• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVË – KRIME, OSE SHPIKJA E NJË “UJDIE”

January 31, 2017 by dgreca

1 Islam-Lauka-300x225

Nga Dr. Islam LAUKA*/Pas valës së trampomanisë që përfshiu Serbinë dhe parashikimeve se, në kuadrin e afrimit Tramp-Putin, Presidenti i ri amerikan do t’ia sillte Beogradit Kosovën në tepsi, shpërtheu një tjetër valë, ajo e dyshimit dhe e frikës se mos kurban i “ujdisë” ruso-amerikane bëhet Serbia, duke këmbyer njohjen, nga Washingtoni, të aneksimit rus të Krimesë, me njohjen, nga Moska, të pavarësisë së Kosovës.

 Frika dhe dyshimet serbe pompuan një valë entuziazmi naiv tek një numër analistësh në Tiranë dhe Prishtinë, të cilët shpërthyen me artikuj dhe opinione, në shtypin e shkruar dhe emisione televizive, duke u vënë në garë me njëri tjetrin se cili do ta formulonte më bukur “zbulimin” bombastik se Presidenti rus, Vladimir Putin, do ta njohë Kosovën.

Të dy palët e “ekspertizës”, shqiptare dhe serbe, nuk e morën fare mundimin për të bërë nje analizë që mund të çonte tek përfundimi i tyre për njohjen e Kosovës, por iu referuan një shkrimi të publicistes britanike, Meri Dezhevski, në të cilin ajo shprehu idenë se pjesë e marrëveshjes-paketë midis Presidentit Putin dhe Presidentit Tramp mund të ishte këmbimi i njohjes së aneksimit të Krimesë me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Siç e pranon edhe vete Dezhevski në nje intervistë në radion “Europa e Lirë’, ideja e hedhur rreth këtij këmbimi, ishte, më shume, një hamendësim i saj. Për fat të keq, një hamendësim i pabazuar, me një përfundim të paargumentuar.Analiza kritike e marrëdhënieve ndërkombëtare, në përgjithësi dhe e politikës së jasthme, në veçanti, në nivel individual, shtetëror dhe sistemor, marrja në konsideratë e bashkëveprimit dhe bashkëndikimit të ndërsjellë aktorë-struktura, si dhe e kontekstit në të cilin zbatohen vendimet e aktorëve në fushën e politikës se jashtme, ofrojnë një numër elementësh që, ose nuk njihen, ose injorohen për arsye te caktuara nga Dezhevski dhe mbështetësit e hamendësimit të saj mbi këmbimin Kosovë – Krime. 

Së pari, pas aneksimit të saj, Krimeja nuk përbën më interes parësor për Putinin. Për të, ai është një problem i mbyllur, një herë e përgjithmonë. Natyrisht, ai do të mirëpriste njohjen e saj nga SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar, si pjesë të Federatës Ruse, por ajo nuk është një çështje jetike për Kremlinin. Më shumë është një çështje prestigji dhe kredibiliteti. Për Moskën, konsiderohen  parësore problemet e hapura që lidhen, siç shprehet ajo, me sigurinë kombëtare të Rusisë, si: afrimi i strukturave të NATO-s pranë kufinjve të saj; ndërhyrja perëndimore në hapësirat ish-sovjetike (Ukrainë, Gjeorgji); prishja e ekuilibrit strategjik ,etj. Në këtë kuptim, për “paketën e ujdisë”, me Trampin, Putini ka çështje më të “nxehta” se Krimeja.

E njejta gjë mund të thuhet edhe për Trampin. Edhe ai ka çështje më të rëndësishme se Kosova për “paketën e ujdisë” me Putinin : lufta kundër ISIS-it; përmbajtja e Kinës; rregullimi i krizës në Lindjen e Afërt; (c)armatimi bërthamor, etj. E vërteta është se, jo vetëm Kosova, por as Ballkani, nuk është përmendur gjatë fushatës elektorale të Trampit dhe as në javën e parë të tij si President i SHBA. 

Pavarësisht rangimit, relativisht të ulët, të Krimesë dhe Kosovës në shkallën e përparësive ruse dhe amerikane, Putini duket të jetë më i interesuar për njohjen, nga Amerika, të aneksimit të Krimesë, se sa Trampi për njohjen, nga Kremlini, të pavarësisë së Kosovës. Edhe i fituari i kësaj ujdie, me gjasë do të ishte Putini, sepse do të këmbente njohjen e aneksimit me forcë ushtarake të Krimesë, me njohjen e pavarësisë së Kosovës, si e drejtë e vetëvendosjes të popullit të saj. Ai do t’i gëzohej këtij akti, si iu kishte gëzuar Hitleri njohjes, nga perëndimorët, në vitin 1938, të aneksimit prej tij të Krahinës Sudete, deri athëre, pjesë e ligjshme, e pranuar ndërkombëtarisht, e Çekosllavakisë. Sot, aneksimi me dhunë është një akt i dënueshem në të gjitha dokumentet ndërkombëtare. Po të zbresim në terrenin konkret, lidhur me aneksimin e Krimesë, ka një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, miratuar më 27 mars 2014, e cila e klasifikon Rusinë si agresore dhe e shpall të paligjshme përfshirjen e nje pjese te territorit ukrainas në Federatën Ruse. Ndërkohë, sipas Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, shpallja e pavarësisë së Kosovës, nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

 Së dyti, vendimmarrja në politikën e jashtme në SHBA është një gjë dhe ajo në Rusi, diçka krejt tjetër. Në rastin e parë, Presidenti ka rolin e vet, por thelbësor është edhe roli i  Kongresit. Presidenti nuk është krejt i lirë në vendimmarrje edhe për shkak të kufizimeve kushtetuese. Ndërkohë, kur ka çështje të diskutueshme, ndërhyn Gjykata e Lartë. Nuk është pa ndikim edhe mendimi i ekspertizës, përfshirë mendimin e asaj që ka zgjedhur dhe po emëron Presidenti Tramp. Sekretari i ri i Shtetit, Reks Tillerson, këto ditë, e krahasoi veprimin e Pekinit, lidhur me ishujt në Detin e Kinës Jugore, me aneksimin e Krimesë,nga Rusia, veprim që, sipas tij, nuk do të njihet kurrë nga qeveria amerikane. Njohja hipotetike, nga ana e Trampit,  e aneksimit të Krimesë, do të haste në kundërshtimin e administratës së tij, të Partisë Republikane dhe të Kongresit. Partia Republikane e ka kritikuar vazhdimisht Obamën për politikë të butë ndaj Putinit dhe kapitullim para tij. Por, a do të kishte kapitullim më të madh se sa njohja e aneksimit të Krimesë? Në të dy Dhomat e Kongresit, aktualisht, mbizotëruese është fryma kundër Putinit. Një vendim i njëanshëm i Presidentit Tramp, vetëm sa do t’i hidhte benzinë këtij zjarri. Nuk ka dyshim se legjitimimi i agresionit të një vendi si Rusia, kundër fqinjit të vet, Ukrainës, do të ishte një armë e re në duart e kundërshtarëve, jo të paktë, të Trampit. 

 Nisur nga sa më sipër, duket e dyshimtë që presidenti Tramp t’i hyjë një aventure të tillë të rrezikshmë edhe për postin e tij, si njohja e aneksimit të Krimesë.

Për Putinin, si udhëheqës autoritar, këto probleme nuk ekzistojnë. Vendimet e tij janë ligj për Dumën, për gjykatat, si dhe për administratën. Nuk do të përbënte problem as “sakrifikimi” i Serbisë”, pavarësisht se Beogradi ushqen të tjera iluzione. Putinin e vënë në lëvizje interesat personale dhe ato të fuqisë së madhe, jo serbofilia dhe sllavofilia.

Së treti, pasojat e një “ujdie” të tillë, jo për shkak të njohjes nga Rusia të pavarësisë së Kosovës, por të njohjes nga SHBA të aneksimit të Krimesë, do të ishin fatale për sigurinë dhe stabilitetin në Europë dhe në botë. Në një zhvillim të tillë, do ngrihej një numër pyetjesh: pas Krimesë, a do të njihej pavarësia e Abhazisë dhe e Osetisë së Jugut, të dyja të shpallura si shtete të pavarura me ndihmën e tankeve ruse? A do të njihej sovraniteti i Pekinit mbi ishujt artificialë në detin e Kinës Jugore? Dhe më tej, cili do të ishte hapi i radhës i Putinit, për aneksimin e territorit të një fqinji tjetër? Cili do të ishte qëndrimi i fuqive të tjera ndaj “ujdisë”  ruso-amerikane? Pa folur për Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Japoninë, që janë hapur kundër këtij akti, për arsye parimore e ligjore, njohja e aneksimit të Krimesë, kundërshtohet edhe nga aleatët e Moskës në Organizatën e Shangait, apo në BRIKS si Kina, India, Brazili, Afrika e Jugut, veç arsyeve parimore, edhe nisur nga interesat e tyre të brendshme. Edhe logjika më elementare nuk do ta pranonte që, për hir të rregullimit të marrëdhënieve me Putinin, Trampi të vendoste të hidhte ne erë gjithe rendin nderkombetar,të ndërtuar pas vitit 1945, duke i rezervuar vetes në histori, nje vënd si të Cemberlenit. 

Në qoftë se mbahen parasysh elementët e mësipërm, vështirë të arrihet në përfundimin se do të ketë një ujdi midis Trampit dhe Putinit për këtë çështje. Më shumë gjasë ka që administrata e re amerikane të vazhdojë të mos e njohë aneksimin e Krimesë nga Rusia. Për 50 vjet, SHBA, pavarësisht se cila parti ka qenë në pushtet, nuk e njohën aneksimin e republikave ballktike nga Bashkimi Sovjetik. E njejta praktikë mund të ndiqet edhe në rastin e Krimesë. “Lëshimi” i Trampit në kontekstin e përmirësimit të marrëdhënieve me Putinin, mund të jetë mosngritja e saj si problem në marrëdhëniet dy a shumëpalëshe, pra, të  heshtet rreth Krimesë. 

Sa i takon Kosovës, zhvillimet e fundit nuk flasin për ndonjë pajtim të Moskës për njohjen e pavarësisë së saj. Përkundrazi, Agjensia Kosovare e Inteligjenës, keto ditë, bëri publike një listë të agjentëve rusë që veprojnë në Serbi dhe në Kosovë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se në Veri të Kosovës janë të pranishëm kontigjentë rusë që po merren me përgatitjen e njësive paramilitare serbe. Nuk besoj se me këto “lojëra klandestine” dhe teknologji politike të pista, Moska po përgatit njohjen e pavarësisë së Kosovës. Analistë seriozë flasin për rrezikun dhe kërcënimin rus në Kosovë. Putini është mjeshtër për krijimin e “fakteve” në terren,psh,ne Veri te Kosoves dhe pastaj daljen e tij si paqebërës, natyrisht, në kushtet ruse. Siç dihet, Kosova ka arritur deri ketu ku eshte sot,shtet i pavarur dhe sovran,jo duke zbatuar kushtet ruse,por duke mos i përfillur ato.  

Për shqiptarët, kërcënimi rus ka qenë dhe mbetet real. Në etapën e tanishme, ai është bërë edhe më i mprehtë dhe, në gjykimin tim, përbën kërcënimin numër një për shtetin e Kosovës dhe, për pasojë, edhe për kombin shqiptar. Kërcënimit të një niveli të tillë, duhet t’i përgjigjemi me politika dhe masa të të njejtit nivel, në plan shtetëror dhe kombëtar, natyrisht, në bashkëpunim me aleatët tanë strategjikë, nëqoftëse edhe ata, në kundershtim me çfarë është folur, kohët e fundit, për një farë tërheqjeje nga udhëheqja globale për të kaluar në neoizolacionizëm, i përgjigjen dëshirës dhe vullnetit tonë për të bashkëpunuar me ta.  Deklaratat e Sekretarit të ri të Mbrojtjes,  Xhejms Mettis, për vazhdimin e pranisë së KFOR-it në Kosovë, aq sa të jetë e nevojshme, apo theksimi i rëndësisë së NATO-s në takimin Tramp-Mej, gjithsesi janë inkurajuese. Me kusht që edhe ne të bëjmë punën tonë, më mirë, më me përkushtim dhe kryesorja, më me mend se sa deri tani.

____________

*Doktor i shkencave politike, ish ambasadori i parë i Shqipërisë në Kosovë, president i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Islam Lauka, E NJË “UJDIE”, KOSOVË – KRIME, OSE SHPIKJA

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT