Shkruan:Eugen SHEHU/
Në historinë e popujve të Ballkanit,ç’prej shekujsh,është endur një mjergull e dendur, e palarguar, e ftohtë dhe pothuajse e papërballueshme ndaj kërkimeve të së vërtetës.U duk se diçka do të mund të rregullohej në fillim të shekullit të njëzetë por nga Londra,me mjergull nuk mund të vinte kurrë diell për shqiptarët.Si për inat,kufijtë e vendosur në Londër,i lanë po ashtu edhe internacionalistët proletarë jugosllav (përndryshe vëllezërit serb të komunistëve shqiptarë).E tash në mijëvjeçarin e ri, kur mjergulla ballkanike ka filluar të largohet,pak nga pak po zbulohet kujtimi i atyre burrave shqiptarë që e deshën diellin e këtyre trojeve duke dhënë edhe jetën e tyre.Si rrallëkund në botë, në maqedoninë shqiptare,ku era e lirisë nuk vonon të bredhë,po ringrihen nga toka e shenjtë ata burra trima,që dikur u varrosën në errësirë,u lanë pa varre,apo u zhdukën pa një gur tek varri.
Emri i Kadri Efendi Saliut,tashmë ka nisur të përmendet me respekt jo vetëm në Gostivar,por në krejt trevat arbërore të maqedonisë shqiptare.Larg epiteteve të dikurshme,larg asaj balte të hedhur padrejtësisht nga diktatura serbo-sllavomaqedonase,figura e këtij atdhetari tashmë ndriçon ndershmëri dhe shpresë.Lindi në qytetin e Gostivarit,në vitin e largët 1886.Familja e tij kish bërë emër për burrëri dhe shqiptarizëm Brez pas Brezi,ndonëse patën lidhje të shumta me Turqinë,ata ishin dhe mbetën bij të denjë të shqiptarizmës.Fëmijëria e Kadri Saliut,natyrisht që nuk do të kalonte e qetë.Dihet se pas shpërndarjes me dhunë të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit,Porta e Lartë u përpoq me çdo mjet,të shuante qoftë më të voglën ndjenjë nacionale të shqiptarëve.Vetë Dervish Pasha,në informacionin që i dërgonte Stambollit,parashihte dhjetra e dhjetra masa shtërnguese në Sanxhakun e Shkupit,i cili në pjesën më të madhe të tij banohej nga shqiptarët.Burimet osmane na bëjnë me dije gjithashtu se një varg reformash shtërnguese janë marrë edhe për qytetet e tjera të këtij sanxhaku siç ishin Tetova,Gostivari,Manastiri dhe Struga.Kësisoj që në fëmijërinë e vet,Kadri Saliu do të ndjente në shpirt peshën e urryer të sundimit.Ai ndërsa shkonte në shkollën fillore të qytetit (ku mësime zhvillohej turqisht) mbushej me dëshprim ngase nuk kish mundësi të fliste dhe të shkruante gjuhën e bukur që ia pat folur nëna e babai i vet.Që në klasat e shkollës fillore e ndjeu pabarazinë e madhe më të cilën përpiqej të ushtronte pushtetin e vet nata e gjatë osmane.
Pas mabrimit të shkollës fillore në Gostivar,shkon në Shkup ku ulet sërish në bangat e shkollës.Është tepër kurajoz të hyje në të fshehtat e dijes ndërsa pak interesohet për mësimet e fesë.Por dallohet edhe për një shpirt tejet të ndjeshëm.Në shkollë kish bullgar,turq,serb e sllavomaqedonas,Kadri Saliun e donin dhe respektonin të gjithë ngase i urrente inatet e kota racore e për më tej,përpiqej të mbillte kurdoherë farën e nderit dhe respektit.Familja e Kadriut në fillim të shekullit të njëzetë,pos shqiptarizmës së tarshëguar,përmendej edhe për pasuritë e saj.Prindërit e Kadriut dinin të mbanin një ekonomi të rregullt,me ç’rast edhe birin do ta dërgonin për të studiuar në Stamboll.Sigurisht,në fillim të vitit 1900 atëherë kur Kadriu i ri,shkoi në Stamboll,ai do të përballej me një qytet përrallor,po të kemi parasysh Gostivarin,pa drita,pa rrugë,me shumë brenga dhe uri.Por përballja me metropolin nuk do ta çudiste aspak Kadriun 15 vjeçar i cili me një turqishte të bukur vazhdon mësimet në një prej gjimnazeve të Stambollit.Më pas,falë natyrës së qetë të tij, si edhe mosdurimit ndaj padrejtësive që mund t’i bëheshin gjithkujt,Kadri Saliu hyn të studiojë në Universitet në degën e drejtësisë.Ndër të parët shqiptar që gjen aty,është pikërisht Hoxh Kadria i cili po fitonte emër si avokat tejet i zoti në Stamboll.Me Hoxh Kadrinë (më pas udhëheqës i Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës) do të mblidhej netëve duke diskutuar më së shumti rreth ngjarjeve që lidheshin me trojet shqiptare.Madje ata të takoheshin edhe me Ibrahim Temon,Dervish Himën ,Shahin Kolonjën e dhjetra shqiptarë të tjerë,duke ndikuar sadopak në zgjimin e vetëdijes sonë kombëtare.Në vitet 1907 – 1908,pas mbarimit të universitetit për drejtësi,Kadri Saliu emërohet në një prej zyrave të avokatisë së Stambollit.Ai do të jetë tepër kërkues ndaj zbatimit të ligjeve të asaj kohe,por duke respektuar në maksimum të drejtat elementare të njeriut.Për këtë,shpesh herë,kishte bërë debate të zgjatura edhe në mjaft gjyqe ku përballej me mediokritetin dhe prirjet për rryshfet të administratës osmane.Dalëngadalë,shumë njerëz në Stamboll,nisen të binden se nëse duan të kërkojnë drejtësi,papaguar rryshfete,duhet t’i drejtohen avokatit shqiptar Kadri Saliut.
Shkallët e hierarkisë në jurispondencë osmane,nuk e penguan askurrë Kadri Saliun,që të mbante lidhje me bashkëkombasit e vet.Nëpërmjet atdhetarëve të Maqedonisë shqiptare,ai njihet me veprimtarinë e Nijazi Resnjës,të Qamil Shkupit etj,dhe bën me dije qarqet shqiptare në Stamboll se çdo veprim i kryer nga çetat e tyre,ka në themel idetë e një lëvizjeje kombëtare për autonominë shqiptare.Del në mënyrë të hapur në mbrojtje të ideve të atdhetarëve shqiptarë për autonominë e vilajeteve shqiptare.
Në fillim të vitit 1912,Kadri Efendi Saliu vjen në Gostivar.Ai pritet me respekt nga paria e qytetit dhe nga patriotë të tjerë të Shkupit,Tetovës e Gostivarit.Ndonëse ende nuk ishte shkëputur nga administrata e Stambollit,Kadri Saliu ndërmerr në vendlindje një varg veprimtarish atdhetare që kishin të bënin me zgjimin e vetëdijes kombëtare nacionale.Mbase nuk duhet të harrojmë se shtypi evropian i kohës,duke iu referuar një gazete ruse,pat denoncuar se ; “Është vrejtur një artikull… i cili lajmëron se Serbija dhe Bullgaria kanë nënshkruar një traktat para dy muajve për ndarjen e Maqedonisë sipas një vije që kalon kah pika e kufirit serbo-bullgar dhe shpie në liqenin e Ohrit”.(Gazeta “Le Temps “ 6 qershor 1912 ).
Sipas pazareve diplomatike që u bënë të njohur më vonë,Serbia i njihte Bullgarisë të drejtën mbi të gjitha territoret që përfshiheshin prej Rodopove,deri në rrjedhën e fundme të lumit Struma.Ndërsa nga ana e tyre,Bullgaria i njihte Serbisë,të gjitha territoret që shtriheshin deri në veri dhe perëndim të malit të Sharrit.Në të dyja momentet,nuk merrej parasysh asnjë e drejtë e shqiptarëve të këtyre trevave,duke formuar kështu coptimin e mëtejshëm të Shqipërisë,pas traktatit të Shën Stefanit. Kundër kësaj ngjarjeje që donte të tjetërsonte kufijtë natyror të shqiptarëve,u ngritën atdhetarët e Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare të cilët me anë të protestave të shumta,si edhe peticioneve dërguar Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha,i bënin me dije këto se nuk do të rreshtnin së luftuari edhe me armë në dorë.Ndër këto protesta,në Shkup,Tetovë e Gostivar,ka qenë në mjaft raste i pranishëm edhe Kadri Efendi Saliu.Për më tej,me elokuencën e tij të folur dhe të shkruar me turqishten e rrjedhshme,vetë biri i Gostivarit do t’i drejtohej edhe administratës së lartë të gjyqësorit osman,duke i kërkuar barazi të shqiptarëve me fqinjët,sidomos në pikëpamje të territoreve. Ministri rus i jashtëm Sazanov,sipas historianit .R.Poinkare,në librin “Les Ballkans enFeu” – Paris 1926, taman në këtë vorbull të trazuar ngjarjesh u ka telegrafuar ambasadorëve rus në Londër dhe Paris,në mënyrë tekstuale ; “Një aleancë serbo-bullgare është nënshkruar,me qëllim të mbrojtjes reciproke dhe të përkrahjes së interesave të dyanshme,në rastin e ndonjë modifikimi të statucuos në Ballkan”.
Dhe pikërisht ishin atdhetarët shqiptarë që e denoncuan këtë marrëveshje e për më tej nisën organizimin e plotë,mbarëkombëtar të lëvizjes për pavarsinë e plotë të Shqipërisë.Prej Shkupi e deri në Strugë e Manastir,u vendosën lidhje të fuqishme me lëvizjen në Kosovë,pa lënë menjanë kontaktet me diplomatë e politikanë të huaj.
Pas vitit 1912 e deri në fillim të viteve 20-të,Kadri Efendi Saliu kryen funksionin e avokatit si edhe merret me administrimin e pasurisë së tij.Natyrisht në vitet 1913-1915,ai do të përballej me dhunën e egër serbo-sllavomaqedonase e cila përfshiu krejt Maqedoninë shqiptare e cila me vendim arbitrar të konferencës së Londrës,u la jashtë kufijve të shtetit amë.Disa kohë ai shkon në Stamboll duke realizuar njëherësh edhe detyrimet ndaj bashkëkombasve të vet (marrjen shpesh herë në mbrojtje të shqiptarëve me banim në Turqi) por edhe detyrimet personale për përparimin e njohurive.Në këtë rrafsh,mendoi se vlen të ndriçohen sidomos përpjekjet e mëdha të Kadri Saliut lidhur me të drejtat e banorëve të Maqedonisë shqiptare të cilët në mënyrë arbitrare dërgoheshin të popullonin viset e shkreta të Azisë,duke lënë në duar të serbëve dhe sllavomaqedonasve tokat më të mira të tyre. Sidoqoftë unë mendoj se figura e gostivarasit Kadri Efendi Saliu,vlen të shihet kurdoherë në fokusin e ngjarjeve madhore të viteve 1941-1945,atëherë kur shqiptarët si komb,jetuan shpresat e mëdha dhe zhgënjimet po kaq të mëdha.Me sulmin e Gjermanisë ndaj Jugosllavisë Versajase,natyrisht do të lindnin orekse të reja,me ç’rast edhe konflikte të reja.E vërteta është se Gjermania qoftë në bisedimet e Vjenës (ku merrte pjesë Italia) qoftë në mënyrë praktike,mbronte tërësisht politikën bullgare ngase vet Bullgaria ishte vendosur vullnetarisht në krah të Bllokut fashist. Kështu që bisedimet e Vjenës më 21-22 prill 1941,në bazë të marrëveshjes të firmosur nga Gjermania,Italia dhe Bullgaria,kësaj të fundit iu njoh e drejta që të kishte nën juridiksionin e vet,Kaçanikun,Preshevën,Kumanovën,Shkupin,Tetovën,Gostivarin deri në Ohër,me ç’rast këto territore,në masën më të shumtë banoheshin prej shqiptarëve.Vetë pushtuesi i egër bullgar,territoret të cilat aneksoi pa të drejtë,i ndau në dy zona administrative,ate të Shkupit dhe Manastirit.
Pushteti i hekurt me të cilin sundonte Bullgaria,bënë që të rritej revolta e shqiptarëve e cila e drejtuar prej nacionalistëve të shquar Xhem Gostivari,Mefail Zajazi,Faik Debovjani,Murat Labunishta etj,ka shënuar në këto vite edhe disa aksione të sukseshme ushtarake.Kulmi i revoltave shqiptare,arriti në gushtin e vitit 1942 kur pushtuesit ushtarak bullgar nxuarrën urdhërin paradoksal që shqiptarët e rretheve të Shkupit e Manastirit,”të rishikojnë origjinën e tyre,përndryshe do të cilësoheshin të huaj,do të largohen prej tokave të tyre” .( Arkivi Qendror i shtetit , Tiranë. Fondi 279,dosja 479 , fleta 53 ).
“Rishikimi i origjinës” në thelb ishte, thirrje që banorët autoktone të maqedonisë shqiptare,të mohonin kombësinë e tyre,duke u shkruar si bullgarë për t’i shpëtuar shpërnguljeve të mëdha me dhunë,kjo sidomos ndaj shqiptarëve të besimit ortodoks.Kundër kësaj vepre për gjymtimin tonë etnik,u ngrit i pari Kadri efendi Saliu,i ndjekur nga nacionalistë të tjerë trima.Të dhëna burimore flasin për ate,që Kadri Efendiu,pushtuesit bullgar e thirrën në Shkup duke i propozuar edhe shuma të mëdha parash,por përgjigjja e birit të Gostivarit pat qenë tejet e prerë.Për më tej,pasi u kthye nga Shkupi,së bashku me disa gostivaras të tjerë,Kadri Efendiu bëri propagandë të madhe në popull për mos t’u frikësuar prej kërcënimeve bullgare.Në marsin e vitit 1942,me idenë e krijimit të Komisarjatit Civil për viset e Lirueme shqiptare,u ndie nevoja e ngritjes së Këshillit të Epërt me përfaqsues të atdhetarëve nga krejt viset etnike shqiptare.Duke përfituar nga koniukturat politike dhe ushtarake të krijuara,atdhetarët tanë ngarendën të realizojnë ëndrrën shumë shekullore të shqiptarëve,bashkimin e kufijve natyrorë të trojeve arbërore.Shtypi i kohës,lidhur me organizimin e Këshillit të Epërt do të shkruante se qëllimi i tij kryesor ishte pikërisht realizimi i ëndrrës së Shqipërisë Etnike.Pasi u bë e qartë se cilët do të ishin kufijtë : “Këshilli i Epërt me brohorima të flakta,pranon dekretin e caktimit të kufijve.Pas bisedës së këshilltarit Asllan Boletini,relator i komisionit shqyrtues,i cili naltesoi rendësinë e dokumentit historik,qe i ka dhënë drejtësi kombit,Dekreti u pranue me broheritje.Nëni 1 : Tokat,kufijtë e të cilëve jantë të caktueme në kartën bashkangjitur,të vizatueme në Urdhnin tonë prej Ministrit proponues,bajnë pjesë integrante në Mbretërinë shqiptare “.( Gazeta “ Kosova “ 29 mars 1942 ).
Më pas,në ditët që erdhën,me votime të rregullta e një frymë të thellë miqësie,Këshilli i Epërt,zgjodhi edhe antarët e tij, ; “Të mbledhunit sot janë denjësisht përfaqsues të viseve të tyne.Ata kanë kontribue e kontribojnë për realizimin e andrrës shekullore të Shqypnis Etnike.Me dekret mëkëmbësuer,datë 18 prill 1942,në bazë të ligjit numër 358,datë 12 korrik 1940,të poshtëshënuarit emërohen Antarë të këshillit Qendrues t’ekonomisë Korporative… Shaqir Preza,Hamdi Kerçiku, Shefik Kondi,Xhemal Belegu,Jakov Deliana,Beqir Rusi,Ibrahim Biçaku,Hilmi Dakli,Kadri Myftiu… Kadri Saliu,Halil Alia,Haki Mulleti,Mentor Çoku,Fuad Dibra…”. ( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë. Fondi Mëkëmbësia e Përgjithshme, fleta 209 ).
Ndihmesa e madhe që Kadri efendi Saliu,i dha këshillit të Epërt,mendoj se duhet parë në dy plane.Së pari në planin teorik,në rastin kur ai ka mbajtur ligjërisht kufijtë natyrorë të Shqipërisë,të coptuar padrejtësisht në Londër.Duke analizuar së thelli shkaqet e këtij coptimi,Kadri Saliu,në fjalët e pjekura të tij,u bëri thirrje krejt antarëve të Këshillit të Epërt,të luftonin me mish e më shpirt,për të realizuar aspiratën e popullit çka donte të ishte i bashkuar.Për më tej,ai dijti me argumenta të shumta të jurispondencës,të reflektojë edhe ndaj qarqeve bullgaromëdha.
Së dyti,ngase gëzonte reputacion si jurist,ai u caktua edhe në komisionin e ligjeve me ç’rast dha kontributin e vet të vyer.”Komisioni Legjislativ i Drejtësisë asht i perbanum ;Dhimitër Kacimbra,Milto Goxhomani,Hilmi Dokli,Emin Toro,Sokol Dobroshi,Kristaq Strati,Sabri Qyteza, Mexhit Asllani,Qazim Bllaca,Kadri Saliu”( Fletorja Zyrtare shqiptare, viti 1942 ).
Në këtë komision,pos të tjerave,Kadri Efendi Saliu,do të jepte kontributin e çmuar për përpilimin e ligjeve me të drejtat qytetare të bashkëkombasve të vet.
Në fund të vitit 1943,atëherë kur Italia kapitulloi,rezistenca e shqiptarëve kundër okupatorit,ishte mjaft e shtrirë në pothuaj krejt trevat tona.Veçanërisht në prefekturën e Dibrës,ky rajon shtrihej prej Gostivarit në Kërçovë,Mavrovë e deri në gushticë të Botumit,çetat luftarake të nacionalistëve të këtyre trevave,patën organizuar operacione të sukseshme luftarake.Pikërisht në këto momente,vlen të organizohej një orë e më parë pushteti i shqiptarëve të cilët ishin pothuaj të sfilitur e dhunuar prej bullgaromdhenjëve.Emërimi i Kadri Saliut,në detyrën e kryetarit të Bashkisë së Gostivarit,u prit me mjaft entuziazëm jo vetëm në masën e madhe të shqiptarëve,por edhe prej pakicave të tjera sllavomaqedonase,turke,vllehe e rome.Me përkushtimin që e karakterizonte,ndonëse i shkuar në moshë,Kadri Efendi Saliu do të organizonte më së miri pushtetin vendor,duke evendosur ate në parametra plotësisht ligjore.Në bashkinë e Gostivarit,për aq kohë,funksionoi më së miri shqiptarizma pa cenuar aspak fqinjësinë e mirë të shqiptarëve.Kadri Efendiu askurrë nuk mendonte për revansh ndaj maqedonasvesllav,megjithëse shumë prej tyre patën diskriminuar gostivarasit.Ai kurdoherë gjykonte qetësisht situatat dhe parapëlqente t’u jepte të drejta,diçka më shumë,atyre që nuk ishin shqiptarë.Në shoqërinë e prefektit të Gostivarit Xhevat Kallajxhiu,si edhe të komandantit të forcave të Ballit, Xhem Gostivarit,Kadri Efendi Saliu do të luftonte gjithashtu në mënyrë të hapur kundër komunizmit.Pikërisht atëherë,kur mori vesh për krijimin e aradhave komuniste,në Maqedoninë shqiptare,me nismën e vet ai organizoi një tubim të krejt popullit të Gostivarit me rrethina.”Në mbledhjen e Gostivarit,ishin të pranishëm edhe persona me arësim të lartë dhe superiore si edhe njerëz të dalluar në jetën politike.Ndër ta ishte edhe juristi Kadri Saliu,kryetar i Bashkisë,për të cilin pohonte se ka thënë ; “Dëgjoni burra ! Të mendojmë dhe kuvendojmë për vatan,por edhe din e imam.Sistemi komunist jo vetëm që nuk na e siguron këtë,por na shkakton edhe dëm.Po të mendojmë për të kaluarën duhet të mbajmë llogari që të mos të na përsëritet historia”.
( B.Begzati “ Xhemë Hasa – ushtarak demokrat “ faqe 41 ).
Në kuvendin e Gostivarit u vendos që të forcohej pushteti vendor i shqiptarëve,nëpërmjet një disipline të çeliktë në formacionet nacionaliste,u ngrit gjyqi ushtarak i cili do të vepronte mbi këto që shkelte parimet e bashkëjetesës,si edhe mbrohej popullsia sllavomaqedonase duke mos i keqtrajtuar për t’i shpërngulur.Nga kuvendi në fjalë,u lexua edhe një rezolutë,ku bëhej me dije komanda e lartë gjermane në Prishtinë që në këto troje,pushteti i shqiptarëve ishte i gjithfuqishëm dhe ata do të kontrollonin vetë çdo lloj organizimi të mbrendshëm.Më pas kuvendi historik i Gostivarit,caktoi udhëheqësit e njësive operative ushtarake me ç’rast mund të citojmë ; Zaim Simnica,Mefail Zajazi,Shefket Presheva,Mere Sermnova,Izet Gjonovica,Ibrahim Tërnova etj. E vërteta është se gjatë vitit 1944,Kadri Efendi Saliu,u detyrua të përballet me ngjarje të shumta dhe tejet të koklavitura.Por duke vënë në plan të parë,ligjin dhe pjekurinë,ai bëri ç’ishte e mundur për normalizimin e jetës së gostivarasve.Ka ende njerëz që kujtojnë se në motin 1944,u çel shkolla shqipe jo vetëm në qytet por edhe në fshatra.Librat shqip të ardhur nga Tirana mbushnin dyqanet dhe shtëpitë e Gostivarasve ndërsa kënga shqipe këndohej pa frikë në odat e mëdha të fshatrave dhe qytetit.Gostivarasit ndërkaq nuk kanë harruar se pas kaq shekujsh robërie,për të parën herë qëndroi aq gjatë,flamuri ynë kombëtar,në ballë të Bashkisë,Prefekturës,shkollave si edhe garnizoneve të ushtrisë.Mendoj se ende sot,në Gostivar,nuk kanë arritur të kuptojnë bashkëkombasit e mij,të qenurit i lirë,në vendin tënd,të qenurit krenar,në krenarinë e përgjithshme njerzore.
E ndërsa lavdia e RAIHUT të TRETË po perendonte,aradhat nacionaliste dhe ato partizane të serbo-sllavomaqedonasve,patën ndërtuar strategjinë e tyre të dhunës ndaj popullit shqiptar.Shtabi i lartë ushtarak sllavomaqedonas,në tetorin e viti 1944,nuk nguroi të dilte hapur,në planet shovene të tij.Kështu,në një material të shtabit të Divizionit të Kumanovës,duke bërë fjalë për masakrimet që u bëheshin banorëve në Maqedoninë shqiptare,pos të tejrave thuhet ;”Kemi urdhëruar me i vra 50 përqind të shqiptarëve”.( Arkivi i Maqedonisë, Shkup. Dosja 3313 .Urdhër i Shtabit të Divizionit të Kumanovës 3-X-1944 ).
Edhe përballë gjakderdhjes që po bënin serbo-sllavomaqedonasit,Kadri Efendi Saliu nuk u tremb.Ai dijti të orientohej drejt çdo situate duke u mbështetur fuqimisht tek Xhem Gostivari e trimat e tjerë,të këtyre viseve.Kështu,deri në nëndorin e vitit 1944,atëhrë kur aradhat e nacionaçlirimtarëve shqiptarë e sllavomaqedonas,marrshuan nëpër maqedoninë shqiptare duke vendosur pushtetin e tyre bollshevik,ç’prej kësaj dite Kadri Saliu u shkëput nga jeta politike për të vazhduar veprimtarinë në drejtësi,duke menduar se kish bërë gjithshka për popullin e Gostivarit e më gjërë.
Por pa kaluar ende tri javë,në fundjanarin e vitit 1945, e arrestojnë në mesnatë,përmes sharjeve e fyerjeve,duke marrë zvarrë në sy të vajzave e djalit të tij.OZNA jugosllave me qendër në Beograd e Shkup,nuk mund t’ia falte Kadri Saliut,ate pushtet shqiptar për të zhdukur çdo gjurmë të nacionalizmit shqiptar,shpalosej hapur.Paradoksi qëndron në faktin që këtë strategji e mbështeste edhe klika komuniste e Tiarnës.Kështu shtypi shqiptar i atyre ditëve,duke bërë jehonë vizitës së Nexhat Agollit(nënkryeministër i Maqedonisë Federative) është shprehur tekstualisht : “Që të forcohet vëllazërimi ynë,thotë shoku nexhat Agolli,populli i Maqedonisë dhe pakicat shqiptare kanë vendosur të shfarosin rrënjësisht ngatërresat shoveniste dhe kriminelët e luftës”.(Gazeta “Bashkimi” më datë 14 shkurt 1945 ).
Me siguri burri trim i Gostivarit,udhëheqësi dhe juristi i sprovuar në rrafsh të ideve të Shqipërisë etnike,hynte në radhët e “ngatërresarëve shovenistë”.Fshehur familjes,fshehur shokëve,natën më 21 shkurt të vitit 1945,Kadri Saliu diku pushkatohet nga OZNA kriminale pa gjyq.Ata i njihnin aftësitë e tij juridike dhe intelektuale ndaj i trembeshin gjyqeve,sidoqë mund t’i montonin.Gjaku i pafajshëm i Kadri Efendi Saliut,është bashkuar me gurgullimën e mijëra heronjëve nacionalist të Shqipërisë Etnike,që nuk u dihet ende varri,por shpirti i tyre përcjell mesazhe lirie nga e sotmja në të nesërmen.Amanetet gjithmonë rinë të freskëta.
Bern-Zvicër