Njëqind vjet më vonë, shqiptarët, falë përkrahjes së madhe të SHBA-ve, udhëheqin dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën, e cila ende nuk e ka përmbyllur procesin e anëtarësimit në OKB dhe organizatat e mekanizmat tjerë euro-atlantik dhe ndodhet përballë një rreziku për zhbërje të pavarësisë, nëse hynë në kurthin e korrigjimit të kufijve.
Shkruan: XHYLIJE IBRAHIMI/*
Populli shqiptar, me shekuj ka luftuar për mëvetësi dhe identitet shtetëror. Rreth njëqind vjet më parë, në janar të vitit 1919, ndizet një dritë e gjelbër në fund të tunelit për këtë popull të lashtë por të përvuajtur, të ndarë e të copëtuar.
Në Paris, më 1919 ishin mbledhur burra shteti, diplomatë, bankierë, ushtarakë, profesorë, ekonomistë dhe gjykatës nga të gjitha anët e botës për të vendosur për çështje të mëdha. Në mesin e tyre ishte edhe presidenti amerikan Uilson, kryeministri i Britanisë, Francës, Italisë dhe të tjerë. Kishte më shumë se tridhjetë vende që kishin dërguar delegacionet e tyre.
SHBA-ja, me këmbëngulje kundërshtoi ndarjen e Shqipërisë, që ishte kërkesë e pareshtur e shteteve fqinje dhe Fuqive të Mëdha. Presidenti i SHBA-së Uillson (Woodrow Wilson), në fjalimin tij, kishte deklaruar se ”Është diçka e frikshme të çosh këtë popull të madh paqësor në luftë… Por e drejta është më e çmuar se paqja dhe ne do të luftojmë për çështjet që i kemi ruajtur gjithmonë si më të dashurat në zemrat tona, për demokracinë, për të drejtën e atyre që i nënshtrohen pushtetit, që t’u dëgjohet zëri në qeveritë e tyre, për të drejtat dhe liritë e kombeve të vogla, për një pushtet universal të së drejtës, nëpërmjet një bashkimi të tillë të popujve të lirë, që do t’u sillte paqen dhe sigurinë gjithë vendeve dhe do ta bënte më në fund vetë botën të lirë”.
Kishte zëra për ndarjen e Shqipërisë në mënyrë të atillë që pjesa veriore, përfshirë edhe Shkodrën t`i jepet Malit të Zi, pjesa qendrore, përfshirë edhe Durrësin, t`i jepet Serbisë, ndërsa ajo jugore, përfshirë edhe Vlorën, t`i jepet Greqisë. Kjo arsyetohej me faktin se “shqiptarët janë një popull jo i qetë, malësor dhe pa një shoqëri të organizuar mirë”.
Amerikanët ishin kundër kësaj teorie. Xhejms Shotvell, kryetar i Shoqatës së gjeografëve amerikanë, vinte në dukje se zgjidhja e këtyre çështjeve i përket drejtpërdrejt SHBA-së, pasi që shtetet e Evropës dhe monarkitë e Ballkanit nuk gjenin gjuhë të përbashkët rreth këtyre problemeve. Shotvelli ishte i mendimit se çështja shqiptare, është dyfish e rëndësishme për SHBA-në dhe se zgjidhja e saj mund t`i besohet Amerikës, si një forcë që nuk ka interesa të drejtpërdrejta në rajon.
Parisi, vend i vijëzimit të kufijve të rinj në Evropë
Në Konferencën e Paqes (1919), gjashtë muajt e parë të saj u morën vendime kyçe nga paqebërësit, pas një lufte të përgjakshme, e cila mori shumë viktima, luftë kjo që kishte filluar për pushtet në Ballkan dhe e cila kishte mbërthyer të gjitha fuqitë e mëdha, prej Rusisë cariste, në lindje e deri te Britania, në perëndim. Vetëm Spanja, Zvicra, Holanda dhe vendet skandinave kishin arritur të mos përfshiheshin në këtë luftë. Lufta jo vetëm që shkaktoi humbjen e njerëzve, por shkaktoi edhe humbjen e pasurive, shkatërrimin e industrisë, shkencës dhe teknologjisë, por edhe solli kufij të rinj në qendër të Evropës dhe përmes Lindjes së Mesme.
Pikëpamja e Uilsonit ishte e qartë. Arritja a paqes ishte po aq e rëndësishme, sa edhe fitimi i luftës. Këtë ua kishte borxh popujve të Evropës që thërrisnin për një botë më të mirë. Këtë ua kishte borxh ushtarakëve amerikanë. “Tani është detyra ime të kryej rolin që më takon në përmbushjen e plotë të asaj për të cilën ata derdhën gjakun e tyre”, kishte deklaruar Uilsoni para Kongresit, para se të nisej për në Paris.
Një prej këtyre çështjeve, ishte edhe ajo shqiptare, ngase pa vënien e paqes në Ballkan, nuk mund të kishte paqe në Evropë.
Pretendimet e fqinjëve të Shqipërisë ndaj saj dhe territorit të saj kishin filluar shumë më herët, andaj edhe gjatë punës së konferencës, çështja shqiptare vihej në diskutim ngushtë e lidhur me çështjen e grekëve, italianëve e po ashtu edhe me çështjen serbe. Delegacioni shqiptar, që në fillim të Konferencës së Paqes në Paris hasi në vështirësi dhe u gjend përballë kërcënimeve të integritetit tokësor shqiptar, të cilat vinin nga çarqet zyrtare të Greqisë.
Shqiptarët mbështetën shumë shpresa tek Konferenca e Paqes dhe sidomos tek presidenti Uillson. Në listën e miqve të Shqipërisë bëjnë pjesë edhe dy njerëzit më të ndritur të Amerikës dhe të botës, presidenti Uillson dhe ish-presidenti Rusvelt. Në një takim me Nolin, presidenti Uilson kishte siguruar atë se do ta ndihmonte Shqipërinë. Po ashtu, ish-presidenti Rusvelt dukej se ishte jashtëzakonisht i informuar për Shqipërinë.
Një shekull nëpër rreziqe
Presidenti Uilson, së bashku me delegacionin amerikan pati ndikim vendimtar në zgjidhjen e çështjes së Shqipërisë, në kuptimin që me qëndrimin e tij pengoi zgjidhje të parakohshme, të cilat në kushtet e asaj kohe, do të ishin me siguri në dëm të Shqipërisë. Me këtë shtyrje u mundësua që kjo çështje t`i paraqitet Lidhjes së Kombeve dhe Konferencës së Ambasadorëve në Paris, në momentin kur Shqipëria tashmë ishte bërë anëtare me të drejta të plota e Lidhjes së Kombeve dhe rrethanat ndërkombëtare ofruan zgjidhje dhe perspektivë tjetër për Shqipëri.
U desh shumë punë e mund nga shqiptarët, por edhe nga individë, diplomatë amerikanë e diplomatë të tjerë, misionarë të ndryshëm, që ishin duke shërbyer në shtete fqinje të Shqipërisë, të cilët me shkrimet e raportet e tyre bënë që Amerika të shtrijë dorën e ndihmës edhe për popullin shqiptar, në këtë vend të vogël të Ballkanit
Në Konferencën e Paqes në Paris, nuk u zgjidh çështja e Shqipërisë së jugut, por suksesi i kësaj konference në favor të shqiptarëve qëndron në faktin se Presidenti Uillson pengoi jetësimin e Traktatit të fshehtë të Londrës, të vitit 1915, i cili nënkuptonte eliminimin e Shqipërisë. Presidenti Uillson dhe delegacioni amerikan, me vendimet e tyre në këtë Konferencë penguan fuqitë evropiane të realizojnë propozimet mbi zgjidhjen e problemeve të Ballkanit, të paraqitura nga shtete fqinje të Shqipërisë, propozime këto që dosido çonin në copëtimin e trojeve shqiptare.
Njëqind vjet më vonë, shqiptarët, falë përkrahjes së madhe të SHBA-ve, udhëheqin dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën, e cila ende nuk e ka përmbyllur procesin e anëtarësimit në OKB dhe organizatat e mekanizmat tjerë euro-atlantik dhe ndodhet përballë një rreziku për zhbërje të pavarësisë, nëse hynë në kurthin e korrigjimit të kufijve.
Forcimi i shqiptarëve në Ballkan, përfshirë edhe Maqedoninë, nuk po mirëpritet nga disa shtete fqinje, sidomos nga Serbia dhe aleatët e saj. Kërkohet shumë mençuri nga politikanët shqiptarë për ta përballuar këtë sfidë, në rrugën e gjatë të arritjes së pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit të dytë shqiptar në Ballkan. Pa Amerikën, rreziku për humbje, është i madh.
………………………………
*(Autorja është master i diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)