurim dy bijat e dr. Ibrahim Gashit, Ardiana e Entela, emigrante në Amerikë. Ndër të tjera, ato nënvizonin cilësitë e mrekullueshme të babait të tyre, bashkëshort e prind shembullor, si dhe studiues i palodhure pasionant  për çështjen kombëtare shqiptare. Për këtë gjë, foli me mallëngjim edhe bashkëshortja e bashëapunëtorja e tij, arsimtarja e metodistja, Liliana Gashi. Gjithashtu, ajo i falëndroi nga zemra të gjithë bashkautorët e veprës në fjalë dhe pjesëmarrësit në këtë përurim.

Gjatë veprimtarisë, familjes Gashi iu dhuruan libra nga autorë të ndryshëm, si dhe një grup famijësh u dhanë atyre buqeta me lule të freskëta. Pastaj, të gjithë së bashku, morën pjesë në koktejin e organizuar nga familjarët e dr. Ibrahim Gashit, i cili do të mbetet përherë në kujtesë edhe me këtë vepër të re kolektive  të  IIKSH, të cilën ai e ideoi, e redaktoi dhe e bëri gati për botim.

Tiranë, 11 nëntor 2012

Filed Under: Kulture Tagged With: Ibrahim Gashi, Murat Gecaj, Nje Komb

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT