NGA EUGJEN MERLIKA/
(Mbresa dhe pёrsiatje nga leximi i librit “Odiseja e Pafajsisё” i Lek Pёrvizit )/
Kohёt e fundit, “Panteonit tё Nёnёdheshёm”, letёrsisё sё “armiqve tё klasёs”, i u shtua njё vepёr e re, “Roman i jetuar”, “Odiseja e Pafajsisё”, me autor piktorin , poetin e publiçistin e njohur, Lek Pёrvizin. Ky roman qё i jepet lexuesit shqiptar ёshtё shpalosja e jetёs sё vёllait tё madh tё shkrimtarit, tё ndjerit Valentin Pёrvizi. Ёshtё tregimi i njё jete plot peripeci, qё filloi nё ditёn e parё tё korrikut 1920, nё kullёn e Skurajve, rrёzё Malit tё Skёnderbeut, nё malёsinё mes Krujёs e Matit, qё kishte qёnё zemra e Principatёs sё Kastriotёve dhe pёrfundoi nё njё ditё vere, nё 13 marsin 1999, nё njё spital nё Bolonjё tё Italisё. Duke mbajtur parasysh kёto dy data e ngjarjet qё lidhen me ta, do tё mendohej se ajo jetё i pёrkiste njё qytetari shqiptar qё u largua nga vёndlindja nё njё moshё tё re, pёr tё gjetur fatin nё Vendin pёrtej Adriatikut e mbeti atje deri nё fund.
Titulli i veprёs, mjaft domethёnёs, shtyn kёrshёrinё pёr t’a zbuluar atё jetё, nё tё gjitha shfaqjet e saj mё tё rёndёsishme. Ajo kёrshёri kthehet nё njё makth tё vёrtetё, i cili e mban tё pushtuar deri nё fund, deri nё çastin qё ajo jetё fiket, pёr t’u ndezur diku nё botёn e pёrjetёsisё. Ai makth pёrcaktohet nga fakte e ndodhi tё vёrteta, qё sa mё shumё lexuesi zhytet nё to aq mё shumё zgjojnё tek ai pyetje pa pёrgjigje, nё tё cilat pёrpёlitet vetёdija qytetare e tij : a mund tё ketё dёnim pёr njё njeri pёr tё cilin nuk ka asnjё farё padije tё vёrtetё pёr veprimet e tij ? ; cili kod etik, moral apo ligjor mund tё pёrligjё njё dukuri tё tillё tё llahtarёshme ?; deri ku arrin pёrgjegjёsia morale e njё shoqёrie dhe e njё shteti qё ligjet e tyre i hartojnё mbi kritere tё tilla?
Autori i le tё nёnkuptuara kёto pyetje tё vetёdijes sё lexuesit, ai mjaftohet me pёrshkrimin besnik tё ndodhivet qё kanё pёrcaktuar jetёn e njё çifti njerёzish tё dashuruar. Historia e saj mbetet hullia kryesore e romanit, nё tё cilёn derdhen rrjedha ngjarjesh tё tjera qё kanё pёrcaktuar epokёn historike. Ajo dashuri ndёrthuret me ngjarjet e kohёs sё luftёs sё dytё botёrore, jo vetёm se lind e zhvillohet gjatё saj, por se ato bёhen pёrcaktuese, me ashpёrsinё e tyre, nё ecurinё e saj. Ka diçka madhёshtore, deri nё kufijtё e legjendёs, nё fuqinё dhe qёndrueshmёrinё e asaj ndjenje, qё sfidon ligёsinё e botёs, por triumfon mbi gjithshka. Ajo dashuri ёshtё mё jetёgjatё se diktatura komuniste qё pllakosi Shqipёrinё, duke e vёnё çiftin nё njё provё jashtёnjerёzore, 47 vjet ndarjeje tё detyruar nga ligjet e shkruara e tё pashkruara tё njё regjimi, sa mizor aq dhe unik, nё historinё e komunizmit evropian.
Shkrimtari kapet fort mbi kujtesёn e studimeve klasike, duke peshkuar nё to historinё e Odiseut, princit tё Itakёs, i cili, mbasi i dha fund njё lufte dhjetёvjeçare nёpёrmjet njё dredhie qё mbante erё pabesie, pra mёkati, u end nёpёr Mesdhe pёr dhjetё vjet tё tjera, nё kёrkim tё ishullit tё tij, duke pёsuar njё farё ndёshkimi tё Perёndive pёr tё keqen qё kishte shkaktuar. Njёzet vjetori i aventurёs sё Uliksit, i ndarё nga Penelopa, ёshtё njё refren qё lexuesi e has nё roman, pёr tё bёrё njё krahasim nё mёndjen e tij mes dy epokash. Zhytja nё botёn e Homerit i duhet shkrimtarit pёr tё nxitur pёrsiatjen e lexuesit mbi ndryshimin e kohёve. Bashkёkohёsia, shekulli i njёzetё, me tё gjithё pasurinё e tij tё sukseseve tё gjithanёshme tё shkencёs nё pёrmirёsimin e jetёs njerёzore, ёshtё njё kthim mbrapa nё errёsirёn e sё shkuarёs, pёrsa i pёrket shtatit tё tij moral. Njё shekull qё numuron dhjetra milionё njerёz tё vrarё nё luftёra apo tё vdekur si pasojё pёrndjekjesh sistematike nga regjime çnjerёzore, qё kishin mohuar dhe vetё Perёndinё, qё ka nёpёrkёmbur mizorisht parimet morale bazё tё ndёrtimit tё shoqёrisё njerёzore, ka pak ose aspak tё ngjajshёm nё rrjedhёn e gjatё tё historisё sё kёtij planeti.
Fatkeqёsisht, edhe ne si regjim komunist, dhamё ndihmesёn tonё bujare nё kёtё katrahurё qё qe shkelja e tё drejtave mё parake njerёzore. Viktimat e kёsaj ndihmese janё tё shumta e secila prej tyre pagoi tributin e saj padrejtёsisё endemike tё kriminalitetit tё regjimit. Nё mes tё kёsaj kasaphane, pa caqe nё mizori, u gjend i pёrfshirё edhe çifti i romanit : Valentini, oficeri nё shёrbim tё ushtrisё italiane nё Romё dhe Maria Gorizia, studenteja bolonjeze qё u dashurua me djaloshin e pashёm shqiptar e lidhi jetёn me tё nё mes tё njё batёrdie qё qe lufta e dytё botёrore. E veçanta e kёsaj dukurie nuk qёndron nё vetё faktin, mbasi martesat mes shqiptarёsh e italianesh dhe anasjelltas, nuk pёrbёnin ndonjё sensacion n’atё kohё, por nё njё tjetёr fakt : qё çifti i sapo martuar, i shtyrё nga vёshtirёsi, edhe se mjaft serioze, tё çastit n’Itali, vendos tё kthehet nё Shqipёri nё vjeshtёn e vitit 1944, kur ishin tё shumtё ata qё e braktisnin atё.
Ngjarjet nё roman jepen nё kohёndodhjen e tyre, tё renditura me saktёsinё e njё dokumenti historik. Valentini filloi e mbaroi shkollat n’Itali nga viti 1926 deri nё vitin 1941, me pёrfundimin e studimeve nё njё nga shkollat mё tё njohura ushtarake tё Mbretёrisё, n’Akademinё e Modenёs, duke dalё oficer me gradёn toger kalorёsie e shёrbim nё Merano, nё verilindje t’Italisё. Nё vitin 1942 kreu njё kurs njёvjeçar pёr mjetet e blinduara nё qytetet Civitavekia e Trieste e u caktua me shёrbim nё Bolonjё, ku u njoh e u dashurua me njё vajzё liceiste, Maria Gorizia Manini. Viti 1943 e gjeti komandant tё njё reparti tankist nё Romё. Mё 8 shtator, kapitullimi dhe armёpushimi i parё ndёrmjet italianёve dhe aleatёve, e gjeti n’atё detyrё. Pёr afёr dy javё ai luftoi nё krye tё plotonit tё tij, kundёr ushtrisё gjermane qё pushtoi Italinё, nё Tivoli, nё mbrojtje tё Romёs. Mё 20 shtator qёndresa e repartit tё tij u thye dhe ai u zu rob, e sё bashku me oficerё tё tjerё antifashistё u caktua pёr t’u dёrguar nё kampin e Dakaut, nё Bavari. Mundi tё arratiset nga grumbullimi nё Fraskati e tё kthehet ilegal nё Bolonjё tek e fejuara. Pёr disa muaj qёndroi fshehur aty, kreu martesёn me gruan e dashuruar e nё korrik 1944 vendosi tё kthehet nё Shqipёri, i ndikuar nga dy shokё qё kishin tё njёjtin synim.
Odiseja e vogёl e kthimit nё Vendin e lindjes zgjati disa muaj e ka njё çast mjaft interesant nё zhvillimin e ngjarjeve : “Nё fakt Valentini desh tё ja mbushte mёndjen Gorit qё ajo tё mos nisej me tё, por tё priste nё Bolonja, ku ai, sapo tё mbaronte lufta do tё vinte t’a merrte. Gori nuk pranoi dhe kёshtu ata vendosёn tё merrnin udhёtimin pёr nё Shqipёri, qё nisi nё muajin gusht 1944. Nё rrugёtimin e tyre u ndalёn nё Verona, ku Gori kishte njё motёr tё martuar me drejtorin e filiales sё Mondadorit. Burrё e grua u munduan me u a mbushё mendjen tё mos shkonin nё Shqipёri. Bile tё qёndronin tek ata sa tё donin, deri sa tё merrte fund ajo luftё e mallkueme. Por jo ! Fati i tyne ishte tashma i caktuem…..”
Kёshtu e pёrshkruan autori, nё bazё tё shёnimeve tё lёna nga vёllai, atё çast pёrcaktues sё jetёs sё personazhit. Sikur tё kishte pranuar dhuntinё e mikpritjes sё baxhanakut e tё mos vazhdonte sendёrtimin e projektit tё kthimit nё Shqipёri, do tё ishte shmangur odiseja e gjatё dhe e dhimbёshme qё shoqёroi pёr gati gjysёm shekulli jetёn e dy njerёzve, tё lidhur pazgjidhshmёrisht nga njё ndjenjё dashurie me D tё madhe. Por odiseja e vogёl qё kaloi nёpёr qytetet e Vjenёs, Zagrebit, Budapestit, Beogradit, Prizrenit, mbaroi nё qytetin e Shkodrёs, ku autokolona gjermane i zbriti.
Aty filloi odiseja e madhe, qё mbas pak javёsh do tё merrte formёn e saj dramatke, me arrestimin e Valentinit dhe mbetjen nё rrugё tё madhe tё njё gruaje tё re nё njё vёnd tё huaj. Drama e fuqishme qё luhej nё zemrat e mёndjet e dy tё rinjve, si pasojё e ndarjes, ndёrthurej me tragjedinё qё pllakosi njё pjesё tё mirё tё shqiptarёve, t’atyre qё besonin nё Shtetin e bashkuar shqiptar e nё shoqёrinё e lirё. Valentini u dёrgua nё njё nga burgjet e Shkodrёs e u mbajt aty pёr dy vjet, pa asnjё proçes, sepse mbi tё nuk kishte asnjё padi tё bazuar nё ligj qё mund t’a dёnonte. Gruaja e re qё, gjatё gati dy viteve, i qёndroi pranё, me aq sa e lejonin rregullat, me kujdesin dhe dashurinё e saj, duke shpresuar nё “mrekullinё” e lirimit tё tij e duke e kёrkuar atё mё kot nё dyertё e zyrёs sё Mehmet Shehut, mё sё fundi, nё marrёveshje me tё vendosi tё riatdhesohet.
Riatdhesimi i Gorit, nёse nga ana materiale jep pёrshtypjen se shpejton proçesin e “normalizimit” tё jetёve tё personazheve, me nxjerrjen e Valentinit nga burgu e bashkimin me familjen nё njё kamp internimi dhe kthimin e nuses nё gjirin e familjes sё saj nё Bolonja, ishte njё goditje e fortё qё i u dha shpresave tё tyre pёr vazhdimin e jetёs sё bashku. Qё nga ai çast secili ka jetёn e tij : Valentini nё serinё e pafundme tё kampeve t’internimit e Gorizia nё Vendin e saj tё lindjes, nё njё jetё tё tёrhequr, si ajo e njё murgeshe, duke i shёrbyer nёnёs sё saj tё sёmurё dhe mbas largimit tё saj nga kjo botё, duke pёrkёdhelur, nё heshtjen e vetmisё e nёn peshёn e viteve, shpresёn e vakёt tё njё ribashkimi me djalin e saj tё zemrёs. Tё vetmet objekte qё materialisht i mbanin tё lidhur ishin letrat apo kartolinat e pakta nё vite qё çensura e regjimit i dorёzonte me pikatoren e “mёshirёs” sё saj.
Kjo ndarje dramatike prej 47 vjetёsh, besoj njё nga shembujt e rrallё nё nivel planetar, me tё gjithё problemet e veta tё sferёs sё ndjenjave njerёzore tё masakruara nga njё rend gjёrash qё nuk kishte asgjё njerёzore nё pёrbёrjen e tij, ka nё sfond diktaturёn e proletariatit tё komunistёve shqiptarё. Nё morinё e krimeve, mbi tё cilёt “udhёheqёsit” shqiptarё ndёrtuan “botёn e re”, ata tё ndarjes sё familjeve pёr arsye politike, tё cilat janё shumё mijёra raste, pёrbёjnё jo vetёm mёkate tё rёnda pёr shpirtёrat e tyre qё ballafaqohen çdo ditё me drejtёsinё hyjnore, por edhe njё njollё tё zezё pёr gjithё shoqёrinё tonё, tё djeshme e tё sotme, mbasi as sot nuk shfaqet asnjё brejtje ndёrgjegjeje n’atё drejtim, asnjё kёrkesё faljeje, asnjё shprehje pendese, nga ajo mori njerёzish qё, dashje pa dashje, i shёrbyen asaj tё keqeje.
Romani, jo pёr njё “deus ex machina” t’autorit, por pёr njё ndryshim epokal historik, qё mban vulёn e vullnetit tё Zotit, atё tё dёshtimit tё komunizmit si sistem n’Evropё, e tё pasojave tё detyrueshme tё asaj dukurie edhe nё Shqipёri, ka njё fund qё i shёmbёllen njё pёrralle. Mё 21 shkurt 1991, kur populli dhe rinia e Tiranёs tёrhiqnin zvarrё statujёn e Enver Hoxhёs nёpёr rrugёt e kryeqytetit, Valentini nisej me aeroplan pёr nё Bolonjё, ku e priste Gorizia, gruaja e ёndrrave tё rinisё dhe e shpresave tё qetёsisё sё viteve tё fundit tё jetёs. Ҫifti, tashmё i futur nё rrugёn e pleqёrisё, u ribashkua mbas gati gjysёm shekulli ndarjeje tё detyruar, duke pasё bёrё vetёm tё mira nё gjithё jetёn e tyre. Lexuesi ndjen njё farё lehtёsimi kur lexon episodin e takimit tё burrit me gruan mbas 47 vjetёsh, por mёndja i shkon tek mijra rastet e tjera tё ndarjeve tё detyruara, tё cilёve fati nuk u dhuroi kurrё njё rast tё tillё, tё cilin ndoshta e shijuan n’atё botёn tjetёr, mbasi prej kёtej nuk mundёn kurrё tё gjejnё ngushullim…..
Jeta e pёrbashkёt e çiftit tё rigjetur vazhdoi shtatё vjet, qё pёrbёjnё njё tё shtatёn e kohёs sё humbur nga ndarja. Qenё vite lumturie tё brёndёshme por edhe tё shqetёsimeve trupore qё vetё mosha i paraqet pёr tё gjithё. Nё fund tё tyre Valentini u largua nga jeta tokёsore, duke e lёnё pёrsёri vetёm Gorizian e tij tё shtrenjtё. Por nё kёtё kohё, qё do tё kishte qёnё mё e vёshtira pёr kёtё heroinё tё vёrtetё tё tempullit tё familjes, i u gjendёn pranё kunati Lek dhe bashkёshortja e tij, Angjelina, tё cilёt, me kujdesin dhe dashurinё e tyre, shpёrblyen, aq sa ishte e mundur, virtutet e njё gruaje qё meritonte admirim e mirёnjohje.
“Koha ban tё vetёn dhe kёshtu edhe Gori, kjo Penelope e shekullit tё njёzetё, ndёrroi jetё pёr t’u bashkue me Uliksin e saj, Valentinin, nё pёrjetёsinё e Parajsёs. Ky ishte romani i jetuem nga ky çift, njё Odise e vёrtetё e Pafajsisё”, pёrfundon Lek Pёrvizi, thjeshtё e bukur romanin e tij.
Si lexues e mik i tij i shpreh falёnderimin e sinqertё pёr kёtё vepёr t’arrirё e tё dobishme, jo vetёm pёr tё pёrjetёsuar figurat lartёsisht njerёzore e tё virtutёshme tё vёllait e bashkёshortes sё tij, por edhe pёr dёshminё, skajshmёrisht objektive, tё njё epoke tё zezё, nё tё cilёn qemё viktima tё dhunёs shtetёrore e pjestarё tё “Odisesё sё Pafajsisё”.
Duke pёrfunduar kёta rrjeshta me lot ndёr sy, mё vijnё nё kujtesё qindra episode tё njё jete tё kaluar, pёr vite me rradhё, me Valentinin e Lekёn nё kampin e Plukut. Figura e Valentinit ёshtё skalitur nё kujtesё si ajo e njё Njeriu, tek i cili nё çdo veprim spikaste ndershmёria, karakteri i fortё e shpirtmadhёsia, virtute tё rralla pёr kohёn tonё. Ai qe pёr mua njё mik i shtrenjtё, nga i cili mёsova shumё e tё cilit i shpreh gjithё respektin, dashamirёsinё e vlerёsimin tim tё sinqertё. Dritё e paqe shpirtit tё Tij, tё provuar aq shumё nё kёtё jetё !
Gusht 2017