Para varrit të Skënderbeut/Nga Rafael Floqi /
Poemth/
O i madhi Skënderbe!/
Kam 550 vjet që qëndroj para varrit bosh,/
duke pritur si sot, më kot përgjigjen/
e një pyetjeje që s’po ma thua dot./
O i madhi Skënderbe!/
S’po të pyes, se a të thërriste “Gjergj ! ”,/
Lokja Vojsavë, edhe pse atë mirë e di./
Dhe kush dyshon sot pas kaq shekujsh,/
Se Vojsava se pat për at Gurgurin [1]
Se Pollogu i gjyshit tënd, s’qe Arbëri
Është si ata turqit, që t’i vodhën eshtrat
Për të kërkuar përjetësi me ca hajmali.
O i madhi Skënderbe!
Nuk po të pyes, sa herë ke rënë nga kali,
As si e munde të tmerrshmin pers të zi
As se ç’ t’u bënë vëllezërit e mëdhenj,
As si ia bëri zemra Palit, të linte ty kërthi.
As si mundi ai Vojsavën ta qetësonte,
Tek shkulte flokët e çirrte faqet në zi.
Kush asaj lotët mund t’ia ngushëllonte,
Se në Stamboll Kostandini qe vrarë,
E Stanishi qe bërë turk- rrethprerë,
Dhe Rreposhi në Athos, u vesh kallogjer.[2]
Ishte vetëm 8 vjeç, s’e dije ku të shpinin
As sytë e nënës ndoshta s’i mban mend,
Por kishe ëndërr të luaje me Kostandinin.
S’ të pyes, as për fatin e princave peng,
Ç’ ndodhi me ta në oborr të sulltanit ?
Është e hidhur, ndaj s’po ta përmend.
Pse i thoshe emrin “Vaj-qava”, mamit?
O i madhi Skënderbe!
Nuk po të pyes pse zgjodhe dredhinë,
Për të marrë nga turku Krujën, Ak Hisar,[3]
As në u gëzove, dhe në të ndritnin sytë
kur bajraku me gjysmëhënë përdhe ra,
E flamur i Kastriotit, qiellin skuqi prore,
Dhe as kur shqipja dykrenore mbi kala
Shpalosi flatrat e zeza, ogur për fitore,
S’ të pyes Gjergj, nëse në atë 28 Nëntor
cili qe më i përgjakur flamuri apo qielli?
S’po të pyes për trimëri, as dhe sesa:
Çallma ke vrarë, sa gurmaze ke prerë,
As sa prej tyre këlthisnin “Allahu akber”.
S’ të pyes as si quhej gjoku yt trupmadh ,
As nëse ishte i bardhë, apo i gjithi i zi,
Nuk të pyes, as për 25 betejat e fituara
As, se cili rrethim që më i vështirë, as …
Në se ishte i pari, i dyti, a i treti,
Apo ai që po përgatitej më pas?
As si e mbrojtje Krujën, Danjën, Beratin,
As për Torviollin, Mokrrën, Albulenën,
As qysh, e si u ndjeve kur arbërve u the:
“Lirinë nuk jua solla unë,
por e gjeta këtu ne mes tuaj,
armët nuk jua ngjesha unë,
por ju gjeta te armatosur,
lirinë e kishit kudo, ne kraharor,
ne balle, ne shpate, ne ushtat!”.[4]
Mendoj, se e kishe me gjithë mend,
Apo përpiqeshe të dukeshe optimist,
Se s’deshe të dukej ajo fjalë pa vend,
por sidoqoftë, unë e di, si edhe ti
Se do kesh zbukuruar sadopak disi,
Pasi shqipet janë zogj individualist
Veç njeri zog qëndron lart në një fole,
Ndaj ndoshta të duhej ca frymëzim
Një gënjeshtër e bardhë, për fitore.
O, i madhi Skënderbe!
Nuk po të pyes për betejat, aleancat
As për kurthet, grackat, tradhtitë,
As për Topiat, as për Dukagjinët,
As për kushtrimin e Moisut,“ E mbë ta!”
As për Ballabanët, tradhtarët, Jonimët,
As për sulltanët osmanë, Murat e Mehmet,
As, qysh u ndjeve kur të tradhtoi Hamzai,
Që u bë xheloz për Gjonin të pa lerë,
Ani pse luftove me gjakun tënd, atëherë.
As pse, Moisi dibranin shpejt e fale, [5]
T’u dhimbs i përgjunjur me litar në fyt,
Edhe pse u dëshmua qartë, besëprerë?
Po pse mësove që mërisë së një gruaje
T’i ruheshe më shumë se asaj të hasmit,
Se qe faji yt për hakmarrjen e Zanfinës,
Ndoshta dhe për disfatën e Beratit.[6]
E doje fort Mamicën, i zgjodhe vetë fatin
Por më shumë se motrën e vogël mbi dhe
Që të mos përçaheshin princat e Lidhjes,
Nga që turku ishte afër Lezhës fare pranë,
Veç një titull pate kapedan mbi kapedan.
Se ti, o prijës s’doje kurorë si mbret,[7]
Mjaftonte përkrenarja dhe Arbëria shtet.
S’ të pyes as për luftërat, erën e gjakut,
As për tehun e shpatës , duhmën e ziftit,
Tymin e barutit, gjylet në mure plasur,
As për shkallët e çallmat në zjarr kallur,
As për përzhitjen e mishit dhe kërmës,
As për heshtat, shigjetat, topat e Sulltanit,
As për lebetitjen e halldupëve të trembur,
As për suvarinjtë, akinxhijtë, spahinjtë,[8]
Aq qysh pas bedenash, veç me ujë e zemër,
Plaku Kont Urani mbahej fort me të tijtë.
As se qysh ti me trimat e gardës besnike,
Me mprehtësi të shpatës se të mendjes
I dhe botës në shekuj mësime taktike,
Se sado i vogël një popull, kur kërkon liri
Shemb perandori, me mizëri ushtri.
Se i vogli mund tiranin, veç a tok ?
-Gjithnjë tok, o Gjergj[9] kordhëmadh.
S’të pyes, o Skënderbe, zulmëmadh,
as për ankthin e betejës, qetësinë e paqes,
As pse vetëm kur mbushe dyzet e shtatë, [10]
Pranove si me zor të mbledhësh mendjen,
Pasi lufta të joshte më shumë se gratë.
S’të pyes, as si e kalove muajin e mjaltit,
Me Donikën buzë detit tek Kepi i Rodonit,
As se kush i pari pa, hapat e vogla të Gjonit,
As për dyshimin tënd që kurrë s’e hoqe,
Gjoni i vogël ende s’shfaqte trimëri të pa shoqe.
Për këto s’ të pyes, as për të tjera pa vend,
Pasi edhe në s’i di, mund t’i marr me mend.
O i madhi Skënderbe!
Nuk të pyes as për dredhitë doxhëve venetë,
Dhe as dhe pse, kur qe në Krujë kapedan,
U bëre vasal i Napolit, me dëshirë vetë.[11]
S’ të pyes, as si dhe pse Papët të quajtën,
“Atlet i Krishtit”, dhe pse ti qe bërë synet,
As si e ruajtje Krujën të rrethuar tri herë,
Prej mijëra çallmash, jataganësh, qamet,
Dhe as si t’u bë, që në fund Krujën tënde,
Ish- hasmit Sinjorisë, ia dhurove, vërtet ? [12]
S’të pyes, dhe mos zbrit fare as nga kali,
Drejt rri, si hero, se në luftë dhe në zulmë,
Mbi kodin e bujarit, vlen shpirti i një rebeli,
Më shumë se virtytet, morali a inati,
Siç shkroi më pas tek “Princi” Makiaveli
“S’kanë rëndësi mjetet, por rezultati”.
O madhi Skënderbe!
S’ të pyes, si munde Evropën ta shpëtosh,
Edhe pse ajo, vetëm kur vdiqe ty ta diti,
As si luajte shah me fuqitë e mashtrimit,
Dhe si me shpatë dhe letra, pate ç’ ti tregosh,
Dukës së Tarantit, Napolit a Sulltanëve, [13]
Se kush qenë arbrit, Pirro apo Leka i madh ?
Se s’qenë dele, edhe pse mbi krye mbaje një dhi.
Ja pse Papët të deshën ty kryqtar të parë,
Dhe se të shmangeshin ty më shumë se djallit,
Jo pse mbaje një kokore me dy brirë në ballë.
Po sa të deshën aq dhe i druheshin simbolit
Se para se të ishe trim i rrallë, ishe mit për liri.
S’ të pyes, as pse e mbajte në shekuj atë emër,
Gjysma diell dhe gjysma hënë,
Gjysma Evropë dhe gjysma Azi,
Edhe Gjergj, edhe Skënder?
Siç duket, për të na mbajtur tok gjithnjë,
“Gjithnjë bashkë, gjithnjë”, thoshe përherë.
Të jetë kështu, vërtet, me gjithë mend?!
Se s’kemi aq urti, sa të bëhemi bashkë
Arbrit e djeshëm, apo shqipet e sotëm?!
E ka mundësi të jetë ashtu, vërtet?
Ndoshta kjo shpjegon qysh edhe pse,
Dikush sot, të quan një mit të vjetër.
Që duhet zhbërë, qoftë edhe me një perde,
Si për t’i ikur lavdisë së gjokut të bronztë,
Si për t’ia fshehur stërgjyshave mëkatet,
Që s’rrinin dot pa jatagan e kordhë,
A se s’duronin dhunën e të paguanin vergji,
Iu falën gjysmëhënës kishat i bënë xhami.
Ndërsa ca më hileqarë në agim falnin ezanin
E në darkë festonin me ty, Shën Gjergjin.
E vështirë, por disa kumtin ilir të Shën Palit,
E formulën e pagëzimit në kulla e ruajtën
Në emër të atit të birit e shpirtit të shenjtë,
Duke kënduar vetmas rruzare në male,
Pasi kishat ishin shndërruar, ishin shemb,
xhamitë në vend të tyre po zinin vend …
Por ty Skënder këndonin ndonjë herë
Por rrallë fare rrallë u lutën. Ani pse
Gjithë çka ndodhi në pesë shekuj
S’ na bën ne, shqipot as më të këqij,
Dhe kësaj dite as dhe më të mirë.
E dimë, se do të qe më pak e vështirë,
T’i faleshim tok fesë të bijve të Kadmit,[14]
“Lirisë”, asaj që hija jote, në zemra prore
Mbolli në çdo frymë e në çdo kasolle.
Se ne shqipet ndryshe nga të tjerët,
Kur na pyesin për fe themi “ shqiptarë!”
Por ashtu si unë, dhe ti Skënderbe,
Kemi qëlluar një gjindje me huqe
Disi xhelozë, moskokëçarës për fe.
Por për lavdi s’të falim, e duam për vete
Mendo,. me që pesë papë, të quajtën “atlet” .
Nga droja e shpatës fisnike e me lajka,
E të premtuan të jepnin qese plot ar,
Për kryqëzatën imagjinare ndaj turkut.
Po anijet mbetën në dete pa ushtarë
Si logjet e papëve e të Shën Markut.
E di se ti s’u druheshe ushtrive prej Azie,
As që Roma do të kthehej Stamboll, vërtet,
As Adriatikut të shndërruar në një gjol zie,
As që turku do kulloste kuajt në Shën Pjetër,
Dhe as pse Vjena do të quhej Katrahurë,
As pse Sulltani do bënte Papën synet.
Ndaj sot kush e njeh historinë e mitin
E di se ty s’të interesonte lavdia aspak ,
Se ti Fatos, i tuteshe veç fatit të Arbrit
Jo të ishe kalorës kryqtar në kryqëzatë
Ti i druheshe më shumë jetës pa liri,
Ashtu siç na ndodhi kur na le vërtet.
Dhe u desh të presim gjatë, sa gjatë
Sa shumë gjatë për pesëqind vjet .
O i madhi Skënderbe !
Për ne t’i ishe prijës dhe u bëre e mit
Pse ne një trim tjetër, s’kishim ku ta gjenim
Ndaj kur kishim nevojë për ajër, liri,
Kur dhëmbët i binin të Sëmurit të Orientit
Të zgjuam nga këngët e të thirrëm ty.
S’di pse në histori të fundit mbesim
Radhë e rend si lemë njeri- tjetrit,
gjer atëherë kur t’ jetë shumë vonë
S’ e kemi për gjë për të tjerë të vdesim
E kur vjen veza kujtohemi për veten tonë.
Kështu veç, kur se prisje më ty të thirrëm ,
Me të dy emrat : “O Gjergj, O Skënder”,
Se ti i ndizje peshë djemurinë për nder,
Për një besë, për një gjuhë e një gjak
Nuk qe punë lutjesh, feje jo aspak.
Kjo shpjego sesi, qysh edhe pse ti,
U linde ortodoks, u rrite mysliman, e vdiqe katolik,
Si për të na lënë të urtin amanet,
Për çdo shqiptar, në mot të mirë dhe të lig,
“Zoti është një”, të gjithëve na përket.
O i madhi Skënderbe!
Vetëm një pyetje kam, vetëm një,
Që më mundon mua tash e sa kohë:
“Si munde ti shqiptarët t’i bësh në një mendje
Këtu në Lezhë, në këtë kishë, në Shën Kollë?
Sakaq gjithçka heshti, asgjë s’pipëtiu
një kllapi pyetjen sikur e mbërtheu,
Një krisje u dëgjua, e muret u zhagitën,
Një heshtë heshti, një shpatë vringëlliu,
Hingëllimat u mekën, topat u zatitën.
Një makth zu e më pushtoi të tërin,
S’ kuptoja dot, se ëndërr a zhgjëndërr,
E dija se në varr s’kishte asnjë eshtër,
E dija se kisha qe kthyer në xhami,
E dija se xhamia më vonë qe braktisur,
Pasi tre dervishë aty qenë vetëvrarë, [15]
Duke kërkuar më kot përjetësi…
Zhurma oshtiu, zvarrë rrokullisi
Prej rrënjëve të Besëlidhjes së Lezhës
Pas pesë e ca shekujsh, ca gurë si Sizifi…
Dikush u kollit, e fytin qëroi një burrë,
Kambana u shkund, trarët u shkërmoqën,
Me ca fjalë pellazge zëri fol troç :
“Bir, tha. U s’e di, as vetë sesi, e se qysh,
Veç një çerekshekulli, munda veç një herë ,
Të bëj atë, që s’e bëri më kurrkush,
I bëra shqiptarët tok në një mendje.
Ndaj them bir, se është vështirë, zor
Të betohem për këtë qiell, për këtë dhe,
Se në mendjen e tij, çdo shqiptar prore
mendon se është përmbi Skënderbe”.
Pastaj zëri u vyshk, e thatë nxori nga fyti
Një kumt pa theks krahine, dialekt,
Ai që trojet e Palit i i kishte në Gegë,
Për t’ na pasur pranë të gjithëve tok
“Princ i Epirit” shkruante tek shqyti.
-“Meqë më zgjove pas kaq kohe,- tha ai,
Do të them bir një të fshehtë të madhe,
Që s’ ja kam thënë kurrkujt, gjer tani.
Ajo ndodhi, veç një herë në Lezhë…
U Përpoqa për së dyti, s’munda, për be,
U ndjeva pa forca, e madje u rrëzova
Në prag të kësaj kishe nga kali përdhe.
S’ më mundi, jo, në tri ditë sëmundja
Prej moshës nuk vdiqa, as prej pleqërie,
Por se u ndjeva befas ligsht nga gjindja.[16]
S’vdiqa, nga malaria, nga helmi, a ethet,
Por e lashë botën, gjithë pezm e maraz
Se mjerisht, besë u lypka, aty ku s’ gjendet.
Ika, se shqiptarët s’i bëra dot një mendje,
E duke ikur, lashë- “tok” një fjalë-çelës,
Porosi për të zgjidhur amanetin e gjëzës,
Që ende s’e kuptoni dhe pse aq e lashtë,
“Se shkopinjtë thyhen, veç kur s’janë bashkë”.
Ja pse vdiqa, le ta dinë bijtë e shqipes!
E le ta kujtojnë në atëbotë, në amshim.
Të tjerat, janë fjalë kronikash biri im.
Sakaq, zëri Skënderit, u shua, u shterr,
E duke u venit shtoi, “Bëj be, burrërisht,
Sa herë, ia ka futur kot dhe vetë Barleti…
Pastaj, ndër dhëmbë zu mallkoi turqisht,
“Zor, se vjen në din, ky biçim mileti”.
Shënime historike
[1] Sipas historianit Maqedonas Petreski Vojsava ka qenë e bija e Gërgurit, mbretit të Pollogut, i cili pohim është plotësisht i pranueshëm sepse ai ka dokumente shumë të fuqishme se me të vërtetë në kohën për të cilën na flasim, mbret i Pologut ka qenë Gërguri, por emri Gërgur nuk është i origjinës sllave dhe mund të deshifrohet vetëm duke përdorur gjuhën shqipe.
[2] Krerët e fisit të Kastriotëve, vijon Barleti, kanë rrjedhur nga Mati, prej një dere fisnike dhe kanë sunduar në Epir me lavdi e fatbardhësi. Mbi këta të gjithë, ishte Gjoni ai që spikati për urtësi, rëndësi, e shpirtmadhësi të paepur, pastaj edhe për virtyte të tjera, si dhe për bukurinë e rrallë të trupit. Gruaja e tij kishte emrin Vojsavë, atë e bënin jo të padenjë për atë burrë; nga njëra anë i ati shumë fisnik, princi i Tribalëve, aga ana tjetër bukuria, sjellja dhe shpirti i saj i lartë përmbi natyrën e femrës. Asaj mund t’i bëhen lavdërime, ndoshta jo më të vogla edhe për filizat e rinj; me të drejtë, përmenden zakonisht gratë, Mara, Jella, Angjelina, Vlajka, Mamica, nga ana tjetër meshkujt: Reposhi, Stanishi, Kostandini dhe Gjergji.
[3] Kështjella e bardhë, kështu e quanin turqit Krujën në turqisht
[4] Fjalët e Skënderbeut para krutanëve pasi mori Krujën
[5] “Motra e Skënderbeut Mamica pati për burrë Muzak Topinë. Muzakë Topia ishte i martuar. Gruaja e tij quhej “znj Zanfina. Ai kishte me të dy fëmijë. Nga këto të dhëna, kuptohet se martesa e Mamicës me Muzak Topinë kishte karakter të rëndësishëm politik. Kjo martesë duhej t’i shërbente forcimit të aleancave dhe lidhjeve të Skënderbeut me zotërinjtë kryesorë të vendit. Prishja e martesës së Zanfinës me Muzak Topinë bëri përshtypje të madhe Pas ndarjes, Zanfina u martua me Moisi Golemin dhe ajo e nxiti atë për të tradhtuar Skënderbeun. Topia pati një fund tragjik në luftë.
[6] Biemmi dhe historianë të tjerë të vjetër shkruajnë se Moisiu erdhi kundër Skënderbeut në krye të një ushtrie osmane ,por u mund prej tij në betejën që zhvilloi në Dibrën e poshtme, më 19 maj 1456. Më pas Moisiu u pendua dhe u kthye tek Skënderbeu. Ai i kërkojë ndjesë publikisht, duke i rënë në këmbë me litar në qafë. Skënderbeu e ngriti në këmbë, i ktheu pronat e sekuestruara dhe e caktoi detyrën e mëparshme.
[7] Gjon Muzaka, i përshkruan kështu: “I lartpërmenduri Zot Skënderbeu qe i mençur dhe trim, i prirë për të bërë mirë dhe qe një Zot i madh ndër të gjithë pararendësit e tij. Pasi u bë kapiten i përgjithshëm i Zotërve të Shqipërisë e që në pak kohë synoi të zotëronte gjithë vendin
[8] Formacione ushtarake të ushtrisë Otomane
[10] Sipas Barletit, Skënderbeu nuk e kishte mendjen për martesë, por atë nuk e linin rehat princërit farefis me të, të cilat e nxisnin që ai të vendoste për martesë. Pra për “Filizin” që duhej t’i zinte vendin”. Për nevoja të luftës çlirimtare dhe për të forcuar pozitat e tij, Skënderbeu vendosi të martohej me Donika Arianitin, vajzën e madhe të Gjergjit. Kjo krushqi u shkonte për shtat të dyja familjeve, për nga pozita që ato zotëronin. Eshtë fakti se kurorëzimi i çiftit, midis Gjergjit 47-vjeçar dhe Donikës 23-vjeçare, u bë në kishën e vjetër të Manastirit të Ardenicës.
[11] Traktati i Gaetës Traktati u nënshkrua jo vetëm në emër të Skënderbeut, por edhe të “të afërmve të tij baronë në Arbëri: “ … e de soi parenti, baruni in Albania, de la parte altra”, po aty). Ky traktat i njihte Mbretit të Aragonit, Napolit dhe Siqilisë sovranitetin mbi “trojet e të thënit Gjergj” dhe mbi “trojet e Krujës dhe kështjellën”, në shkëmbin të ndihmës që Mbreti do t’i jepte atij (Skënderbeut) në luftën kundërosmane.
[12] Kur po i afrohej vdekja Skënderbeu e duke parë se i biti ishte në moshë të njome iu dha Krujën Venecianë vë për ta mbrojtur nga turqit gjer kur Gjoni te ishte në moshë madhore.
[13] Në letërkëmbimin me princin e Tarentit Giovanni Antonio Orsinimë 1460, mes argumenteve të tjera për ekspeditën në Apulí (Puglia), Skënderbeu i formulonte Princit në fjalw Nuk do të gjesh fisnikëri më antike sesa virtyti. Nuk mund të mohoj që ti nuk je përkrah francezëve të neveritshëm, …. Për më tepër ti përbuze njerëzit tanë. I krahasove shqiptarët me dele dhe duke u nisur nga zakonet tuaja mendon në një mënyrë fyese. Megjithëse nuk ke treguar se ke njohuri për kombin tim. Paraardhësit e mi kanë qënë nga Epiri, vendi i Pirros, forcën e të cilit romakët mezi e duruan. Pirro, të cilin Taranto e shumë vende të tjera të Italisë e kanë frenuar me ushtri. Nuk kam pse të flas për Epiriotët. Ata janë burra shumë më të fortë se sa Tarantinët tuaj, të cilët kanë lindur vetëm për të peshkuar. Nëse doni të thoni se Shqipëria është pjesë e Maqedonisë do të pranoja se shumë nga paraardhësit tanë ishin fisnikë të cilët shkuan deri në Indi, nën komandën e Aleksandrit të Madh dhe mundën gjithë ata njerëz me vështirësi të habitshme. Pikërisht nga ata burra vijnë edhe këta që ti i quan dele ti sot. Por gjërat nuk kanë ndryshuar. Pasi burrat tuaj vazhdojnë të largohen duke vrapuar para bagëtisë….
[14] Sipas mitologjisë bir i perëndisë Kadmi ishte Hylliri, Iliri
[15] Pas vetëvrasjes së tre dervishëve kisha e Shën Nikollës s’u përdor më si xhami
[16] Në janar 1468 Skënderbeu thirri në Lezhë kuvendin e fisnikëve të vendit. Ndërkohë një ushtri osmane e ardhur nga Kosova, sulmoi viset e Shkodrës. Ushtria shqiptare u mobilizua menjëherë, u doli përpara forcave armike dhe korri fitore në betejën që u zhvillua pranë lumit Kir. Këtë herë shqiptarët luftuan pa komandantin e tyre, Skënderbeun, i cili në atë kohë u sëmur”. I pari dokument zyrtar që na njofton vdekjen e tij është letra e ambasadorit të Milanos në Venecia, Girardo De Collis. Pasi lajmi për vdekjen e Heroit mbërriti në Venedik, në 12 shkurt të vitit 1468, ambasadori milanez nuk nguroi, por i shkroi një letër urgjente dukës së Milanos, Galeazzo Maria Sforza, pikërisht atë ditë, duke njoftuar se: “Skënderbeu u nda nga kjo jetë. Kish ethe dhe, meqë vendin po e përshkonin turqit, deshi t’i hipte kalit, e vdiq brenda tre ditëve ( Monumenta Hungaria e Historica, Nagy-Nyary, 1466-1490, nr. 59, f. 93).