• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Paqja pa anti-fashizëm?

December 7, 2013 by dgreca

Nga Albin KURTI/

Gabimi i pacifizmit evropian kundrejt fashizmit ndërmjet dy luftërave botërore po përsëritet në Ballkan, në vigjile të 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore. Paqja nuk është qasja e drejtë dhe as e dobishme karshi fashizmit. Nuk kemi nevojë për përvoja të hidhura të na përsëriten për të mësuar atë që tashmë e dimë. Pacifizmi nuk e pacifikon fashizmin (të cilin kështu vetëm sa e inkurajon), por pikërisht pacifikuesin. Paqja ndaj fashistëve është marrëdhënie e njëanshme: mund të japësh paqe por s’merr dot paqe mbrapsht.   Fashizmi serb aktualisht përfaqësohet nga treshja Nikoliq-Vuçiq-Daçiq. Origjina e tij është Nikola Pashiqi kurse prindërit e drejtpërdrejtë të këtyre bijve të fashizmit serb janë Milosheviqi e Shesheli. Si asnjëherë më parë ky fashizëm po shpërblehet jo vetëm duke u toleruar si nga Brukseli zyrtar po ashtu edhe nga Prishtina zyrtare. Dialogu politik në Bruksel shënohet nga kërkesat e Daçiqit, koncesionet e Thaçit dhe ndërmjetësimi i Baroneshës Ashton. Vëllimi ishte anormal: për vetëm një vit, që prej tetorit të vitit të kaluar, Thaçi është takuar plot 18 herë me Daçiqin. Ajo që po normalizohet është gjithsesi anormale.        

Dikur Serbia e konsideronte Kosovën çështje të brendshme të saj. Sot, Serbia është bërë çështje e brendshme e Kosovës. Thaçi dikur s’e pranonte tezën që Kosova është çështje e brendshme e Serbisë, mirëpo vetëm 15 vjet më vonë ai edhe e pranon edhe e zbaton tezën që Serbia të jetë çështje e brendshme e Kosovës. Dalja e Kosovës nga Serbia po zëvendësohet me hyrjen e Serbisë në Kosovë.

Me dialogun në Bruksel po normalizohet Serbia brenda Kosovës. Ky normalizim është gjithsesi forcim i Serbisë jo vetëm brenda Kosovës: ajo po forcohet edhe në kontekstin rajonal edhe në raport me BE-në. Dikur, në kohën e Milosheviqit e të Koshtunicës, Serbia mbante qëndrim kundër BE-së dhe NATO-s dhe i dirigjonte serbët e Kosovës përkundër perëndimit. Tash, nëpërmjet dialogut politik me Thaçin, ajo po e vazhdon dhe shton kontrollin mbi serbët pa pasur nevojë të jetë kundër perëndimit.   

Baronesha Ashton në Bruksel (me EULEX-in në Kosovë) dhe Daçiqi në Beograd (me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë) janë shndërruar në pronarët e vërtetë të Kosovës. Qeveritarët e Kosovës janë menaxherët, kryeministri Thaçi është CEO (Chief Executive Officer), ndërkaq ambasadorët e Quintit në Prishtinë paraqesin Bordin e Drejtorëve. CEO-së, apo ‘shefit’, i japin bonuse, teksa pronarët menaxhojnë gjithë menaxherët (me në krye shefin). Ishte simptomatike ajo shprehja e famshme ‘shefi i shefave’ te afera Pronto, apo jo?        

Në raport me Serbinë, Kosova nuk i ka problem vetëm krimet e luftës, por edhe qëllimet kriminale të saj që vazhdojnë të gjallojnë. Thaçi nuk do t’ia dijë për asnjërën prej këtyre. Thjesht, shumë më tepër Daçiqi beson në Serbinë si shtet sesa që Thaçi beson në shtetin dhe Republikën e Kosovës. Thaçi beson në para e në pushtet dhe që të dyja i do për vete. Paratë i ka për pushtet; pushtetin e ka për para.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të dominohet nga veriu, pavarësisht numrit dhe popullsisë më të madhe në komunat me shumicë serbe në jug. Një aksion i mundshëm që do të dëshmohej posaçërisht problematik do të ishte bartja e kërkesave të gjera dhe të pazgjidhura pronësore të Serbisë anekënd Kosovës (p.sh. përtej 10 komunave anëtare) te Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Për më tepër, disa frikësohen që dykuptimësitë do të shfrytëzohen nga Asociacioni që të grabis pushtet në Kosovë. Siç tha një diplomat evropian i intervistuar, ‘Beogradi do të përgatisë serbët lokalë të thonë që gjithçka që nuk është eksplicite është kompetencë e Asociacionit’. Nëse njëra apo dy nga këto mundësi do të realizohen, kjo do të përmbushte druajtjen e errët që Asociacioni do të bëhet një ‘entitet’, sikurse Republika Serbe në Bosnje e Hercegovinë”. Kështu thuhet në një raport të botuar këto ditë nga Këshilli i Politikës për Demokratizim (DPC) e që mban titullin “Ujdi ende e papërfunduar: Kosova dhe marrëveshja Prishtinë-Beograd”. Fundja, Lista Serbe e Daçiqit njëherë u quajt Lista Serbia, ashtu qysh edhe Bosnja quhej Serbi për t’u kurorëzuar me Republikën Serbe atje që paraqet vetë arkivolin e shtetit të Bosnjes.

9 maji, Dita e Evropës, lidhet me deklaratën e burrështetasit francez, Robert Schuman, nga viti 1950. Mirëpo, nuk duhet harruar që, para kësaj, saktësisht pesë vjet më herët, u shënua ngadhënjimi mbi fashizmin në Evropë, më 9 maj 1945. Themeli i Bashkimit të sotëm Evropian nuk është thjesht paqja, por (edhe) anti-fashizmi. Fitorja mbi fashizmin e solli paqen kurse paqja ndaj fashizmit e solli Luftën e Dytë Botërore.     

Me qasjen e saj në Ballkan, Baronesha Ashton po e shpërfill anti-fashizmin nga parimet themeltare të BE-së duke e lënë aty të vetmuar paqen. Paqja pa anti-fashizëm është spostim i luftës për ‘ditë më të mira’. E, kushedi, Baronesha Ashton mund të jetë vetëm një gur në mozaikun e madh evropian ku tolerimi i partive të djathta ekstreme i kombinuar me fjalën magjike ‘austerity’ (shkurtesat) vetëm sa e ka forcuar fashizmin prej Greqisë e deri në Holandë, prej Francës e deri në Finlandë…    

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, Paqja pa antifashizem

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT