-Zëvendëskryeministri Hoxhaj takon krerët shtetërorë në Tiranë, së shpejti pa dogana mes dy vendeve/
-Promovim i librit “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, i diplomatit shqiptar Shaban Murati/
TIRANË, 18 Tetor 2018-Gazeta DIELLI/
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, me ç’rast ka takuar presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryeministrin Edi Rama dhe ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.
Në këto takime është folur për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, bashkëpunimin në disa tema kyçe me interes për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka falënderuar Shqipërinë për mbështetje në forcimin e shtetësisë së Kosovës dhe subjektivitetit ndërkombëtar.
“Sot pata takime të mira me krerët shtetëror në Shqipëri ku folëm për bashkëpunimin e mirë të dy vendeve. Kosova çdo herë e ka pasur derën e hapur në Shqipëri dhe ne jemi falënderues për mbështetjen e Shqipërisë në forcimin e shtetësisë së Kosovës. Në këto takime folëm konkretisht edhe për temat më specifike që duhet të adresohen në javët e ardhshme, por edhe tema tjera të koordinimit të shteteve tona në rajon dhe botë. Një nga temat ku u dakorduam se ka vullnet të ecet përpara mes dy qeverive tona është heqja e doganave në një të ardhme jo të largët”, tha zëvendëskryeministri Hoxhaj.
Po ashtu zëvendëskryeministri Hoxhaj ka marrë pjesë edhe në promovimin e librit të diplomatit shqiptar, Shaban Murati, me titull “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”./b.j/