• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova, çmime për Dramë Origjinale Shqipe

November 11, 2020 by dgreca

Ndahen çmimet për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës, Vlora Dumoshi, ka nënshkruar vendimet/ 

PRISHTINË, 11/ 11/ 2020 – Gazeta DIELLI/ Në Kosovë sot, 11 Nëntor 2020, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka nënshkruar vendimet për çmimet për laureatët për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020, në bazë të vlerësimeve të Jurisë Profesionale. 

Çmimi i parë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020 i ndahet dramës “Cari i Carave”, të autorit Agim Sopi; Çmimi i dytë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020 i ndahet dramës “ Shtëpia e të humburve “, të autorit Zgjim Baraliu; Çmimi i tretë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020 i ndahet dramës – “ Era”, të autores Albana Muja. 

Ministrja Dumoshi me rastin e nënshkrimit të vendimeve i uroi laureatët për çmimet duke e vlerësuar dhe marrë në konsideratë punën e jurisë profesionale. 

“I uroj fituesit e çmimeve sivjet dhe i falënderoj autorët e dramave për sjelljen e këtyre dramave në jetë duke kontribuuar kësisoj në krijimtarinë artistike për këtë vit. Si ministri përmes këtyre çmimeve ne e tregojmë mirënjohjen për autorët që shkruajnë drama si dhe nxisim krijimtarinë e vlerat e mirëfillta”, tha mes tjerash ministrja. 

Në bazë të vendimeve të nënshkruara nga ministrja Dumoshi, çmimi i parë shoqërohet me shpërblim financiar prej 3600 euro, i dyti me 2400 euro dhe i treti me 1200. 

Çmimet u janë ndarë laureatëve pa ceremoni të organizuar ashtu siç edhe tradicionalisht MKRS-ja i ndan këto çmime, për arsye se njëri prej tyre është i infektuar me virus dhe kjo gjë ka pamundësuar një organizim të këtillë. 

Juria Profesionale ka qenë në përbërje të Selman Jusufi – kryesues, dhe anëtarët: Arian Krasniqi – dramaturg, Ilir Bokshi – regjisor, Naser Shatrolli – dramaturg (përfaqësues i MKRS-së) dhe Adrian Morina – aktor. 

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, çmime për Dramë, kosova, Ministrja Vlora Dumoshi, origjinale

URTËSIA POPULLORE, ORIGJINALE, NË VEPRAT E ZEQIR LUSHAJT

May 1, 2017 by dgreca

1 Zeqir-Lushaj LibraShkruan: Adil FETAHU/

Veprat e Zeqir Lushajt nuk janë për një lexim, e pastaj t’i mbulojë pluhuri në raft. Ato asnjëherë nuk marrin pluhur, pasi merrën në dorë dhe kalojnë dorëpasdore, lexohen e rilexohen me ëndje, qoftë proza a poezia. Dhe sa herë i lexon, vërenë thellësinë e mendimit,  fuqinë e mesazhit dhe frymëzimit për të mirën e të mbarën, për njerëzit, për vendlindjen, për atdheun, për natyrën, për dashurinë ndaj vlerave, përkushtimin ndaj punës, arsimit, kulturës, diturisë, edukatës, tolerancës, taditës, njerëzisë, bujarisë. Veprat e tij janë plot realizëm, plot dashuri, plot  proverba, urti popullore të cilat i formulon dhe përdorë me vend, në kontekste të ndryshme.

Sipas Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe (1980), proverbi është fjali e shkurtër, që shpreh një mendim të plotë, të figurshëm e të mprehtë, që përgjithëson përvojën e shumë brezave dhe përmbanë një mësim të urtësisë popullore për jetën dhe dukuritë e saj (fq.1559). Letërsia jonë popullore është përplot urtësi:  me vlerë shkencore e kulturore, kundër injorancës e mediokritetit, të cilave duhet gjetur vendin adekuat, qoftë në shkrime, në bisedë a kuvend. Zeqir Lushaj, përveçse urtinë popullore  e ka mësuar  heret në odën e kullës së tij në Gri, nga babai Sadik Selmani, miqtë dhe mysafirët e tij të shumtë, e pastaj e ka provua dhe zbatua në jetë, dhe e ka futë në  shkrimet e veprat e tij letrare. Për këtë Vështrim, kam nxjerrë fjalët e urta nga nëntë vepra të Zeqir Lushajt, nga poezia dhe proza. Tri tjera nuk i kisha në dispozicion, sepse m’i kanë marrë të tjerët për t’i lexuar, bile librin “Si n’kurbet, bre vëlla” ua kam dhënë djemëve të mi në kurbet (që punojnë e jetojnë në Londër), me porosi që t’i lexojnë dhe t’ua japin  edhe shokëve-gurbetçarë për t’i lexuar, e për të nxjerrë mësim prej tyre. Autori ka përdorë fjalët e urta edhe në librat e poezië edhe të prozës, prandaj mund të ketë përsëritje, sikurse ka përsëritje të qëllimshme edhe të poezive dhe të figurave stilistike, prej një vepre në tjetrën. Për t’ua përshtatur rimës së vargjeve, autori ndokund ka mund të ndryshojë renditjen e fjalëve, por duke ruajtur përmbajtjen dhe mesazhin.  Në këtë Vështrim kam përfshi fjalët e urta të nëntë veprave të Zeqir Lushajt (brënda kllapave është faqja e librit). Nuk i radhita fjalitë me kryerreshta, për shkak të hapësirës së botimit.

Lisi i shkruar  (vjersha):

*Kur vdes ama, bletët hupin (15); * Që të rritet lavdia, duhen vepra (23); * Gjumi është vdekje e përditshme, vdekja është gjumë i përjetshëm (25);  * Çka s’të pëlqen të ta bëjë dikush, mos i bënë dikujt (32);  * Kemi qëlluar ndërnyje mes Perëndimit e Lindjes, tërhiqen dy skajet e mesi vuan prej dhimbjes (41); * Ne dijmë gjithçka, veçse jo – kush jemi, ec e gjeje se për ku po vemi? (42); * Fati është mbreti i botës (45); * Po i pranove lekët, vare pushkën në gozhdë (46); * Ç’ka s’ta merr mendja, nuk është as në çitapë (56);  * Cila është e vërteta, ëndërra apo jeta? (59); * Shokët e fëmijërisë, mos i largo (86);  * Lisat rritën me gjatësi të ndryshme, por të gjithë rrënjët i kanë në tokë (86); * Nuk përzihet floriri me baltën e vorbave (99);  * Armët në gozhdë, fjala në vend të vet (103); * I vogël, për karshillak ndaj madhështisë (114); * Gegë e Toskë janë vëllezër binjakë, të një barku, me babe e nënë (122); * Kush e përbuzë Atdheun, qoftë i përbuzur nga Perëndia (126); * Pas një jete të çfarëdollojshme, vdekja është (veçse) një ëmbëlsi (133); * Ma gjeni (vetëm) një njeri që u ankua – pasi vdiq (134); * Ushtari gjithmonë meriton respekt, edhe pak – mëshirë (140).

Dyqani i mendjes (shkrime publicistike):

*Gjithçka që sot është e vërtetë, nesër mund të jetë e dyshimtë (5); * Jeni të lutur t’i lexoni këto shkrime me frymën e kohës, kur janë shkruar ato (6); * Gazetat, librat, sallat e leximit dhe bibliotekat, – urtia popullore, me kohë, i ka quajtur “Dyqani i mendjes” (6); * Mjer ai që nuk e sheh dhe nuk e njeh vehten e tij (7); 8 Politika është bërë më keq se tifozllëku i sëmurë në sport, e për disa (është bërë) edhe pazar i turpshëm (8); * Roja (nga e keqja) nuk është frikë, është mençuri (12); * Ai që ndërroi parti, s’e ka për gjë të ndërrojë edhe emrin (15); * Nuk ngelë Berati pa dhallë, pse ngordhi një dhi në Velabisht (15); * Nga e thëna në të bërë, në mes është një det i tërë (16); * Europa na prêt, nuk ka për të luajtë vendi (17); * Po bien kokrra-kokrra, si  fiq i qullavtë (19); * Shqipëria e vogël, gjithmonë pre dhe lakmi e të mëdhenjëve (21); * Nga 10 shëndete në dasma, 7 a 8 i kishte (shëndete) për partinë (24); * Këta (që ndërrojnë patitë) më gjasojnë në zogjtë e qyqes, të cilët nuk e dijnë se kush i ka pjellë, as të kujt janë (24); * Ndonëse vet jam ateist, gjithmonë i kam respektuar besimtarët, se ata kanë diçka fisnike, janë besnik të një ideje (27); * Kur lufton vëllai me vëllanë, nuk ka të fituar, por vetëm të humbur (31); * Atij që martohet dhe atij që armatoset, ruaju një vit (43); * Kur e vret veten, nuk ke prej kujt ta lypësh hakun (63); * Ruajut të keqes, mos të bëhet ves (64); *Nëse amatorizmi është deridiku i mire në sport, kulturë etj, në politikë është tepër i dëmshëm (64); * Edhe (kur) kokën do të na e mbulojnë thinjat, ndër mend do ta kemi një emër të nderuar – mësues (70); * Jeta e mësuesit është shkrirë te puna dhe jeta e të tjerëve (70); * Edhe dashit i merret fytyra, po t’ia heqësh kumbonën atij, e t’ia vesh një deleje (77); * Ai që kërkon më shumë se sa i takon, do ta merrë faqën e zezë (80); * Nuk vdes njeriu, emri dhe vepra e të cilit janë të pranishme në çdo vatër, në mendjen, në zemrën dhe në kulturën e një kombi  (86); * Më shumë i peshon koka, se krejt trupi (132).

3. Pengjet (vjershërime):

* Më mirë pak e – jotja, se shumë  – e botës (15); * Kurvat (emër përbuzës) gjithë bota i shanë, gjithë bota i përqafon, çfarë hipokrizie (20); * Po ta di kur vdes, i bëj vorrin vetes (33); * Edhe i vdekuri don me zgjedhë  vend (34); * Fukarallëku … na i dha rrugët (41); * Gjithkush vdes një ditë, si shenjti si i pafeu, por një që nuk vdes është – Atdheu (43); * Prishet kollaj, e ndreqet zor (62); * Po Filani ku na hupi, qatje në qyshk si llullë magjupi (65); * Në sofrën shqiptare, një lugë e një gotë më shumë (66); * Bane  Zot andërr (82); * Qeni që rri shumë lidhur, kur lëshohet mund ta hajë edhe të zotin e tij (83); * Sa për fatin e këtij vendi, shtriju qëtash sa gjanë e gjat dhe jep shpirt (85); * Hupi si shurra e pulës (89); * Emrit  Bos, duhet shtuar një bashkëtingllore – “h” (91); * Pensioni – paradhënie e vdekjes (99);  * Këtë punë e din edhe lopa (122); * Kur kapitalistët shkembëjnë vetëm para me para, gjërat përfundojnë keq (124); * Të fundit u shkëputëm nga Turqia, nga komunizmi dolëm në fund; të fundit do të hyjmë në Europë, të fundit kudo, e kudo në fund! (126);  * Vajza dhe liria janë peng e gjithkujt (132).

4. Zbehje e heroizmit (shkrime publicistike):

* Heroizmi na ka frymëzua, na ka nxitur për vepra të mëdha në dobi  të Atdheut e të Kombit, në të gjitha kohët (fq.13); * Shkrimet nuk i ndryshoj dot, as tani mbas dekada vjetësh (15, dhe 67); *Unë jam betuar, me gojë e me shkrim, me dorën në zemër, para Flamurit Amerikan, në ditën e dyshtetësisë sime, se do t’i respektoj të drejtat e njeriut, lirinë e mendimit e të shprehjes, lirinë e fjalës (16); * Shumë i  këputi pushka në lulën e rinisë, por më shumë lindën dhe përkundën në djepa nënat shqiptare, prandaj, do të vinte patjetër dita e lirisë (21); * Në mes trimave, veç trimëri e burrëri do të mësosh (33);  * I vogël nga trupi, por i  madh nga zemra, trimëria dhe ideali (33); * E dvetin nënën: ku e ke djalin? – Ka lënë shkollën e ka marrë malin (44);  * Kënga është gjuha e shpirtit (61); * E kam një amanet nga Lekë Dukagjini: Mos folni keq për kohët, se bani më shumë dëm (67); * Burrat takohën në këmbë, por flasin ulur (69); * Burrat e nderojnë njëri-tjetrin, e të gjithë sëbashku e nderojnë kombin, o- o- o politikanët tanë partiakë. Fëmijët shpesh edhe shahën e grindën, burrat afrohen, ulen, flasin e merren vesh (71); * Le të bëhen jo 20, por 200 parti, e Shqipëria do të mbetet Një. Do të dëshiroja thirrje e mesazhe vetëm për bashkim (75, dhe 107); * Pushka në kallbllak, më shumë vret njerëz pa hak, prandaj çoja grykën pak (75); * Lëvizja është jetë, të ndenjurit kot është vdekje (86);  * Shih e shkruaj (98); * Asgjë nuk duhet të na ndajë, gjithçka duhet vetëm të na bashkojë më fort (75, dhe 107); * Kur rri me njerëz të mirë, të thjeshtë e të dashur, pak rëndësi ka sa vajti ora (123); * Me burra si Shaban Hyseni i Margegajve, nata e dimrit të duket e shkurtër (125); * Amanet, mos e hup vorrin, se po e hupe vorrin, edhe në jetën e pasosur do të mbetesh “emigrant” (136, 147, 150, 151); * Besimi edukon, frenon nga të këqijat dhe mobilizon për të mirë (143); * Djemtë janë për luftë, e burrat janë për kuvend (153); * Burrat kanë shkua në luftë, këtu veç gratë kanë mbetë (157); * A na keni thënë se nuk po luftojmë për kolltuqe e grada, po për çlirimin e vendit? (186); * Hyra në histori, duke u fotografua me njeriun më të fuqishëm të botës, me vet Presidentin (e ShBA-ve, 199).

5. Duhama e Valbonës (vjersha):

* Varret kallxojnë ku i kemi të parët; kur mbyllet shtëpia, kanë vdekur varret (36); * Më mirë të jeshë i vogël aty ku ke le, se edhe kolos por njeri pa Atdhe (40);  * Duhej të vdiste motra, që të lindëte legjenda (Rozafa, 63); * Paska shumë mënyra për të jetue, edhe tuj ba qejf, edhe tuj luftue (79); * Pesëqind fjalë, për një pare (106); * Vendi i huaj, të ha (106); * Katolikët i fiki festa, myslianët i fiki bjeshka (154); * Dora thatë, s’ ka uratë (174).

6. Fjala mbi tel (tekste këngësh popullore):

* Veç bashkimi është forca e Kombit (7); * Mbi Ballkan vuajtjet do t’sosin, veç kur popujt t’vetëvendosin (8).

7. Piedestali (vjersha):

* Ndërrojmë përditë si lëkura e kameleonit, servileë ndaj të huajit, e gjelkokolsh ndaj tonit (8); * Kthe kokën prapa e shih gjurmët tua pas, po përbuze rrugën tënde, bota shkrihet në gaz (11);  * As Drinin nuk e lam të lirë, tre herë u prangos në pranga, tuj i thanë: rri se je mirë! (20); * Po fjete në mulli, mbushesh paskaj e hi (26-27); * Ne që dalim në pension pa zënë punë me dorë, dijmë të duartrokasim e prodhojmë diktatorë  (37); * Gjuha kocka s’ka, por kocka thyen (41); * Fjalën e rëndë nuk ka vagë që e peshon (42); * Kur nuk i beso pushkës, mos i del kujt në pritë (53); * Shih me sy, e plas me zemër (63); * Kush prishë punë nga dashuria, i ardhtë hakut Perëndia (87); * Mos folni keq për kohët, se bani ma shumë dam (98); * Po ndahemi, për t’u takuar prapë (106); * Sa pak lisa po le në këmbë ekologjia jonë politike (133); * Fjala nuk vdes kurrë (153); * Shpirti i autorit është brënda librave të tij (165); Oda pa oxhak, gruaja pa pshtjellak (168); * Kutia e duhanit,  qitet edhe e thatë! (171);  * Po s’i shtërngove rrathët e shekës, prishet hesapi (179); * Emri i mirë duhet n’këtë botë, njeriut nuk i hahet mishi (as i pihet çorba) (192); * Mikpritja e mirë, (edhe) shëllirën e bënë mjaltë (196).

8. Rrokada (politike):

* Fjala mos t’më shkruhet kabahat (7); * Qeni që i ha robtë e shpisë, do vrarë (16); * Politikanët shqiptarë e krijojnë krizën për pesë minuta, e nuk e zgjidhin as për pesë vjet (22); * Vjedhja e plaçkitja dhe korrupsioni shtetëror, duket se janë në garë: kush më shumë, e kush më parë (23); * Kur s’din me zhdredhë, mos e dredh (27); * Kujdes gishtin, se mos e ha n’dhambë! (31); * Hamë bukë me marre, jo me krypë (43); * T’i lëshojmë rrugë Rinisë (50); * Betohen për ne, zhvatin për vete (64); * I poshtruar, me imunitet (66); * E përqafojmë Perëndimin, me kokën kthyer pas – kah Lindja (72); * Kur para kuajve atllarë ka dalë magari, ai karavan duhet fillue prej së pari (78);  * Kush është kanë, ka me kanë (84);  *Gjaja ma mirë kullosin pa çoban, veçse përditë ujku i han (90); * Libri i jetës, zor lexohet (93); * Kah po i kullotni? (99);  * Kanuni është prodhim i vendit (101); * Me luejtë derën në thinxa, nuk duhet shumë punë (103); * Në monizëm të demaskonin para popullit, në demokraci të demaskojnë para ekranit (109); * Kau i djathtë, s’bëhet i majtë (112); * Mbiemri “i mirë”, dhe folja “me sundue”, shqiptarisht – zor me u pajtue (133); *Uthulla e fortë, enën e vet e tharton (134); * Kur merr rrugën e mërgimit, t’u ka vra ora (138); * Zullumi këputet nga trashja (145); * Qeni i shtëpisë së madhe, nuk  gjuhet (kollaj) me gurë (148);  *Çika e burrit të fortë (zëngjinit), e rrehë djalin e fukarasë (148); * Potera politike (dhe politikanët), gjithë ditën veç tallen me ne (154); * Ia kam lanë Zotit me marrë hak (157); * Me gruan që jeni nda, burrnia e lypë, as mos me e lëvdue, as mos me sha (162);  * Pluralizmi si lumenjtë, bajnë bërllogje turlifare dimër e verë, majtas e djathtas kujt ia lënë në derë (164);  * Unë jam prapë Unë për miqë e shokë, me të dy këmbët mbi tokë (166); * Edhe për një fjalë të papeshuar mirë, gjumi i natës nuk të merr (168); * Veç bleta e di si bëhet mjalti (172);  * Si guri mbi vorbë, si vorba mbi gur (173); * Dhëmbi i ujkut, n’ bythë t’thiut (174); * Po vazhdove kështu, do të hash bukë pa pare (179); * Sado tar rrahësh një thumb, (ai) veç një maje qet (185);  * E keqja e Shqipërisë, vet shqiptarët (192).

9. Sportit i mbeta borxh (Shkrime publicistike):

* Në Malësi do të gjeni bukë të bardhë, zemër të bardhë dhe borë të bardhë (14); * Shkolla kurrë nuk plaket (35); * Mendja e shëndoshë, në trup të shëndoshë (36); * (Nipat e mbesat) ua mbushin shtëpinë e zemrën plot, (dhe) ua heqin pleqërinë (51); * …edhe për me luejtë ka çelë shteti shkolla të nalta? (52); * Njerëzit e artit, kulturës, arsimit, shkencës e letësisë, mos i pyetni kurrë as për stinë as për moshë, sepse ata as nuk plaken as nuk vyshken kurrë (62); * Nuk mësohen skitë, pa hipur mbi ski e rrëshqitur mbi borë (103); * Emri i mirë, kujtohet (147).

* * *

Lexuesi i vëmendshëm i veprave të Zeqir Lushajt, mund të vërejë se shumica e fjalëve të urta të cituara më sipër, janë  formulime origjinale të vet atorit të veprave, e fare pak janë aso të marruna nga thesari popullor e të përshtatura kohës dhe kontekstit ku janë përdorë.  Sepse, dija e autorit i ka nxjerrë nga përvoja e tij e gjatë e punës dhe jetës në fusha të ndryshme:  në politikë, gazetari,  arsim, kulturë, sport, kurbet, kontakti me  shumë njerëz të ditur e me përvojë. Dhe këto urti të autorit, e kanë pasuruar akoma më tepër urtinë bashkëkohore. E gjithë proza dhe poezia e Zeqir Lushajt, pasqyron në mënyrë komplekse, artistike, me shtrirje të gjërë, botën shqiptare, edhe të periudhës së monizmit, edhe të pluralizmit, po edhe atje përtej Atlantikut ku qëndroi një kohë relativisht të gjatë në kurbet. Krijimtaria e Lushajt ka një individualitet realist, në rrjedhat e kohës, dhe realizmi i jep fuqi veprës së tij. Tanimë të gjithë lexuesit e veprave të Zeqos, e vërejnë stilin e veçantë të këtij autori, qoftë përkah gjuha, qoftë për frymën e urtisë dhe filozofisë popullore. Kur lexon veprat e Lushajt, krijon një afërsi dhe ndihesh sikur je duke biseduar me autorin. Unë me këtë ndjenjë i lexoj e rilexoj veprat e Zeqir Lushajt.

Filed Under: Kulture Tagged With: Adil Fetahu, E ZEQIR LUSHAJT, NË VEPRAT, origjinale, URTËSIA POPULLORE

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT