Hulumtim nga Liliana Pere/
“La mia vita universitaria” / Antropologu italian Mauro Geraci sjell në një libër ditarët e studentes shqiptare në Romën e viteve 1937-1941. Dashuria me djaloshin italian, letrat nga fronti i luftës …/Nën kujdesin e Institutit Italian të Kulturës, Mauro Geraci, Antropolog dhe Profesor promovoi një tjetër studim kushtuar vendit tonë, “Prometeu në Shqipëri”.Gati 70 vjet nga koha e studimeve të saj në “La Sapienca” një italian kërkon të ndalë kohën dhe të ringjallë kujtimet e studentes shqiptare. Ai është Mauro Geraci, antropolog dhe profesor, i cili kontakti me Shqipërinë do ta bënte të zbulonte jetën e një gruaje, me të cilën fati kishte qenë i pamëshirshëm. Mauro do të donte t’i kthente një faqe të lumtur kësaj shqiptareje kaq romantike, që dukej sikur kishte dalë nga një prej librave të letërsisë klasike italiane.
“La mia vita universitaria”, quhet autobiografia që Mauro ka në proces botimi në Itali, kushtuar viteve që Kokalari jetoi në Romë, 1937-1941. Mauro ka studiuar në të njëjtin universitet si Musine, dhe kjo e ka bërë më të lehtë rrugëtimin e tij në të panjohurat e saj. Në projektin e tij ai është ndihmuar nga arkivistja e Arkivit të Romës, Simonetta Ceglie, e cila ka bërë transkriptimin e vështirë të ditarit në origjinal të Musinesë në italisht. “Në këtë punim kritik të ditarit-roman të Musine Kokalarit, veç meje marrin pjesë Novruz Shehu dhe Visar Zhiti, por edhe Simonetta Ceglie, arkiviste në Arkivin e Shtetit në Romë, e cila ka bërë transkriptimin jashtëzakonisht të vështirë të dorëshkrimit origjinal, plot me ndërhyrje, korrektime, fshirje, mendime të shtuara.
Sfida është pikërisht kjo: të nxjerrësh në pah në një studim tërësinë e aspekteve të shumëfishta historike, memuaristike, psikologjike, antropologjike, letrare, sentimentale, që e bëjnë interesant tekstin autobiografik të Kokalarit”, thotë ai. Teksa ka lexuar ditarin e saj, ai ka gjetur të njëjtat dhoma, të njëjtat korridore, të njëjtën frikë, të njëjtat shpresa që dhe ai i ka përjetuar aty, në të njëjtin qytet universitar, ku ka jetuar Musineja.“Nga shkrimi i saj, Musineja duket një studente skrupuloze, shumë e përgatitur, e hapur ndaj nxitjeve që merrte prej leksioneve që ndiqte … Një studente shumë e ëmbël dhe ndjeshme, kaq e vendosur dhe e kthjellët në konceptimin e përmbajtjes politike të studimeve të saj që donte t’i vinte në dispozicion të ndërtimit të një Shqipërie demokratike, por që për fat të keq, nuk ishte kështu”, thotë prof. Geraci. Musineja nuk është i vetmi kërkim i tij që e lidh me Shqipërinë.
Letrat që djaloshi italian i shkruante nga Afrika: Më prit, do të dal i gjallë nga lufta…
Nga dritarja e pallatit të ri në “Piazza Bologna”, Musine Kokalari shihte pikat e shiut që binin mbi këtë qytet që e kishte mbyllur natyrën diku larg njerëzve. Roma i qe dukej aq e bukur teksa ecte në piazza “Venezia” apo teksa merrte rrugën “Umberto”, për të mbërritur në universitet. Kur lodhej nga zhurmat e këtij qyteti kaq të madh, ajo niste shëtitjet e gjata në rrugën “Nomentana”, që u bë dhe rruga e saj e preferuar. Ecte dhe mendonte për të papriturat që duhet të ishin gjithnjë diku. Rashela, mikesha e saj izraelite, i kishte folur aq shumë për gjuhën e shenjave. Aq sa Musine, kjo vajzë shqiptare me trupin e imët, flokët mbi supe dhe sytë plot jetë, besonte se këto shëtitje ishin më shumë se një çlirim për të. Përtej tyre ndodhej një histori, që do të vinte dhe do t’i ndryshonte jetën vajzës. Mbrëmjeve kur errësira pushtonte gjithçka, Musine ulej në krevatin e saj, merrte nga komodina bllokun e shënimeve dhe shkruante. Gjithçka çfarë përjetonte kjo e huaj në këtë qytet ku melankolia përzihej me historinë, ajo e shkruante me italishten e saj në ditar. Shkruante për vjeshtën në rrugën “Nomentana”, mbushur me gjethe të rëna që i rrëmbente era nëpër këmbë, e i shpërndante kushedi ku. Përjetimet për trishtimin e natyrës së zhveshur. Roma në vjeshtë. Mund të dilje nga shtëpia me një diell që të përvëlonte e të ktheheshe e qullur deri në palcë. Koha në vjeshtë ndryshonte befas dhe shpesh shiu binte aq pa pritur me pika të mëdha, sa s’kishe as kohë të hapje e mbyllje sytë. Nën kujdesin e Institutit Italian të Kulturës, ai promovoi një tjetër studim kushtuar vendit tonë, “Prometeu në Shqipëri”.
Por, ditarët e Musinesë marrin një kontekst tjetër duke u nisur dhe nga fati i saj i trishtë pas kthimit nga studimet në Shqipëri. Roma dhe këta ditarë ishin të vetmet vite të bukura të kësaj studenteje që ëndërronte të ishte shkrimtare dhe kishte një lidhje kaq të bukur me librin. Eglantina Mandia është një tjetër shkrimtare shqiptare që i ka kushtuar një roman jetës së Musine Kokalarit, në morinë e njerëzve që kanë shkruar për të. “Sonata e hënës” quhet romani i Mandisë që përpiqet të ndërtojë një tablo të jetës dhe karakterit të kësaj shqiptareje të rrallë. Musine e dashuroi Romën me gjithçka që ky qytet i fali.Historia e kësaj studenteje duket si një libër, për vetë mënyrën sesi ajo përpiqej ta shihte jetën.
Dashuria e pamundur me djaloshin Italian X..
“Ne s’kemi fuqi për të ndryshuar asgjë në këtë botë Musine. Ne vetëm mund të përpiqemi të jetojmë jetën tonë, ditën tonë, çastin tonë. Ti je një vajzë interesante dhe mua më pëlqen shumë”. Djaloshi italian x do t’ia thoshte këto djalë Musinesë një mbrëmje pas lajmit të hidhur që mikesha e saj izraelite nuk kishte mbërritur ende në shtëpi dhe nuk dihej fati i saj. Mes trishtimit të këtij lajmi, i cili kishte kohë që shoqërohej me studenten shqiptare, duke u konsultuar për temën e diplomës, gjen rastin t’i shprehë fjalët e zemrës. “A nuk është e bukur dashuria? Ti je mikja ime, po unë të dashuroj, Musine!”, i thotë ai. Por Musine nuk pëlqente ta dëgjonte zemrën, ajo ishte e përfshirë nga historia dhe i thotë që nuk mund të harrojë 7 prillin, raportet që dy vendet kishin pasur. “Se unë jam tepër, tepër e ndjeshme ndaj problemit ‘Shqipëri’, se nuk pranoj të më shikojë askush nga lart si racë superiore, si racë ariane, ta zemë? Dhe se vendimin, që të punoj tezën për poetin tim kombëtar e kam marrë për të treguar se krahas Dantes, Petrarkës, Pirandelos, edhe Shqipëria ime e vogël
ka Naim Frashërin…’”, i thotë Musine, sipas librit të Mandisë. Nëna e saj nuk mund ta pranonte asnjëherë lidhjen me një italian. Por historia dhe gjithë problemet që mund të sillte kjo dashuri për familjen e saj shqiptare u dorëzuan para zemrës. Ishte shkurt i vitit 1940. Sapo kishte mbushur 23 vjeç. E së bashku me ndjenjën e dashurisë, një luftë e egër shpirtërore dhendjenjash që ishte si një betejë. Në fund të fundit, edhe ndryshimet e fesë s’ishin një pengesë për t’u harruar. Dhe Musineja pyeste veten: “Si ndjehesh tani që zemrën ta ka rrëmbyer dashuria?”.
“As e lumtur, as e palumtur, i përgjigjej zëri brenda shpirtit. E dua s’e mohoj, po kjo luftë me vetveten dhe mendimet e mia janë kaq të ndryshme, do të thosha, të kundërta nga ato që Musineja u mbyll në vete, dëgjonte vetëm monologët e saj pa iu përgjigjur veçse në heshtje i cili ankohej: -Përse nuk më thua kurrë sa më dashuron? “Po përse, vijonte ajo mendimin e saj? Është e vërtetë që e dashuroj, vazhdimisht e çdo ditë e dua më tepër, po kjo ndoshta vetëm sepse jam përballë burrit të kulturuar dhe mendimi i tij e sundon mendimin tim totalisht? Atëhere përse u dashka të përsëris të dua, të dashuroj? Për hir të dashurisë s’do t’i ndryshoja kurrë idetë e arsyetimet e mia për jetën”.
Musineja nuk kishte asnjë dëshirë ta pyeste ..“Ç’ke bërë sot? “Ku ishe?”, “Përse s’ishe në shtëpi kur të telefonova? Etj. etj. I dukej sikur humbiste lirinë, që e kishte aq të çmuar. Po siç dukej kishte shumë dëshirë të fliste. Por, fillimi i Luftës së Dytë Botërore do të ndërpriste dhe dashurinë e tyre.. u thirr në ushtri. Dhe Italia e Roma provuan shijen e hidhur të bombardimeve të para. Musineja mbaroi provimet. Më 15 qershor 1940 u nis për në Napoli. Dhe filluan letrat e tij që vinin ditë për ditë, po që arritën në Romë më 22 qershor. Frika që ndihej se do ta nisnin në Afrikë u bë realitet. Musineja e dinte që po nisej për Tripoli, që andej erdhi letra e parë: “Këtu s’duken nëpër pragjet e qytetit veçse leckamanë dhe burra të veshur në të bardha. Siç duket do të futemi në thellësi. Ti më prit do të kthehem i gjallë sigurisht”. Musineja kishte mbetur krejt vetëm në Romë. Vëllai, Fejzia e Karolina u kthyen në Shqipëri. Shoqet ishin kthyer për pushime në Shqipëri. Erdhi letra tjetër nga Afrika: “Jemi në udhëtim. Kam mbetur pas të mive. Jemi të rrethuar vetëm nga rëra. Njerëzit ngjajnë si fantazma, ndërsa era e rërës vërshëllen e të nxjerr sytë. Më në fund arritëm në Nalut. S’duken veç gërmadha e kazerma. Jetojmë me shpresë që të kthehemi sa më parë. Hamë më tepër rërë dhe pimë të tromaksur mos gëlltisim ndonjë akrep. Në freskinë e natës, ndoshta çasti i pritur për qetësi, dëgjohen së largu ulërimat e hijenave, që s’të lënë të mbyllësh sy”. “Më fal, Musine, që ta vonova letrën një javë. Isha në një fortesë për pak ditë. Tani po bashkohem me shokët që pushojnë në tenda të shoqëruar me minj. Më shkruaj sa më shpejt. Më trego ç’bën, si e kalon kohën? Ji gjithnjë e gëzuar, sepse unë do të kthehem se s’bën”. Pastaj përsëri vinin letrat nga Naluti dy herë në javë.. përshkruante hollësisht vapën e jashtëzakonshme dhe mërzinë që po i merrte frymën si vapa. Ditë të mbushura me lodhjen e ushtrimeve e stërvitjeve ushtarake dhe vetëm në natën e thellë një pushim i shkurtër. Musineja e ndiente veten të lodhur. Posta nga Afrika po vonohej. Kishte mbetur e vetme në Romë, duke pritur letrat që t’i sillnin fjalët e dashurisë. Më 28 gusht 1940 mori një letër nga “Jam në Tripoli dhe nesër nisem në frontin egjiptian. Ti duhet të kesh besim Musinea ime e dashur. Unë jam i ri dhe do të rikthehem pranë teje. Nuk më shkruan kurrë një fjalë përkëdhelëse dhe s’më thua asnjëherë sa shumë më dashuron. Sapo të arrij në Egjypt do të të dërgoj lajme”. Pas kësaj letre kaluan afro dy javë pa lajm. Në datën 10 shtator 1940 erdhi përsëri një letër tjetër nga Bengasi: “Tani jemi vendosur këtu dhe shpresojmë të qëndrojmë më gjatë. Më fal se ta kam vonuar letrën. S’kam dashur të të jap lajme të pakëndshme, si plagosja ime e lehtë në Sidi Baram. Gjatë kësaj kohe kam qenë i shtruar në një spital fushor. Tani jam fare mirë. Këmba është krejt e shëruar aq sa mjeku s’e pa të nevojshme të më jepte pushime. Studjo, veç mos u mbyll si e ke zakon në shtëpi natë e ditë, sepse ti e di, sforcimi me studimet dhe monotonia e jetës të shpien deri në ezaurimin nervor. Si po shkon ‘Nënua plakë në Romë’? Do të qe shumë interesante të vinte edhe këtu në Afrikë. Mos u mërzit. Kur të kthehem do të të rrëfej shumë gjëra”. Gjatë kësaj kohe shërbimi postar në Romë sillte çdo javë në adresën e Musinesë nga një letër. “Bengasi është një qytet i bukur. Shtëpia ime është në breg të detit dhe valët vijnë deri afër palmave. E di që ti e do shumë detin. Të kujtohet? Më ke treguar si ke filluar të shkruash me mikeshën tënde pikërisht në breg të detit. Dhe kur ishe e vogël, prisnje mbi një shkëmb, si ajo ‘vajza e valëve’ që këndojnë në vendin tënd, ç’do të tregojë deti. Unë dal shpesh këtu në breg dhe kujtoj atë mbrëmje kur dolëm nga koncerti i ‘Sonatës së dritës së hënës’. Dhe thamë që një vajzë që është rrëmbyer nga kjo sonatë dhe nga Bethoveni është vajza ime, që më pret. Është Musineja ime. E mençura dhe shkrimtarja ime e talentuar. Ndërsa po të shkruaja, filluan bombardimet e këtij muaji. Po s’ndodhi asgjë. Jam fare mirë”.Më ka marrë malli: “Një minë galezhante shpërtheu pranë shtëpisë sime e shkatërroi një pjesë të fasadës. Të falënderojmë Zotin se për çudi shpëtuam të gjithë shëndoshë e mirë. Filluam të rindërtojmë shtëpinë duke vendosur në vend të mureve thasë me rërë. Edhe ky rrezik s’na preku fare. Kaloi siç kaluan edhe të tjerët. Shpesh më merr malli jo vetëm për ty, po edhe për ato vrapimet tona nëpër Romë dhe veçanërisht çastet kur studjonim në bibliotekë. Përpiqem të lexoj ç’më bie në dorë. Këtu kemi një kopësht të vogël që e kemi mbjellë, kemi edhe një viç që po shëndoshet çdo ditë dhe bashkë me ne, natën, ‘shtie mbi armikun’”.
Letra e të vëllait:
“E dashur Musine. Pardje mora letrën tënde, i mësuam sa më shkruan. Vetëm ti nuk na vë në korrent për të gjitha. A ia ke paguar pensionin zonjës Tomassini dhe gjer në ç’ditë? Na lajmëro menjëherë në qoftë se të duhen të holla, në rast se nuk ke marrë gjysmë burse akoma. Aty ka ardhur z. Vila, shko në legatë dhe e vizito se, më tha Hamiti, nuk do të qëndrojë shumë kohë. Me mësime si vete? Dje mbrëma më tha edhe z. Roço se dëshironte të dinte si vete me mësime. As mua nuk më ke shkruar gjë në letër, jam kurioz të di si e ke punën. Po deshe më shkruaj gjerë e gjatë, po deshe ndërro pak dorën, është e pamundur të këndoj shkrimin tënd. Këndej jemi të gjithë mirë. Hektori mëson mirë dhe veçan në arithmetikë. Shkruan shumë më qartë se halla e tij. Fejzia me Lolën mund të kthehen pas 10-12 ditësh, pse këtë radhë Hektori është i malluar shumë. Babait i ka mbetur pak hatëri që nuk i ke shkruar asnjë letër; ka të drejtë se të ka bërë kokën aqë. Më shkruaj kur janë provimet dhe kur parashikon të kthehesh? Anea, babai, Muntazi, Hamiti, Hektori, Milja e Hamit Seferi të përshëndesin.
I jap fund letrës duke të përqafuar me mall”.
Yt vëlla Vesimi
Tiranë 18 korrik 1940
E nderuar dhe e ndritur Zonjushe.
Besoj se do ta keni marrë letrën time të fundit, prej saj kuptuat brengën që kam gjer të ve në udhë çështjen e provimeve. Sot po Ju lutem të më ndjeni për këtë çqetësim të ri. Besimi që kam ne mirësia e zemrës t’uaj më bën t’Ju sillem kësisoj dhe këtë m’a jep ndjenja se më jeni shoqe e shkrimit. Ju lutem kësisojdhe këtë m’a jep ndjenja se më jeni shoqe e shkrimit. Ju lutem të bëni dhe njëherë mundimin dhe të blini e t’m’dërgoni librat si dhe dispencat e vitit të parë universitar (1939-40) për magjistër në pedagogji dhe filozofi. Të më shkruani njëkohësisht (në është e mundur) dhe kur në ç’muaj e ç’ditë bëhet kërkesa për të dhënë provimet e sesionit të vjeshtës 1940. Këtu mbyllur po u dërgoj një çek prej 25 frangash shqiptare për çmimin e librave dhe dispencave. Nuk mund t’Ju them me shkrim mirënjohjen time për shërbimet t’uaja fisnike, vetë me shpresë se do të kem nderin t’Ju shoh njëherë në kryeqytet.I Juaji me falënderime nga zemra ime.
Lasgush Poradeci
Biografi
Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adanë, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë.Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate.Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari.Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie.Në vitin 1961, mbasi kishte kryer denimin jeton në Rrëshen,. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta, vdiq në vitin 1983, nga kanceri.Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.Sot eshte ngritur Muzeu “Musine Kokalari” në Gjirokastër vizitohet nga studiues të shumtë nga Kosova, Shqipëria, Gjermania, Belgjika me synim njohjen dhe vlerësimin e veprës së Musine Kokalarit.
Hulumtoi
Liliana Pere