• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në Nju Jork u Shfaq dokumentari për Nënë Terezën në 104 vjetorin e Vatrës

April 30, 2016 by dgreca

Shfaqet filimi dokumentar për Shoqatën Humanitare “Nanë Tereze” në Prishtinë, ndërkohë, prezantohen dy libra: “Miqtë e mi në Amshim!” me autor Dr. Dom Lush Gjergji, si dhe libri -“Terrori i Serbisë  pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999 ”  , “Intervenimi i NATO- s,  në Kosovë”, dhe, filmi dokumentar “Rrugëtimi i një libri nëpër  botë” , me autor Prof. Dr. Nusret Pllana/

Nga Beqir SINA – Bronx – NYC/

Fotot:Dritan Haxhia/*

SOUTHERN BRONX – NY : 28 Prilli, është ditëlindja e VATRËS, e cila, dje mbushi plot 104 vjet. Një shekull e katër vjet, është jetë -gjatësia, e saj, famëmadhes së shqiptarizimit në Amerikë, e cila “gulçonë”, me gjithë atë shprtin e saj kombëtar, më se 1 shekull, në mesin e shqiptarëve të Amerikës, duke ruajtur dhe mbajtur gjallë, Shqiptarinë.    Kjo, organizatë, u shëndërrua shpejt në zemerën e shpritin patriotik të klubeve patriotike shqiptare, e cila megjithëse e re, 104 vjet më parë, dhe, fare e vogël në numër,(sa një fis, atëhere kur u themelua VATRA më 28 Prill 1912) në Shtetet e Bashkuara, por, që po rritej çdo ditë e shumë shpejt, duke treguar qysh në ditët e para të saj, një shkallë lart organizimi dhe përkushtimi, të paparë, ndonjëherë për Kombin e saj, në mbrojtje të vendit të tyre, nga fqinjët grabitqar që kërkonin ta coptonin. Siç është rasti ku përmes dokumentave arkivorë nga institucione akademike dhe shtetërore amerikane, ofrojnë si shembull – reagimin e Vatranëve në Amerikë, me Uillsonin në Konferencën e Londrës, ndaj rrezikut të gjymtimit të Shqipërisë në vitin 1920. Vatra një shekull e katër vjet, ka bërë një punë të madhe, dhe të rëndësishme, ndër vite për kauzën Shqiptare, dhe, ka kontribuar, për Shqipërinë, Kombin Shqiptarë, kudo e në të gjitha trojet Shqiptare, edhe në ditët e sotme. Dje, më 28 Prill 2016, me rastin e 104 vjetorit, në Shtëpinë e Vatrës, në Nju Jork, kjo organizatë, me një aktivitet të thjesht, ka shënuar këtë ngjarje kombëtare, të cilën  e ka përshëndetur duke folur pak edhe mbi historikun dhe ndikimin e Vatrës, kryetari aktual Dr. Gjon Buçaj. Fillimisht , Kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Buçaj,- pasi i përshëndeti të pranishmit në sallë dhe ju dëshiroi mirëseardhje, atyre, duke hapur këtë veprimtari, tha se “ ne kemi nderin dhe pervilegjin të kemi në këtë ditë të lindjes së Vatrës, në mesin tonë, dy mysafirë të veçantë nga Kosova: Vikarin gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergjin, studiuesin, shkrimtarin, dhe biografin e njohur të Nana Terezes, dhe një ndër themeluesit të Shoqatës Humanitare “Nanë Tereza” në Prishtinë, si dhe mikun e Vatrës, Profesor Nusret Pllana,ish luftëtari i lirisë, gazetar, publicist, autor i gjashtë librave : “Terrori i Serbisë  pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999 ”  , “Intervenimi i NATO- s në Kosovë” dhe producent e skenarist i filmit dokumentar “Rrugëtimi i një libri nëpër  botë”. Kurse, Don Lush Gjergji, ndërsa, ka përgëzuar 104 Vjetorin e Vatrës, foli pak edhe mbi historikun dhe ndikimin e Vatrës, mbi Shqipërinë, dhe shqiptarët në Kosovë, e trojet shqiptare, kontributin e saj historik të saj, sidomos në diasporë, i cili tha ai dëshmon rolin dhe trashëgiminë e Federatës Panshqiptare të Amerikës, Vatra, gjatë 104 vjetëve, që nga themelimi i saj, nga ju vatranët që mbajtët gjallë këtë visar të paçmuar të pasurisë sonë kombëtare..   Më pas Dr. Lush Gjergji, në kuadrin e aktiviteteve të Vitit të Nana Terezes, i shpallur ky nga Kosova dhe Shqipëria, me rastin e 4 Shtatorit – ditës së Shejtërimit, të Nanë Terrezes, ka prezantuar dokumentarin e tij, mbi veprimtarinë, e Shoqatës Nëna Terezë, i cili tha, ai, ishte i vetmi entitet, prej ditës së parë që i përgjigjej nevojave të komunitetit, edhe nën sundimin e Serbisë, mbi Kosovën. Deri më 1990, Shoqëria Civile në Kosovë, spjegojë Don Lush Gjergji, njëri nga themeluesit kryesorë, të kësaj Shoqate humanitare, nuk ka ekzistuar ishte Shoqata Nëna Terezë, e cila ka kthyer një faqe të re në historinë e Kosovës, duke angazhuar qytetarët në rrjete vullnetare në implementimin e aktiviteteve. “Për, këtë shtoi ai nga viti 1990 deri në vitin 1998 ShHNT, ka vepruar si një institucion paralel me regjimin Serb, në Kosovë, si një “Ministri e Mirëqenies Sociale”, të asaj kohe, duke ofruar asistencë humanitare, si një Ministri e Shëndetit, duke krijuar një zinxhir prej 96 klinikave mobile dhe Materniteteve dhe si një Ministri e Edukimit, duke mbështetur sistemin arsimor-edukativ dhe ofrimin e kushteve themelore”. Dom Lush Gjergji, ftoi pas prezantimit të librit të tij të 12-të, “Miqt e mi në Amshim”, gazetarin Dritan Haxhia, që me anë të një video-projeksioni të shfaqte, dokumentarin me metrazh të shkurtër, ku protagonistët, nëpërmjet intervistave, treguan se :”ShHNT, ka për qëllim të ndihmojë duke ndërtuar në një shoqëri të hapur Civile, ku vlerat e të gjithë popullit do të respektohen dhe të kultivohen pa dallim kombësie, feje apo race, ku njerëzit do të jetojnë krah për krah me respekt të ndërsjellë dhe tolerancë”. Pas këtij dokumentari, një vend i veçantë iu dha nga autori Profesor Nusret Pllana, por edhe prej të pranishmëve, librit të gjashtë- I cili është dëshmi e gjallë, dhe vlerë, që do t’i duhej edhe Hagës. Një libër lapidar për ata të cilët u flijuan, derdhën gjakun e tyre, për lirinë dhe çlirimin e Kosovës, kështu të paktën, deri tani, është cilësuar me pak fjalë Libri “Terrori Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844 – 1999” i Profesor Nusret Pallnës, i cili shpallos përmes fotografisë “Golgotën” dhe gjithë dhunën dhe terrorin e paparë të Serbisë, ndaj shqiptarëve të Kosovës; paqedashës, lridashës, dhe të pafajshëm. Një libër plot dhëmbje, por që ka edhe nocionin e krenarisë sonë kombëtare, i botuar në 12 gjuhë të botës, dhe promovuar në tre kontinetet, dhe i piblikuar në 50 vende të botës, përfshirë Washingtonin( SHBA) dhe Melburnin e Australisë. “Më lejoni fillimisht, t’ju përshëndes të gjithëve dhe në veçanti , kryetarin e Vatrës, Dr. Gjon Buçaj, dhe anëtarët e kryesisës, vatranët, në Florida, Michigan, dhe Toronto,” tha në fillim të fjalës së tij me këtë rast, profesor Nusret Pllana, i cili, është autor i librit, që fakton terrorin serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës, si dhe filmit dokumentar “Rrugëtimi i një libri nëpër botë”, i cili u shpreh ai “ka në plan të realizohet në të ardhmen me një “buxhet të madh” si një dokumentar – artistik, për të konkuruar edhe për ndonjë çmim Oskar, në të ardhen”. Vatranët, thanë se së pari i jemi mirënjohës, dy miqve të nderuar të Vatrës, Don Lush Gjergjit dhe profesor Nusret Pllana, që ishin sot së bashku me ne, në shënimin e 28 Prillt, ditëlindja e VATRËS, e cila, u bë 104 vjet, këtu në Shtëpinë e Vatrës, në këtë ngjarje kulturore, për të cilat ka aq shumë nevojë jo vetëm Vatra, por i gjithë komuniteti shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, të shoqëruar nga Bedri Kurtishi, ish luftëtar i UÇK-së, nga Toronto- Kanada. Pjesëmarrësit,  me këtë rast vlerësuan dhe dhanë një mirënjohe profesor Pllanës, autori i këtyre, gjashtë, librave, për punën e tij të palodhshme për  të faktuar në mënyrë shkencore një periudhë terrori dhe represioni të pa imagjinueshem  ndaj popullit shqiptar, nga Serbia. “Profesor Pllana, thanë ata, me angazhimin e tij të palodhshëm, po e depërton të vërtetën për Kosovën edhe në skutat e botës, ku ndoshta nuk është dëgjuar as emri Kosovë, vetëm në Europë , libri ka hyrë në të gjitha kancelaritë perendimore.  Si i tillë ai po vazhdon t’i shërbej Kosovës, në një mënyrë për të cilën kan nevojë të gjithë Shqiptarët. “Profesor Pllana, është dëshmuar para luftës, ndërsa zëri i tij i shpresës  në kohën e luftës na kumbon edhe sot në vesh. Tani ai po e vazhdon luftën e tij për të vërtetën e atdheut tonë. Lufta për të vërtetën ndoshta është lufta më e vështirë, megjithatë profesor Pllana, po dëshmon se edhe kjo mund të fitohet”. Pastaj, fjalën e morën duke iu përgjigjur edhe interesimit të madh të pjesëmarrëseve, për veprat e tyre, autori dhe recensenti, Dr. Lush Gjergji dhe Profesor Nusret Pllana. Në fund të gjithë pjesëmarrësit, shtrënguan duart, dhe bënë një fotografi e cila është tradicionale në Selinë e Federatës PanShqiptare të Amerikës, VATRA, si dhe shprehen mirënjohje të thellë, për Vikarin gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergjin, studiuesin, shkrimtarin, dhe biografin e njohur të Nana Terezes, dhe një ndër themeluesit të Shoqatës Humanitare “Nanë Tereza” në Prishtinë, si dhe mikun e Vatrës, Profesor Nusret Pllana, autor i gjashtë librave : “Terrori i Serbisë  pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999 ”  , “Intervenimi i NATO- s në Kosovë” dhe skenarist i filmit dokumentar “Rrugëtimi i një libri nëpër  botë”, ish luftëtari i lirisë, gazetar, publicist. Don Lush Gjergji dhe Profesor Nusret Pllana, para largimit nga New Yorku, për të vazhduar me prezantimin e këtyre veprave, në Detroit, Çikago, Toronto(Kanada), dhe Jacksonville(Florida), dhanë posaqërisht dy intervista, në dy televizione, për TV 21 nga Kosova dhe Televizionin Albanian Culture nga New Yorku. *Per me shume fotografi na ndiqni ne Facebook – See more at: https://gazetadielli.com/ne-nju-jork-u-shfaq-dokumentari-per-nene-terezen-ne-104-vjetorin-vatres/#sthash.hbxmjFEW.dpuf

Filed Under: Vatra Tagged With: 104 Vjetori i vatres, Beqir Sina, Dokumentari, don Lush Gjergji, Dritan Haxhia, Nene Tereza, Nusret pllana

Bashkimi kombëtar e bën rishkrimin e historisë

November 11, 2014 by dgreca

(Njohja e së kaluarës është shkolla e së ardhmes)/
Shkruan: Prof. dr. Nusret Pllana-Universiteti ‘Hasan Prishtina’-Prishtinë /
Në këtë qytet të lashtë, sa vetë historia dhe jeta e shqiptarëve, para 570 vjetesh, kryetrimi ynë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mblodhi princërit shqiptarë në Kuvendin e madh të Lezhës së asaj kohe, më 2 mars të vitit 1444. Që nga ajo kohë, sa duket, historia është tallur me të gjallët e këtij populli, në të gjitha periudhat kohore pas vdekjes së Skënderbeut. Por një mësim i madh i kësaj historie asnjëherë nuk është harruar, duke ju kujtuar dhe rikujtuar shqiptarëve, se pa ato vendimet themelore që kishte marrë Kuvendi i Lezhës, as nuk mund të mbrohej populli, as nuk mund të bëhej bashkimi kombëtar, as nuk do të mund të krijohet një treg i përbashkët shqiptar.
Prandaj që të rishkruhet historia e shqiptarëve, e popullit shqiptar dhe e kombit shqiptar, si dy përkufizime historikisht të ndara, doemos është e nevojshme të sqarohen të gjitha ecejaket e jetës historike të këtij populli, në mënyrë që të dëshmohet se edhe sot e gjithë ditën ka nevojë për një bashkim, ashtu siç ishte konceptuar në Kuvendin e Lezhës, tashti me përmasën e kombit e jo të Principatave, për një ushtri shqiptare, që ta përballojë dhe ta largojë armikun nga tokat e tij, ende të pushtuara, tashti si gjeografi kombëtare, e jo si gjeografi e Principatave mesjetare, si dhe të sigurojë mjete, pra të ketë një arkë të përbashkët për të përballuar shpenzimet e mëdha të luftës, tashti si një luftë për bashkimin kombëtar, e jo si luftë e Principatave shqiptare, që luftonin kundër Perandorisë Osmane. Pra, përmasa kohore, historisë sonë ia ka imponuar edhe përkufizimet, të cilat deshën apo nuk deshën shqiptarët, një ditë do të realizohen.
Hyrje
Kësisoj, prandaj, ndoshta askujt nga ne të gjallët e sotëm, por as baballarëve tanë, pra shqiptarët kudo që janë, kurrë nuk ka mundur t’u shkojë ndërmend se tri vendimet kryesore të Kuvendit të Lezhës, edhe sot janë aktuale, sepse nuk janë realizuar gjatë historisë.
Në historinë tonë të lashtë, ashtu siç e kanë thënë edhe studiues të huaj edhe studiues shqiptarë, thuajse asnjëherë nuk kanë pushuar luftërat, qofshin nëpër krahina të veçanta shqiptare, qofshin në tërë hapësirën e gjeografisë shqiptare. Mirëpo, asnjëherë nuk është bërë një vështrim kritik, dua të them edhe një lexim kritik i historisë sonë, në mënyrë që të shihen edhe mundësitë, edhe rrethanat kohore, edhe mangësitë, por edhe dështimet tona.
Ndonjëherë, aty–këtu, kur ndonjë i huaj, kryesisht dashakeqës për historinë e popullit tonë, thotë edhe ndonjë të vërtetë për dobësitë tona, na vjen inat, gjë që do të thotë se ende nuk jemi ne gjendje të përballemi me realitetin e fakteve historike. Mirëpo, po ashtu dihet fakti se ndoshta një pjesë e madhe e atyre fakteve ende nuk janë zbuluar dhe ende nuk janë publikuar, në mënyrë që të krijojmë një mendim objektiv për rrjedhën e shekujve të historisë në jetën e popullit shqiptar, por edhe në jetën e formimit të kombit shqiptar.

Historia e luftërave dhe e ekzistencës së popullit shqiptar

Kur Sami Frashëri, bashkë me rilindës të tjerë, po hartonte programin e madh kombëtar, “Shqipëria çka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”, i cili ende, as pas Luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është realizuar plotësisht, kishte parasysh po ato kërkesa themelore që kishte vendosur Kuvendi i Lezhës dhe që i kishte zbatuar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Një nga rilindësit e tjerë, ndër më të veçuarit, ishte edhe ideologu i bashkimit shqiptar, Vaso Pashë Shkodrani, i cili duke njohur mirë gjendjen e shqiptarëve të shekullit nëntëmbëdhjetë, shkruante:
‘Çonju, shqyptar, prej gjumit çonju,
Të gjith si vllazën n’nji besë shtërngonju,
E mos shikjoni kish’ e xhamija,
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!’
Pra, katër shekuj më vonë nga vendime të mëdha të Kuvendit të Lezhës, Rilindja jonë kombëtare po kërkonte realizimin e vendimeve të mëdha të Kuvendit të Lezhës, e që ishte krijimi i bashkimit të popullit në luftë kundër pushtuesit, në mënyrë që të çlirohej hapësira e pushtuar e gjeografisë shqiptare.
Rilindësit tanë, sa thonë shënimet historike, publicistike dhe historiko-letrare, e dinin mirë historinë e popullit të tyre, siç i dinin mirë të gjitha luftërat që ishin zhvilluar kundër të huajve. Mirëpo, po ashtu i dinin mirë edhe përçarjet e të gjithë krerëve të këtyre përpjekjeve, ose i dinin, siç thuhet me gjuhën e gazetave të sotme, edhe skenat edhe prapaskenat e luftërave të tyre. Prandaj, e dinin mirë se po nuk u realizua kërkesa themelore e Kuvendin të Lezhës, nuk do të kishte fitore të përmasës kombëtare, siç nuk kishte pasur gjatë gjithë kësaj periudhe historike.
Pra, çështja kryesore që ishte biseduar në Kuvend, ishte bashkimi i vendit në luftë kundër pushtuesit.
Nga ajo kohë e këndej, nuk e di kur ka ndodhur një bashkim i tillë në tokat e gjeografisë shqiptare, përveç në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Këtë bashkim të popullit nuk arritën ta bëjnë as Pashallëqet e Mëdha të Janinës dhe të Bushatlinjëve të Shkodrës, edhe për faktin se nuk arritën ta bashkojnë popullin në luftë kundër pushtuesit.
Këtë nuk e thotë dhe nuk mund ta thotë as historia jonë. Pastaj, varësisht nga zhvillimi i ngjarjeve, sidomos në luftërat ballkanike, sidomos në Luftën e Parë Botërore, edhe më tutje, edhe pas Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar jo vetëm u përgjysmua, edhe si komb i organizuar, por ju përgjysmua gjeografia e atdheut të tij.
Nëse Principatat e Mesjetës shqiptare, ato që i kishte bashkuar Kuvendi i Lezhës, i cili ishte mbajtur vetëm disa muaj pas kthimit të Skënderbeut në Krujën e tij, kishin arritur të krijonin bashkimin e popullit, kishin arritur të krijonin një ushtri që i kishte përballuar për 25 vjet sulmet gjenocidiale të Perandorisë më të madhe të kohës, nëse kishte arritur të krijonte një arkë të përbashkët, a mund ta thonë periudhat e mëvonshme historike se nuk kanë pasur ku të mësojnë që të bëhen bashkë dhe të luftojnë për lirinë e vendit.
Prandaj, edhe historia jonë, edhe ne si lexues të saj më shumë merremi duke folur për vuajtjet, humbjet, përgjakjet, copëtimet e gjeografisë kombëtare, pushtimet shekullore, e asimilimet aq tragjike, sa ndonjëherë harrohet se njerëzit e atij vendi që është i pushtuar e kanë obligim jetësor dhe qytetarë që të bëhen bashkë e të luftojnë kundër robërisë.

Historia e shqiptarëve dhe historia e ushtrisë shqiptare

Dikush thotë se Ushtria Shqiptare është krijuar me vendimin e Kuvendit të Vlorës, më 1912, kur është shpallur Pavarësia e Shqipërisë. Kështu thotë edhe historia e Ushtrisë Shqiptare. Historikisht dihet se pavarësia ishte shpallur për tërë gjeografinë kombëtare shqiptare. Por që nga ajo kohë, më shumë se gjysma e tokave shqiptare nuk kanë pasur ushtri të veten.
Kush e pruri datën e themelimit të ushtrisë shqiptare në fillim të shekullit nëntëmbëdhjetë, kur ajo ishte bërë në fillim të shekullit pesëmbëdhjetë.
Ideologu i Programit tonë Kombëtar, që nuk është realizuar ende në jetën historike të shqiptarëve, Sami Frashëri, në veprën e tij madhore, “Shqipëria çka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet’, jep numra të saktë jo vetëm për formimin, por edhe për mënyrën e organizimit të ushtrisë shqiptare, duke përcaktuar numrin e ushtarëve në varësi me hapësirën e gjeografisë kombëtare.
Çështja tjetër ishte krijimi i një ushtrie shqiptare me të gjitha repartet e saj, ashtu siç ishin të organizuara ushtritë më të përparuara të shekullit nëntëmbëdhjetë. Sa di unë, deri sot askush nuk është marrë me këtë çështje në Programin e Rilindjes sonë Kombëtare, të cilin e kishte hartuar Sami Frashëri dhe, i cili, ende nuk është realizuar në jetën e shqiptarëve.
Historia jonë, nuk e thotë saktë se ushtria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, a ishte ushtri e gjithë popullit, apo kishte vetëm pjesëmarrjen e krahinave në të, diçka e ngjashme me pjesëmarrjen e Principatave shqiptare në kohën e Skënderbeut.
Historia e Kuvendit të Lezhës dhe tregu i përbashkët shqiptar
Në vazhdim do të prekë një çështje, që po bëhet për çdo ditë e më shumë aktuale. Prandaj, dua të ndalem te vendimi i tretë i rëndësishëm i Kuvendit të Lezhës. Kjo çështje e tretë, ishte vendimi për krijimin e një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Dhe kjo luftë, siç e thotë edhe historia jonë, edhe ajo botërore, ka zgjatur 25 vjet.
Këtu nuk dua qëllimisht të merrem me faktin se a ka pasur Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një arkë të përbashkët, as me faktin se sa kanë dhënë shqiptarët, kudo që janë, për luftën e tyre çlirimtare. Ndoshta, sepse distanca historike ende është e vogël për madhështinë e këtyre ngjarjeve.
Në historinë e popullit tonë, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, filluan ato që quhen përcaktime ideologjike, ato që quhen faktorë ndikues krahinash, ato që quhen mos përzierje në punët e brendshme të vendeve fqinje, edhe pse gjeografia kombëtare ishte e copëtuar, po nga këta fqinjë dhe me vendime të Evropës së kohës, edhe pse gjysma e popullit shqiptar ishte i robëruar, edhe pse ky popull mund të jepte e të merrte me këdo tjetër, edhe me kinezët, por vetëm me pjesën tjetër të popullit shqiptar, që kishte krijuar një shtet të vetin, shtetin që edhe sot historia i thotë Shqipëri londineze, pra me këtë popull të këtij shteti, edhe pse edhe ai ishte shqiptar, nuk mund të jepte dhe të merrte pjesa e mbetur nën okupim e popullit shqiptar, pra nuk u lejohej një treg i përbashkët.
Për çudi të zotit, edhe në fillim të shekullit njëzet e një, po kjo Evropë harton një Rezolutë për Kosovën, ku që në fjalinë e parë i ndalohet të bashkohet me vendet fqinje. Doemos se është e kuptueshme. Bëhet fjalë se Kosova e ka të ndaluar të bashkohet me pjesën tjetër të gjeografisë së saj kombëtare, me Shqipërinë. Për fat të popujve të robëruar, luftërat çlirimtare përherë i kanë nëpërkëmbur dhe i kanë bërë të pavlefshme rezolutat e ndryshme në të gjitha kohërat kur janë hartuar ato.
Përfundim
Shqiptarëve nuk u duhet rishkrimi i historisë, kur dihet se ajo shkruhet në pesë a më shumë pjesë, të pushtuar nga pesë a më shumë popuj të ndryshëm, edhe me miratimin xhentëlmen të Evropës, që sot i plasi zemra të bëhet demokratike dhe e bashkuar.
Po, pra, shqiptarëve aktualisht nuk u duhet rishkrimi i historisë në këto kushte dhe në këto rrethana historike që jemi si popull dhe si komb. Nuk u duhet, sepse nuk besoj se ka diku një komb modern në Evropën e sotme që ende është i ndarë, gjeografia kombëtare e të cilit ende është e copëtuar dhe e pushtuar.
Më tutje, nuk u duhet, sepse edhe ajo puna më e vogël, siç është marrëdhëniet e përbashkëta tregtare, fjala vjen, edhe 15 vjet pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk po realizohet në asnjë mënyrë. Shqiptarët andej e këndej kufirti të Shqipërisë londineze, bëjnë më shumë tregti me armikun e tyre historik, se sa në mes dy vendeve të tyre, fatkeqësisht ende të ndara me kufij politikë.
Shqiptarët, pra, jo vetëm nuk kanë një treg të përbashkët, por e dënojnë njëri-tjetrin me lloj-lloj taksash doganore, në doganat që na i kanë caktuar të huajt, qofshin ata edhe miqtë tanë të përhershëm, apo të përkohshëm.
Prishtinë-Lezhë,
Më 7. 11. 2014
Burimet
1. Kristo Frashëri, Skënderbeu i shpërfytyruar, Tiranë, 2009
2. Virgjil Kule, Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqtari i fundit, Tiranë, 2012
3. Sami Frashlri, Shqipëria çka qenë,ç’është dhe çdo të bëhet, Bukuresht, 1899
4. Vaso Pashë Shkodrani, O moj Shqypni, Prishtinë, 1982

Filed Under: Opinion Tagged With: Bashkimi Kombetar, e bën, e historise, Nusret pllana, rishkrimin

Monografi që plotëson zbrazëtirat e historisë

August 4, 2014 by dgreca

Argjend Hasani dhe Xhevat Berisha, SPAHIAJT E LLASHTICËS, monografi, Prishtinë, 2014/
Shkruan: Prof. dr. Nusret Pllana/
Përkufizimi/
Argjend Hasani dhe Xhevat Berisha, dy autorë të rinj, bëjnë përpjekje të plotësojnë mangësitë e kujtesës sonë kombëtare, e cila pasi nuk është shkruar, ka mbetur më shumë kujtesë folklorike. Mirëpo, edhe këto rrafshe të kujtesës, autorët i kanë vënë në shërbim të fakteve historike, duke përmbushur kështu një kërkesë elementare metodologjike të shkencës së historisë, se pa studimin e fakteve dhe të burimeve historike, nuk hartohet një vepër që mëton të jetë e nivelit të monografisë.
Autorët, jo vetëm e kanë përmbushur këtë kërkesë, por ia kanë arritur që të krijojnë një kronikë të mirëfilltë të ngjarjeve që kanë qenë vendimtare, jo vetëm në jetën e familjes, të fisit, të fshatit, por edhe të kësaj pjese të popullit shqiptar që jeton shekuj e shekuj në Kosovë, që nga pushtimet e lashtësisë, përmes atyre të Mesjetës, sidomos riokupimi i kësaj pjese të tokave shqiptare nga viti 1913 e deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur përfundimisht fitohet liria.
Hyrje
Vepra Spahiajt e Llashticës është ndërtuar në tetë kapituj. Në secilin prej tyre janë trajtuar çështje, të cilat plotësojnë konceptin e përgjithshëm të autorëve, që ka të bëjë me afrimin e të dhënave historike, arkeologjike, onomastike, të gojëdhënave, por duke mos lënë anash as kujtesën popullore të brezave të ndryshëm të kësaj familje të madhe, të cilët rrjedhën e ngjarjeve të caktuara historike e shpjegojnë sipas mbamendjes.
Prandaj, autorët duke folur për një lagje, për një familje, e cila varësisht nga rrethanat kohore dhe ngjarjet historike, herë rritet dhe shpërndahet nëpër Kosovë, por edhe jashtë saj, herë zvogëlohet, si pasojë e plojës, dhunës dhe shkatërrimeve që kanë sjellë, sidomos Lufta e Parë dhe Lufta e Dytë Botërore.
Në të njëjtën kohë kanë folur edhe për një fshat të tërë, për një krahinë të tërë, për një pjesë të tokave shqiptare, që nga koha e pushtimeve e këndej, ngase, marrë në përgjithësi, i njëjti fat që ka ndjekur familjen Spahiaj, ishte edhe pjesë e fatit të kësaj pjese të popullit shqiptar.
Duke përcjellë me vëmendje organizimin e lëndës që kanë trajtuar autorët në monografinë Spahiajt e Llashticës, lexuesit i bëhet e qartë, jo vetëm një periudhë e caktuar historike, apo ngjarjet e asaj periudhe, por edhe lashtësia e ekzistencës së një pjese të popullit shqiptar të kësaj ane, qoftë përmes zbulimeve të ndryshme arkeologjike, qoftë përmes gojëdhënës popullore, qoftë përmes kujtesës së njerëzve.

Llashtica dhe Spahiajt pjesë e një populli me gjeografi të copëtuar
Autorët e monografisë Spahiajt e Llashticës, në kapitullin e parë kanë trajtuar, në vija të përgjithshme lashtësinë e ekzistencës së këtij vendbanimi, duke u mbështetur edhe në zbulimet arkeologjike që janë realizuar në një periudhë të caktuar të zhvillimit të mendimit shkencor në Kosovën e pushtuar. Kishte vite, për të mos thënë dhjetëvejtësh, kur në Kosovë, herë falë këmbënguljes së individëve, herë falë këmbënguljes së ndonjë institucioni, por edhe kalkulimeve politike që bënte pushtuesi ynë, të jenë kryer veprimtari kulturore e shkencore, edhe me karakter hulumtues. Këtë e dëshmojnë edhe Tumat ilire të zbuluar në Llashticë, gjë që dëshmon, në radhë të parë, për lashtësinë e ekzistencës së këtij lokaliteti, pastaj për përkatësinë historike të banorëve të këtij vendbanimi dhe, së fundit, për ngjarjet historike nëpër të cilat kishte kaluar, edhe populli i kësaj ane të lashtë, thuajse ngjashëm me fatin e gjithë popullit shqiptar.
Janë me interes të dhënat për lashtësinë e emërvendit Llashticë dhe gjithë formimin e tij gjuhësor, deri te emri i sotëm. Por, një rëndësi të veçantë për lexuesin kanë të dhënat historike që sjellin autorët, qoftë për lashtësinë e tij, qoftë për kohën e gjatë të kohës nën pushtimin e të huajve, kohë e cila fillon me vitin 29 para epokës së re, kur si gjithë territori i Dardanisë së lashtë, andaj edhe kjo anë bijnë nën pushtimin e perandorisë Romake. Sa duket, në mungesë të shkollës kombëtare për një periudhë të gjatë kohore, por edhe për mungesë të dijes së historisë kombëtare, periudhat e pushtimit të këtillë, deri te ato të viteve 1912, kur krijohet shteti shqiptar, të cilin pastaj e copëtojnë fqinjët tanë, edhe me pëlqimin e Fuqive të Mëdha të Evropës, pushtim që zgjat afro një shekull, kur kjo pjesë e tokave shqiptare çlirohet më 1999, pas luftës tri vjeçare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Autorët sjellin fakte rrëqethëse për hakmarrjen e pushtuesit serb, gjatë gjithë kohës së pushtimit, ndaj banorëve të kësaj ane, sidomos duke theksuar dhunën dhe shkatërrimin që i bëhet fshatit dhe banorëve të tij, në mars të vitit 1999, kur masakrohen më shumë se 25 civilë, duke filluar nga fëmijët e deri të pleqtë.
Në kapitullin e dytë dhe të tretë, autorët e monografisë Spahiajt e Llashticës janë ndalur gjerësisht duke analizuar të gjithë faktorët që kanë ndikuar në jetën e kësaj lagjeje, në mënyrën e gjëllimit të tyre, por edhe rritjen e kësaj familje të madhe. Në jetën tonë historike, ka periudha shumë të rëndësishme, kur familjet e mëdha kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm, jo vetëm në qëndresën kundër pushtuesit, por edhe në mëvetësinë e qeverisjes që kanë bërë. Prandaj, ato edhe janë ndjekur dhe janë persekutuar, sa herë që pushtuesi ka gjetur rastin. Kjo gjendje ishte pjesë edhe e jetës së familjes së Spahiajve të cilët sot i gjen kudo, jo vetëm nëpër Kosovë, por thuajse në të gjitha kontinentet, deri në Australinë e largët.
Një analizë të ngjeshur autorët u kanë bërë ngjarjeve që lidhen me familjen e Spahiajve, sidomos gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, duke sjellë të dhëna dhe fakte, qoftë për rezistencën dhe luftërat e tyre, qoftë edhe për dhunën dhe masakrat që ka ushtruar armiku mbi ta. Angazhimi i llashticasëve të familjes Spahiaj, në secilën ngjarje historike, kur rrezikohej atdheu dhe pjesë të tij, ishte një shembull i veçantë i dashurisë për atdhe dhe për liri. Autorët sjellin një shembull konkret të gatishmërisë së anëtarëve të kësaj familje të madhe, kur numërojnë pjesëmarrjen e tyre në luftimet në Preshevë më 1944. Qoftë edhe vetëm nga ky fakt, del bindshëm bindja e autorëve se si banorët e Llashticës, ashtu edhe të kësaj familje përherë kanë qenë të gatshëm të sakrifikohen për liri.
Po ashtu, rezistenca e tyre si dhe qëndrimi përherë me armë në dorë kundër pushtuesit të vendit, andaj edhe të Llashticës, ka bërë që armiku i vendit të hakmerrej mbi popullatën e kësaj ane, e sidomos mbi banorët e familjes së Spahiajve. Është e njohur në histori, masakra e Llashticës, ose ashtu si i thotë populli, Patarja e Llashticës, ku janë masakruar anëtarët më të zotët të familjes Spahiaj.
Autorët, përveç që kanë sjellë të dhëna të shumta për të gjitha peripecitë jetësore të banorëve të familjes Spahiaj, ata në të njëjtën kohë janë marrë edhe me të gjitha veprimet antikombëtare të pushtuesit, duke sjellë fakte dhe të dhëna interesante, thuajse për të gjitha ngjarjet dhe për pjesëmarrjen e anëtarëve të familjes Spahiaj në ato ngjarje. Ka të dhëna interesante për operacionin monstruoz të organeve të punëve të brendshme të pushtuesit, si një hallkë tmerri në zinxhirin e madh të pushtimit, që njihet si Aksioni i armëve, ose thënë ndryshe çarmatosja e shqiptarëve, në mënyrë që të dobësohej dhe të pamundësohej rezistenca e popullit, andaj edhe e banorëve të Llashticës dhe të familjes Spahiaj. Dhuna dhe terrori vazhdojnë edhe në forma të tjera, siç ishte grumbullimi i tepricave, që ishte një nga arsyet madhore të pushtuesit për gjunjëzimin e popullit shqiptar, kudo që ishte ai në pjesët e pushtuara të tokave shqiptare. Nëpër të gjitha këto periudha dhe ngjarje, pjesëmarrja e anëtarëve të familjes Spahiaj ishte e madhe. Por, edhe dhuna dhe hakmarrja e pushtuesit, po ashtu ishte e madhe dhe e përgjakshme.

Figura të njohura të Spahiajve në shërbim të atdheut

Në kapitujt në vazhdim të monografisë së tyre, autorët kanë marrë në shqyrtim ndihmesën e anëtarëve të kësaj familje dhënë çështjes së çlirimit të atdheut. Në të gjitha periudhat historike, por sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore e këndej, pra që kur fillon ndjekja politike e të gjithë atyre shqiptarëve që nuk kishin pranuar pushtimin, Spahiajt dallohen për qëndrimin e tyre në shërbim të çështjes së atdheut. Ata, si dhe të gjithë shqiptarët e kësaj pjese të tokave të pushtuara shqiptare, e kishin mësuar nga atdhetari i madh, Ramiz Cernica, kur në Kuvendin e Prizrenit, më 1945, kishte thënë: Me Shqipërinë, po, me Serbinë, jo! Autorët janë kujdesur që në mënyrë kronologjike të paraqesin të gjithë ata atdhetarë të Spahiajve, të cilët në një mënyrë apo në një tjetër, duke qenë kundërshtarë të pushteteve pushtuese kishin përfunduar nëpër burgje, ishin përzënë nga vendi, ishin torturuar dhe në fund ishin zhdukur fizikisht. Nëse shihet me kujdes gjithë rruga jetësore e disa brezave të familjarëve të Spahiajve, atëherë hetohet qartë se nëpër të njëjtën rrugë jetësore kishte kaluar populli shqiptar i këtyre pjesëve të pushtuara të atdheut, sepse pushtuesi kishte hartuar programe të veçanta për zhdukjen e tyre. Në këtë pjesë të monografisë Spahiajt e Llashticës, janë trajtuar dhe janë shqyrtuar ngjarje dhe personalitete të jetës sonë historike, duke filluar që nga Lufta e Dytë Botërore e deri në ditët tona, ose thënë më saktë deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilën erdhi liria e shumë pritur e kësaj pjese të atdheut. Aty është folur edhe për personalitete të familjes Spahiaj, të cilët në një periudhë kohore, apo në një tjetër, në një ngjarje të rëndësishme historike, apo në një tjetër, jo vetëm kishin dhënë ndihmesën e tyre për lirinë e kësaj pjese të tokave shqiptare, por kishin sakrifikuar edhe jetën. Një pjesë e këtyre figurave atdhetare janë përcjellë me të dhëna jetësore, gjë që ia shton dukshëm rëndësinë monografisë, qofte edhe vetëm për faktin se ka pak të dhëna për jetën e atdhetarëve, të cilët janë likuiduar, ose janë zhdukur, ose janë internuar në periudha të ndryshme të luftës së tyre kundër pushtuesit.
Në këtë rrjedhë, autorët kanë folur edhe për pjesëtarë të familjes Spahijaj që janë vrarë, që kanë rënë në fushën e nderit, sidomos në Luftën e Dytë Botërore. Por, kanë folur edhe për ngjarje dhe pjesëmarrës në to të brezave të mëvonshëm të kësaj familje, të cilët me sakrificën e tyre janë bërë pjesë e historisë sonë më të re, siç është, fjala vjen, rënia e Arianit Berishës, në vitin 1999, në fund të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, mund të thuhet se mbarështimi i lëndës së kësaj monografie ka ndjekur një ecuri normale në trajtimin dhe shqyrtimin e ngjarjeve më të rëndësishme historike, si dhe pjesëmarrjen e familjes së madhe Spahiaj në ato ngjarje, gjë që dëshmon për idealin e tyre dhe për dashurinë e madhe për lirinë e atdheut.
Duke u marrë me veprimtarinë atdhetare të anëtarëve të familjes Spahiaj, autorët janë ndalur edhe te ndonjë figurë atdhetare, e cila me veprimtarinë e bërë ka dëshmuar se nuk përkulen para asnjë vështirësie dhe rreziku. Ndër këto figura duhen përmendur, sidomos ajo e Ilaz Berishës, mësuesi i parë në gjirin e kësaj familje, si dhe Jakup Llashticën, Fehmi Sylejmanin e të tjerë, të cilët jo vetëm me veprimtarinë e tyre, por edhe me qëndresën e tyre dëshmuan dashurinë e madhe për liri dhe gatishmërinë që të sakrifikohen për heqjen e pushtuesit nga kjo pjesë e atdheut.
Një dukuri interesante që autorët e kanë trajtuar në kapitullin e gjashtë dhe të shtatë, po edhe në kapitullin e tetë, ka të bëjë me dukurinë e mërgimit të pjesëtarëve të kësaj familje të madhe. Kjo dukuri, është njëra nga plagët e mëdha të atdheut të shqiptarëve, që në jetën e tyre ka ardhur si pasojë e pushtimeve të gjata dhe si pasojë e copëtimit të gjeografisë së tyre kombëtare.
Nëse përcillet me vëmendje, qoftë edhe vetëm vendet ku ata janë vendosur dhe kanë krijuar familje e kanë vazhduar jetën, atëherë mund të thuhet se pjesë të mëdha të familjes Spahiaj jetojnë në mërgatë, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada. Në kapitujt që po trajtojmë, jepen të dhëna interesante edhe për përpjekjet e të rinjve të kësaj familje që të bëjnë dije, duke hulumtuar kudo që ka mundësi, kushte për ngritjen e tyre profesionale.
Në kapitullin e shtatë, fjala vjen, autorët janë marrë kryesisht me ndihmesën e madhe që ka dhënë familja Spahiaj në arsim, në kulturë, në humanizëm njerëzor, në biznes, si dhe në fusha të tjera të jetës. Humanizmi i tyre ka ardhur në shprehje qoftë duke ndihmuar me mjete financiare, qoftë duke ju bërë krahë nismave për mirëvajtjen e arsimit dhe të veprimtarive kulturore në anën e tyre, por edhe atje ku kanë krijuar familje të reja, jashtë Llashticës, apo jashtë Kosovës.

Përfundim

Monografia Spahiajt e Llashticës plotëson një zbrazëtirë, siç është thënë edhe në fillim, në fushën e të dhënave, sidomos të dhënave historike, pastaj të të dhënave në jetën kulturore, qoftë për jetën e anëtarëve të kësaj familje, qoftë për tërë fisin, kudo që jeton ai, qoftë edhe për anën ku ata kanë luftuar, kanë vepruar dhe kanë jetuar.
Autorët kanë pasur kujdes që të dhënat t’i mbështesin në burime dhe fakte historike, por edhe të mbledhin të dhëna nga kujtesa popullore e banorëve të kësaj familje dhe më gjerë. Duke u mbështetur në burime të këtilla, të argumentuara, edhe përmes zbulimesh arkeologjike, si dhe përmes të dhënave historike, për ngjarje të ndryshme dhe për pjesëmarrjen e anëtarëve të familjes Spahiaj në to, dëshmohet, njësoj si edhe pjesa tjetër e popullit shqiptar, në viset e pushtuara të tokave shqiptare, edhe ata kanë pasur fatin e rëndë historik, siç zakonisht e kanë të gjithë popujt e pushtuar. Në këtë mënyrë, ata duke mos u pajtuar me pushtimin, kanë për të vetin idealin e sakrificës për lirinë e atdheut. Kjo është bërthama e çështjeve të trajtuara në monografinë Spahiajt e Llashticës.
Mirëpo, historia, siç di ndonjëherë të jetë edhe njerkë për jetën e popujve, përveç të tjerash, ka bërë përpjekje të humb gjurmët e këtyre njerëzve që kanë dhënë çdo gjë për vendin.
Prandaj, merita themelore e autorëve të monografisë Spahiajt e Llashticës, nga kapitulli i parë e deri në kapitullin e tetë të saj, qëndron në faktin se ata, njerëzit pra të kësaj familje, që dikur janë mbajtur mend vetëm në rrethin familjar, tashti, me këtë vepër, përmes të dhënash dhe faktesh historike, i bëhen të njohur opinionit shqiptar dhe më gjerë, gjë që edhe është kërkesë themelore e një vepre të këtillë.
Njohja me historinë tënde, do të thotë ruajtje e kujtesës, e kjo do të thotë, të bëhesh pjesë e popujve historikë, të cilët nuk harrojnë se nëpër cilat rrugë të historisë kanë kaluar për ta mbajtur gjallë jetën, siç dhe nuk harrojnë se pa sakrifica të mëdha nuk vjen liria e atdheut.

Prishtinë, korrik, 2014

Filed Under: Kulture Tagged With: e historise, Monografi që plotëson, Nusret pllana, zbrazëtirat

Gjaku i Dëshmorëve bën historinë e lirisë

April 17, 2014 by dgreca

Refik Gërbeshi, Dëshmorët e Kombit – Mareci ’99, Prishtinë, 2014/
Nga Prof. dr. Nusret Pllana/
Përkufizimi/
Ka vetëm një rrugë nëpër të cilën ecën historia e lirisë. Ajo është rruga e gjakut të dëshmorëve të kombit, të cilët në kthesën e madhe historike, ishin të gatshëm të falin gjakun për ardhjen e lirisë. Përkufizimi gjaku i dëshmorëve bën historinë e lirisë, mund të duket abstrakcion krijues, por kur lexon veprën e Refik Gërbeshit, Dëshmorët e Kombit – Mareci ’99, atëherë qartësohet dhe konkretizohet rrafshi kombëtar, jo vetëm i idealit të tyre, por edhe i gatishmërisë për të dhënë jetën.

Hyrja

Kur lexon veprën e Refik Gërbeshit, Dëshmorët e Kombit – Mareci ‘99, hapen udhët për të hetuar shkollën e edukimit kombëtar, që ka rritur djemt dhe vajzat e lirisë, hapen rrugët për të hetuar idealin që e kishin mësuar nëpër këngët dhe bëmat e stërgjyshërve, gjyshërve dhe baballarëve të tyre, të cilët kërkesave të historisë i kishin bërë ballë me pushkën krahut dhe me sakrificën e tyre.
Kjo shkollë e madhe e atdhedashurisë ishte bërë pjesë e jetës së të rinjve e të rejave shqiptare, edhe të dëshmorëve të Marecit, ishte bërë pjesë e idealeve, të cilat bëhen realitet historik vetëm me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç ishin bërë pjesë e këtij realizimi të këtyre idealeve edhe Dëshmorët e Kombit nga Mareci i Shyt Marecit dhe i bashkëluftëtarve të tij. Prandaj, mund të thuhet, se ishte bërë shkollë edhe për të gjitha gjeneratat e shqiptarëve që kishin derdhur gjakun për lirinë e tokave të pushtuara.

Historia e atdheut shkruhet edhe me gjakun e tyre

Autori Refik Gërbeshi, fillimisht është marrë me historinë e gjatë të këtij toponimi dhe të këtij vendbanimi. Është marrë me gjëllimin e tij nëpër të gjitha stuhitë e kohrave, të cilat kishin lënë gjurmët e tyre edhe në kujtesën e berezave të shqiptarëve të kësaj ane.
Prandaj, kur lexon të dhënat që ka afruar autori i kësaj vepre, Refik Gërbeshi, në monografinë e tij Dëshmorët e Kombit – Mareci ‘99, lexuesi ka përshtypjen se po shfleton historinë shekullore të kësaj treve të lashtë shqiptare, ekzistenca e sëcilës arrinë deri në legjenda. Më tutje, lexuesi ka përshtypjen se po lexon gatishmërinë e brezave të burrave shqiptarë, të të gjithë brezave, për të dhënë jetën për tokën e tyre. Doemos krijohet bindja, e mbështetur në fakte se jo vetëm udha e ardhjes së lirisë, por e tërë historia e kësaj pjese të atdheut gjëllinë në gjakun e tyre, merrë frymë me gjakun e tyre, bëhet realitet jetësor i shqiptarëve të lirë, me gjakun e tyre dhe, në fund të fundit, bëhet pjesë e jetës sonë historike duke kultivuar shenjat e kujtesës sonë kombëtare.

Ndërtimi i veprës për Dëshmorët e Kombit – Mareci ‘99

Vepra e Refik Gërbeshit, Dëshmorët e Kombit – Mareci ‘99, ka një strukturë të veçantë ndërtimi. Autori ka shpaluar së pari disa veçori karakteristike të kësaj treve, jo vetëm në kohën e pushtimit të saj, por edhe përtej lashtësive historike, që nga gojëdhënat dhe legjendat. Thuajse autori ka dashur ta bind, së pari veten, pastaj familjarët e dëshmorëve të Marecit të vitit 1999, pastaj të gjithë shqiptarët, se pa shenjat e kujtesës historike të kësaj treve shqiptare, zor se do të kishte fytyrë të plotë njeriu, liria për të cilën Dëshmorët e Kombit nga Mareci janë sakrifikuar në luftën e madhe për lirinë e kësaj pjese të atdheut.
Më tutje, autori ka marrë nëpër duar të dhënat jetësore, jo vetëm të djemve që ishin bërë shenjë e ardhjes së lirisë, por edhe të familjeve të tyre. Në jetëshkrimet e Dëshmorëve të Kombit – Mareci ‘99, autori ndonjëherë ka qëmtuar edhe breza të tërë të familjarëve të dëshmorëve, jo vetëm për të dhënë udhën e jetës historike të familjes, por edhe idealin e atdhedashurisë për lirinë e të cilit kishin dhënë jetën Dëshmorët e Kombit të Marecit në vitet e lavdishme të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të dhënat jetësore për dëshmorët e Marecit, të dhënat familjare, të dhënat për rrugën historike të akëcilës familje të dëshmorëve, për të cilët ka shkruar, të shumtën e herëve janë mbështetur në shënimet që ka mbledhur vetë autori, kurse në raste janë argumentuar edhe me të dhëna nga vepra të ndryshme historiografike, në të cilat temë kryesore ka qenë Mareci, apo historia e periudhave të caktuara të kësaj treve.
Biografitë e secilit dëshmorë për të cilët ka shkruar autori i kësaj vepre, Refik Gërbeshi, janë në radhë të parë të dhëna autobiografike për jetën e tyre, deri në aktin e rënies për liri. Pastaj janë të dhëna për bëmat e tyre në beteja të ndryshme të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më tutje, janë të dhëna për rrugën jetësore të tyre, si dhe për shpalimin e idealeve të tyre, deri në aktin madhor të rënies në altarin e lirisë.

Përfundim

Duke lexuar me vëmendje veprën e Refik Gërbeshit, Dëshmorët e Kombit – Mareci ‘99, vjen natyrshëm mendimi se pa sakrificën e të gjithë Dëshmorëve të Kombit, kudo dhe kurdo që kanë rënë, as çlirimi i kësaj pjese të gjeografisë kombëtare, as ardhja e lirisë nuk do të ishte bërë realitet në jetën historike të popullit tonë.
Prandaj, është vendi të thuhet, siç del në këtë vepër, se ata që ju bënë krahë ardhjes së lirisë, janë shenjat e kujtesës sonë historike, pa të cilat një popull mbetet pa kujtesën e ekzistimit të tij, e atyre që ju shlyhet kjo kujtesë, fatkeqësisht historia ju përsëritet, siç ka ndodhë jo rrallë herë edhe me popullin tonë të shumëvuajtur.
Falë gjakut të këtyre Dëshmorëve të Kombit, të cilët i ka përjetësuar në këtë vepër autori Refik Gërbeshi, lexuesi mëson se udha që kanë ndjekur të rënët për liri, pra edhe Dëshmorët e Kombit nga Mareci i Gollakut, është e vetmja udhë e bërjes së lirisë dhe e bërjes së tërësisë së atdheut. Ky ishte ideali i të gjithë Dëshmorëve të Kombit, rrjedhimisht edhe i Dëshmorëve të Marecit ‘99.

Filed Under: Kulture Tagged With: Gjaku i Dëshmorëve bën, historinë e lirisë, Nusret pllana

“INTERVENIMI I NATO-S NË KOSOVË” U PROMOVUA NE BERLIN

April 14, 2014 by dgreca

Nga Kolonel, Xhavit Sadrijaj*/
I nderuari z. Fadil Ismajli, Ministër i zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës
I deruari Ambasador i Republikës së Kosovës, z. Skender Xhakaliu
Të nderuar përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Shqiperisë
I nderuar Prof. dr. Afrim Hoti
Të nderuar të pranishëm,
Ndjehem i privilegjuar që në cilësi të mikut të autorit Dr. Nusret Pllana, më është dhënë rasti t’i them para jush disa fjalë për librin e tij, Intervenimi i NATO-s në Kosovë, i botuar në shqip në vitin 2010, ndërkaq në versionin anglisht më 2011.
Ju flet Kosova e lirë, Ju flet Kosova e lirë….” ishte ky zëri i shpresës i cili transmetohej çdo ditë jo më larg se 100 metra vijë ajrore nga vendkomanda ime, në atë kohë si Ndihmës Komandant i Brigadës 121 “Ismet Jashari KUMANOVA” dhe nga pozicionet luftarake të cilat fuqishëm dhe me shumë sukses i mbronin trimat e kësaj Brigade të Lavdishme, duke mbrojtur kështu edhe selitë e të gjitha institucioneve udhëheqëse dhe mediatike të UÇK-së dhe duke ua shpëtuar jetën mbi 70.000 qytetarëve të strukur në grykat e vargmaleve të Berishës.
Njeriu që i fliste këto fjalë ishte z. Nusret Pllana – tani Doktor Shkence, i cili sonte është me ne këtu në Berlin, dhe para nesh sjell librat e tij shumë domethënëse dhe historike njëkohësisht, mbi terrorin dhe tmerrin që përjetoi populli ynë si dhe përfundimin e atij tmerri i cili u arrit duke iu falënderuar përjetësisht punës dhe veprës së madhe të UÇK-së e cila bashkë me Aleancën Veriatlantike përgjithmonë dëbuan pushtuesin shekullor nga trojet tona.
Do e vazhdoj këtë fjalim sonte me një faqe nga ditari im i luftës që është shkruar mu në vendin ku unë për herë të parë takova dhe njoha z. Pllana dhe tërë stafin e Radios Kosova e Lirë, ku kaluam goxha kohë së bashku, shkëmbim mendimesh dhe përvojash interesante në ato rrethana të jashtëzakonshme lufte.
Është shkruar natën e fillimit të sulmeve ushtarake ajrore të NATO-s:
Edhe pse nuk mendoja se do arrihet konsensus i shpejt për ndërhyrje kjo ndodhi. Sonte është krejt ndryshe mbi malet e Berishës. Jam këtu me ca bashkëluftëtar, Muharremi, Fadili, Izeti, Elmiu ….. është një çast i papërshkrueshëm ky, shpresë, gëzim dhe frikë njëkohësisht. Mbi ne ushton qielli, natë është, asgjë nuk shihet, të gjithë shikojmë lartë drejt ushtimave të aeroplanëve, papritmas dy flakë ndriçuan qiellin, pas disa sekondave eksplodim i fortë mbi fshatin Tërpezë, mu para nesh, një aeroplan u rrëzua, athua mos qëlloj dikush nga popullata afër. Disa qindra metra edhe një eksplodim tjetër, është aeroplani i dytë i rrëzuar. Të nesërmen mësuam, ishin këta dy MIG 29 të forcave serbe. NATO qëllon, është e saktë…. Veç po e shoh horizontin e fitores. Jam i sigurt se forcave armike kjo nuk është duke u pëlqyer dhe ndjej njëfarë frike si ethe në vete, athua si do ja kaloj popullata e pa mbrojtur tani, a do jetë cak hakmarrjeje. Kjo më është një pyetje e vështirë tani e që gëzimin e mëparshëm në frikë ma shndërron.
Tërpezë 24. 03. 1999, 21.30
Të Nderuar te pranishëm:
Intervenimi i NATO-s në Kosovë është rasti më historik i kësaj aleance që nga themelimi i saj. Pas luftës së Ftohët apo “Rënies të Perdes së hekurt” që ndërlidhet shumë edhe me Berlinin ku ne sonte gjendemi, në njëfarë mënyre NATO-ja humbi kuptimin e të ekzistuarit pasi që arsyeja e themelimit të saj nuk ekzistonte më. Ngjarjet në dallgën Ballkanike të fundshekullit XX gjegjësisht Lufta Çlirimtare e Kosovës, fuqishëm e rikthyen Aleancën në skenë, duke dëshmuar nevojën e madhe për ekzistencën e saj dhe duke përcaktuar dimensione dhe koncepte të reja strategjike të mbrojtjes dhe sigurisë për Aleancën në lëmshin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Intervenimi i NATO-s në Kosovë ka shpëtuar shumë jetë…. Jamie Shea
Të nderuar te pranishëm, pse NATO-ja ndërhyri ne Kosovë?
Ndërhyri pas sulmeve të diktatorit serb Sllobodan Milosheviq dhe përkrahësve të tij kundër një popullate të pambrojtur,
Ndërhyri pas mësimeve të mësuara në Bosnjë dhe Hercegovinë
Ndërhyri pasi u harxhuan të gjithë mekanizmat e mundshëm të diplomacisë,
Ndërhyri kur u kuptua se me Millosheviqin nuk mund të bëhet paqe,
Ndërhyri për të mbrojtur mijëra civilë të pafajshëm nga një ofensivë ushtarake që kërcënonte t’i gllabërojë ata.
Ndërhyri për të mbrojtur stabilitetin në Ballkan dhe për të çuar përpara kauzën e paqes.
Ndërhyri për mbrojtjen e viktimave të pafajshme nga një tiran brutal.
Ndërhyri për të parandaluar operacionin famkeq PATKOI të hartuar nga gjeneralët e Millosheviqit
Ndërhyri siç shkruan autori Dr. Nusret Pllana në librin e tij, për të parandaluar gjenocidin, apo zhbërjen e një pjese të tërësisë së kombit shqiptar dhe, për pasojë, zhbërjen të një pjesë të gjeografisë sonë kombëtare.
Analiza e rëndësisë historike të rolit të NATO-s në Kosovë ka rëndësi jo vetëm historike njohëse, por para së gjithash për të kuptuar rolin dhe karakterin e NATO-s, misionin dhe aftësinë e saj implementuese.
Pa NATO-n as parimet universale të Kartës së San Franciskos, as Parimet Euro-Atlantike të Helsinkit, as paqja e stabiliteti në Ballkan dhe as zgjidhjet e mëtutjeshme nuk do të mund të arriheshin.
Prandaj ndërhyrja e NATO-s në Kosovë është baza e një vlerësimi të lartë për Aleancën dhe përcaktues i vendit dhe rëndësisë historike të saj për sot si dhe koncept i ri për të ardhmen në rendin e ri botëror.
Rasti i ndërhyrjes së NATO`s në Kosovë është më rëndësi të veçantë dhe si i tillë ka impakt të dyfishtë në marrëdhëniet ndërkombëtare:
Me Kosovën mbyllet kapitulli i rendit të krijuar gjatë Luftës së Ftohtë si dhe i hapet rruga rendit të ri botëror që është duke u krijuar.
Në librin Intervenimi i NATO-s në Kosovë autori Dr. Nusret Pllana ka përmbledhur dhe forcuar lidhjet e pa shmangshme argumentuese në mes të intervenimit te NATO-s në Kosovë dhe koncepteve klasike doktrinare të intervenimit humanitar si segment i ri në politikat dhe konceptet strategjike të Aleancës për mbrojtje dhe siguri ndërkombëtare.
Me Ndërhyrjen në Kosovë NATO ka nisur një kapitull të ri dhe ka vendosur standarde të përhershme mbi intervenimin humanitar duke marrë si bazë vlerën më të shejtë, atë të jetëve njerëzore, bazë e cila vuri dhe përforcoi themelet e luftës përtej kufijve kombëtarë dhe gjeografik.
Përmes gjashtë kapitujsh autori sqaron situatën në Evropën juglindore duke filluar nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, zhbërjen e dy dinosaurëve federativ – BRSS dhe RSFJ, luhatjet në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhembjet dhe tragjeditë që ky proces shkaktoi, posaçërisht në rastin e shpërbërjes së RSFJ, gjenocidin në Bosnjë dhe Kosovë, të shkaktuar nga forcat kriminele fashiste serbe, duke vazhduar pastaj me zhvillimet politike të fundshekullit XX, me theks te veçantë rrjedhën dhe ndikimin e tyre në Kosovë, më pastaj autori shtjellon në mënyrë gnoseologjike, kronologjinë e lindjes dhe zhvillimit të aleancës më të fuqishme në botë, samitet dhe kongreset në disfavor të shqiptarëve të Kosovës si arsye e nxitjes se Evropës për të përmirësuar gabimet pas një shekulli e që sipas autorit shërbyen si parakusht për ndërhyrje ndaj forcave serbe në Kosovë nga NATO-ja, sukseset dhe dilemat e kësaj ndërhyrjeje, posaçërisht kundërthëniet e ndërhyrjes të cilat kanë ndarë në dysh opinionin publik ndërkombëtarë.
Autori kurrsesi nuk i ikë faktit se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ka hasur në përplasje të mëdha në mes të disa shteteve që fuqimisht ishin kundër kësaj lufte të drejtë të NATO-s e që edhe sot janë kundërshtarë të Pavarësisë së Kosovës, të cilat për arsyet e tyre bënë dhe e bëjnë edhe më tutje një gjë të tillë, duke mos tradhtuar kurrsesi miqësinë e përhershme me Serbinë.
Në fund autori mëton rëndësinë e themelimit, rritjes dhe efikasitetin e ushtrisë më të suksesshme guerile në botë UÇK –së , Ushtri e cila përfundimisht ndryshoi realitetin në tokën e vuajtjeve shekullore, duke kthyer lotët në buzëqeshje dhe shpresë për popullin e vuajtur shqiptarë dhe duke realizuar amanetin e lënë brez pas brezi.
Luftën e bënë djemtë më idealistë dhe vajzat më të mira të këtij populli, të radhitur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ka thënë autori, e unë kësaj po ia shtoj thënien time që, parim e kam në çdo hap “ I mallkuar për jetë qoftë ai që për përfitime personale shkelë mbi gjakun e dëshmorëve”.
Lavdi e përjetshme të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë, paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe krijimin e një realiteti shpresëdhënës në shtetin më të ri në botë.
Faleminderit Dr. Pllana për librat që do t’u shërbejnë aq shumë brezave që do të vijnë, për të mësuar për themelet e shtetit tonë të dashur shume të çmueshëm e shumë të shtrenjtë, Republiken e Kosoves, që po ndërtohet mbi gjakun e djemve dhe vajzave tona më të mira.

Ju faleminderit
Kolonel, Xhavit Sadrijaj
Berlin, 11. 04. 2014
*Fjala ne promovim

P.S. Adelina Sadrijaj – vajza 17 vjeçare e luftëtarit të lirisë, Kolonel Xhavit Sadrijaj, e cila prezentoi me një pikë muzikore në promovimin e veprave të Dr.Pllanës, para se të filloi interpretimin e një këngë me kitarë, me titull:
“Kur do pushoj kjo këngë…” nga Jericho, e prekur nga skenat e filmit dokumentar “Rrugëtimi i një libri nëpër botë”, u shpreh kështu:
Para se me ia fillu këngës, pata dëshirë edhe unë me i thënë disa fjalë, edhe pse ndoshta mua më së paku më takon me folë, po besoj qe secili prej nesh, pas përcjelljes së këtij dokumentari dhe fotografive rrënqethëse ndjen diçka thellë në shpirt që ke dëshirë me e shprehë.
Mua babi gjithë m’ka folë për historinë si dhe në nje masë edhe si ka qenë lufta çlirimtare në Kosovë, por mu s’ma ka marrë mendja kurrë që ka pasë kësi gjana kaq të tmerrshme, që as nuk kam mund me i paramendu. Kah i shikoja këto fotografi i paramendojsha moshatarët e mi, veten në ato situata, edhe një pikëpyetje n’trurin tim vetëm shkonte duke u ba më e madhe, dhe e pyesja veten se, çka kisha ba unë në ato situata?!! Për mendimin tim ky libër është pasuri për popullin tonë dhe vuajtjet e tij. Këtë libër duhet ta shfletojmë dhe debatojmë, ta kemi si një pasqyrë për të shiku se çfar gjenocidi ka bo nji regjim kaq barbar mbi neve, se fatkeqësisht populli ynë vetëm po shkon duke u asimiluar në mërgim, sepse është shumë larg të së vertetës. E këtë libër duhet me e bajtë brez pas brezi, që historia jonë e dhimbshme kurr mos me u harru.

Filed Under: Featured Tagged With: Intervenimi i NATO-s, kolone, Nusret pllana, Xhavit Sadrija

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT