*Sali Berisha: “Shullazi, me lidhjet e tij direkte me kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm, ai de facto ishte në mënyrë absolute, nënkryetari i kësaj qeverisjeje”- “Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë për sigurinë e tyre, të armatosen, të sigurojnë armë, për të mbrojtur veten, vatrat, pasuritë e tyre sepse nuk kanë asnjë siguri./
Nga Armand Mero (VOA)/Parlamenti pati sot një seancë të trazuar kur për orë të tëra debatet në sallë u përqëndruan në një shkëmbim replikash dhe akuzash mes palëve rreth emrit të Emiljano Shullazit, një personazh i njohur për aktivitete kriminale, i arrestuar pak ditë më parë me një barrë të rëndë dyshimesh për një seri veprash penale.
Prej kohësh, në mënyrë të përsëritur, opozita e ka lidhur emrin e tij me qeverinë aktuale, kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm. Kjo ndodhi dhe sot nga deputetë të së djathtës duke kulmuar me fjalën e ish kryeministrit Sali Berisha: “Me lidhjet e tij direkte me kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm, ai de facto ishte në mënyrë absolute, nënkryetari i kësaj qeverisjeje”
Por zoti Berisha shkoi më tej, duke provokuar reagimin e shumicës, kur tha se “ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë për sigurinë e tyre, të armatosen, të sigurojnë armë, për të mbrojtur veten, vatrat, pasuritë e tyre sepse nuk kanë asnjë siguri. Nëse ju o organizatë kriminale mendoni të terrorizoni opozitën dhe qytetarët me bandat tuaja, ju garantoj se opozita dhe qytetarët janë të gatshëm t’ua kthejnë ju me të njejtat mjete, dhe të mos dini ku të futeni”
Menjëherë pas deklaratës së zotit Berisha, ndërhyri ministri i Brendshëm Saimir Tahiri: “Unë nuk di si ky parlament vazhdon ende diskutimet normalisht, kur një ish kryeministër, bën thirrje publike që populli të armatoset. Dhe unë nuk besoj se ka thirrje më kriminale se sa kaq, nuk besoj se ka thirrje më antikushtetuese se sa kaq, nuk besoj se ka më djallëzi se sa kaq. Dhe unë shpresoj shumë që Prokuroria të gjejë kurajon dhe ta thërrasë, pikërisht pse është vepër penale të bësh thirrje publike për armatosje”
Jashtë sallës së parlamentit, zoti Berisha e zbuti qëndrimin e tij duke saktësuar se nevojitet një ligj për armëbajtje personale, si në Shtetet e Bashkuara, theksoi ai. E majta kërkoi më pas zyrtarisht që ndaj ish kryeministrit të merreshin masa e të pezullohej për 10 ditë nga parlamenti.
Ndaj akuzave për lidhje direkte me Shullazin ishte përgjigjur më parë kryeministri Edi Rama i cili kishte kujtuar dy raste në të kaluarën kur Shullazi sipas tij kishte prishur mitingjet e së majtës në opozitës, ndërsa për arrestimin e tij nënvizoi se “normalisht arrestimet bëhen në bashkëpunim me prokurorinë. Por në këtë rast e vërteta është pak më ndryshe. Ndalimi është bërë nga policia e cila ka nisur procedurën pa patur një denoncim konkret, por duke u nisur vetëm nga një indicje, e paprovuar. Dhe e ka ndaluar e ka kërkuar nga Prokuroria autorizimin për arrestim dhe e ka marrë autorizimin pas mensate, ndërkohë që personazhi në fjalë ka qenë në qeli”.
Ndërsa ministri i Brendshëm Tahiri nga ana e tij deklaroi: “Unë jam shumë i gatshëm. Gjeni një provë të vetme të lidhjes sime të supozuar me Shullazin apo me këdo tjetër. Ngrini një komision hetimor, verifikoni nëse ka punuar policia apo jo? Nëse është e vetme policia që ka punuar për këtë cështje apo jo? Nëse ka punuar Prokuroria apo jo? Ngrini komisionin hetimor dhe premtoni publikisht që do bashkoni votat me ne që përgjegjësi që nuk ka bërë detyrën të largohet nga detyra”.
Fjalët e zotit Tahiri mbi përgjegjësinë e mundshme në rastin Shullazi u duk se i drejtoheshin Prokurorisë, aq më tepër që kryeministri Rama kish deklaruar më parë se sipas tij, kërkesës së Policisë për përgjimin e Shullazit, Prokuroria nuk i ishte përgjigjur. Një deklaratë të cilën pak më vonë ministri i Brendshëm e cilësoi si një lapsus.