Me këto pak rreshta dua të falenderoj të gjithë ata që lexuan e vlerësuan parathënien e librit tim “Bashkudhëtarë”, të shkruar me mjeshtri të veçantë nga profesori dhe shkrimtari-Shpend Sollaku Noé. Kjo parathënie është botuar më 24 qershor në Gazetën “Dielli”.
Shpend Sollaku Noè, e lexoi atë libër, por më tepër e përjetoi në shpirtin e tij gjithçka që aty tregohej. Ai u bë njësh me ngjarjet, sikur tʼi kishte jetuar vetë ato. Nga vetë nga natyra Shpend Sollaku Noè është njeri i ndjeshëm, Dhe vetëm një zemër e ndjeshme mund ta përjetojë dhimbjen e të vuajturve, si edhe kënaqësitë, sado të pakta, të tyre.
Ai ka pas rastin tʼi kishte nxënës fëmijët e atyre prindërve të mënjanuar, të përbuzur, të përçmuar, që vuanin dënime për faje të imagjinuara.Shpend Sollaku Noè ndjente dhimsuri për ta, por ndjente edhe neveri kundrejt disa mësuesve që, për arsye biografie, i keqtrajtonin këta fëmijë.
Ata nxënës në sytë e mësuesit tyre shikonin keqardhjen. Ç’mund të bënte më tepër mësuesi i tyre, veçse tʼi trajtonte si të barabartë?
Të gjithë fëmijët tanë, edhe pas kaq vitesh, admirojnë mësuesin e tyre Shpendin. Ai ka mbetur në zemrat e ftyre si një idhull. Askush si Shpendi dinte tʼu thoshte një fjalë të mirë. Edhe pse në dukje – sipas psikologjisë absurde të kohës – ishte jo i klasës tonë, në sjelljen e respektin që ishte karakteristikë e intelektualit të mirëfilltë si ai, ngjante sikur ishte pjesë e jona. Fëmijët tanë, kur vinin në shtëpi, vetëm për profesor Shpendin na tregonin ndonjë gjë. Dhe fëmijëve, në atë moshë, u flet shpirti, ata thonë çfarë ndiejnë së brendëshmi, ata të vlerësojnë ashtu si je në të vërtetë.
Edhe kolegët e tij, në Lushnje, atë parathënie të shkruar më ndjenjën e dhimbjes, e vlerësuan veçanërisht. Askush, më tha Bardh Rustemi, nuk do e shkruante këtë parathënie si Shpendi, sepse, asgjë nuk del e bukur, po nuk e ndjeve së brendshmi.
Ky është Shpend Sollaku Noè: atij i flet shpirti, pa i shkruan pena.
Me zemer në dorë
Shefqet Dobra