• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Nobel” në Letërsi nuk është Gjyqi i Fundit për një shkrimtar të madh

October 12, 2016 by dgreca

Mbi çmimin “Nobel” në letërsi dhe Kadarenë/

Duhet theksur fort, që në fillim: çmimi “Nobel” në Letërsi nuk është Gjyqi i Fundit për një shkrimtar të madh. Le të na qëtësojë ky pohim./

Nga Agron TUFA/

Është fakt, se “Nobeli” për më se një shekull ka evidentuar vlerat më të bukura artistike dhe humane të letërsisë botërore dhe ka shërbyer si një sistem referimi për shijet e mira estetike dhe edukative, që orientojnë tregun dhe trendin e lexuesit serioz.

Por është fakt gjithashtu, se lista e “nobelistëve” fitues është zbehur jo pak herë nga lista e “nobelistëve” jo fitues. Dhe në disa raste kjo është kaq flagrante, sa hedh hije të fortë dyshimi si për nga kriteret e përzgjedhjes së fituesit, ashtu dhe për vetë Testamentin e Alfred Nobelit, që ky çmim t’i jepet atij shkrimtari që sjell risitë dhe arritjet më të mira në fushën e letërsisë.

Mjafton të kujtojmë disa nga emrat më të mëdhenj të letërsisë botërore, tashmë klasikë të përbotshëm të fondit të artë letrar të shekullit XX-XXI, të cilët nuk e morën: Lev Tolstoj, Anton Çehov, Virxhinia Vulf, Xhejms Xhojs, D.H. Lourens, Marsel Prust, Franc Kafka, H.L. Borhes, F.G. Lorka, Vladimir Nabokov, Italo Calvino, Umberto Eko, Milan Kundera, Zbignjev Herbert etj, etj. Madje ka raste kur profili i nobelistit është ulur në nivele të rëndomta sipas meje, deri tek Dario Fo, Alise Monro, Svitllana Aleksieviç, etj.

Komisionet përzgjedhëse të “Nobelit” shpesh kanë tradhëtuar politikat, shpesh majtiste apo dhe konjukturat momentale të historive politike të Euroamerikës, duke shmangur meritën dhe virtytet artistike të krijimtarisë letrare të kandidatëve të “Nobelit”.

Në këtë kyç duhen parë “të papriturat” e komisionit të Stokholmit, sa herë shpallin fituesin e radhës. Shkarjet janë bërë të shpeshta dhe gjithë e më dendur zgjidhjet na dalin tendencioze, si infiltrim politikash që s’kanë të bëjnë me thelbin e misionin e letërsisë.
Rasti “Kadare” në gjithë këtë histori ka të bëjë me kreshpërimet dhe lëkundjet e panatyrshme të Komisionit të Nobelit.

Personalisht kam menduar dhe mendoj, se korpusi letrar i veprës së Ismail Kadaresë ka qenë i denjë dhe i padiskutueshëm për çmimin “Nobel”. Atëherë përse nuk i jepet, përderisa vepra kadareane është gjerësisht e njohur dhe e përhapur në shumë gjuhë?
E para, mendoj se është burokracia dhe përtacia. Anëtarët e Komisionit nuk e lexojnë me vëmendje veprën e një prendendenti çerekshekullor të “Nobelit”.

E dyta, mendoj se është krijuar një rrjetë paragjykimesh, të ushqyera edhe nga letrat e liga denoncuese të qarqeve të ulëta shqiptare e antishqiptare, me alibinë se “një pjesë e veprës së Kadaresë ka qenë konformizëm me realizmin socialist”.

E treta, mendoj se është skepticizmi apriori që kihet nga snobët e “Nobelit” për kulturat e gjuhëve të vogla, si shqipja.

