/
….. FILLIMI/
Adami dhe Eva qenë të parët që thyen urdhëresën e Zotit me frutin e ndaluar. Që aty njeriu mendoi se do fshihej nga Krijuesi, duke gënjyer vetveten, por jo Zotin. Siç shihet, dashuria për krijesat hyjnore qe në format adhuruese, por jo urdhëruese… sepse urdhëri nuk ishte bërë vetëdije ekzistente.
Realiteti vazhdoi i hidhur, dhe shthurja e pabesia detyruan Zotin t’i tregonte të birit të Lamekut, Noehin, të ndërtonte arkën se, Ai (Zoti), do të ndëshkonte njerëzimin e pabesë.
Përsëri disiplina skematike dhe bindja ndaj të adhuruarit ishin larg shpirtërores. Ndjesia e përkushtimit ritual pluskonte në sensin pagan. Egërsia dhe brutaliteti nuk kishin kufi deri në fatalitet. Njeriu i vërtetë mund të kërkohej me kandilin e Diogjenit në ditën me diell.
Ardhja e fenomenit Abraham, përkon me fillimin e ndërgjegjësimit se njeriu nuk qe i rastësishëm në tokë, por kishte një Krijues që fliste me gjuhën e Tij, dhe se njeriu ishte i detyruar të ndiqte disa rregulla jetese bazë për të justifikuar frytin e dhënë: Jetën.
Mëkati dhe shpërfytyrimi i njeriut nuk ndalej, gjë që detyroi Zotin të godiste përsëri tokën: Gomorën dhe Sodomën, jo në përmasat e kataklizmës, por të ndëshkimit lokal. Megjithatë, Hyu nuk u lodh me mirësinë e Tij, i cili flauroi herë pas here njeriun deri me ardhjen e Profetit Moses, që skaliti prekshëm “Dhjetë Urdhëresat”, mes të cilave qe: “ Mos dëshmo në rrenë”. Por dhurata më e vyer e Hyut, jeta u keqpërdor prej grykësisë së njeriut, derisa u quajt “gënjeshtër!” Vetë Solomoni Profet (Sulejman në Kuran), njihet si mëkatar… ku i vë dhe vulën me thënien e tij: “Vanitas vanitatum omnia vanitas!”. Sa dhe sot e kësaj dite, disa e quajnë misterin e jetës: kotësi, gënjeshtër!
Njeriu vazhdoi t’a nënçmonte privilegjin e Hyut, deri me ardhjen e Krishtit (Anno Domini, Në vitin e Zotit, ose Viti Një) Kryqëzimi dhe ringjallja e Tij e bëri besimtarin të ndërgjegjshëm që fryma e shenjtë ekzistonte dhe njeriu ishte produkt i saj, pra nuk ishte gënjeshtër. Shumë u kthyen dhe jetuan në bazë të ligjeve të sanksionuara nga Hyu, dhe përballë rrezikut për jetën asnjëherë nuk gënjyen, “Oh na falni, se ne nuk jemi të krishterë”, por u martirizuan dhe nuk e shkelën besimin ndaj Zotit.
Shekuj më vonë ky martirizim do përsëritej me Klerin Katolik (ku para pushkatimit thanë: Rroftë Shqipëria! Rroftë Krishti mbret!), dhe disa personalitete të Klerit Musliman Shqiptar të linçuar nga Hidrat bolshevike, që kishin për Zot një gënjeshtër të madhe që quhej, Komunizëm. Dhe që të mbahej ky ‘Zot” duheshin flijime njerëzish si në kohën e Keltëve (ligjet barbare të flijimit të njerëzve për Zotat e rremë), ashtu si dhe në anën tjetër të Atlantikut në qendër të Amerikës, njohur si qyteti i Teotihuacan, “vendi ku lindën Zotat”.
Civilizimi i botës, ngriti kështjella besimi, dhe rëre. Shpata bënte lumenj gjaku, ndërsa pushka, dete… Dega e ullirit nuk u mboll në çdo vend. “Dhjetë Urdhëresat” u shkelën, u nëpërkëmbën mizorisht. Urdhëri: “Mos bëj dëshmi të rreme” ose më saktë, “mos gënje!”, u përsos deri në atë shkallë sa dhe pse mëkat, një pjesë e njerëzimit dhe sot nuk mund të jetojnë më pa të…! Politikanët mëkatarë, gënjeshtrën e kthyen në hobi dhe mjet përfitimi ashtu si Kryeministri Rama, që shitjen me centë të ndonjë shkarravine e sjell si justifikim të pasurimit tij! Ndërsa pseudo-historianët dhe pseudo-krijuesit, rrenën e stiluan në gavetë ushtrie. Gjithsesi, gënjeshtra është mëkat, por mendimi im është se, gënjeshtra nuk rëndon njësoj si nga njeriu që përpëlitet për të mbijetuar dhe nga ai që e përdor për pushtet dhe privilegje. Nga ana vet, gënjeshtari është i bindur për vërtetësinë e mashtrimit dhe nuk i bën përshtypje, por nëse dikush e gënjen atë, zgavra e karakterit fals e quan fabulën të papranueshme, spekulative dhe shoqërisht të dëmshme e të rrezikshme.
Sot, fabula stiset në atë formë sa lexuesi i pavëmendshëm e merr gënjeshtrën si asfalt në shkretëtirë, pa e kuptuar se pas këtij iluzioni të asfaltuar qëndron honi përpirës i rërës që fundos iluzionistin e bashkë më të… iluzionin.
Dhe pse, Volteri thoshte: “Fabula është motra e vjetër e historisë”, nuk ka lidhje me ndërrimin e detajeve, datave, shtesa të emrave të paqenë në ngjarje, por me fabulat e stilit të “Njëmijë e një netëve” apo “Përrallat e Andersenit” që kishin si bazë legjendat e popullit.
Historia Moderne, është e prerë, distancuar nga sajimi, gënjeshtra apo zbukurimi. Divergjenca midis të vërtetës dhe gënjeshtrës nuk është si “divergjenca” midis faktit dhe vizionit, që shfaqet si dhuratë hyjnore dhe novacion, pasi kjo mbjell fidane realiteti në antipod me surrealen.
Për mendimin tim, Surrealizmi si lëvizje moderne është më tepër si një aventurë ekspresive kundër-fetare dhe politike (siç e pranojnë dhe vetë ata), se sa rregull dhe disiplinë klasike të jetuarit, menduarit dhe punuarit. Dhe pse, Paul Garon shprehet: “Surrealism, is not only an important method in elaboration the content of ‘pie on the sky’ but it is only surrealism that can take pie out the sky and put on in the diner table.”. (Surrealist Subversions, citim i Sakolsky & Rosemont. F, 105). Realisht, kjo thënie nuk përkon me të vërtetën e prekshme të tavolinës, por me sajimin e “bukur” dhe thyerjen e rregullit të universit real, duke promovuar universin e çthurur. Gënjeshtra mund të jetë dhe propagandë, mund të jetë qëllim në vetvete, mund të jetë dhe sëmundje, por kurrësesi nuk mund të përbëjë kockën dhe palcin e të vërtetës, siç na mëson Herodoti.
Nuk e kam ndërmed të bezdis lexuesin me thëniet e Aristotelit, apo të bëj analogji (për veten tonë) me thënien e Epimenidës për Kretasit…, as të shtjelloj Strawson, Tarskin etj. lidhur më gënjeshtrën, por vetëm do mundohem të tërheq vëmendjen e ndërgjegjes së atyre që përpiqen të shkruajnë histori: Nuk ka shëmti më të madhe se devijimi i faktit historik, antonim i të vërtetës, sëmundje e karakterit të dobët. Gënjeshtra është si batica në breg që nuk e ndjen ujin derisa të lag, dhe, po të mos largohesh, të mbulon të tërin.
E kaluara në të tashmen
Me të kaluarën e zezë nuk mund të bëhem mik, por as nihilist. Me bindje e pranoj se ka pasur muzikë e këngëtarë, talente për t’u admiruar, shkrimtarë të mrekullueshëm, por gjithçka brenda kazanit lunatik. Dhe ndonjë punim serioz historik, si për shembull: Studimi i Universitetit të Tiranës për “Gjergj Kastrioti Skenderbeu Dhe Lufta Shqiptaro-Turke e Shekullit XV, Tiranë 1967, vishej me tisin partiak dhe citime marksiste të panevojshme si: “Forcimi i pushtetit… të Skënderbeut në Shqipëri ishte për zotërinjtë venedikas një halë në sy”. F, 50-51. Mbase fjalët e Marksit ishin të sakta për rastin, po thënia e tij nuk u muar për saktësinë e shprehjes, por për të denoncuar “armiqtë” e jashtëm perëndimorë që në shekuj “ e patën halë në sy” Shqipërinë. Siç shihet, nga punimi serioz bie niveli, dhe thënia e Marksit kthehet në art teneqexhinjsh për të kallaisur bakrin izolacionist perëndimor të Partisë në pushtet. Sepse lexuesi serioz mund të pyes, meqë Venediku e kishte “halë në sy” Skënderbeun, pse bëri atëherë aleancë me të… dhe anasjelltas? Saktë, kripto-propagandë, ose troç, gënjeshtër!
Siç shihet, kjo gangrenë u hap në çdo dialog, tekst, poezi dhe ese të asaj kohe. Sot, emigrantët shqiptarë në perëndim shohin të kundërtën e kripto-propagandës (!) që rrinte si çekan pas çdo personi ëndërrimtar e mendjehapur.
Sikur t’a zbusnim të kaluarën me gjykimin e sotëm perëndimor do të thoja se, të gjitha veprimet e asaj kohe ishin të kushtëzuara ne cungimin e konceptit të lirisë. Kjo kyç dëshirën dhe zbeh aksionin intelektual. Ideja e përgjegjësisë morale për veprimet nuk bie në njeriun e kushtëzuar, por mbi kushtëzuesin e lirisë që dhunon të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Vitet e fundit, ne fituam të drejtën të denoncojmë fallsifikimin, propagandën partiake (gënjeshtrën), vrasjet, burgimet, internimet, errësirën, telat me gjëmba të një rrjeti mizor antinjerëzor… Përveç një pakice serioze studiuesish dhe historianësh, familjet që vuajtën, përfshi këtu disa intelektualë të ndërgjegjshëm të dy krahëve, vërejmë me dhimbje notimin në pauperizmin e vjetër. Disa e bëjnë me qëllim për të mbrojtur sajimet (gënjeshtrat) e veta, të tjerë flasin me hamendje duke ushqyer delirin e kotësisë së kotësive. Ca bashkohen me korin e bretkosave. O Zot! Teleportim fletushkash, gjallesash dhe të vdekurish! Paradoksi gënjeshtër vishet me këmishë anti-plumb, duke asfiksuar të vërtetën. Gënjeshtarëve të vjetër u vinë në ndihmë dhe disa “andreoid”, që me urrejtje duan të korigjojnë të zezën në të bardhë, rrugës së “purifikimit…të zezën e bëjnë gri. Gjeometrikisht… një mëkat i ndarë përgjysëm, purifikim i gënjeshtërt! Atëherë pse hesht shoqëria jonë?! Oportunizëm ? Për mendimin tim, oportunizmi ka qenë arma më e fuqishme e mbijetesës së shqipëtarëve, dhe këtë art e përdorin dhe sot pa nevojë. Padiskutim ka njerëz pamëndyshje… të paepur për të gjetur realen dhe çelsin e thesarit human.
Cubat e Internetit
Fatkeqësisht, e drejta për të shkarravitur ka rënë dhe në dorën e shpirtkatranëve, paganëve dhe hajvanëve, dhe këto janë sulur me të katra si “qentë në stervinë” për të “eksploruar” internetin dhe duke shqyer dritaret e diturisë (se derë biblioteke apo librarie nuk shohin gjëkundi), e ashtu qenshe krijojnë “5 deri 25 vepra” që po t’i shtrydhësh të gjitha nuk nxjerr dot një epigram! Në këtë kërcim kangurësh kanë hyrë dhe disa plaçkitës seriozë. Kalemxhinjtë e syrtarëve të vjetër që shkruajnë për “estetikën”, “historinë”… “gjeografinë” etj, pa hapur asnjë libër me dorë apo shkelur asnjë pëllëmbë tokë të vendeve që shkruajnë. Burimi i shkrimit? Interneti! Dhe pse në internet janë qindra mendime, teori për një objekt studimi, këtyre “kokave” nuk u bëhet vonë për burimin…po ka rëndësi “vepra” dhe turravrap bëjnë turli, me karrota, presh, patëllxhana e kastraveca, këpurdha portabella, dhe së fundi hedhin dhe ca bajga të thara si erëza moderne që çorba t’u shitet. O Perëndi! Paradoksi gënjeshtër nuk ka të sosur… është bërë gangrenë!
Pra, në shekullin XXI, gënjeshtra është bërë më virale se kurrë. Virusi mëkatar degjeneron pandërprerë dhe “thumbs up” janë të pakursyera, biles vlera aestetike. Siç shihet, miqësia e internetit nuk ka puls shkencor e as ndërgjegje kualitative, selektive intelektuale, por vetëm instiktin viziv të shkronjësit, i cili dhe pse paraqet broçkulla e gënjeshtra duhet pëlqyer… se është “miku e internetit”! Siç shihet rrena nuk është më mëkati i “Dhjetë Urdhëresave”, por Miss Zbukurimi (Gënjeshtra) me fustan të bardhë, gjoks klasik qumështor e vithe zanash, këmbë si shishe shampanje, që i bën pushtat të jargojnë, dhe intelektualët insufiçentë të fusin turinjtë në govatat e derrit. Kësaj i thonë: shformim i emancipuar, parathirrmë e pasthirrmës që po troket.
Mendimi im është: Në sensin logjik, çdo objekt ka një shtyllë konceptuale që konfirmon një fakt, dhe nuk ka nevojë imagjinare përderisa përpara kemivetë atë. Inkursioni i imagjinatës përdoret në rastin kur ne shohim objektin eluziv që nuk bind koshiencën. Mënyra e perceptimit për të krijuar një objekt zgjon ingranazhin mistik të fantazisë që krijon maketin për t’i paraprirë objektit. E kundërta është sajimi imagjinar fantazmagorik që përpiqet të çmontojë faktin për të krijuar balonën emocionale pa helium, gënjeshtrën. Ashtu siç mendon dhe Frojd: “emocionalizmi i pavetëdijshëm është i pamundur”, unë mendoj se, ashtu dhe gënjeshtra e pavetëdijshme dhe e paqëllimshme nuk ekziston!