Nga Shefqet Kërcelli*/
Paraditen e datës 22 shtator, në sheshin përbri stacionit të trenit, {Lagja nr.4 e qytetit Durrës} u zhvillua ceremonia për vendosjen e emrit “Selaniku”, këtij sheshi. Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i bashkisë së qytetit Durrës zoti Vangjush Dako, Kryetari i Bashkisë së Selanikut, zoti Jannis Butaris, Konsulli shqiptar në Selanik Riza Poda, përfaqësues të pushtetit lokal Durrës, përfaqësues të ambasadës greke në Tiranë, qytetarë të Durrësit, emigrantë shqiptarë në Selanik, etj. Emërtimi i këtij sheshi me emrin “Selaniku” ishte një dëshirë dhe inisiativë e kahershme e emigrantëve tanë në Selanik, të cilët në bashkëpunim më Këshillin Bashkiak dhe Bashkinë Durrës bënë të mundur realizimin e kësaj nisme. Mbasi u ekzekutuan hymnet e dy shteteve nga banda e qytetit Durrës, zoti Vangjush Dako, i uroi mirëseardhjen kryebashkiakut të Selanikut në këtë ceremoni të thjeshtë, por me simbolikë të madhe. Në vijim zoti Dako theksoi miqësinë tradicionale midis dy popujve tanë dhe rëndësinë historike, ekonomike dhe kulturore të qytetit të Selanikut në Ballkan. Në të ardhmen ne do forcojmë lidhjet e bashkëpunimin midis dy qyteteve tona tha zoti Dako. Ndërkohë zoti Janis Butaris vuri në dukje se pamvarësisht diversitetit të kulturave, mendimeve apo vështirësive të jetës, asgjë si pengon dy popujt tanë që të jetojnë në paqe dhe fqinjësi të mirë. Do punoj gjithë jetës për të forcuar vëllazërinë midis dy popujve tanë, theksoi zoti Butaris. Më pas nga dy krybashkiakët u zbulua pllaka e mermerit me emërtimin e sheshit të Selanikut. Zoti Luan Zyka, aktivist i shoqatës së emigrantëve shqiptarë në Selanik, theksoi se zgjodhëm Durrësin, për të dhënë një shesh me këtë emër, se është një qytet që ka pranuar herët diversitetin kulturor, është qytet-port si Selaniku dhe ka mjaft emigrantë durrsakë në qytetin Helen. Jam shumë i gëzuar që në Durrës kemi një shesh me emrin Selaniku, thotë zoti Panajot Kurti, i cili kishte ardhur me familjen enkas për këtë ceremoni nga Selaniku. Emigrantët shqiptarë në sajë të dëshirës së mirë të zotit Butaris dhe kolegëve të tij kanë një shesh në Selanik me emrin “Durrësi”, i cili ndodhet pranë stacionit të trenit të këti qyteti. Por mbi të gjitha më gëzon fakti që sot ka ardhur në Durrës vetë zoti Butaris, një mik i shqiptarëve. Zoti Butaris është një politikan vizionar, human dhe bashkëkohor. Për bindjet dhe qëndrimet antiraciale shpesh debaton me politikanë ekstremistë në Greqi, thotë Panajoti. Por mbi të gjithë ai është një njeri fisnik, janë të panumurta rastet që Butaris ka ndihmuar shqiptarët në nevojë. Pikërisht nën shoqërinë e durrsakëve të shumtë emigrantë në Selanik, u përcoll dhe zoti Butaris, që shënoi dhe mbylljen e ceremonisë për emërtimin e këtij sheshi, “Selaniku”, një binjak më sheshin “Durrësi” në Selanik.
* Bashkepunetor i Diellit