Kemi pastur mjaft kohë të gjatë të mendojmë, analizojmë e krahasojmë për një pikë të katërt: a e meriton menjëmend një vlerësim të tillë vepra e Kadaresë. Dhe përgjigja ime, absolute dhe e bazuar në bindje nga krahasimet është, se shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, e ka merituar gjithmonë këtë vlerësim, që me nominimin e parë për kandidat të “Nobelit” në vitin 1992 e deri më sot.

Nga tre pikat që parashtrova më sipër, duket (dhe pëshpëritet me shpesh në ambientet shqiptare, po edhe të huaja), se ka peshë pika e dytë, pra fakti, se I. Kadare një pjesë (më minorja) të veprës e ka shkruar në pajtim me normat e realizmit socialist. Gjej momentin të thesksoj se ky kinse argument është më i ligu dhe më pezmatuesi, pasi korpusi i veprës së Kadaresë është një kompleks katedralesh letrare, romanesh, novelash e tregimesh dhe se vepra e tij duhet parë në koherencën dhe konseguencën e saj, së pari si kundërvënie estetike, e mandej edhe si kundërvënie logjike ndaj artit zyrtar socrealist (shih shkrimin tim për ketë “Disidenca estetike e Kadaresë”).

Por nëse Komisioni i Nobelit vërtet do të çmendej dhe ta pranonte një logjikë të tillë, ai do të binte ndesh me praktikat e veta të mëparshme. Çdo të thonim atëherë për dyzina të tëra poezish e poemash të nobelistit Pablo Neruda kushtuar Stalinit dhe regjimit stalinist? Po për modelet e socrealizmit sovjet në veprat e nobelistit Mihaill Shollohov? Nuk po zëmë këtu periudhat e hershme rinore e (disa deri kur u bënë zdapa të ndërgjegjshëm) të një numri të pafund poetësh të mëdhenj si Arragon, Elyar, Hikmet, Rricos, hipokrizitë e Sartrit apo Brehtit me stalinizmin, duke qenë madje të pa kërcënuar me jetë në vendet e tyre të lira perëndimore.

Nëse këtyre emrave nuk u zihet për të madh zelli komunist, madje dhe i mbrojtjes së krimeve të Stalinit, për hir gjoja të kauzës, nëse për ta nuk u bë pëngesë ky kompromentim politik e ideologjik për nderimin me çmimet “Nobel” e të tjera çmime prestigjioze, atëherë, a nuk është meskinitet e hipokrizi t’i zihet kjo shkrimtarit shqiptar të mbijetuar nga një diktaturë monstruoze, që nuk e kishte për gjë të të kalonte në plumb për një varg (siç edhe ka ndodhur në Shqipëri, deri në gusht të vitit 1988)?

Unë mendoj se nuk ka asgjë për të sqaruar vepra letrare e Ismail Kadaresë përballë Komisionit të Nobelit në Letërsi. Përkandrazi, Komisioni i Nobelit ka shumëçka për të sqaruar përballë veprës së Kaderesë dhe letërsisë shqipe.

Dhe ndoshta kjo do të ndodhë. Do të ishte mirë të ndodhte. Për të gjitha palët. Kombi shqiptar, i cili shenjë vendimtare të identitet të tij ka gjuhën shqipe, ka nevojë të shenjohet përmes kësaj gjuhe e kulture me një çmim Nobel.

Kjo është ajo bota na ka borxh, të na japë atë që na takon, të na shenjojë si kulturë e gjuhë, përmes instrumentit të saj më besnik, që në këtë rast është shkrimtari Isnail Kadare, kandidati çerekshekullor për çmimin Nobel në letërsi.

Të tjerat janë shkarje nga tempi, pengesa, paragjykime, snobizma të huaj e mazokizma të brendshëm.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Agron Tufa, Kadare, Nobel

FITUESJA E ÇMIMIT NOBEL: UNË JAM SHQIPTARE

August 28, 2016 by dgreca

Speciale-NËNA TEREZË, FITUESE E ÇMIMIT NOBEL: UNË JAM SHQIPTARE/

1 N Tereza Nobel

-“Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…” Këto fjalë të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, të shënuara në “Rilindja”, mbushën gëzim e krenari gjithë kombin/

-“Edhe të mitë janë nga këto vende, diku”, ishin fjalët e Nënës Terezë në Prishtinë në vizitën në Kosovë…/

-Reportazh i 3 Shtatorit 2010: Kosova pret festë në Katedralen “Nëna Terezë”/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 28 Gusht 2016/ Më 10 dhjetor 1979 Nana Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…” Këto fjalë të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, të shënuara në “Rilindja”, mbushën gëzim e krenari gjithë kombin.

Kështu kam shkruar në RILINDJA 60 VJET MONOGRAFI, botuar shtojcë speciale e gazetës tradicionale të Kosovës për ditwn e jubileut -12 shkurtit 2005, ku kam cituar fjalët e nobelistes shqiptare Nëna Terezë në ditën e pranimit të Çmimit Nobël.

Nën foton në monografi shkruan: Nënë Tereza në bisedë me dr. Mehmet Begracën dhe redaktorin e gazetës sonë (Rilindja) Nehat Islamin (qershor, 1980).

“U dha Çmimi Nobel për Paqe NËNË TEREZA – LAUREATE”, ishin mbititulli e titulli i gazetës Rilindja më 18 tetor 1978, ku në nëntitull theksohej: “Fituesja, që përndryshe është shqiptare, deklaroi se të hollat prapë do t’i shpenzojë për qëllime bëmirësie”. Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja raportonte për ngjarjen e madhe në Oslo të një dite më parë.

Arkiv-3 Shtator 2010: KOSOVA PRET FESTË NË KATEDRALEN “NËNA TEREZË”

1 ok Biseda N Tereza

-“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova, i cili së bashku me Ipeshkvin e atëhershëm të Kosovës, Mark Sopin dhe arqiepeshkvin e Uashingtonit, Teodor Mek-Keret vunë gurthemelin e katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë/

PRISHTINË, 3 Shtator 2010-Behlul Jashari/ “Edhe të mitë janë nga këto vende, diku”, ishin fjalët e Nënës Terezë në Prishtinë në vizitën e para rreth tridhjetë vjetëve, të kujtuara sot nga akademik Pajazit Nushi, i cili atëherë i kishte organizuar pritjen si një nga drejtuesit e lartë të Kosovës.

Kujtimi i tij për Nënë Terezën dhe vizitën e saj në Kosovë vjen në prag të veprimtarive të 100-vjetorit të lindjes së humanistes së madhe e nobelistes shqiptare, të cilat do mbahen në Katedralën me emrin e saj në kryeqytetin e shtetit më të ri evropian.

Për “vendet e të sajëve”, për të cilat ka folur në kryeqytetin Prishtinë  para 30 vjetësh Nënë Tereza, tregon aty shumë pranë Katedralës i vendosur një shenjim në shesh që orienton për degëzimet e rrugëve: Tiranë, Shkup, Mitrovicë, Pejë…

Ajo rruga e autostradës shqiptare drejt Tiranës shpie në qytetin e prindëve të Nënë Terezës, në Prizren, ku brenda këtij viti pritet përurimi i shtëpisë muze “Nëna Tereze”.

“Unë jam prej Prizreni, prindërit e mi kanë lindur në Prizren”, kujtonte fjalët e Nënë Terezes, nga takimi në vitin 1975, Don Shan Zefi, derisa bisedonim në këtë verë në Katedralën në ndërtim, ku udhëheqte punimet.

“Isha në gjimnazin klasik në Suboticë (qytet në Krahinën e Vojvodinës në federatën e atëhershme jugosllave), ku ishim rreth 40 seminaristë kosovarë… Kur i tham se jemi nga Kosova, Nëna Tereze menjëherë u shpreh shqip, duke treguar se është nga Prizreni. Me një emocion të jashtëzakoshëm filloi të flasë shqip me ne shqiptarët…”, tregon Zefi, i cili ka pasur edhe takime të tjera.

“Edhe recitonte, lutej në shqip. ‘Punën e pendimit’ e thoshte shqip gjithmonë…E ka dashur shumë Prizrenin. Shkupin. Është një figurë padyshim që lidhë botën shqiptare”.

Kështu na tregonte Kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës Don Shan Zefi, derisa bisedonim në Katedralën në ndërtim në Prishtinë, e cila sot është gati për festën.

“Deri më 5 shtator 2010, kur kremtohet 100-vjetori i lindjes së Nënës Terezë, padyshim, ndërtesa e Katedralës do hyjë nën kulm”, thoshte ai.

Dhe, tashm kjo është e realizuar. Edhe të gjitha organizimet e përgatitjet tjera janë bërë gati për veprimtaritë kulmore të festës  në Kosovë, që fillojnë nesër në Katedralën “Nëna Terezë”.

Sonte në Prishtinë mbërrin i deleguari i posaçëm i Papa Benediktit  XVI për Kremtimin në Kosovë  të  Jubileut të 100- vjetorit të lindjes së Nenës Terezë në katedralen  në ndërtim “Nëna Terezë”. Pritja e të Deleguarit të posaçëm të Vatikanit, Imzot Zef Gashi, bëhet në selinë e re të Ipeshkvisë së Kosovës, e cila është në një obrorr me Katedralen.

Nesër  nga mëngjesi në Selinë e Ipeshkvisë do të priten udhëheqës të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës e mysafirë të tjerë të shumtë, ndërsa rreth mesditës mbahet koncert  solemn i Filharmonisë së Kosovës (“Requiem Mass’ Wolfgang Amadeus Mozart) në Katedralen  “Nëna Terezë”.

Presidenti i Republikės, Fatmir Sejdiu do ta vizitojė Ipeshkvinė e Kosovės, si dhe do tė mbajė njė fjalė rasti nė ceremoninė solemne me rastin e 100-vjetorit tė lindjes sė Nėnės Terezė.

Në program nesër është edhe Vigjilia e Nënë Terezës në Kishën “Shën Ndou”, në Prishtinë.

Të dielën, më 5 shtator, mbahet Mesha solemne me rastin e Jubileut të 100 vjetorit të lindjes së Nenës Terezë, në Katedralen me emrin e saj.

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji sot ka kujtuar: “Paraardhësi im, Imzot Mark Sopi, me rastin e bekimit të gurthemelit të Katedrales pat thënë: ‘Shpresojmë që në vitin 2010 do të festojmë 100 vjetorin në Katedrale”.

Më 26 gusht 2005, në 95 vjetorin e lindjes së Lumes Nëna Terezë dhe në 600 vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu, në Prishtinë është vënë solemnisht gurthemeli i katedrales  “Nëna Terezë”.
Ceremonia e vënies së gurthemelit të Katedrales u zhvillua nën patronatin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.  “Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova, i cili së bashku me Ipeshkvin e atëhershëm të Kosovës, Mark Sopin dhe arqiepeshkvin e Uashingtonit, Teodor Mek-Keret vunë gurthemelin e katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë.

“Merita e përhershme për këtë objekt sigurisht i mbetet Presidentit Rugova, i cili gjithmonë do të jetë i pranishëm në katedrale nëpërmjet lutjes e falënderimit e të gjithë njerëzve që do të hyjnë në të, në kujtimin historik të kishës dhe të kombit, si dhe në gurin e themelit të kësaj katedrale të cilën e bekoi me dorën e vet”, është shprehur sot Ipeshkvi Gjergji për median në Prishtinë.

Në Kosovë, shënimi i 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, i filluar me një akademi solemne për 30-vjetorin e laurimit të saj me çmimin Nobel për Paqe, vazhdon gjatë gjithë 2010-tës, të shpallur nga Presidenti i Republikës “Vit i Nënës Terezë”.

Në akademi Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, përkujtonte: “Tridhjetë vjet më parë, Nëna Terezë teksa po dilte nga manifestimi solemn i pranimit të Çmimit Nobel, duke ia nënshkruar Dom Lush Gjergjit një foto-portret të sajin, i shkroi këto fjalë: ‘Une gjithmon e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin që paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutnu shum për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Une lutem për juve’.”

Ndërsa, Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji theksonte se  “Nënë Tereza ishte dhe mbetet simbol i përkryer i ushtrimit të dashurisë ndaj të afërmit, dashuri kjo që tejkalon kufijtë njerëzorë e mund të shpjegohet dhe të kuptohet vetëm me dimensionin hyjnor”.

Për Nënë Terezën Kuvendi i Kosovës dje ka mbajtur një seancë solemne, ku u theksuar se “populli ynë  ndjehet i privilegjuar dhe krenar për bijën e tij humaniste të këtyre përmasave, që ishte gruaja më e madhërishme e botës së shekullit XX”.

Në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës ditë më parë është hapur ekspozita e piktorit nga Shqipëria Xhovalin Paci, me piktura portretesh të humanistes së madhe dhe nobelistes shqiptare. Një ditë më pas, më 26 gusht, në Prishtinë u përurua pulla postare “100 vjetori i lindjes së Nënës Terezë (Gonxhe Bojaxhiu)”.

Një nga veprimtaritë e rëndësishme në Kosovë ishte edhe tryeza kushtuar Nënës Terezë në seminarin e 29-të ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare,  i cili u mbajt në dy javëve të fundgushtit në Prishtinë.

Në këtë tryezë u tha se origjina, vendi e koha ku u lind, karakteri, orientimi e vepra dhe kontributi për njerëzimin e historinë shqiptare janë tre faktorët kryesorë që e determinojnë figurën e Nënë Terezës.

Don Lush Gjergji tha se Gonxhe Bojaxhiu, e njohur me emrin si Nënë Tereza, e lindur më 1910, në Shkup, gjithë jetën e saj ia përkushtoi jo vetëm Zotit, por edhe njerëzimit.
“Prijësja e parë e Nënë Terezës është universalizmi në çdo kuptim dhe drejtim, në çdo kohë dhe hapësirë. Ajo nuk kishte për qëllim asgjë tjetër, përpos të jetë rrezja e dashurisë së Zotit”, theksoi Don Lushi, njohës i madh i jetës dhe veprës së Nënë Terezës.

“Gjëja me e bukur: dashuria”, është porosi e urti e Nënës Terezë, e përkujtuar dhe theksuar në veprtimtariitë e 100 vjetorit të lindjes së Saj.

Edhe në pritje të ditës së nesërme, dhe të së dielës, të festës në Katedralen “Nëna Terezë”. Në kryeqytetin e Kosovës që Nënën Terezë e ka edhe monument-shtatrore në sheshin kryesor me emrin e Saj.

Filed Under: Featured, Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, Nene Tereza, Nobel

NOBEL, QE NGA VITI 1901 DHE FITUESJA ADOLESHENTE e 2014-es

October 11, 2014 by dgreca

STOKHOLM – Çmimi Nobel për Paqen 2014 iu dha me 10 tetor 2014 adoleshentes pakistaneze, Malala Yousafzay dhe indianit Kailash Satyarthi për luftën e tyre kundër shkeljes së të drejtave të fëmijëve dhe të të rinjve dhe për të drejtat e të gjithë fëmijëve për arsim.
“Fëmijët duhet të shkojnë në shkollë dhe të mos shfrytëzohen financiarisht”, deklaroi presidenti i komitetit norvegjez të Nobelit, Thorbjoern Jagland
Fituesit e çmimit Nobel për Paqen që nga viti 1901
Çmimi Nobel për Paqen 2014 iu dha sot adoleshentes pakistaneze, Malala Yousafzay dhe indianit Kailash Satyarthi për luftën e tyre kundër shkeljes së të drejtave të fëmijëve dhe të të rinjve si edhe për të drejtën e të gjithë fëmijëve për arsim.
Më poshtë vijojnë fituesit e këtij çmimi që nga viti 1901:
2014 – Malala Yousafzai, Kailash Satyarthi 2013 – Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike 2012 – Bashkimi Evropian 2011 – Ellen Johnson-Sirleaf, Leymah Gbowee, Tawakkul Karman 2010 – Liu Xiaobo 2009 – Barack Obama 2008 – Martti Ahtisaari 2007 – Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, Al Gore 2006 – Muhammad Yunus, Grameen Bank 2005 – Mohamed ElBaradei 2004 – Wangari Maathai 2003 – Shirin Ebadi 2002 – Jimmy Carter 2001 – OKB, Kofi Annan 2000 – Kim Dae Jung 1999 – Mjekë pa Kufij 1998 – John Hume, David Trimble 1997 – Fushata Ndërkombëtare për Ndalimin e Minave Tokësore, Jody Williams 1996 – Carlos Filipe Ximenes Belo, Jose Ramos-Horta 1995 – Joseph Rotblat, Pugwash 1994 – Yasser Arafat, Shimon Peres, Yitzhak Rabin 1993 – Nelson Mandela, Frederik Willem de Klerk 1992 – Rigoberta Menchu 1991 – Aung San Suu Kyi 1990 – Mihail Gorbaçov 1989 – Dalai Lama 1988 – Trupat Paqeruajtëse të OKB-së 1987 – Oscar Arias Sanchez 1986 – Elie Wiesel 1985 – Fizikanët për Parandalimin e Luftës Bërthamore 1984 – Desmond Tutu 1983 – Lech Walesa 1982 – Alva Myrdal, Alfonso Garcia Robles 1981 – UNHCR 1980 – Adolfo Perez Esquivel 1979 – Nënë Tereza 1978 – Mohamed Anwar al-Sadat, Menachem Begin 1977 – Amnesty International 1976 – Betty Williams, Mairead Corrigan 1975 – Andrei Saharov 1974 – Sean MacBride, Eisaku Sato 1973 – Henry Kissinger, Le Duc Tho 1972 – pa çmim 1971 – Willy Brandt 1970 – Norman Borlaug 1969 – Organizata Ndërkombëtare e Punës 1968 – Rene Cassin 1967 – pa çmim 1966 – pa çmim 1965 – UNICEF 1964 – Martin Luther King Jr 1963 – Kryqi i Kuq 1962 – Linus Carl Pauling 1961 – Dag Hammarskjold 1960 – Albert Lutuli 1959 – Philip Noel-Baker 1958 – Georges Pire 1957 – Lester Bowles Pearson 1956 – pa çmim 1955 – pa çmim 1954 – UNHCR 1953 – George Catlett Marshall 1952 – Albert Schweitzer 1951 – Leon Jouhaux 1950 – Ralph Bunche 1949 – John Boyd Orr 1948 – pa çmim 1947 – Quakers 1946 – Emily Greene Balch, John Raleigh Mott 1945 – Cordell Hull 1944 – Kryqi i Kuq 1943 – pa çmim 1942 – pa çmim 1941 – pa çmim 1940 – pa çmim 1939 – pa çmim 1938 – Zyra Ndërkombëtare e Nansenit për Refugjatët 1937 – Edgar Algernon Robert Gascoyne Cecil 1936 – Carlos Saavedra Lamas 1935 – Carl von Ossietzky 1934 – Arthur Henderson 1933 – Norman Angell 1932 – pa çmim 1931 – Jane Addams, Nicholas Murray Butler 1930 – Lars Olof Jonathan Soderblom 1929 – Frank Billings Kellogg 1928 – pa çmim 1927 – Ferdinand Buisson, Ludwig Quidde 1926 – Aristide Briand, Gustav Stresemann 1925 – Austen Chamberlain, Charles Gates Dawes 1924 – pa çmim 1923 – pa çmim 1922 – Fridtjof Nansen 1921 – Karl Hjalmar Branting, Christian Lous Lange 1920 – Leon Victor Auguste Bourgeois 1919 – Thomas Woodrow Wilson 1918 – pa çmim 1917 – Kryqi i Kuq 1916 – pa çmim 1915 – pa çmim 1914 – pa çmim 1913 – Henri La Fontaine 1912 – Elihu Root 1911 – Tobias Michael Carel Asser, Alfred Hermann Fried 1910 – Zyra e Përhershme Ndërkombëtare e Paqes 1909 – Auguste Marie Francois Beernaert, Paul Henri Benjamin Balluet d’Estournelles de Constant 1908 – Klas Pontus Arnoldson, Fredrik Bajer 1907 – Ernesto Teodoro Moneta, Louis Renault 1906 – Theodore Roosevelt 1905 – Bertha Sophie Felicita von Suttner 1904 – Instituti i Ligjit Ndërkombëtar 1903 – William Randal Cremer 1902 – Elie Ducommun, Charles Albert Gobat 1901 – Jean Henry Dunant, Frederic Passy

Filed Under: Kulture Tagged With: fitusja adoleshente, Malala Yousufzai, Nobel, qe nga 1901

Ka gjasa që të zëvendësohet kryetari i Komitetit Nobel për Paqë

May 11, 2014 by dgreca

Sipas gazetës norvegjeze “ VG”/
*Emra të lakuar për këtë pozitë janë Kofi Anan, Hilary Klinton, Carl Bildt dhe Jan Petersen/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Gazeta norvegjeze “ VG” bën me dije se ka gjasa që Horbjorn Jagland të zëvendësohet si kryetar i Komitetit Nobel për Paqë në Oslo të Norvegjisë dhe këtë pozitë mund ta marrin Kofi Anan, Hilary Klinton, Karl Bildt dhe Jan Petersen. Nëse kjo ndodh atëherë shumicën e anëtarëve të këtij Komiteti do ta përbëjnë partitë borgjeze. Roli i tanishëm si sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Europës është cituar si arsye për t’u zëvendësuar kryetari aktual. Megjithatë, siç merr vesh kjo gazetë, Jagland dëshiron të mbetët akoma në këtë post, apo më mirë me thënë të rizgjedhet edhe për një mandat.
Në listë si njeri i parë që mund ta merr këtë post përmendet Kofi Anan, ish- sekretar i përgjithshëm i OKB-së, i cili ka mbështetje nga një numër i anëtarëve të shquar të grupit parlamentar të Partisë Konservatore të Parlamentit Norvegjez, por tash për tash asnjëri prej tyre nuk dëshiron të flas për këtë haptas. Përvoja e Ananit në OKB dhe projektet e tij atë e bëjnë shumë të kualifikuar për këtë post. Ai po ashtu do të jetë një lider unifikues që do të mund të rivendos pozitën dhe reputacionin e Komitetit Nobel për Paqë, thuhet më tej në këtë gazetë. Edhe Jan Petersen ish-minster i Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe aktualisht ambasador i këtij shteti skandinav në Austri, thotë se ka menduar më parë për këtë dhe se një gjë e tillë është mirë të përmendet. Dy emrat tjerë të lakuar për këtë post ish-sekretarja amerikane e shteti Hilary Klinton dhe ministri aktual i punëve të Jashtme të Suedisë, Karl Bildt ende nuk janë prononcuar për media apo të ndonjë forme tjetër të komunikimit.

Filed Under: Kulture Tagged With: Ka gjasa, kryetari i Komitetit, Nobel, për Paqë, që të zëvendësohet

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT