-Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli në Takimin të përbashkët të ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor me drejtues të lartë të Komisionit Europian dhe Britanisë së Madhe në Sarajevë. “Shtetësia e Kosovës është punë e kryer”, i tha ai ministrit të punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç/
Nga Behlul Jashari/
SARAJEVË, 16 Mars 2018-Gazeta DIELLI/ Shtetësia e Kosovës është punë e kryer, i tha sot ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ministrit të Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiç
Kryediplomati Kosovar foli në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës, Sarajevë, ku nisi takimi i përbashkët i ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor me drejtues të lartë të Komisionit Europian dhe Britanisë së madhe në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Iniciativës së Triestes, dy instrumenta nxitës të afrimit të këtyre vendeve me Bashkimin Europian.
Në fillim të fjalës së vet, ministri i Jashtëm dhe numri dy i qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, pati disa fjalë keqardhjeje për përpjekjet e Bosnjës për të përjashtuar Kosovën nga ky aktivitet.Duke ju përgjigjur ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili vuri në diskutim pjesëmarrjen e Kosovës në Sofie, në takimin e ardhshëm organizuar nga Bulgaria, Pacolli tha: “Shtetësia e Kosovës është diçka e kryer. Ne do të jemi bashkë në Sofie, si gjithë shtetet e tjerë të Ballkanit dhe të Bashkimit Europian”.Më pas, ministri Pacolli foli për implikimet e Strategjisë së Zgjerimit të Bashkimit Europian në veprimtarinë e qeverisë së Kosovës, brenda vendit dhe në marrëdhëniet me rajonin dhe BE-në.
Ministri Pacolli nënvizoi faktin se Strategjia e konfirmoi anëtarësimin e sigurt në të ardhmen e afërt të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, diçka që tashmë u bë e qartë edhe për Serbinë.“Ne mbetemi të angazhuar fuqimisht në procesin e integrimit europian, zbatimin e marrëveshjes së Asocim Stabilizimit, ashtu si dhe në Dialogun e Lehtësuar prej BE- për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që duhet të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht detyruese për të dy palët”, tha ministri Pacolli.“Po rrisim bashkëpunimin me të gjithë fqinjët, madje dhe me Greqinë që e mbështet integrimin tonë europian”, vijoi ai.
Duke ju referuar Procesit të Berlinit, iniciativë e Bashkimit Europian për të nxitur bashkëpunimin ekonomik, infrastrukturor, etj, midis vendeve të Ballkanit, shefi i diplomacisë kosovare propozoi krijimin e një Zone të Lirë Ekonomike ndërkufitare midis Veriut të Kosovës dhe Jugut të Serbisë, si një veprim asimetrik, që do të sillte zhvillim ekonomik, do të normalizonte marrëdhëniet ndëretnike dhe do të relativizonte rëndësinë e kufijve.
Duke ju referuar Zonës së Përbashkët Ekonomike në rajon, Pacolli tha se e mirëkuptonte qasjen e Bashkimit Europian që e shihte këtë Zonë si paradhomën e integrimit.Por, vijoi kryedilomati i Kosovës: “Si të zgjidhim pabarazitë në trajtimin reciprok? Si ta detyrojmë Bosnjën dhe Serbinë që të heqë pengesat për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, dhe kapitaleve në gjithë këtë hapësirë? Si ta detyrojmë Serbinë të zhbllokojë funksionimin e linjës së Interkoneksionit midis Shqipërisë dhe Kosovës, veprim që e kryen për të ruajtur monopolin në shpërndarjen e energjisë në rajon? Si t’i kapërcejmë pabarazitë e krijuara prej pozicionit gjeografik, duke kompensuar ato vende që nuk kanë kufij me BE-në? Na duhet, gjithashtu dhe një instancë arbitrimi për mosmarrëveshjet mes nesh, jo thjesht mbi bazë dypalëshe apo rajonale”, qartësoi ai pozicionin e Kosovës.Duke ju referuar lëvizjes së lirë të qytetarëve në rajon dhe drejt Bashkimit Evropian, Pacolli kërkoi liberalizimin e vizave me BE-në, “sepse Kosova nuk mund të bëhet vrima e zezë e Europës”.Në fund, ministri i Jashtëm i Kosovës ju drejtua ministrit të Jashtëm të Bosnjë Hercegovinës, Igor Crnadak, me shaka: “Duhet ta mbyll shpejt fjalimin, sepse qëndrimi im në Bosnjë është vetëm për dy ditë sipas vizës që më dhatë”.Ministri i jashtëm Pacolli bëri thirrje që të lehtësohen kontaktet midis qytetarëve boshnjakë të Kosovës apo kosovarëve në përgjithësi dhe Bosnjës, në përputhje me frymën e bashkëpunimit rajonal./b.j/