• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një lamtumirë e trishtë

March 9, 2018 by dgreca

1 alma Lico ok

Nga Alma LIÇO/

Makina me të cilën udhëtoja së bashku me vëllanë dhe një mik të familjes, la pas qytetin e Korçës. Ende ndjeja aromën dhe ndikimin e fortë të kafesë që shijuam në një nga hotelet e qytetit. Pronari i tij na kishte rrethuar me mbështetjen dhe buzëqeshjen e ngrirë që u rezervohej klientëve të rinj. Ai nuk mundej të imagjinonte se në truallin ku ishte ndërtuar hoteli i tij, dikur ndodhej një shtëpi karakteristike korçare, e cila i përkiste familjes së tim eti. Megjithëse, edhe po ta dinte, aq do i bënte. Të ndërtoje, apo të shfrytëzoje tokën që nuk të përkiste, ishte dhe vazhdon të jetë fenomeni më normal në Shqipërinë e post diktaturës. Grabitje të paskrupullta që  kryhen me bekimin e shtetit.

Sakaq, makina e kishte rritur disi shpejtësinë. Rrezet e diellit përplaseshin me njerën nga pasqyrat, duke mbushur gjithë ambientin me grimca verbuese, të cilat më pas humbisnin në hapësirën për rreth. E ulur në sediljen e pasme, përpiqesha të shijoja bukurinë e kodrinave, që në atë periudhë të vitit ishin të gjelbëruara. Ende ndodhesha nën pushtetin e emocioneve që më ngjallte vendi i origjinës dhe rrënjëve të familjes sime. Rrugicat e pastra të atij qyteti, më përfshinin në një botë sa imagjinare, po aq edhe reale. E mallëngjyer, ndjeja të më kumbonin tingujt e magjishëm të serenatave, të cilat krijonin një harmoni të ëmbël dhe mbresëlënëse me bukuroshet që fshiheshin pas kangjellave të dritareve, apo ballkoneve me lule. Siluetat e tyre ngjasonin me ato të shtojzavalleve të dashuruara të përrallave që herë çfaqeshin, e herë zhdukeshin duke tundur lehtas gërshetat.

Ato rrugica me kalldrëm, më sillnin ndër mend tim atë, asokohe një djalosh të dlirë dhe të shpenguar, që rendte hareshëm në to. E imagjinoja atë, mes thirrjeve entuziaste të bashkëmoshatarëve të tij, tek rrëshqiste mbi ski apo slita, në kodrinat për rreth. Gjatë stinës së dimrit ato mbuloheshin nga dëbora. Ai jetonte lumturisht fëmijërinë e tij, në një realitet shumë më të begatë, më human dhe më të drejtë se ky i sotmi.

Gjysëm ore më pas,  kishim dalë nga  rruga e asfaltuar dhe po udhëtonim në një rrugë të pashtruar fshati. Ishim afruar në zonën ku ndodhej liqeni i Prespës. Ujrat e kaltërta të tij, rrethuar nga një kurorë kodrinash e pyjesh të gjelbëruara, shpalosën një panoramë mahnitëse. Në rrethinat e atij liqeni, ndodheshin disa livadhe që i përkisnin familjes së tim eti. Si gjithçka tjetër, ato ishin sekuestruar nga regjimi komunist gjatë viteve të para të sundimit barbar të tij. Por kjo padrejtësi nuk mori fund me rënien e diktaturës. Përmes një ligji absurd, në shkelje të Kushtetutës dhe të gjitha Konventave të të drejtave të njeriut të ratifikuara në mënyrë hipokrite nga shteti ynë, qeveritë postkomuniste tjetërsuan për të dytën herë përkatësinë e tyre, duke ua ndarë ato abuzivisht fshatarëve të zonës.

Kisha lexuar për “Teorinë e Pafuqisë” të elaboruar nga një shkencëtar i quajtur Martin Seligman, sipas të cilës nuk mund të bëhet asgjë për të kontrolluar apo për të përmirësuar një gjendje të caktuar nga persona që  kanë pësuar e vuajtur pasojat e saj për një periudhë relativisht të gjatë. Dëshpërimisht ndjehesha viktimë e saj. Kisha humbur të gjitha betejat ligjore në kërkim të së drejtës së mohuar.

Ndonëse tërësisht e pashpresë se ato livadhe panoramike do t’i riktheheshin një ditë familjes sime, unë dëshiroja të shkelja në ato toka që aq shumë i kishte dashur e adhuruar gjyshi im. Gjithsesi, nuk qe e lehtë ta ndërmerrja atë udhëtim. Angazhimi i dhimbshëm për t’i soditur e prekur së afërmi ato, ngjasonte me një premtim të pa thënë. Ishte një obligim i heshtur që diktohej nga një amanet që vinte nga një botë e mistershme, të ndryshme nga kjo e jona.

Makina u ndal para një shtëpie përdhese, në oborrin e së cilës ishin vendosur disa tavolina me karrike. Nuk qe e vështirë të dalloja se të zotët e saj e kishin shndërruar atë në një lokal modest fshati.  Ndonëse nuk dalluam askënd në atë ambient, pa e zgjatur hymë brenda dhe zumë vend në njerën prej tyre. Qetësinë që na rrethonte e prishën nja pesë-gjashtë rosa të vendosura në rresht, që mbërritën nga ana tjetër e oborrit. Me krahë gjysëm të hapura, ato rendën të paduruara drejt liqenit.  Disa metra me tutje, valëzat e qeta të tij përkëdhelnin lehtas bregun. I ndjeja kaq miqësore ato valë. Dukej sikur na uronin mirëseardhjen. Për disa çaste sikur humba në atë lloj magjie,  aq sa po më dukej se isha në ëndërr. Nuk kisha mundur t’i rezistoja kurrë mrekullisë blu që ofronin ujrat e deteve apo liqeneve. Dukej sikur më përfshinin në petkun e misterit dhe pafundësisë se tyre. Ato më rrëmbenin e më merrnin me vehte drejt hapësirave të pacënuara nga përditshmëria e zvarritur mes makthit dhe padrejtësisë.

Nga ajo përhumbje më zgjoi zëri i gulçuar i një zonje që nxitoi pranë nesh. Një përparse e pastër kuzhiniereje mbulonte veshjen e saj. Ajo nuk e fshehu dot habinë për mbërritjen tonë atje.  Me sa dukej, ishte mësuar të frekuentohej vetëm nga klientë të përhershëm, banorë të fshatit. Na uroi mirseardhjen dhe pyeti se çfarë dëshironim të merrnim. Vështirësia me të cilën fliste gjuhën shqipe, më bëri të kuptoja se ajo i përkiste një komuniteti jo shqip folës. Pasi na shërbeu me mirësjellje, e ftova të ulej për disa çaste pranë nesh. Me atë shqipen e çalë, ajo nuk ngurroi të pyeste se cili ishte qëllimi i vizitës sonë në atë fshat. Hezitova për  një çast të përgjigjesha. Në realitetin kriminal e të përgjakur që kishte krijuar babëzia e posedimit të pronave të patrashëguara, prania jonë mund të perceptohej si një sfidë apo kërcënim për atë grua të thjeshtë, që jetonte dhe zhvillonte biznesin e saj modest në tokën e gjyshit tim. Fundja, ç’faj kishte ajo, se një shtet bandit si ky i yni, në dhunim të së drejtës së patjetërsueshme të trashëgimit të pronës, ua kishte ndarë atë në mënyrë abuzive e të padrejtë fshatarëve të zonës?

çfarë përgjegjësie kishte ajo, ku përmes proçedurash mashtruese, një pjesë e atyre tokave u ishte shpërndarë fiktivisht disa fshatarëve që nuk figuronin aspak banorë të tij në periudhën që parashikonte ligji absurd dhe dhunues i së drejtës së pronës ?

Gjithsesi, ajo nuk çfaqi asnjë shqetësim për qëllimin e vizitës sonë. Disa minuta më pas, mbërriti dhe i shoqi, i cili paksa i habitur dhe ai për prezencën tonë, shkëmbeu nxitimthi një komunikim në gjuhën maqedonase me të shoqen. Më tej, biseda për jetën në fshat dhe perspektivën e turizmit në atë zonë ende të virgjër, vijoi normalisht.

Pas një shëtitjeje në livadhet e lëna pas dore, dy orë më pas morën udhën e kthimit për në Tiranë. Ndjeja të më kishin shterur bisedat dhe pothuajse nuk fola fare gjatë të gjithë rrugës.  Largimi nga ai vend i mahnitshëm, ngjasonte me një lamtumirë të trishtë. Isha e sigurtë se nuk do të kthehesha më kurrë. Teksa shtrëngoja në duar disa  foto që i përkisnin asaj mrekullie të natyrës, një brengë sa nuk po më mbyste. Më rëndonte pesha e padrejtësisë për pronën e grabitur për të dytën herë. Me gërryente tradhëtia e tjetërsimit të saj.

Hëmmm…………..Nuk e di pse mu rikthye pikërisht në këtë moment kjo ngjarje e përjetuar dhjetë vite më parë, e cila më shkakton veçse dhimbje. Ndoshta, se kthetrat e përçudnimit, si një mallkim, po ngulen thellë dhe më thellë në trupin e saj të mbuluar nga plantacionet vdekjeprurëse të drogës………..Jo, nuk është kjo Shqipëria ime.  Nuk është kjo  Shqipëria që dua.

Filed Under: ESSE Tagged With: Alma LIÇO, Një lamtumirë e trishtë

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT