Ne Foto: Kryeministri Pandeli Evangjeli dhe Ministri i Brendshëm Koço Kotta.Tiranë 1928/
Shruan:Eugen Shehu/ Zvicer/
Kur fatet e burrave lidhen me fatet e kombit të cilit i përkasin,atëhere çdo rrahje e zemrës së tyre është një gur themeli në kontinuitetin Etnik të popullit.Për më tej ,kur Brenda kësaj rrahjje ngjizen aspiratat shumshekullore të arbërorëve,nga murgujt e decenieve të shkuara shkundet sakaq pluhuri i harresës duke i lënë gjeneratat të mendohen përballë veprës së tyre.Gjeneratat kurdoherë mendojnë dhe krenohen për veprat atdhetare të paraardhësve të vet.Këtë krenari ata e ndjejnë akoma më të madhe,duke soditur jetën dhe veprën e Pandeli Evangjelit.
Lindi në Korçë,në vitin e largët 1859.Origjina e familjes së tij është në të vërtetë Shalësi i Kolonjës por ngase aty pat qënë shumë i vështirë shkollimi i fëmijëve ,i jati i Pandeliut,Jano,u vendos në qytetin e Korçës.Dihet tanimë se përpjekjet e atdhetarëve shqipëtarë për çeljen e shkollave shqipe,në mesin e shekullit të 19-të nuk kanë munguar askurrë.Por Porta e Lartë,duke ndjekur politikat e veta skllavëruese nuk lejoi çeljen e shkollave shqipe.Për rrjedhojë Pandeli Evangjeli mësimet e para i mori në shkollat greke,të cilat falë propagandës së Patriakanës së Stambollit patën lulëzuar asaj kohe në gjithë Shqipërinë e Jugut.Në pranverën e vitit 1877,Pandeli Evangjeli mbaroi me rezultate tejet të mira gjimnazin dhe ndonëse propaganda helene bënte çmos të çorientonte shqiptarët,falë edhe edukatës familjare,në shpirtin e djaloshit të Shalësit kishte bërë fole shqiptarizma.Menjëherë pas mbarimit të gjimnazit,Pandeliu do të përballej me vështirësitë e jetës ashtu si të gjithë shqiptarët e asaj kohe.Ai e pat kuptuar se për të jetuar në atdheun e vet me nderin dhe dinjitetin e duhur,duhej medoemos të merrte rrugët e kurbetit,të mblidhte pak para për të hapur ndonjë dyqan apo aktivitet tjetër në Korçën e vet të shtrenjtë.Për këtë arsye në vjeshtën e vitit 1878 ai niset për në Rumani,ku gjen përkrahjen e kolonisë shqiptare të vendosur aty më parë.Në sajë të kësaj përkrahje,Pandeli Evangjeli jo vetëm punoi me nder për disa vite me radhë,por iu bashkua pa kursyer asgjë lëvizjes së shqiptarëve të Bukureshtit për pamvarësinë e atdheut të tyre.Çdo ditë që kalonte,e bënte djaloshin e zgjuar të Shalësit më të ndërgjegjshëm për rolin që duhej të luante dhe kontributin që duhej të jepte në shërbim të kombit.
Në vitet 1986-1987,shqiptarët me banim në Bukuresht e rrethina,u organizuan rreth shoqërisë “Dituria”, e cila pati qëllim rritjen e vetëdijes sonë nacionale.Kjo shoqëri,ndonëse me luhatjet e veta nëpër vite,mundi të shtyp mjaft literaturë në gjuhë shqipe,të shpërndajë atë anekend trojeve tanë etnikë e mbi të gjitha të shndërrohet në pararendëse të ideve autonomiste shqiptare.Në janar të vitit 1896,duke parë aktivitetin e dendur atdhetar të Pandeli Evangjelit,”Dituria” zgjedh kryesine e re dhe kjo me shumicë votash emëron si kryetar Pandeli Evangjelin.Vite më vonë një bashkpunëtor i Evangjelit do të shkruante në memoriet e veta: “Pandeli Evangjeli më mbante gjithmonë pranë,më jepte libra për të lexuar dhe pasi i kisha lexuar më pyeste për përmbajtjen e tyre.Ai kënaqej nga leximi im dhe herëpashere më shpinte në bibliotekën e dyqanit të tij e cila shërbente edhe si zyra e shoqërisë “Dituria”(Th.Mborja “Kujtime nga lëvizja për çlirimin kombëtar”,Tiranë 1962,faqe 7).
Fundi i shekullit të 19-të ,pas rreziqeve të coptimit të trojeve tanë etnikë,do të potenconte edhe rrezikun e vet egzistencës së kombit tonë.Ka qënë kjo arsyeja që atdhetarët më të mëdhenj shqiptarë të asaj kohe si vëllezërit Frashëri ,Hoxha Tahsim,Naim Veqilharxhi,Koto Hoxhi,Mihal Grameno,Shahin Kolonja,Ibrahim Temo,Mithat Frashëri etj, vinin në dukje rëndësinë e madhe që kishte për kombin gjuha dhe kultura jonë kombëtare.Në këtë plejadë burrash të shkëlqyer nuk do të mungonte tanimë edhe kontributi i vyer i Pandeli Evangjelit,i cili, në shtypin që botohej asaj kohe në Bukuresht do të shkruante tekstualisht:”Duhet të përpiqemi dhe të hapim shkolla shqipe në Shqipëri,të mësojmë me gjuhën tonë se vetëm kështu do të mundim të njohim veten tonë,cilët jemi e do të na dhëmbet mëmëdheu… Po s’bëmë kështu do të qajmë fatin tonë”(Gazeta “Shqipëria”, Bukuresht 2 gusht 1987).
Ngase në ag të shekullit të 20-të,lëvizja autonomiste shqiptare vlente të mbështetej veçanërisht me shtypjen dhe shpërndarjen e teksteve në gjuhën shqipe,Pandeli Evangjeli , në krye të shoqërisë “Dituria” bëri çfar ishte e mundur të përmbushte nevojat e kësaj lëvizjje.Tanimë në adresë të tij ,në shtëpinë e vogël në Bukuresht,vinin varg letrat nga Janina dhe Preveza,nga Delivina dhe Manastiri,nga Shkupi e Prishtina,nga Vlora,Shkodra,madje deri nga mërgimtarët shqiptarë në Amerikë,të cilët kërkonin tekste në gjuhën e mëmës së tyre.Duke bashkpunuar me atdhetarë të tillë si Dervish Hima,Ibrahim Temo,Kristo Dako etj.Pandeli Evangjeli mundi të shtypë mijra tekste në gjuhën shqipe dhe njëherazi t’i shpërndajë këta.
Në pranverën e vitit 1906,fill pas vrasjes në Korçë të mitropolitit grek Fotit,atëherë kur patriarkana e Stambollit nisi hakmarrjen e verbër ndaj atdhetarëve shqiptarë,vëllezërit Bajo e Çerçiz Topulli,Shahin Kolonja dhe Rexhep Efendiu i Tetovës,kanë bujtur me javë të tëra në shtëpinë e vogël por mikpritëse të Pandeli Evangjelit në Bukuresht,në shoqërinë e përzemërt të tij dhe gruas besnike Maries.Kjo shtëpi në një farë mënyre u shndërrua në shtabin e Komitetit të Fshehtë të Manastirit.Prej aty kanë dalë sa e sa vendime të rëndësishme jo vetëm për Shoqërinë “Dituria” por edhe Komitetet e fshehta shqiptare në disa qytete të tjerë.Intuitiv dhe atdhetar,duke parë se kombit të vet i nevoiteshin supe dhe mendje të bashkuara,Pandeli Evangjeli kapërxeu një varg vështirësish dhe jep ndihmesën e vet të çmuar në krijimin e shoqërisë “Bashkimi” të Bukureshtit ,në të cilën u përfshinë jo vetëm tri shoqatat kryesore në Rumani por edhe një varg atdhetarësh të asaj kohe,të cilët për një arsye apo tjetër kishin qendruar në hije. Vetëm dy muaj pas krijimit të shoqërisë “Bashkimi”ishin disa prej shoqërive kryesore të shqiptarëve të Amerikës,të cilët donin t’i bashkangjiteshin asaj të Bukureshtit.Në fillim të vitit 1911,athere kur kryengritja shqiptare ishte në prag të shpërthimit të saj, plaku Ismail Qemali dergon në Bukuresht Luigj Gurakuqin,i cili do të kerkonte ndihma për lëvizjen kulmore.Në krye të kolonisë shqiptare te Bukureshtit ,Pandeli Evangjeli jo vetëm që do të kontribonte me të holla nga kursimet e veta familjare,por nuk do të mungonte aspak të trokiste nëpër dyert e emigrantëve të tjerë,duke shtruar përpara tyre çështjen e kontributit për realizimin e kryengritjes.Ndërsa në verën e vitit 1912,athere kur Porta e Lartë u duk se i pranoi kërkesat e parashtruara nga kryengritësit shqiptarë të udhëhequr nga Hasan Prishtina,atdhetari Pandeli Evangjeli nuk mund të entusiazmohej si disa të tjerë.Mbi shpatullat e tij ,kishin rënë një varg mundimesh të osmanllinjve,ndaj me të drejtë ai shkruante në ato momente mikut dhe bashkpunëtorit të ngushtë të tij Mid’hat Frasherit:”Si i vështron zotrote punerat e Shqipërisë ? A do të marrin fund të mirë apo prapë do të na genjejnë?”(Arkivi qendror i shtetit-Tiranë.Fondi 35,dosja 36/5,fleta 1088,dt.19.09.1912).
Dihet tamime se shpallja e pamvaresise së Shqipërisë në 28 nëntor të vitit 1912 , shënoi një kthesë vendimtare për fatet e kombit tone.Vetëm dy ditë pas kësaj ngjarje të lavdishme,kolonia shqiptare në Bukuresht e drejtuar dhe organizuar nga Pandeli Evangjeli,i drejtoi një mocion Fuqive të Mëdha dhe gjithë opinionit ndërkombëtar ,në të cilën kërkonte pos të tjerave njohjen e Shqipërisë së pamvarur,në të cilën të përfshihen katër vilajetet e saj: Shkodra,Kosova,Manastiri dhe Janina.Njëherazi krahas veprimtarisë diplomatike,nuk munguan edhe aksionet konkretë të mërgimtarëve shqiptarë në Rumani.Në njerin prej takimeve,Pandeli Evangjeli,i cili mbante korespondencë më qeverinë e Vlorës,i informoi bashkombasit e vet për vështirësitë që i dilnin kësaj qeverie.Madje nga ky tubim iu derguar edhe një telegram Fuqive të Mëdha,ku midis të tjerave i kërkohej:”Kufijtë tanë duhet të caktoheshin drejtësisht duke hedhur poshtë pretendimet e shteteve ballkanike mbi krahinat tona”(Arkivi i Institutittë Historisë,Tiranë.Dok.të Vjenës.dok. nr.4835 dt 2 dhjetor 1912).Një ngjarje e shënuar në jetën e atdhetarit Pandeli Evangjeli do të ishte padyshim kërkesa e atdhetarëve shqiptarë në pranverën e vitit 1914 e cila lidhej me kthimin e tij në atdhe dhe për më tepër në qytetin ku u lind dhe kaloi rininë e parë,në Korçë.Për hir të së vërtetës duhet thënë se Pandeli Evangjeli pati vënë një ekonomi të mirë në Bukuresht dhe prania e familjes i sillte veç lumturi,por shpirti i burrit të madh është kurdoherë aty ku e kërkon fati i kombit.Ai lë ngrohtësinë familjare për t’ju përgjigjur kërkesës së atdhetarëve shqiptarë dhe në prillin e vitit 1914 merr detyrën e prefektit të Korçës.Ka qënë sigurisht Themistokli Gërmenji komandanti i forcave vullnetare të Korçës i cili siguroi qetësinë në vend,u dërgoi ultimatumin qarqeve shovene greke dhe në mënyrë tejet ceremoniale mblodhi 4000 vet të cilët e pritën plot dashuri e brohërima prefektin e parë të qytetit.Shtypi i kohës do të shkruante rreth kësaj ngjarjeje pos të tjerave:”Dita e 5 prillit , e shtuna e madhe,ishte një nga më të shënuarat dhe më gazmoret ditë të popullit korçar,se në këtë ditë erdhi i pari qeveritar shqiptar i kazasë së Korçës z. Pandeli Evangjeli.Zemrat e të gjithë korçarëve ndjenin gëzim të patreguar ,të gjithve buza u qeshte dhe lavdëronin Perëndinë për këtë ditë fatbardhë (Gazeta “Koha” Korçë 17 Prill 1914.)
Që në ditët e para të aktivitetit të tij si prefekt i Korçës , Pandeli Evangjeli do të ndeshej me një varg vështirësish nga më të ndryshmet .Në marsin e atij viti autoritetet greke me ndihmën e andartëve grekë patën organizuar në Gjirokastër një kongres i cili shpalli autonominë e Vorio-Epirit ,madje formuan me këtë rast edhe një të ashtuquajtur qeveri të përkohshme.Disa ditë pas këtij aksioni,Athina ndermori edhe një hap tjetër në Himarë,ku me ndihmën e majorit të ushtrisë greke Spiro Milos nga Himara,shpalli autoniminë e qytetit ,përfshi 7 fshatrat që përmblidhte kjo qëndër administrative .Përballë kësaj gjendje,Pandeli Evangjeli u përpoq jo vetëm të luftonte propogandën shoviniste greke por edhe të merte masa energjike ndaj rrëzikut për shpërbërjen e kufijve tanë jugorë.Me largimin e Princ Vidit nga Shqipëria,situata në Korçë ,Gjirokastër,Përmet erdhi duke u përkeqësuar.Ushtritë helene mësynë serish kufijtë shqiptarë,duke dashur të bënin realisht endrrën vorio-epiriote.Në fundmajin e vitit 1914,kur e pa se forcat e vullnetarëve korçarë nuk mund ti bënin ballë sulmeve të hordhive helene, Pandeli Evangjeli,me cilësinë e prefektit të Korçës,i lutej Aqif Pashë Elbasanit ,prefektit të Elbasanit të dërgonte sa më shpejtë përforcime sepse pamvarësia e Shqipërisë së Jugut ishte më e rrezikuar se asnjëherë.Në këtë telegram midis të tjerave thuhet:”Sa të mundni më parë dërgoni forca ushtarake ,u lutemi fort … atyre që janë mbledhur të vijnë sa më shpejt të shpëtojnë nderin e Shqipërisë(Arkivi Qendror i Shtetit Tiranë,fondi 68,dosja 5 fleta 75-76).
Ngjarjet e Luftes së Parë Botërore do të përfshinin në rrjedhën e tyre edhe Shqipërinë. Shteti shqiptar pas largimit të Princ Vidit futet në kaos dhe Pandeli Evangjeli jep dorëheqje në pamundësi të vijojë misionin e vet fisnik.Disa atdhetarë shqiptarë mund ta përcjellin atë deri në Shkup dhe prej këtej Evangjeli niset sërish në Bukuresht.Por edhe këtu ai nuk do të rreshte për asnje cast së punuari për kombin e vet.Në verën e vitit 1915,duke qënë në krye të shoqërisë “Kolonia shqipëtare e Bukureshtit”Pandeli Evangjeli u dërgoi Fuqive të Mëdha disa peticione ku i kërkonte atyre që të mos nëpërkëmbeshin të drejtat e shqiptarëve.Ndërsa në marsin e vitit 1919,Pandeli Evangjeli do të kryesonte grupin e atdhetarëve shqiptarë në Konferencën e Paqes në Paris.Një tog dokumentash arkivorë na bëjnë me dije se akti i përfaqësimit të Pandeli Evangjelit në këtë Konferencë ishte jo vetëm miratim nga kolonitë shqiptare në Rumani por aty patën firmosur edhe dhjetra personalitete të lëvizjes autonomiste shqiptare nga Gjakova,Drenica,Gjilani,Tetova,Shkupi dhe Manastiri.
Përgjatë dy viteve të qëndrimit të tij në Paris,Pandeli Evangjeli në bashkëpunim të ngushtë me Ibrahim Temon,Mid’hat Frashërin,Parashqevi Qiriazin,Dhimitër Beratin etj. u përpoq me çdo mjet ndaj sulmeve të egra të fqinjëve tanë shovenë,të cilët kërkonin të zhduknin njëherë e e përgjithmonë Shqipërinë nga harta e Ballkanit.Në mënyrë të veçantë si banor i jugut të Shqipërisë dhe si ortodoks ai u përpoq të demaskonte të gjitha demagogjitë e Athinës për përrallat e saj vorio-epiriote.Është i njohur tanimë fakti qe rreth 2000 shqiptarë grekomanë,të cilët ndodheshin në SHBA ,të joshur nga premtimet e Athinës, i dërguan një memorie Konferencës së Paqes , nëpërmjet të cilës , në mënyrë të paturpshme kërkonin bashkimin e Korçes dhe Gjirokastres me Greqinë.Në letrën që Pandeli Evangjeli , u dërgonte atdhetarëve shqiptarë në SHBA ,midis të tjerave thoshte tekstualisht :”Jam I bindur,se nënshkruesit e një akti të tillë antikombëtar nuk janë shqiptarë”.(AQSH,Tiranë,fondi 30,dosja 12 , fleta 1)
Në mesin e vitit 1920 ,meqënëse punët në prefekturën e Korçës nuk shkonin mirë,kryeministri shqiptar i kohës Iliaz Vrioni i propozon Pandeli Evangjelit të zerë sërish funksionin e prefektit të ketij qyteti.Pandeliu lë Parisin ,shkon disa ditë në Bukuresht pranë familjes dhe niset përsëri në Korçë.Siç dihet në fillim të dhjetorit 1920, qeveria nën kryesinë Iliaz Vrionit shpalli zgjedhjet e para parlamentare në qeverinë e pamvarur.Pandeli Evangjeli me këtë rast u zgjodh deputet i Korçës dhe pikëridht në seancën e parë plenare të parlamentit të parë shqiptar ,falë meritave të shquara të tij në shërbim të çështjes sonë kombëtare,Pandeli Evangjeli me vota unanime zgjidhet kryetar i këtij parlamenti.Rreth kësaj ngjarje shtypi shqiptar i kohës do të shkruante:”Z.Pandeli Evangjeli u zgjodh me shumicën e votave president i parlamentit shqiptar.Është e tëpert të bëjmë fjalë duke numëruar veprat e këtij burri të mençur në tërë jetën e tij,veçse ta urojmë nga zemra dhe të përhirojmë gjithë ata deputetë që çmuan njerinë e merituarshëm”(gazeta “Mbrojtja Kombëtare” nr.35 dt.23.maj 1921).
