• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PARADA E MOSKËS DHE ËNDRRA E PUTINIT

May 18, 2015 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/
Më 9 maj, nëpërmjet një parade të madhe në Sheshin e Kuq, u përkujtua përvjetori i 70 –të i fitores historike mbi nazifashizmin. Ajo datë kujton gjithnjë aktin e kapitullimit të Gjermanisë në luftën e dytë botërore dhe emblema e saj mbetet, në kujtesën e përgjithëshme, ngritja e flamurit të kuq me drapër e çekan nga ana e ushtarëve sovjetikë mbi Rajhshtagun gjerman. Me kalimin e kohës simboli u zbeh, sepse zhvillimet politike në qendrën e Evropës, më 1989, përmbysën vendimet e Jaltës dhe hovi liridashës i popujve të Lindjes evropiane depozitoi në muzeun e historisë sistemin komunist.
Megjithatë ajo datë vazhdon të përkujtohet si “Dita e fitores”, e të festohet me paradat tradicionale në qendër të Moskës. Atë ditë parakaluan armët dhe ushtarët e Rusisë “demokratike”, ashtu sikurse veteranët me medalje apo bijtë e tyre me portretet e luftëtarëve të Ushtrisë së Kuqe.
Para dhjetë vitesh festimi qe madhështor. Moska u bë për një ditë kryeqyteti i botës jo vetëm komuniste. Atë ditë në të u mblodhën 52 kryetarë shtetesh e qeverish, për të marrë pjesë në Sheshin e kuq, së bashku me drejtuesit e Rusisë, në gjashtëdhjetë vjetorin e fitores. Këtë herë Vendet e Evropës nuk dërguan përfaqësues, me përjashtim të ministrave të jashtëm të motrave të mëdha latine, Italisë e Francës, që u mjaftuan të venë lule të freskëta në varrin e ushtarit të panjohur, pa u rrjeshtuar në tribunën e paradës. Qe ky veprim shprehje e një qëndrimi dy faqesh, që edhe dënon qëndrimin rus kundrejt Ukrainës, por edhe nderon fitoren mbi nazizmin, duke i njohur Bashkimit Sovjetik meritën e peshën e luftës dhe sakrificat e popujve të tij për të.
70-vjetori i sivjetëm nuk qe një përsëritje e 2005-s. Ai i ngjante më shumë përvjetorëve të regjimit, kur tribuna në Sheshin e Kuq ishte një shfaqje e hierarkive komuniste të botës. Edhe kësaj here, përkrah Presidentit rus e bashkëpuntorëve të tij ishin drejtuesit e atyre pak Vendeve komuniste t’Azisë apo Amerikës Latine, me Kryetarin e Kinës në qendër, mbasi partitë komuniste në Perëndim janë trasformuar ose janë të papërfillëshme. Shkaku duhet kërkuar jo në vullnetin e Rusisë për të soditur vetminë e saj, por në prirjen e përgjithëshme të Evropës apo SHBA-ës, me ndonjë përjashtim si Serbia, për të kundërshtuar politikën ruse n’Ukrainë.
Putin, në synimet e tij të fshehta, ka një strategji që priret të rikrijojë Bashkimin Sovjetik. Problemi është shumë kompleks e i ndërlikuar dhe Kryetari i sotëm i Rusisë vajton faktin që në vitet e para 90 nuk ishte në drejtimin e Kremlinit për të ndaluar, simbas tij, “katastrofën më të madhe të shekullit”. Sot Ukraina është tepër e rëndësishme për sendërtimin e synimit, mbasi përbën shtetin më të madh të ish B.S., të shkëputur nga ndikimi rus. Këmbëngulja e Evropës dhe Amerikës obamiane, për të mos lejuar një rusifikim të hapur e të përgjithshëm t’ Ukrainës, i paraprin shmangies së një përpjekjeje të Rusisë që, në t’ardhmen të shtrijë strategjinë përbashkuese të saj drejt Vendeve balltike, ku nuk mungojnë pakicat ruse, madje janë edhe të bollëshme. Kjo hamëndje mund të jetë më pak reale, po të mbajmë parasysh faktin se ato republika, të integruara në BE, kanë krijuar një standart jetese, të cilin është pak e besueshme që të ketë forca politike të bindura për t’a këmbyer atë me nivelin e jetesës në Rusinë e Putinit. Veç asaj perspektiva e një ndërhyrje të mundëshme n’ato Vende do të paraqiste një përqindje të lartë rrezikshmërie për paqen në Evropë, duke qënë ato anëtare të NATO-s. Nuk dijmë hollësitë e orëve të gjata të bisedimeve ndërmjet Kryetarit rus dhe atij francez e Kryeministres gjermane për t’ardhmen e konfliktit n’Ukrainë, por angazhimi në vetë të parë i kësaj të fundit n’ato traktativa dëshmon peshën dhe brishtësinë e çështjes.
Mendësisë perandorake të Rusisë, të lindur shekuj të shkuar, kur Pjetri I, Ekaterina, Aleksandri I dhe i II Romanov e reformonin, evropianizonin duke e përvijësuar si fuqi evropiane e botërore, i rrin shtrënguar shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Periudha e luftës së dytë botërore qe ajo më frytdhënësja për zgjerimin e Perandorisë së kuqe të Carit gjeorgjian. E mikluar nga dy grupet ndërluftuese, së pari me Traktatin e Moskës Ribbentrop – Molotov e së dyti me takimet e Teheranit e Jaltës, Rusia pa të ligjësuara kërkesat e saj hegjemoniste në pothuaj gjysmën e Evropës. Ky ligjësim u pagua shumë shtrenjtë, me vdekjen e 27 miljon njerëzve por roli i mbifuqisë, që merrte me mbarimin e luftës, shpërblente çdo humbje njerëzore e lëndore. Mbifuqia shtriu kthetrat e saj në të gjithë botën, në Azi, Afrikë, Amerikën latine e, madje edhe n’Evropë me kampin socialist dhe partitë komuniste të Perëndimit.
Me kohë sistemi evoluoi nga një regjim terrorist që shkaktoi miliona viktima, në një shtet autoritar njëpartiak e në një shoqëri që nuk kishte më frikë të kërkonte disa liri e të drejta në vitet 80, kur në drejtim të partisë e të shtetit u ngjit Mihail Gorbaçovi. Roli i tij, brënda e jashtë B.S., nëpërmjet “trasparencës dhe rindërtimit”, qe mjaft pozitiv për demokratizimin e jetës së brëndëshme dhe paqtimin e asaj ndërkombëtare. Por edhe se Presidenti i fundit i shtetit sovjetik përpiqej, nëpërmjet reformave liberalizuese, të zgjaste jetën e sistemit, ky u shemb nën peshën e dështimit ekonomik dhe aspiratave të brezit të ri për më shumë liri e të drejta në planin vetiak e shoqëror, veç ndikimeve të jashtëme, përfshirë edhe rolit të Papës Gjon Pali II.
Përfundimi qe demokratizimi i Rusisë në vitet e para 90, nën drejtimin e Boris Jelcinit e të një shtrese intelektuale e teknokrate që e konceptonte shtetin në parametrat e liberalizmit perëndimor. Kjo frymë solli edhe shpërbërjen e shtetit shumëkombësh, që ishte mbajtur në këmbë nga drejtimi autoritar i Carëve e, më pas, i diktaturës komuniste. Evolucioni lirisjellës i Rusisë, e mbetur e vetme në mbarështimin e trashëgimisë së mbifuqisë, pati jetë të shkurtër. Si pasojë e dobësisë së Presidentit Jelcin dhe korrupsionit të rrethit të tij, në drejtim erdhi Putin që kishte qënë drejtues i KGB-së në Gjermaninë Lindore. Sot Rusia është një demokraci e brishtë, ku sundojnë ish kolegët e Kryetarit Putin dhe oligarkët e lidhur me pushtetin.
Mendësia është kthyer, në forma të tjera, n’atë të regjimit. Sot Rusia e Putinit luhatet mes dëshirës së zjarrtë për të rikrijuar perandorinë e humbur e vetëdijes së rreziqevet që, një ndërmarrje e tillë, paraqet në marredhëniet me pjesën tjetër të botës. Bojkotimi i festimeve të 70-vjetorit, nga Evropa dhe SHBA-s, është një tregues i saktë i atyre luhatjeve. Megjithatë Rusia zyrtare vazhdon të përkundë ëndrrën e saj të mbifuqisë, gjë të cilën e tregoi edhe në paradën e fundit, kur lloje të reja armësh bashkëkohore parakaluan, si dikur, në Sheshin e Kuq. Ndoshta, ndërmjet trupave ruse atë ditë kishte edhe ushtarë të kthyer nga Ukraina, si dikur ata që ktheheshin nga Berlini, nga Poznani, nga Budapesti, nga Praga, së bashku me medaljet e tyre dhe “krenarinë” se i kishin shërbyer “nënës së madhe Rusi”, “atdheut të socializmit në botë”.
Sot bota nuk është më ajo e gjysmës së dytë të shekullit të shkuar. Problemet e saj janë shqëndralizuar, janë bërë të ndryshme, janë mprehur nga pabarazitë, gjithnjë e më të dukëshme, mes Vëndeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim. Sot luftërat lokale, në tërësinë e tyre, krijojnë idenë e një “lufte të tretë botërore”, në se do më lejohej të parafrazonja Atin e Shenjtë. Sot jemi të pranishëm, në një hapësirë jo të vogël, të një mendësie kriminale, që shfaqet në vrasjet masive, në shpërnguljet dhe terrorizmin kundër të krishterëve n’ Azi dhe n’Afrikë, të kryera nga një pjesë e vogël “myslimanësh”, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me doktrinën që ka gati njëmijë e pesëqind vite jetë. Sot autoriteti i mbifuqisë nuk është më vedimtar në zgjidhjen e problemeve të botës dhe organizmat shumëkombëshe janë të pafuqishme të marrin vendime, si pasojë e kundërshtive të brëndëshme e të interesave të ndryshme. Sot Kina, me fuqinë e saj ekonomike dhe politikën e zgjerimit të heshtur, po ndryshon gjithë barazpeshat e globit. Sot jetojmë në një mungesë të theksuar “liderësh” politikë në nivel botëror, hasim në personazhe mesatarë, apo më poshtë se të tillë, pa fuqi bindëse, robë të interesave të çastit, pa më të voglën aftësi për t’i parashikuar e aq më shumë për t’i paraprirë apo për t’i parapregatitur ngjarjet.
Në këtë paralizë projektesh e vendimesh që lejon amullinë e situatave e krijon pasigurinë në shumë zona të planetit, madje edhe rrezikun real për shumë bashkësi njerëzish, është e pranishme edhe Rusia e Putinit, që nuk vuan nga pavendosmëria, përkundrazi, me ëndrrën e saj perandorake e me mallin për “madhështinë” e Vendit të tij që “Jo vetëm mbrojti atdheun por çliroi njëmbëdhjetë Vende t’Evropës”. Mëkat që Kryetari i Rusisë ende nuk e ka kuptuar se “çlirimi”, për të cilin mburret edhe mbas 70 vjetësh, ka qenë i tillë vetëm për kastat besnike të drejtuesve sovjetikë. Qytetarët e Vendeve të Lindjes ish komuniste, në vend të termit të Putinit, shumë mirë mund të venë atë “skllavërim”, duke i rikthyer së vërtetës historike të drejtën e qytetarisë, të mohuar prej shumë dhjetëvjeçarësh.
Ëndërra e drejtuesve rusë për të përsëritur epopenë e “çlirimit” të ish domenave të Moskës, është e paracaktuar të mbetet e tillë, sepse ata popuj e kanë bërë në liri zgjedhjen e tyre.
Maj 2015 Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: DHE ËNDRRA, e Putinit, Eugjen Merlika, PARADA E MOSKËS

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT