• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nimanbegu: Vështirë se partitë shqiptare do të jenë në Qeverinë e Malit të Zi

August 31, 2020 by dgreca

Nga Valon TELA- Evropa e Lire-

Ish-nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se rezultati i zgjedhjeve paralmentare në Mal të Zi, që ka sjellë afër pushtetit partitë opozitare pro-serbe, është pasojë e situatës ekonomike, ndjenjës së padrejtësisë dhe Ligjit për Liritë Fetare.

Nimbanbegu, i cili në zgjedhjet e 30 gushtit ka kryesuar Listën Shqiptare, thotë se shqiptarët vështirë se mund të jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme malazeze.

Ai nuk e pranon dhe as mohon mundësinë e koalicionit me opozitën e deritashme pro-serbe, por thotë se në të kaluarën ajo është shprehur me deklarata anti-shqiptare.

Ne kërkojmë përmirësim në statusin tonë identitetar dhe ekonomik, thotë Nimanbegu.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Nimanbegu, rezultatet e deritashme të zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi tregojnë se shanset për të fituar pushtetin i kanë partitë opozitare. Ju keni qenë edhe nënkryetar i Parlamentit në katër vjetët e kaluar. Si e komentoni këtë ndryshim të mundshëm të skenës politike, pas gati tri dekadash? A ka qenë i pritshëm?

Genci Nimanbegu: Zgjedhjet e fundit në Mal të Zi treguan për një ndryshim të vullnetit të votuesve. Subjektet që ishin në opozitë në mandatin e kaluar – të gjitha së bashku – fituan 44 mandate, që do të thotë rreth 55 për qind të tyre. [Situata e krijuar] do të thosha se është prodhim i politikave të deritanishme në Mal të Zi, i vendimeve që janë marrë. Mbetet të shihet se si ky realitet do të drejtohet drejt qytetarëve të Malit të Zi, por edhe drejt synimeve euro-atlantike të shtetit.

Radio Evropa e Lirë: Pse mendoni që elektorati, thënë kushtimisht, e ka ndëshkuar partinë e deritashme në pushtet të presidentit Millo Gjukanoviq?

Genci Nimanbegu: Si pjesëmarrës në jetën politike, vlerësoj se kjo ka të bëjë shumë me situatën ekonomike të qytetarëve, ndjenjat e padrejtësisë, por edhe me një ligj që është miratuar në fund të vitit të kaluar në Kuvendin e Malit të Zi, mbi liritë fetare. Pas miratimit të tij, Kisha Ortodokse Serbe dhe strukturat rreth saj kanë bërë shumë presion politik dhe kundërshtime. Dhe, kjo natyrisht ka bërë që koalicioni që është i lidhur me kishën, apo që është pro-serb, të fitojë 35 për qind të votave, ndërsa në të kaluarën ka pasur rreth 30 për qind. Këto 5-6 mandate të humbura nga koalicioni i Gjukanoviqit kanë qenë vendimtare për ndryshimin e pushtetit.

Radio Evropa e Lirë: Partitë opozitare që mund të fitojnë pushtetin i lidh nacionalizmi serb dhe orientimi pro-rus. Çfarë do të thotë kjo për Malin e Zi në përgjithësi dhe komunitetin shqiptar në veçanti?

Genci Nimanbegu: Kjo është një sfidë për ne. Shumë brenda këtyre subjekteve janë shprehur me deklarata anti-shqiptare, anti-Kosovës, kanë thënë se hapi i parë i tyre do të jetë tërheqja e njohjes së Kosovës. Megjithatë, ky nuk pritet të jetë debati në ditët e ardhshme. Deklaratat e para të tyre [pas zgjedhjeve] së paku ishin deklarata qetësuese, që bënin thirrje për bashkëpunim. Madje, një udhëheqës i listës së dytë opozitare, që ka fituar dhjetë mandate – që në Mal të Zi do të thotë mbi 13-15 për qind të votave – ka thënë se do t’i ftojë edhe partitë e pakicave në qeverinë e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Nimanbegu, e përmendet edhe ju çështjen e Kosovës. Ish-deputetë të Frontit opozitar Demokratik kanë bërë thirrje më herët për tërheqjen e njohjes së Kosovës. Ata janë tani shumë afër marrjes së pushtetit në Mal të Zi. A mendoni se mund të tërhiqet njohja e Kosovës?

Genci Nimanbegu: Njohja e Kosovës është bërë nga ana e Qeverisë së Malit të Zi, nuk është votuar në Kuvend në vitin 2008. Kjo mund të jetë çështje edhe e qeverisë së ardhshme. Por, dyshoj se partia URA, që ka fituar katër mandate dhe tani për tani do të jetë çelësi i qeverisë së ardhshme, do ta pranojë një sfidë të tillë. Por, në aspektin afatgjatë, nëse URA do të jetë pjesëmarrëse në qeveri dhe do të bëhet një akt i tillë, do të rrezikohen marrëdhëniet rajonale dhe ecuria e bashkëpunimit midis Malit të Zi dhe Kosovës, që, deri më tash, sipas zyrtarëve të dy qeverive, ka qenë shumë e mirë. [V.j. URA udhëhiqet nga shqiptari Dritan Abazoviq].

Radio Evropa e Lirë: Ndalemi pak te çështja e shqiptarëve. Nga rezultatet e deritashme, po ashtu bëhet e ditur se shqiptarët e Mali të Zi do të kenë një përfaqësim më të madh në përbërjen e re parlamentare, krahasuar me katër vjetët e kaluar. Çfarë do të thotë kjo për komunitetin atje?

Genci Nimanbegu: Edhe gjatë këtyre zgjedhjeve janë bërë oferta politike që besoj se populli i ka vlerësuar dhe me votë u ka dhënë besimin. Secili deputet përfaqëson subjektin apo votuesit e tij, por edhe shqiptarët në përgjithësi. Në këto zgjedhje, edhe pse pjesëmarrja ishte shumë e madhe, votat për shqiptarët nuk kanë rezultuar me tre mandate, siç ka qenë pritshmëria, por besoj se edhe këto dy mandate do të jenë më kualitative në mënyrën e përfaqësimit. Por, e shoh shumë të vështirë që shqiptarët, në të ardhmen, mund të jenë [pjesë] në Qeverinë e Malit të Zi. Deri më tani, vërtet kemi pasur shumë konflikte me partitë pro-serbe. Unë isha [anëtar] në Kuvendin e Malit të Zi dhe bashkëpunimi do të duhej të bëhej me reciprocitet dhe duke i pranuar qëndrimet tona politike.

Radio Evropa e Lirë: E përjashtoni koalicionin e mundshëm me opozitën pro-serbe?

Genci Nimanbegu: Jo, është shumë herët të thuhet se përjashtohet ose pranohet, sepse nuk është bërë ndonjë ofertë zyrtare. Andaj, nuk dua të jap deklarata mediatike se jemi për apo kundër qeverisjes së ardhshme. Ne do t’i marrim hapat sipas vlerësimeve tona, çfarë është më mirë për përfaqësimin tonë dhe për ardhmërinë tonë, por gjithmonë duke tentuar të ruajmë identitetin tonë, qëndrimet tona politike. Pra, ne kërkojmë përmirësim në statusin tonë, qoftë identitetar, por edhe ekonomik.

Radio Evropa e Lirë: Nëse opozita [e deritashme] pro-serbe ju bën ofertë zyrtare, nën cilat kushte do ta pranonit koalicionin?

Genci Nimanbegu: Ne i kemi të qarta synimet tona, qëndrimet tona, nuk kemi ndryshuar vite me radhë, as për opozitën pro-serbe ato nuk janë të panjohura. Do të shohim se si do të ecin ditët e ardhshme. Tani, pas zgjedhjeve, dua të shfrytëzoj rastin të falënderoj secilin votues, secilin qytetar për fushatën, e cila ka pasur ndikime të pandershme në vota, posaçërisht nga ana e zyrtarëve lokalë dhe të partisë së Millo Gjukanoviqit, si për shembull me oferta udhëtimesh, që ndikojnë në votën e lirë. Ne duhet ta ngremë zërin që shoqëritë tona të jenë sa më demokratike, që vullneti i votuesve të jetë i lirë dhe kështu do të vazhdojmë.

Radio Evropa e Lirë: Mandatet e dy deputetëve vijnë nga dy koalicione të ndryshme. Si do të ndikojë kjo në vendimmarrje, kur bëhet fjalë për interesat e shqiptarëve?

Genci Nimanbegu: Në hyrjen e parë në parlament do të jenë Nik Gjeloshaj [nga Lista Shqiptare] dhe Fatmir Gjeka [nga koalicioni “Bashkë nji za”]. [V.J. Gjeloshaj, pasi është edhe kryetar i Komunës së Tuzit, nuk mund t’i ushtrojë dy funksione dhe mandatin e deputetit e vazhdon Nimanbegu]. Koalicioni jonë, Lista Shqiptare, do t’i bëjë thirrje edhe koalicionit tjetër që të ulemi dhe t’i dakordojmë qëndrimet tona në masën më të madhe të mundshme.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët edhe ju më herët pritshmërinë për tre deputetë shqiptarë. Sikur të bashkoheshit përpara zgjedhjeve, do të ishte më e lehtë arritja e këtij synimi?

Genci Nimanbegu: Me këto vota dhe me këtë dalje, edhe një listë nuk do t’i prodhonte tre deputetë. Për tre deputetë ishin të nevojshme 15,000 vota; ne i kemi marrë 11,000 vota. Shpresojmë që faktori shqiptar të rritet në të ardhmen edhe më tepër. Ne kemi kërkuar disa herë mandate të garantuara dhe shpresojmë të gjejmë bashkëbisedues edhe në qeverisjen e ardhshme. Por, në Kuvendin e Malit të Zi duhen dy të tretat e votave për ndryshimin e Ligjit elektoral dhe kjo çështje do të jetë pjesë e debatit në katër vjetët e ardhshëm.

Radio Evropa e Lirë: Keni besim se do ta arrini këtë qëllim?

Genci Nimanbegu: Ne do të tentojmë, do të kërkojmë dhe shpresojmë në mbështetje edhe të komunitetit ndërkombëtar për këtë kërkesë. Deri tani nuk e kemi pasur. Unë jam posaçërisht i brengosur nga qëndrimi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që shumë herë nuk ka raportuar për qëndrimet tona, për problematikën tonë. Por, shpresojmë të kemi mbështetje edhe nga Shqipëria, edhe nga Kosova, edhe nga faktori ndërkombëtar.

Filed Under: Interviste Tagged With: Nimanbegu, Partite shqiptare, Qeveria e Malit te Zi, Valona Tela

Pse partitë politike shqiptare po e përkrahin Gjukanoviqin

March 29, 2018 by dgreca

1 Esad Gjonbalaj 2Nga Esad Gjonbalaj/

Përkrahja e njërit nga dhespotët e fundit nga  mbeturinat politike  të ish Jugosllavisë nga ana e subjekteve politike shqiptare është skandal në vete. Politika e këtij  dhespotit në vazhdimësi është realizuar përmes formulës së mirënjohur dividi et imperá ( përçaj dhe sundo) dhe këtë formulë e ka përdorur në mënyrë perfide në tri dekadat e fundit. Kjo metodë ka rezultuar me përçarjen e shqiptarëve në mes veti,  ku sot në Mal të Zi kemi më se njëmbëdhjetë subjekte politike shqiptare, por njëkohësisht kjo përçarje ka rezultuar edhe me  defaktorizimin e  vetë faktorit politik shqiptar në Mal të Zi.1 shoqatat e MalesiseOrkestrimet politike të Gjukanoviqit janë implemetuar në hije,  përmes korruptimit dhe dekurajimit të votuesit shqiptar, metodë kjo që u tregua të jetë shume efikase për çorientimin e votuesit shqiptar siç u dëshmua  me rastin e deklarimit në  zgjedhje lokale për komunën e Tuzit.

Vallë për shumë kënd është dilemë se si duhet të veprojnë subjektet politike shqiptare; A të bëhen  pjesë e sistemit apo gjithnjë të rezistojnë ndaj shtetit dhe qeverisë malaziase.

Përzgjedhja e subjekteve apo përkrahja individuale e subjekteve të caktuara politike shqiptare për Gjukanoviqin dhe nomenklaturën e ti është jo produktive dhe kundër interesave të shqiptarëve. Edhe vetë fakti i ekzistimit të rreth 11 subjekteve politike është fryt i punës së Gjukanoviqit dhe metodave të tij  të mbjellës së farës së  keqe në njërën anë, ndërsa ana tjetër e medaljonit paraqet kvazin dhe patriotizmin e  disa subjekteve politike shqiptare që asgjë nuk kanë bërë në të mirë të interesave të vetë shqiptarëve në Mal të Zi tash e tri dekada.

Çorientimi i këtillë nga liderë jo korizmatik por liderë  të interesave personale ka sjellë klimën perfekte për  notimin e Gjuknoviqit dhe klikës së ti politike ku të dojë ai nëpër interesat  tona kombëtare.

Subjekte politike shqiptare  duhet të jenë vizionare, respektivisht ato që kanë vizion duhet të  unifikojnë qëndrimet e mos të bëhen pjesë e garniturës politike të shteti malazias sa për të qenë  dekor pa vlerë në mur, dhe çdo kyçje nuk guxon të jete selektive por me listë te përbashkët dhe me qëndrime të qarta dhe transparente për opinionin publik dhe votuesin shqiptar si dhe të kushtëzojnë  (duke i pasur parasysh mbi të gjitha interesat kombëtare) çdo kyçje në aparatin e këtij shteti ku gjinden sot që quhet Mali i Zi.

Strategjia përçarëse  e Gjukanoviqit “Take the best leave the rest” (merri më të mirët dhe shporri të tjerët) për kauzës e dhespotit ka funksionuar  jashtëzakonisht mirë dhe si pasojë të saj sot ne shqiptarët  kemi mezi një deputet në parlamentin e Malit te Zi.

Subjektet nacionale shqiptare nëse me  të vërtetë janë shqiptare duhet të gjunjëzohen para interesave kombëtare të shqiptarëve ne Mal Te Zi duke i lënë të gjitha interesat, mosmarrëveshjet dhe inatet anash, me qellim të vetëm të prosperitet të kombit shqiptar.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Esad Gjonbalaj, Gjukanovicin, Partite shqiptare

Zaev, në Qeveri me partitë shqiptare pas marrjes së mandatit nga Ivanov

May 17, 2017 by dgreca


1 Zaev
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ia ka dorëzuar mandatin për formimin e Qeverisë së re, liderit të Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev, pasi ka marrë, siç tha, garancitë e kërkuara për ruajtjen e karaterit unitar të shtetit.“Janë tejkaluar të gjitha pengesat për dhënien e mandatit. Sot po i qasemi përmbushjes së nenit 84 alineja 1 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë për ndarjen e mandatit për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja e cila ka shumicën në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, ka propozuar zotin Zoran Zaev që të jetë kandidat të cilit do t’i ndahet mandati për formimin e Qeverisë së Maqedonisë”, tha Ivanov.

Ndërkohë Zoran Zaev, i cili kryeson me shumicën parlamentare të përbërë nga partia që e drejton, LSDM-ja dhe partitë politike shqiptare, ka theksuar se në emrin e shumicës parlamentare, ashtu siç ka premtuar edhe përpara qytetarëve edhe Presidentit të shtetit, këtij të fundit i ka dorëzuar një letër si garanci se “zotohet për mbrojtjen e unitetit, sovraniteti, pavarësisë dhe multietnicitetit të shtetit”.

“Garantojmë respektimin e rendit aktual kushtetues, por dhe mbrojtjes territoriale të Republikës së Maqedonisë. Garantojmë mbrojtjen e interesave shtetërore”, ka theksuar Zaev, menjëherë pas marrjes së mandatit për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë.

Zaev ka thënë se “asnjë dokument, platformë, deklaratë, akt ose veprim që do të ishte kundër të lartpërmendurave nuk mund të jetë kusht për formimin e Qeverisë”.

Zaev pasi ka dalë nga Presidenca para gazetarëve është zotuar se si mandatar dhe kryeminitstër i ardhshëm do të angazhohet që Qeveria e ardhshme reformuese, do të ndërtojë një Maqedoni, unitare, qytetare dhe evropiane.

“Të gjitha forcat do t’i orientojmë për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Të sigurojmë kushtet për jetë kualitative për të gjithë qytetarët në Republikën e Maqedonisë me mirëkuptim të ndërsjellë”.

“Respektimin e multietnicitetit në shtet dhe marrëveshjen kornizë. Në këtë mënyrë do t’i hapim perspektivat e vërteta për të ardhmen e qytetarëve si dhe perspektivat për një Maqedoni moderne dhe euroatlantike”, ka theksuar Zoran Zaev.

Lideri social-demorkat tha se menjëherë do të fillojë bisedimet me të gjitha partitë politike shqiptare, Bashkimin Demokratik për Integrim, Aleancën për Shqiptarët dhe Lëvizjen Besa për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë.

“Dëshiroj që të gjitha këto parti, Bashkimi Demokratik për integrim, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa të jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme”, ka thënë Zaev duke nënvizuar se do të angazhohet që Qeveria e ardhshme të formohet në një afat edhe më të shkurtër se që është përcaktuar me Kushtetutë prej 20 ditësh.

“Nuk do të presim afat 20 ditor, menjëherë do të fillojmë bisedimet me partitë që i kanë dhënë 67 nënshkrimet për mandatin dhe do të mundohemi që në afat prej më pak se 10 ditëve ta formojmë kabinetin qeveritar dhe ta dorëzojmë propozimin në Kuvend”, është shprehur Zaev pas marrjes së mandatit për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë.

Ai njëherësh ka nënvizuar se shpreson që qeveria e ardhshme të formohet para 1 qershorit që me kohë të shfuqizoj testimin ekstern për nxënësit e shkollave fillore dhe atyre të mesme ashtu siç ka premtuar .

Filed Under: Analiza Tagged With: Partite shqiptare, Presidenti Ivanov, Zaev

PARTITË SHQIPTARE NËN MALIN E ZI PO FALIMENTOJNË PARA GJUKANOVIÇIT

March 1, 2014 by dgreca

 NGA RAMIZ LUSHAJ/ 

1.  Si askund tjetër në botën e shek. XXI, shqiptarët etnik në trevat e veta nën Malin e Zi kanë numrin ma të madh të partive politike. Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 tetorit 2012 shqiptarët dolën me 8 forca politike (në koalicione apo të vetme) e, sipas përllogaritjeve, i takon 1 parti shqiptare në  4.000 shqiptarë trojenik.

Subjekti politik shqiptar, ndonëse i vogël numerikisht– i katërti për nga popullsia-pas malazezëve, serbëve e boshnjakëve, po copëzohet së tepërmi e keqas nga parti politike shqiptare, disa prej të cilave po iu harrohet emri, po ka edhe parti të reja që nuk po e krijojnë dot emrin e lidershipin e vet në skenën politike malazeze e atë mbarëkombëtare shqiptare.

Partitë politike shqiptare nën Malin e Zi as në dekadën e tretë të demokracisë nuk po prodhojnë lider të formatit të madh, ndërkohë që ma shumë se kurrë duhet sot një lider unifikues i faktorit politik shqiptar.

Zakonisht po themelohen (shuhen apo shkrihen) parti politike shqiptare të atilla që të jenë ma së forti “mburojë” politike, ekonomike, shoqërore e diplomatike për liderët e tyre provincial dhe kësisoj (ata-ato) mbeten ligsht në mbrojtje të interesave e në zbatim të kërkesave të elektoratit të tyre shqiptar rrëzë kufinit e detit, rrëzë lumit e malit dhe rrëzë greminës së halleve në rritje.

 

2.

Mali i Zi multietnik e ballkanik, ndryshe nga çdo shtet tjetër i botës së sotme, ka ma shumë parti elektorale, krahasimue me popullsinë e tij – 654.000 banorë  dhe sipërfaqen e tij – 13.812 km2.

Vetëm në zgjedhjet parlamentare të 14 tetorit 2012 shenohen mbi 30 parti politike. Përndryshe: 1 parti politike për rreth 20.000 shtetas të Malit të Zi. Shqiptarët numerikisht janë një e katërta e tyre (!)

Mali i Zi i ka 15 parti parlamentare si partitë e mazhorancës: Partia Demokratike e Socialistëve (DPS e Gjukanoviçit), Partia Social-Demokrate e (SPD e kryeparlamentarit Ranko Krivokapicit), Partia Liberale e Qëndres së Majtë, Partia Boshnjake, Partia Inisiativa Qytetare Kroate. Partitë e opozitës: Lëvizja për Ndryshim (PzP), Partia e re Demokratike Serbe (NOVA), Partia Popullore Socialiste (ish krahu i djathtë i Millosheviçit) dhe ma e reja, “Mali i Zi Pozitiv”. Ndër to, në mazhorancë, hyjnë edhe 6 partitë shqiptare, në dy aleancat “Për Bashkim” e “Koalicioni Shqiptar” (që dy deputetët e tyre në Parlament i kanë me rrotacion, me mandat përkohor).

Një krahasim politik, sa komik edhe tragjik: nga 11 parti parlamentare të mazhorancës 6 prej tyre janë të dy koalicioneve shqiptare. Një numër tepër i madh (!) mbi gjysma e tyre, saqë të duket sikur ia “kalon” edhe koalicionit udhëheqës të Gjukanoviçit, Koalicionit “Mali i Zi Europian” me tri parti. Apo ndryshe: nga 15 parti parlamentare, 6 prej tyre janë shqiptare, çka nga ana numerike duket si “arritje demokratike”, ndërsa nga ana praktike shqiptarët trojenik si pakicë etnike janë “jashtë” Parlamentit, të pa qasur në Qeveri, larg parametrave e kërkesave të konventave ndërkombëtare të OKB, BE, OSBE e Këshillit të Europës.

 

3.

Partitë politike shqiptare nën Malin e Zi  gjukanoviçian po përjetojnë situata si në kohën e barbarit e gjakatarit kundërshqiptar Millosheviç përsa iu përket lirive kushtetuese për pjesmarrje në qeverisjen e shtetit malazez në nivelin lokal e qendror.

Mali i Zi nuk ka nënkryetar shqiptar të Parlamentit, sikurse u zgjodh në fundvitin 2012 Sulo Mustafiq i komunitetit boshnjak, një nga zyrtarët e lartë të Partisë Boshnjake të Rrozhajës.

Mali i Zi, prej 4 dhjetorit 2012 nuk ka asnjë ministër shqiptar në qeverinë e Gjukanoviçit, sikurse kishte në çdo mandat qeverisës prej vitit 1998 si ministër pa portofol apo ministër për Pakicat Etnike.

Mali i Zi, vet gospodari i tij Milo Gjukanoviç, çka s’bani në (prapa)skenë për t’ua marrë shqiptarëve të vetmen komunë të mbetun me shumicë shqiptare, të qeverisur prej shqiptarëve. Kur shqiptarëve iu banë thirrje deri edhe varret e deti e i bashkuan mendjet e duart për aleancë me i zgjedh shqiptar kryetarin e komunës dhe atë të këshillit, Gjukanoviçi shoven shpërtheu në sulme hakmarrëse bio-politike kundërshqiptare ndaj partive politike shqiptare.

Mali i Zi i Gjukanoviçit nuk po i lejon shqiptarët të ngrejnë komunën e pavarur të Tuzit, e ndanë komunën e Plavë-Gucisë duke defaktorizue shqiptarët etnik të atyshëm; po ndihen të rrezikuar nga asimilimi e shpopullimi shqiptarët e Rrozhajës, Ulqinit, Tivarit, Plavë-Gucisë, Podgoricës, etj. Një shembull: shqiptarët në komunën e derisotme të Plavë-Gucisë, sipas përqindjes së popullsisë shqiptare, sipas rregullave demokratike, shtetërore e njerëzore, iu takon të kenë mbi 200 vende pune në nivele të ndryshme, po janë punësuar vetëm mbi 60 shqiptarë etnik (!)

Partitë politike, sipas politilogëve të shquar si M. Ueber, G. Sartori, etj, i paraqesin si bashkim i lirë i njerëzve me qëndrime të njëjta, të cilat marrin pjesë në zgjedhje me programet e tyre për të siguruar poste publike.

Nisur nga ky fakt përcaktimor i tyre duhet të pohojmë me dhimbje: partitë politike shqiptare nën Malin e Zi kanë dalë jashtë fuksionit të tyre themelues e themeltar. Përndryshe: kanë “falimentuar” e po falimentojnë para Gjukanoviçit, para elektoratit të tyre shqiptar.

 

4.

Ndoshta, kryehere, partitë politike shqiptare i ndoqi fati i keq i ndarjes ndërveti,  qyshse në atë 26 gusht 1990 kur në të njëjtin datë u themeluan Lidhja Demokratike e Shqiptarëve në Mal të Zi me seli në Tuzi e kryetar Lekë Lulgjuraj (nga 9 shtatori 1990 u zgjodh Mehmet Bardhi) e nënkryetar Tahir Gjonbalaj e Ragip Shaptafa dhe Forumi Demokratik në Ulqin (si organizëm i Shoqërisë Civile) me kryetar Gjergj Gjokaj e sekretar Mehmet Gjonin.

Ma të pares parti shqiptare nën Malin e Zi, Lidhjes Demokratike, pa u ba tri vjet, më 21 nëntor 1993, u shkëput një fraksion prej saj e krijoi në Ulqin të dyten parti nacionale të shqiptarëve: Unioni Demokratik i Shqiptarëve me kryetar Bajram Rexha deri më 1998 kur u zgjodh Fuad Nimani e, pastaj, në vitin 2003 Ferhat Dinosha (tashti kryetar nderi i saj) e, prej 23 dhjetorit 2012 u zgjodh Mehmet Zenka, që nuk pranoi koalicion me partitë e tjera shqiptare në Ulqin për zgjedhjen e kryetarit të saj.

Në kapërcyell të shek. XXI në Mal të Zi u krijue më 20 shkurt 2001 e treta parti politike shqiptare, Partia e Prosperitetit Demokratik në Ulqin me kryetar Osman Rexhën. Tevona, pas katër vitesh, më 2005, edhe dy parti të reja: Bashkimi Demokrat i Shqiptarëve me kryetar Ali Dodën dhe Forca e Re Demokratike (Forca) me kryetar Nazif Cungun. Dy parti shqiptare në Tuzi: Partia “Alternativa Shqiptare” me kryetar Gjergj Camaj në vitin 2006 e ndjekur nga Partia Iniciativa Qytetare  me kryetar Gjeto Sinishtaj. Dy partitë e tjera në Ulqin: Lëvizja Qytetare “Perspektiva” me kryetar Amir Mollaj dhe Partia Demokratike me kryetar Fatmir Gjekën, krijue së vonit, më 24 dhjetor 2011. Në zgjedhjet parlamentare të 14 tetorit 2012 ka marrë pjesë edhe Aleanca Rinore Shqiptare, e Anton Lulgjuraj, e cila doli  me 531 vota, ma keq se të gjitha forcat partiake politike në Malin e Zi.

Partitë politike, sipas përcaktimeve shkencore të ngritjes e funksionimit, kanë  një kërkesë thelbësore: të sigurojnë mandate në Parlament, një shumicë sa ma të madhe për të qeverisur. Në zgjedhjet e fundit parlamentare (2012) të gjitha partitë politike shqiptare nën Malin e Zi arritën të marrin vetëm dy deputetë: Fatmir Gjeka i “Koalicionit Shqiptar” dhe Genci Nimanbegu i aleancës “Për Bashkim”. Kjo ishte një humbje e fituar nga partitë shqiptare. Saktësisht: dy herë ma pak deputetë shqiptarë se në legjislaturën e kalauar. Kësisoj, kjo, nuk ndodhi as në vitin 1990 kur ishte vetëm Partia Demokratike në “Koalicionin Demokratik” me boshnjakët, pasi shqiptarët i fituan asaj here katër deputetë: Gjergj Gjokaj, Mustafë Çapuni,Tahir Perreziqi, Xheladin Zeneli. Kjo nuk ndodhi as në elektoriadën e parafundit 2009-2012 ku shqiptarët zunë katër vende në Parlamentin e Malit të Zi, nga një deputet secila parti apo koalicion: Lista Shqiptare (Partia Demokratike, Alternativa Shqiptare), Unioni Demokratik Shqiptar, Koalicioni Shqiptar Perspektiva dhe Forca (Forca e Re Demokratike).

Partitë politike shqiptare me seli në Tuz e në Ulqin janë tepër të dhanun pas mandatit të deputetit me figura nga bregdeti ulqinak e rrafshina e Podgoricës, po nuk shohin pak ma andej, përtej vetëvetes: të kenë deputet edhe nga Plava e Gucia apo Rrozhaja. Kjo ka arsyet e veta: këto janë dy nga pesë komunat me popullsi shqiptare, që kanë nevojë ta kenë përfaqësuesin e vet shqiptar. Dy parti nacionale, që mund të rrijnë fare mirë në Podgoricë si të tjerat, po i kanë selitë e tyre tek shumica e komunitetit të vet: Partia Boshnjake në Rrozhajë dhe Inisiativa Qytetare Kroate në Tivat.

Partisë parlamentare të komunitetit kroat nuk i ka hup elektorati i saj, i cili është i përqendruar në Tivat, Kotorr, Herceg Novi, Podgoricë, Tivar e Budva. Boshnjakët i dhanë një deputet ma shumë partisë së tyre parlamentare të Rifat Husoviçit. Mirëpo, shqiptarët i japin votat edhe për partitë e tjera, përveç atyre shqiptare, si për Partinë Mali i Zi Pozitiv e deri për PDS të Gjukanoviçit, etj. Disa parti shqiptare kanë pësue rënie të dyfishtë të elektoratit të tyre si Unioni Demokratik Shqiptar nga 4.747 vota më 2009 mori 2.848 vota më 2012.

E rrezikshme është se ka ra edhe fuqia politike e liderëve partiak të partive shqiptare, edhe në ato raste kur ata janë pasanik, pasi ka ra vet fuqia politike e partive të tyre në elektoratin shqiptar dhe në skenën politike malazeze. Prandaj partitë politike shqiptare duhet të bashkohen në një parti të vetme, të faktorizohen shumanshmërit në Malin e Zi multietnik, pasi shqiptarët janë të parët si popullsi katolike e të dytët si popullsi muslimane në këtë shtet, janë në tokën e vet para Krishtit e Muhametit, kur Sllavët dyndeshin në muret e Kinës e stepat e Rusisë.

Në dy elektoriadat e fundit ka ra edhe fuqia elektorale e Gjukanoviçit, i koalicionit të tij “Mali i Zi Europian”. Në zgjedhjet parlamentare të 29 marsit 2009 mori rreth 52 për qind të votave, ndërsa më 14 tetor 2012 ra në ma pak se 46 për qind të votave, aqsa pa votat e deputetëve të etnisë shqiptare apo të komuniteteve boshnjake e kroate e kishte të vështirë rizgjedhjen e tij në mandatin e shtatë si kryeministër i Malit të Zi. Edhe presidenti Vujanoviç, kandidat i partisë PDS të Gjukanoviçit, u rizgjodh President me pak vota diferencë, me 0.68 për qind.

Në këtë rënie politike të pandalun Gjukanoviçi është ba mjaft i rrezikshëm dhe kërkon t’i keqpërdorin partitë politike shqiptare për interesat e veta politike të mbrapshta, don t’i kthejnë ato në “partitura” politike të tij. Kjo po ndodh realisht me disa parti politike shqiptare e ndonjë lider partiak shqiptar. Kjo po ngjet pasi partitë politike shqiptare nën Malin e Zi po humbasin përditë në misionin, aksionin e frytshmërinë e tyre ndaj elektoratit shqiptar në trevat etnike shqiptare të autaritatëve, ardianëve e dardanëve ilirë.

Shumica e partive shqiptare krijohen në hije të njana-tjetrës e nuk japin rreze dielli për popullin etnik shqiptar, veçse çka i marrin atij. Krijimi i kaq shumë partive shprehimon tre fakte: demokracia euro-atlantike është e brishtë dhe e pashndritshme në këtë vend, diktatura e egër gjukanoviçiane është në rritje ndaj shqiptarëve trojenik në trevat e veta etnike, politikanët shqiptarë po ndjehen të lodhur nga hapat e vet.

Filed Under: Analiza Tagged With: falemintim, nen mal te Zi, para Gjukanovicit, Partite shqiptare

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT