Nga Esad Gjonbalaj/
Kanë kaluar mëse 137 vite nga lufta heroike e Nokshiqit, por edhe pse kohë e gjatë dhe pushtimet e Plave Gucisë nuk u ndalën kurrë, qëndresa e trevës tonë gjatë historisë ka lënë gjurme të pa shlyeshme ne historinë kombëtare. Lufta e Nokshiqit i parapriu edhe vetë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë sepse po në këtë luftë forcat vullnetare shqiptaret me Flamurin tonë kombëtar në ballë mundën forcat malaziase për të mbrojtur tokat shqiptare dhe atdheun e tyre nga okupimet sllave.
Po nga kjo betejë e lavdishme e Nokshiqit është i ruajtur në muzeun kombëtar të Tiranës edhe Flamuri më i vjetër shqiptar. Kjo betejë e lavdishme përshkruhet shumë edhe me trimërinë e kryetrimit dhe strategut ushtarak të trevës tonë legjendarit Jakup Ferrit. Familja e kryetrimit plavjan, Familja Ferri pas vdekjes heroike të Jakup Ferrit në betejën e Nokshiqit vazhdoi rezistencën në mbrojtje të interesave kombëtare, por me pushtimin malazias të Plavë Gucisë në Tetor të 1912-es, fati i Plave Gucisë mori një rrugëtim të dhimbshëm sepse përmëse 100 e më shumë vite në Plave Guci punohet që të çrrënjoset qenia shqiptare në këto treva të krenarisë kombëtare.
Heroi Jakup Ferri mbetet emblema e Historisë Kombëtare dhe i kalon kufijtë e Plave Gucise. Ai mbetet simbol frymëzimi për breznitë e sotme dhe të ardhme. Këngët kushtuar këtij trimi legjendar, e kane kthyer në pavdeksi aktin e tij heroik, që mbetet frymëzim për Kombin.
Rapsodi e jep në përmasat e legjendës aktin trimëror të këtij trimi:
Ç´është ai gjog i kuq e i bardh´
Nga beteja sjell haberin
Heu Mespërmes bjeshkës i bie
Fill i vetëm pa luftëtarin
Si dori i lashtë legjendash
Ai po vjen me vrap drejt pragut
As ujëvarat e Valbonës
Nuk ia lajnë rrëketë e gjakut
***
Jakup Ferri mor ku je
Thërrasin malet me piskam
Tridhjet krena o i ke pre
Me shtatë plagë po rri në kambë….
Plave Gucia ndjehet krenare për birin e vet që u vetfliju në emër të Lirisë, duke mbetur i pavdekshëm në altarin e Kombit.
SHQIPJA GJITHENJE KTHEHET NE FOLEN E VETE
Në Plave sot pas shumë kohë u takuan trashëgimtarët dhe pjesëtarë të Ferrajve Prof.dr. Naser Ferri me të birin e tij Orestin dhe pjesëtar të tjerë të familjes Ferri që sot jetojnë në Plave Guci.
Dr Ferri me pjesëtarët e familjes vizituan varrin e kryetrimit Jakup Ferrit, pastaj së bashku dhe te shoqëruar nga bashkëvendësit tonë vizituan edhe xhaminë e Ferrajve që u ndërtuan në vitin 1899/1900 nga djemtë e Jakup Ferrit për të nderuar veprën dhe jetën e babit të tyre. Takimi kaloi në një atmosferë te ngrohtë dhe familjare por vend të rëndësishëm në komunikimin e ndërsjellët zuri aspekti kombëtar shqiptar dhe realiteti i hidhur ku asimilimi ka bërë të vetën por Ferrajt e krenarisë kombëtare të vetdijeshëm me relitetin nuk ndërrojnë shqiptarinë me asgjë tjetër sepse krenaria e të qenurit pasardhës të Jakup Ferrit nuk e don ndryshe.
Nëse shtjellojmë dhe vështrojmë takimin e Ferrajve sot kjo më ngjason me thënien e bukur “shqipja gjithnjë kthehet ne folën e vet”.
Ferrajt do të mbeten përgjithnjë krenarë të Plave Gucisë Shqiptare.