*ISHTE NË SHERBIM TË KASAPËVE SHOVENISTË SERBË…/
*Lufta Civile në Shqipni gjatë viteve 1943-1944 1941 – 1944 /
Nga Fritz RADOVANI*
Kaq na e kanë prue shpirtin në fyt turqit, sa askush, nuk i zenë me gojë bizantinët.Vetem kur shihej ndonjë fëtyrë e shtrembët dhe e permallueme thohej me përçmim: “Kjo fëtyrë asht si me kenë figure shkjeshë!..” E pra, jo pak vjetë bizantinët kanë kenë pushtues!
Pa u kujtue fare se po bahen 70 vjetë nga ajo ditë e zezë e pushtimit komunist, në vitin 2014, Shqiptarët presin me ra nga qielli “Liria, Paqa, Demokracia…Lufta kundër korrupsionit, e deri tek pajtimi i gjaqëve…”, me një fjalë: “Shteti Ligjor” pritet me ra me borë ose nga përmbytjet e ujnave; më duket, ma shumë nga “përmbytjet”… Plot 70 vjetë që po sundojnë komunistët!
Plot 73 vjetë po bahen që komunistët jugosllavë apo “bolshevikët” e Titos, morën nga Aleatët autorizimin me pasë nën “kujdesin” e tyne, edhe shtetin kukull të anadollakëve shqiptarë (po i themi), per me e shartue me komunizmin stalinist të Titos…dhe me pjellë Republiken Demokratike Shqiptare, (e shtat-ta e pashpallun zyrtarisht e Jugosllavisë Federative).
Edhe pse Lufta e Dytë Botnore korrte jetë njerzish çdo minut, Italia fashiste krijoi tek né një situatë të pakuptueshme per Shqiptarët. Ajo jo vetëm, mbushi magazinat e tregtarëve me mall e qypat me napolona flori, po edhe çliroi Tokat tona të Hotit, Grudës, Kosovës e deri poshtë në Maqedoni Perëndimore, të cilat mbas kapitulimit të saj i mori në kontroll Gjermania. Kjo as që shkruhet as nuk zehet me gojë nga “dr. prof.” tanë, edhe pse asht ngjarje e vitëve 1941 – 1944.
Ishte pra, pikrisht Lufta e Dytë Botnore që hapi një kapitull të ri, aqsa dramatik edhe të turpshëm për të gjithë ata që me të gjitha mjetët e tyne po edhe të tonat, kanë punue për shfarosje të Trojeve Shqiptare dhe shkombtarizimin e pandërpremë të Popullit dhe Shtetit Shqiptar Evropjan. I vetmi shtet që nuk kishte pretendime të zhdukjes sonë nga harta e Evropës, ishte Gjermania, kjoftë, edhe per “interesat” e saj. Edhe kur ajo ishte në falimentim të luftës, autorizon Rregjencën Shqiptare nëpërmjet At Anton Harapit, me u lidhë me Aleatët, për me mujtë me shpëtue nga bolshevizmi stalinist dhe neoshovenizmi ruso – sllav i pashmangshëm që po pushtonte Ballkanin, e që donin të eleminonin nga harta Shqipninë Europjane.
“Një administrim ushtarak në kuptimin e mirëfilltë në Shqipëri, nuk ekzistoi… Politika e Gjermanisë pati si parim prijës rëspektimin e Shqipërisë si Shtet neutral dhe i pavarur.”, thohet në relacionin e Militarbefehlshaber Sudost të Vermahtit Gjerman. Shkrue nga Aurel Plasari.
Populli Shqiptar sigurisht pushtimin fashist nuk e priti mirë e kryesisht, nacionalistët e kanë shfaqë këte gja, për të cilën flet ma kjartë se kushdo Konti Çiano në kujtimet e tija. Ndersa, per qendrimet e Klerikëve të Besimeve të ndryshme, ate do ta paraqes pjesë në vete…
Grupeve komuniste shqiptare të Shkodres dhe Korçës, as që u binte ndër mend se duhej organizue rrezistencë e armatosun kundër Italisë fashiste, sepse, vetë Italia ishte në aleancë me Gjermaninë Nacional – Socialiste të Hitlerit, që ishte në marrveshje të plotë me Rusinë Nacional – Komuniste, pra, me Rusinë Bolshevike – Sovjetike të Stalinit, pikrisht me qendren e internacionales së komunizmit botnor. Si rrjedhim, përderisa, Stalini ishte që nënshkroi Traktatin Molotov – Ribentrop në vitin 1939, me aleatin e Duçes, Hitlerin, që ky Duçe, na kishte pushtue né, komunistët bolshevikë të Shqipnisë i shihnin fashistët italian si aleat dhe miqë të bolshevikëve sovjetikë dhe udhëheqsit të tyne Stalinit të “math”, të cilët, mendonin dhe punonin për krijimin dhe ndarjen e një Evrope të “Re”, me dy gjysma “mike” njena me tjetrën: Nacional – Nazistët dhe Nacional – Bolshevikët. Ky Traktat mes tyne nuk kje formal. Ndonse, pakti prej tyne u mendonte si i “sigurt”, po divergjencat e mëshefta sollën pasojë luftën mes tyne. Kur Hitleri në befasi sulmoi mikun e vet Stalin, komunistët u zgjuen nga gjumi dhe u vune në lëvizje kundër okupatorit, sigurisht, jo për atdheun e tyne, po për “atdheun” me Stalinin në krye… Pikrisht, këtu, qendron ironia e Luftës Nacional- Çlirimtare, se vetë komunizmi dhe idelogjia marksiste predikon se, “proletarët nuk kanë atdhe, derisa thohët se s’kanë as pronë”.
Ishte viti 1941 kur misionarët e Titos në Shqipni (Ali) Dushan Mugosha dhe (Sali) Miladin Popoviç-i u lidhën me një pjesë të komunistëve shqiptar që mund të komunikonin ma mirë se me pjesën tjetër që mund t’iu dilte nga kontrolli, dhe me datën 8 nandor 1941, formojnë “Partinë Komuniste të Shqipërisë” mu në qendren e grupimeve antishqiptare në Tiranë, ku këto rryma politike që në vitin 1913 me tradhëtarin Esad Pashë Toptani, punonin vetëm për kolltuk e me mbushë xhepat e me ikë jashtë… dhe asnjëherë në histori, për unitetin e Shtetit Shqiptar.
Kolltukomania, dhe perfitimi material personal u shfaq randshëm qyshë në vitin 1920, kur Veriu kërkonte me kambëngulje që për interesat kombëtare të të gjithë Trojeve Shqiptare, Kryeqyteti duhet me kenë Shkodra. Lidhjet e mëshefta me Beogradin nuk kishin si të lejonin një gja të tillë. Kryeqyteti i Shqipnisë për interesat shoveniste të fqinjëve mbet Tirana.
Tirana ishte jo vetem dëshirë e Toptanëve dhe trashigimtarëve të tyne po, edhe e një tjeter surrati turpi në historinë tonë, prej të cilit frymzohej Enver Hoxha, per të cilin shkruen: “Fshatarët kryengritës e zgjodhën Haxhi Qamilin komandant të përgjithshëm…njeriun më të besuar, më trimin, më të vëndosurin, më të thjeshtin…”(E.H. Vepra 23, fq 141.) Ishte ky Haxhi Qamil, që me djegëjen e qelës Don Nikoll Kaçorrit dhe bibliotekës së Tij, kishte afirmue vetën si paraardhës i denjë i Enver Hoxhës, me zanë vend në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, në faqe 886, botim i vitit 1985, në Tiranën e “akademikëve haxhiqamilist” të fundit shek. XX.
Pikrisht, Tiranën e zgjodhën miqtë serbë, të derguem nga shovenisti Tito. Aty u formue ajo parti që u përfaqsonte me pjesën Jugore të Shqipnisë, ndonjë nga Shqipnia e mesme dhe nga Shkodra me një përfaqsues të komunistëve ortodoks Vasil Shanto, kur Shkodra, kishte “vetëm 99 vetë” të atij besimi e kurrë 100, siç flitej nga “historia e luftës” e fshatit Vrakë, po kurrë, nga ajo e Shkodres, që erdhi tue u përforcua nga lakmia bolshevike për pushtet absolut me çdo kusht. Lakmia e PKSh kryesisht me jugorët korçarë shkaktoi një perçarje të papame mes tyne. Elementi komunist i grupit Zef Malës u konsiderue i pavlefshëm për lëvizjen nacional çlirimtare, aqsa bashkpunëtorët jo katolikë të grupit të tij verior tue përfshi edhe Vasil Shanton e Qemal Stafen që kishte studjue në gjimnazin e Shkodrës, jo vetem, u tradhëtuen po, dhe u vranë mbrenda dy vjetësh…ndonse, edhe kjo nuk i ka ra në sy ende “studjuesve” tanë të “historisë së partisë komuniste”. Nuk duhet ti “fajsojmë”, mbasi lëvizja Nacional-Çlirimtare kje vetëm Vllavrasje!
Si mund të formohej një parti komuniste pa prani të njenit prej kryetarve ma të vjeter dhe ma të kulturuem të një grupi komunist që ishte që në 1936, në qytetin ma të randsishëm të Shqipnisë Veriore, në Shkoder..? Ja edhe një fakt antishkodranë: Në vitin 1942, në shtëpinë e komunistit Jordan Misja në Shkoder, u zhvillue lufta kundër fashistave. Aty u rrethuen tre komunistë Jordani, Branko Kadija e Perlat Rexhepi. Branko Kadija dhe Perlati u shpallën heronjë, ndëra, Jordani, të cilit iu dogj shtëpia dhe u var në litar, u shpallë dëshmor…
“Historia” e Shqipnisë dhe e luftës partizane, asnjëherë nuk ka shkrue asgja në libra për luftën nacinal – çlirimtare ndër krahinat nga Kosova, Hoti, Gruda, Tivari, Maqedonia, Vorio – Epiri, Çamëria edhe pse brigadat tona partizane kaluen në Veri për çlirimin e tokave tona…dhe, si ndodhi lanja “përjetsisht” nën zgjedhën sllave të Popullit Shqiptar në Kosovë, Hot, Grudë etj. Këto ishin krahina të shituna prej Enver Hoxhës, per hir kolltuku e vllavrasje, i cili, me 1 korrik 1946 u dekorue në Beograd nga vetë “shoku” Tito, “Hero i Popujve të Jugosllavisë”
Në dukjen fallco të Konferencës së Pezës, komunistët iu kushtuen plotësisht çeshtjes së çlirimit nga okupatori në bashkpunim me grupet tjera antifashiste dhe me hipokrizi u bashkuen komunistë e nacionalistë. Atje u gjet Mustafa Gjinishi, Enver Hoxha, Ymer Dishnica, Myslim Peza, Kristo Thëmelko, Gjin Marku, etj., që përfaqsonin komunistët. Ndërsa, me Ndoc Çoben, morën pjesë delegatët e të tri rrymave: Ballistët, Zogistët dhe Nacionalistët, të përfaqsuem nga Skender Muço, Ramazan Jarani, Halim Begeja, Abaz Kupi, që bashkpunoi me komunistë deri në konferencën e Labinoti (1943), etj. Fëtyra e vërtetë e komunistëve në sherbim të Titos, doli e kjartë mbas Konferencës së Mukjes me 1 Gusht 1943., kohë në të cilën “nacional – çlirimtarët” bolshevikë fillojnë haptas Luftën Civile, kunder Shqiptarëve që luftonin per Lirinë e Atdheut kryesisht, në Jugun e vendit. Këta Shqiptarë asht shumë e vërtetë se e donin Atdheun, po nuk pranonin bashkpunimin me sllavo komunistët e druzhe Titos, prandej, jo vetëm, u vranë dhe u masakruen nga bandat e Enver Hoxhës, Mugoshës dhe Popoviqit, po u shuen me fise, fshatra e vendstrehime ku, Lufta Civile barbare ende nuk asht e shkrueme nga historianët mashtrues.
Mbi parimin bazë u përbetuen për Flamurin: “Pa dallim feje krahine dhe ideje”. Me këte motiv u ba edhe marrëveshja e Mukjes, nga palët pjesmarrëse. Sikur, komunistët shqiptarë të banin përjashtim nga “morali komunist” i njohun per pabesi, vrasje dhe tradhëti mbas shpine, dhe t’u qendronin besnikë parimeve të Pezës dhe të Mukjes, domethanë, sikur të mos e kishin uzurpue udhëheqjen e përbashkët të Frontit Nacional-Çlirimtar Enver Hoxha me Mugoshat e Popoviqët shovenistë sllav të Titos, ku ishin prezent: Balli Kombtar, Legaliteti dhe Nacionalistët, fitorja vertetë do të ishte kombëtare, pluralizmi e demokracia do të ishte vendosë që gjatë Luftës, humbjet në njerëz dhe material do të ishin fare të vogla, dhe mbas çlirimit do të ishte vendosë një demokraci me na e pasë zili edhe fqinjët “dashamirës” si dhe shumë shtete tjera. Po ashtu, dhe progresi i gjithëanshëm i vendit do të kishte avancue në mënyrë të pandalshme. Në ata kushte Enver Hoxha me bolshevikët e vet, nuk do të mundnin të tradhëtonin çeshtjen kombtare tue i shitë Trojet tona, vetëm për me sigurue kolltukët e pushtetit. Ishte shansi i parë në Histori kur fati i Tokave tona Shqiptare do të ishte në dorën e vetë Shqiptarve, mbasi në Trojet Shqiptare kur ishin okupue nga fashistët dhe nazistët filloi administrimi nacional dhe pothuej, në të gjitha fshatrat kryesore u hapën edhe 250 shkollat Shqipe me mësues nga Shqipnia, tue lanë në një anë administratat e tyne në të gjitha zyret shtetnore po me nëpunës Shqiptar. Shqipnia ishte i vetmi vend në Europë që administronte lirisht monedhën e vet kombtare. Rruga e sigurtë e çifutëve per të shpetue jetën nga nazistët ishte Shqipnia dhe Kosova e bashkueme me ne. Rregjenca e Shqipnisë vazhdoi rrugen e shpëtimit të çifutëve, fillue nga Mustafa Kruja e vazhdue nga At A. Harapi, por këte fakt, sot fallsifikatorët e “’fillojnë me kohën e Ahmet Zogut”, kur Hitleri, i kerkoi në vitin 1933, “vendosjen e çifutëve në Shqipni, per mëkamjen e ekonomisë shqiptare me bankat e kapitalet e tyne, përballë varfnisë vendëve fqinjë sllave…”. Fatkeqsisht, u vjen turp me tregue injorancën e Ahmet Zogut, i cili iu përgjegjë kështu: “Shqipnia asht një vend me shumicë të madhe myslimanësh, dhe nuk mund të pranoj çifutët këtu, se kështu, do të humbi sundimin…”
Edhe mosbashkpunimi i çifutëve me komunistët “antinazistë”… e ka domethanjen e vet!..
Gjithshka dhe gjithmonë… në Shqipni lidhej me uzurpuesit e fronit… Po kush ishin tek né uzurpatorët dhe si e fituen marrjen e pushtetit pikrisht antishqiptarët e “betuar”?
Interesat e komunistëve tanë u përputhën me ata të komunistëve jugosllavë, bullgarë e shovenistëve grek, të cilët komandoheshin nga Moska dhe Londra, kështu, ata gjetën strehën e tyne të tradhëtisë tek antishqiptarët bolshevikë komunistë tek né, të cilët, ishin të lidhun me interesat e Aleatëve në Ballkan, prandej dhe katastrofa e jonë kombëtare kjé e paevitueshme…
●Anglezi A.Glen, shkruen: “Ato që i përcaktuan ngjarjet kanë qenë armët, të cilat iu dhanë Enver Hoxhës, e partizanëve… Né bëmë shumë pak me ua shpërblye besnikrinë miqëve tanë (nacionalistëve e Abaz Kupit). Në vend të kësaj, pa qenë nevoja né lejuam që ata të mundëshin dhe disa të tradhëtoheshin.” (“Albania’s National Liberation Struggle” fq. 363)
*N evijim te ciklit: Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…
Melbourne, Nandor 2014. Vazhdon Pjesa III…