-Kryeministri Mustafa priti pjesëmarrësit e Kosovës në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës/Prishtinë, 27 korrik 2017-Gazeta DIELLI/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur në takim pjesëmarrësit nga Kosova në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës (ONM), e mbajtur në Brazil.Me këtë rast, kryeministri ka theksuar se rezultati i arritur në këtë garë, Medalja e Bronztë e fituar nga nxënësi Shend Zhjeqi, është pranim i angazhimit dhe ngritjes së cilësisë në shkollat e Kosovës.“Për ne kjo është edhe një pranim i angazhimit të profesorëve dhe nxënësve të shkollës së Kosovës dhe ngritjes së cilësisë, është një tregues i sakrificës, i punës, i angazhimit, i durimit por edhe i zotimit për rezultate, sidomos për këta të rinj”, tha kryeministri.Kryeministri Mustafa ka potencuar rëndësinë e stimulimit të nxënësve për t’u marrë me shkenca, por edhe të profesorëve që punojnë me këta nxënës.“Për ne kjo është e rëndësisë së veçantë, sepse ne ardhmërinë e këtij vendi e kemi tek të rinjtë, e kemi në rezultatet në shkenca fundamentale, të cilat duhet të kenë përparësi, dhe për të cilat ne duhet të bëjmë ndryshime në sistemin arsimor që ato të veçohen, të përkrahen shumë më tepër nxënës që merren me matematikë, fizikë, kimi, biologji, me fusha që ne duhet të bëjmë konkurrencë me vendet tjera, jo vetëm në regjion, në Bashkimin Evropian, por edhe në glob në përgjithësi. Po ashtu, duhet të ndërtojmë sisteme të nxitjes, të stimulimit por edhe të përkrahjes së nxënësve dhe njerëzve që punojnë me nxënës, sepse jemi të interesuar që këto rezultate të jenë më të mëdha, dhe po ashtu njerëzit të marrin meritat e tyre për punën që e bëjnë”, tha kryeministri Mustafa.Shend Zhjeqi nxënës i Gjimnazit Matematikor të Prishtinës, fitues i Medaljes së Bronztë në këtë Olimpiadë, ka thënë se pjesëmarrja në garë i ka inkurajuar këta të rinj që të merren edhe më tutje me shkencë.“Sa i përket garës ndërkombëtare ku kemi qenë pjesëmarrës ne dhe e kemi paraqitur Kosovën sivjet, na ka mbetur kujtim dhe na ka inkurajuar që të vazhdojmë të studiojmë matematikë, jo vetëm në fakultet, por edhe në shtëpitë tona, dhe nuk është e domosdoshme që të studiojmë vetëm matematikë, por edhe shkenca tjera”, tha Zhjeqi.Profesori Ramadan Limani, koordinator i ekipit të Kosovës ka përgëzuar nxënësit për suksesin e jashtëzakonshëm.“Ky sukses është në radhë të parë i matematikës në Kosovë por edhe i vetë arsimit. Është gara më e suksesshme e ekipit tonë, prej kur ka filluar të marrë pjesë ekipi jonë në këtë garë të rëndësishme”, tha Limani.