Nga Frank Shkreli/
Jo se shqiptarët janë anti-perëndimorë, jo, jo. Janë udhëheqsit e tyre. Ndërsa, shqiptarët po boshatisin trojet drejtë perëndimit për një jetë më të mirë, udhëheqsit e tyre politikë shprehen mbështetës të vlerave të lindjes. Këtë e vërtetoi, ditët e fundit, për të disatën herë gjatë këtyre viteve edhe Kryeministri aktual i Shqipërisë, Zoti Edi Rama i cili me sfida dhe me kërcënime të drejt për drejta ndaj Bashkimit Evropian, vazhdon — me hapa të vegjël por të sigurt — ta largojë Shqipërinë dhe shqiptarët, në përgjithësi, nga orientimi perëndimor i tyre, një angazhim ky i shpallur nga rinia shqiptare pas shembjes së komunizmit, me parullën, “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”.
Ditët e fundit, Kryeministri i Shqipërisë, Zoti Rama tha se ai vazhdon t’i ketë sytë nga lindja, drejt Turqisë dhe Lindjes së Mesme, duke shtuar se “Por ne nuk jemi të detyruar të presim tregun e BE domosdoshmërisht, sepse ka tregje të tjera. Është e mundur që produktet tona të mishit të dalin në tregje të mëdha në Lindje, që nga Turqia në Lindjen e Mesme”, një kërcënim ky që ai e ka bërë edhe herë të tjera, në kontekste të tjera, qoftë ai, qoftë zëdhënsit e tij, gjatë viteve. Frank SHKRELI/ Lamtumirë BE- Alo Putin, Erdogan, Ajatollah, Xi Jinping? | Gazeta Telegraf — Ndërkohë që thirrjes së Ambasadores Amerikane, Zonjës, Yuri Kim drejtuar udhëheqësve të partive shqiptare që të mos vënë kriminelë në listat zgjedhore për parliament, Zoti Rama iu përgjigj ambasadës amerikane se partitë nuk janë përgjegjëse për pastërtinë e kandidatëve për në Kuvend. E çuditëshme ishte përgjigja e tij ndaj thirrjes së ambasadores amerikane:
“Ne kemi ligjin, zbatojmë ligjin. Përgjegjësia e kujtdo që gënjen në vetëdeklarim është përgjegjësi individuale jo partie. Partitë nuk janë drejtori policie, verifikojnë në bazë të ligjit dhe sipas ligjit i kemi bërë verifikimet gjithmonë. S’kemi ndërmend të ngremë salla torturash në selitë e partive…”, u shpreh Z. Rama. Siç duket, nga toni i përgjigjes — me zemërim dhe inat ndaj diplomates amerikane — sikur përfaqsuesja e Washingtonit, vërtetë, bëri thirrje për “salla torturash”, për të siguruar pastërtinë e kandidatëve. Thjeshtë, Ambasadorja amerikane, bëri thirrje që partitë të mos përfshijnë individë të koruptuar në listat e kandidatëve për zgjedhjet e ardhëshme parlamentare në Shqipëri, duke i përcjellur klasës politike shqiptare mesazhin e administratës së re të Presidentit amerikan, Zotit Joe Biden se ajo është e vendosur t’i vejë një theks të ri luftës kundër korrupisonit. Sipas një kronike të Zërit të Amerikës nga Tirana, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, kërkoi “Të kontrollohen mirë kandidatët, që të mos promovohet korrupsioni, të mos fyhen votuesit dhe të mos minohet demokracia shqiptare”, ndërkohë që disa ditë më parë ambasadorja, Kim, kur u takua me drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thekësuar “Mbështetjen e SHBA për t’ju përgjigjur kërkesave të popullit shqiptar për politikë më të pastër, duke filluar me politikanë më të pastër”. Një deklaratë kjo që siç duket zemëroi Kryeministrin e Shqipërisë.
Dekriminalzimi i politikës shqiptare ka qenë dhe është një vlerë amerikane, por edhe perëndimore, në përgjithësi. Asnjë vend nuk është i pastër nga korrupsioni. As Amerika dhe as vendet e Evropës Perëndimore nuk kanë një politikë të përsosur dhe të pastër nga korrupsioni, por ama përpiqen, me aq sa është e mundur, me anë të ligjit dhe të normave të tjera të vlerave të shoqërisë, që të sigurohet një integritet politik nga partitë dhe nga individët e aprovuar prej tyre, që të kandidojnë si përfaqsues të denjë dhe të pa korruptuar të popullit. Me doemos, përzgjedhja e kandidatëve të pa korruptuar është një përgjegjësi e udhëheqësve dhe e strukturave të tjera të partive politike, si edhe e enteve ligjore, por edhe e vet individëve. Por, përzgjedhja e kandidatëve të pa korruptuar është edhe përgjegjësi ligjore, politike dhe morale e një shteti dhe përfaqsuesve të tij. Sidomos, kur këta politikanë të përjetëshëm që pretendojnë për 30-vjet tani, të pakën me fjalë, se aspirojnë vlerat dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë. Ndërsa me vepra, por shpesh edhe me fjalë kërcënuese ndaj perëndimit — siç është rasti i deklaratave të fundit të Kryeministrit Rama – se Shqipëria nuk ka pse të presë për Evropën, ka alternativa tjera dhe jo vetëm për tregje, si Turqia dhe Lindja e Mesme.
E kam thenë edhe herë të tjera se deklaratat kërcnuese nga udhëheqsit më të lartë të Tiranës zyrtare, në mbështetje të idesë se Shqipëria mund të këthejë sytë drejt alternativave të tjera aleancash jashtë BE-së, janë të pa përgjegjshme dhe të dëmshme për procesin e integrimit të shqiptarëve në Evropë, si dhe kundër interesave afatgjata kombëtare të shqiptarëve, në përgjithësi. Deklarata të tilla kërcënuese duket se bëhen me qëllim për të dëmtuar ose për të neutralizuar përball interesave të tjera të huaja, jo vetëm atmosferën e bisedimeve me përfaqsues të BE-së, por dashtë e pa dashtë, mund të influencojnë negativisht edhe marrëdhënjet e kombit shqiptar me aleatët historikë të tij, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dihet se Washingtoni antarësimin e Shqipërisë dhe të Kosovës në Bashkimin Evropian e kanë pasur vazhdimisht dhe e kanë si një përparësi të politikës së tyre karshi shqiptarëve dhe të objektivave afatgjata të politikës amerikane në Ballklanin Perëndimor dhe në Evropë.
Nëqoftse se vërtetë e do një gjë të tillë Tirana zyrtare, Shqipëria nuk do të futet në Europë me kërcënime por me një punë maksimale për përmbushjen e kushteve kryesore të Bashkimit Evropian, ashtu siç kanë bërë të gjitha vendet anëtare të këtij tregu. Shqipëria duhej të kishte qenë anëtare e Bashkimit Evropian me kohë. Për këtë nuk e ka fajin krejtësisht BE-ja siç pretendon Kryeministri Rama dhe politikanë të tjerë shqiptarë. Shqipëria ka humbur — gjatë këtyre 30-viteve post-komunizëm — aq shumë raste të mira për integrim të plotë euro-atlantik. Për këtë mungesë, fajin e kanë kryekput udhëheqsit shqiptarë, për mangësitë e tyre për tu përballur vet me korrupsionin, për tolerancën dhe madje edhe për nxitjen e korrupsionit si mjete këto për të siguruar fitore në zgjedhje due për të ruajtur pushtetin personal dhe partiak. Koha nuk pret. Demokracia nuk pret! As Evropa nuk pret gjithmonë për shqiptarë!
Ndërkohë që shqiptarët, si gjithmonë — sidomos rinia — është e orientuar drejt Perendimit, gjë që po e tregon edhe me largimin në masë nga trojet e veta drejtë Perëndimit – është e vështirë të kuptohet se si Kryeministri dhe politika shqiptare, në përgjithësi, shprehimisht pranojnë se i ka sytë drejtuar nga lindja, me të cilën siç duket klasa politike shqiptare — ndryshe nga pjesa dërmuese e shqiptarëve — ka më shumë gjëra të përbashkëta me lindjen se sa me vlerat perëndimore. Veprat, sjelljet dhe deklaratat e një pjese të klasës politike shqiptare janë një çoroditje e këtyre vlerave dhe çdo ditë e më shumë kjo klasë politike po na bën të humbasim besimin historik në thënjen e Naim Frashërit se, “Dielli vërtetë lind në Perëndim”, për shqiptarët.