Pak kohë do të qëndronte Pandeli Evangjeli në këtë detyrë.Në korrikun e vitit 1921 formohet kabineti i ri ministror dhe kësaj radhe u pa e arsyeshme që Pandeli Evangjeli për shkak të njohurive të thella në rrafsh të dipllomacisë,për arsye se pati mbrojtur me devocion dhe dinjitet çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris dhe pasi gëzonte reputacion në kanceleritë evropiane,të emërohet në postin e Ministrit të Jashtëm.Burri i Korçës jep dorëheqjen nga funksioni i kryetarit të parlamentit, i bindur për t’i shërbyer atdheut dhe kombit atje ku e thërrasin.Në funksionin e ministrit të punëve të jashtme,Pandeli Evangjeli do te shprehte në mënytë të dukshme,jo vetëm prirjet e veta atdhetare,por sidomos aftësitë në fushën diplomatike.Një varg takimesh,konferencash , në Shqipëri ,Romë,Paris,Gjenevë dhe Londër do të zbulohen cilësitë e diplomatit të klasit të parë tek burri i mençur i Kolonjës.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se në verën e vitit 1921,gjendja në Shqipëri ishte tejet e nderë.Fuqitë e mëdha ende nuk patën caktuar statusin e Shqipërisë ndërsa mësymjet e vazhdueshme të grekëve në jug dhe të jugosllavëve në veri të vendit,kërcënonin dukshëm edhe atë pak territor shqiptar.Në kushte të tilla,dy grupet parlamentare shqiptare formuan koalicionin me emrin “Bashkimi i Shenjtë” nga i cili doli qeveria e re.Me shumicë votash,parlamenti votoi në krye të kësaj qeverie,si kryeministër z.Pandeli Evangjeli.Edhe në këtë detyrë ra në sy përkushtimi i madh i kryeministrit shqiptar.Burrit të Kolonjës i duhej të punonte deri në 16 orë në ditë sa për të rregulluar gjendjen e brendshme,aq edhe për të zgjidhur një varg problemesh në rrafshin nderkombëtar,siç ishte njohja përfundimtare e shtetit Shqiptar dhe përcaktimi definitiv i kufijve politikë.Po tu shtosh të gjithë këtyre problemeve edhe intervencionet ushtarake të Beogradit dhe Athinës,bindesh lehtë për rolin e pazëvëndësueshëm të Pandeli Evangjelit.Pikërisht në këto momente shtypi shqiptar i kohës do të shkruante pos të therave:”Kabineti i ri ndënë kryesinë e z.Pandeli Evangjeli përmbushi tërë shpresat e nacionalistëve shqipëtarë duke punuar në çdo pikpamje me një paanësi shembullore”(Gazeta “Shqipëria e re” Nr.59,11 dhjetor 1921).
Në vjeshtën e viti 1922,situate politike Brenda vendit ishte përkeqësuar,ndaj u votua për një tjetër qeveri,tanimë nën kryesinë e Ahmet Zogut.Në këtë kabinet Pandeli Evangjeli mori funksionet e ministrit të punëve të jashtme dhe duke qënë në korent të gjithë ngjarjeve politike dha kontributin e vet të çmuar qysh në ditët e para të marrjes së detyrës.Ai do të jepte dorëheqjen nga kjo detyrë vetëm më 27 shkurt 1924,dy ditë pas dorëheqjes së kryeministrit Ahmet Zogut.Burri i mençur do të largohej në majin e vitit 1924 për në Rumani, duke mos u bërë dot ballë sulmeve dhe shpifjeve të atyre që organizuan në qershor të vitit 1924 grushtin e shtetit.Ndërkaq,ai do të kthehej sërish në atdhe në janar të vitit 1925 ,si deputet i Korçës,i dalë nga zgjedhjet e fundvitit 1924.Më 24 shtator 1925,Kryetari i Republikës Ahmet Zogu,firmosi dekretin për emërimin e Pandeli Evangjelit në funksionin e rëndësishëm të Kryetarit të shtetit.Midis të tjerave Ahmet Zogu iu drejtua Pandeli Evangjelit me fjalët:”Jeta e kalueme plot nder,shërbimet tuaja patriotike dhe besnikëria juaj ndaj statutit dhe regjimit,na jep sigurinë e duhur që kjo periudhë ka për të qënë për fat të mirë të kombit”.(gazeta “Dajti”, Tiranë 30 shtator 1925).
Edhe në detyrën e kryetarit të Senatit Pandeli Evangjeli rrëfen mënçurinë dhe atdhetarinë e vet.Deri në fund të vitit 1928 ,Senati i Shqipërisë nxorri një varg ligjesh dhe dekretesh përmes të cilave rregullohej jeta ekonomike ,politike e shoqërore e shqiptarëve.Brenda logjikës së këtyre ligjeve,ishte padyshim urtësia dhe mendimi i pjekur i Kryetar Evangjelit.Nderkaq në pranverën e vitit 1928 u hodh në Shqipëri ideja e Monarkisë.Nga disa burra të kombit si dhe vet Ahmet Zogu ishte parë e arsyeshme se ndryshimi i rregjimit për vet kushtet e vendit do të mund ti çonte më përpara punët.Në këto kushte duheshin zhvilluar zgjedhje të reja për krijimin e Asamblesë Kushtetuese.Siç dihet zgjedhjet u zhvilluan më 17 gusht 1928,ndërsa më 25 gusht,një javë më pas,në mbledhjen e parë të kësaj Asambleje,Pandeli Evangjeli u zgjodh unanimisht si Kryetar i Asamblesë Kushtetuese.Më 1 shtator 1928,në fjalën e vet emblematike të shpalljes së monarkisë ,midis të tjerave Pandeli Evangjeli do të kumtonte:”Shqipërisë kurdoherë ky regjim i asht tregue i arsyeshëm për mirqeverimin e saj dhe sa më shumë impozohet sot,kur për t’i dhanë fuqitë mbretnore,kemi Naltmadhëninë e Tij A.Zogun,shpëtimtarin e kombit…”(10 vjet mbretni 1928-1938,Tiranë 1938,faqe 37).
Në vitet 1930-1935 Pandeli Evangjeli do të zgjidhej plot tre herë kryeministër i Shqipërisë.Përkrah Mbretit Zog ai do të vinte në dobi të çështjes shqiptare jo vetëm urtësinë dhe largpamësinë e vet por edhe ato energji të pakta që i patën mbetur.Shtatëdhjetë e ca vjeçar do të vazhdonte të digjej si qiriu që ti bëntë shqiptarët të shihnin më mirë njeri-tjetrin dhe vetë të ardhmen e tyre.Është kjo një ndër arsyet që edhe shqiptarët nuk e hoqën askurrë nga zemra këtë burrë të Kolonjës.Kështu,kur në janarin e vitit 1937 u bënë zgjedhjet e reja parlamentare,ai u zgjodh serish deputet në Korçë.i prekur,sigurisht,nga dashuria me të cilën shqiptarët përcillnin këtë atdhetar të flaktë,në mbledhjen e parë të Parlamentit në muajin shkurt të vitit 1937,midis të tjerave Pandeli Evangjeli do të shprehej tekstualisht:”Në aktivitetin tonë të vazhdueshëm,me seriozitetin që do të tregojmë… ne do të kemi bërë detyrën tonë me nder,do të kemi plotësuar misionin politik dhe patriotik që na ka ngarkuar populli dhe do të dalim faqebardhë karshi këtij populli dhe kundrejt Mbretit tonë shumë të dashur”.(AQSH Tiranë,fondi 246,dosja 72,fleta 19).
Edhe në vitet 1937-1939,roli i Pandeli Evangjelit në politikën parlamentare shqiptare ka qënë i pazëvëndësueshëm.Ndonëse tek të tetëdhjetë vitet ai do të kishte një qartësi të admirueshme politike dhe për më tej energji të habitshme.Jo rrallë Pandeli Evangjeli do të ishte i ftuar në Oborrin Mbretëror dhe vet Mbreti Zog,për orë të tëra do të bisedonte me plakun patriot.Në dhjetë vitet e mbretërisë shqiptare Pandeli Evangjeli kreu me përkushtim dy funksionet më kryesore ,atë të Kryetarit të Parlamentit dhe të Kryeministrit të vendit.Ka qënë kjo një ndër arsyet që fjala e tij të dëgjohej e përcilllej me respektin e duhur jo vetëm Brenda Oborrit Mbretëror ,por kudo në rrethet e politikanëve dhe atdhetarëve shqiptarë.Në prillin e vitit 1939 Pandeli Evangjeli do të ndjente dhimbjen si gjithë shqiptarët ,por ishte shumë plak të rrëmbente pushkën.U mbyll në shtëpi dhe nuk pranoi të bashkëpunonte me askënd.Ndofta kjo e shpëtoi nga plumbat e komunistëve shqiptarë të cilët sidoqoftë e internuan në Korçë ku mbylli sytë në tetorin e vitit 1949.
Bern -Zvicër